-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Idhujtaria – Prof. Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Idhujtaria – Prof. Rudian Zekthi

“E ata që mohojnë shpalljet e Allahut dhe takimin me Të, pikërisht ata kanë humbur shpresën nga mëshira Ime dhe ata i pret dënimi i hidhur. Popullit i tij nuk kishte tjetër  përgjigje vetëm të thotë: mbyteni a të ose digjeni!Por Allahu e shpëtoi atë prej zjarrit. Vërtet këtu ka shenja të qarta për një popull që beson. Dhe ai (Ibrahimi) tha: Ju në vend të Allahut,  keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por në ditën e kijametit ju do të refuzoni njëri – tjetrin dhe do të mallkoni njëri – tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri, dhe nuk do të ketë  për ju kurrfarë ndihmësi” (Surja el-Ankebut 23-25).

Video ligjeratën mbi këtë temë mund ta gjeni këtu:

1.

Sikurse e theksuam herën e shkuar, prania konstante në Kuran e pohimeve për autenticitetin hyjnor të vetë Kuranit, nënkupton refuzimin konstant të idhujtarëve mekas për të pranuar se Kurani është Fjala e Zotit. Kurani po ashtu tregon se për të legjitimuar mospranimin prej tyre të Kuranit si Fjalë Zanafillore të Zotit, ata evokonin supozimin e ngjashmërisë me ligjërime që tashmë ata i njihnin apo për të cilat kishin tashmë një ide, pra duke e quajtur Profetin ose poet, ose të marrë, ose magjistar. Ndryshethënë i përdorën për të justifikuar refuzimin e tyre, të gjithë regjistrat ligjërimorë të mundshëm, duke supozuar ne tani për ta, se mveshja e të qenit poet për Muhamedin a.s. referonte tek praktikisht rithemelimi me rrënjë që i bëri Kurani arabishtes së kohës, mveshja e të qenit i marrë, me deklarimet eksplicite për Ringjalljen, Ditën e Gjykimit dhe Xhenetin e Xhehenemin, kurse mveshja si magjistar, me pamundësinë për të shpjeguar Tërë Atë që Kurani Ishte. Ne e dimë në fakt se  këto ata i thonin nga kryeneçësia, ose në rastin më të mirë për të fituar kohë, sepse në vetvete e dinin që Kurani s’mund të bënte pjesë tek asnjë prej këtyre regjistrave ligjërimorë.

Mirëpo, ne duam këtu të nxjerrim në pah një konstatim tjetër: ata asnjëherë nuk e refuzuan Kuranin me premisën se Zoti (apo zotat siç besonin ata) nuk flasin, e për pasojë gjithë çfarë sillte Muhamedi a.s. apriori të konsiderohej e pavërtetë. Ata kishin fenë e tyre pagane, kishin 365 zota tek të cilët besonin dhe mbështeteshin, të cilët zota nuk u kishin dërguar atyre asnjëherë, asnjë profet dhe asnjë libër, nga ku do të dukej e natyrshme dhe  madje e pashmangshme (pra të delegjitimonin fenë e re duke rilegjitimuar fenë e tyre) që të refuzonin duke thënë që  një zot nuk flet, nuk është cilësi e tij të folurit. Përsa ndodhi kështu, mund të shpjegohet me hipotezën se ata e besonin të natyrshme apo së paku të mundshme, të folurën si cilësi hyjnore. Gjë që na bën të vërejmë një kontradiktë (derimëtani të fshehtë) tek themelet e idhujtarisë: megjithëse për ta nuk ishte e pamundshme që Zoti të flasë, ata ishin pajtuar të merrnin të mirëqenë që zotat e tyre ishin përhershmërisht të heshtur.

Kjo kontradiktë në fakt paraqitet në Kuran në disa prej ajeteve ku dëshmohet polemika e Ibrahimit a.s. me popullin e vet, (ajetet 62 – 66 të Sures Enbija, që ne i kemi përmendur njëherë kur kemi folur për parimin e brishtësisë): “ I thanë: A e bëre ti këtë me zotat tanë, o Ibrahim? Ai tha: Jo por atë e bëri i pari i tyre, pyetini ata nëse janë që flasin! Ata u ndalën, u menduan me veten, e dikush tha: Vërtet ju jeni mu ata të gabuarit! Mirëpo pastaj e shoshitën këtë gjë në kokat e tyre dhe thanë: Po ti e ke ditur që këta nuk flasin! Ai tha: A po adhuroni pra në vend të Allahut, ata që nuk sjellin kurrfarë dobie, as dëmi?!”. Ibrahimi a.s. u ve në dukje atyre pikërisht kurthin e kontradiktës, për të cilën ata vetë rezultojnë të pavetëdijshëm, pra që megjithëse një zot natyralisht e gëzon atributin e të folurit, zotave të tyre ky atribut u mungonte. Kontradiktë që mund të shpjegohet vetëm duke u zëvendësuar me një kontradiktë tjetër: idhujtarët duke e ditur që Zoti normalisht flet, duan që Ai të mos flasë (apo maksimumi të flasë aqsa dhe ashtu sa i shkon atyre për shtat, pra vetëm për të koduar se çfarë kërkon nga krijesat e tij) sepse nuk duan ta njohin Atë dhe as të komunikojnë me të, por vetëm të zotërojnë pragmatikisht dijen që u mundëson të mos dëmtohen prej Tij dhe të përfitojnë prej Tij.

2.

Ngasa mësipër mund të deduktohet se idhujtaria është shprehje, ose e nefsit të mosmirënjohjes për të mos komunikuar me Krijuesin, ose e pengesës institucionale për të komunikuar me Krijuesin.  Prandaj që në një shoqëri të themeluar mbi idhujtarinë, njerëzit mosmirënjohës janë si peshku në ujë, kurse njerëzit me natyrë mirënjohëse janë të munduar e të deprimuar.

Dhe në të anasjellë, teuhidi si e kundërta e idhujtarisë është shprehje e nevojës së qenieve njerëzore për të qenë të stolisur nga mirënjohja ( si rrënja e gjithë virtuteve), ose e pengimit të mosmirënjohësve në prirjen e tyre për të mosqenë të kënaqur me faktin që ka Një Zot. Prandaj që në një shoqëri të themeluar mbi teuhidin njerëzit mirënjohës ndjehen të lehtësuar e inkurajuar, kurse mosmirënjohësit të munduar e të zhgënjyer.

Pra idhujtaria nuk është drejtpërdrejt kufër dhe mohim, nuk arrin dot deri në pikën që të mohojë Krijuesin, mirëpor nuk mbërrin dot as në pikën që t’i bindet pa kushte Krijuesit, sepse edhe se e pranon atë vetvetishmërisht me atributin e të folurit, nuk do që Ai t’u flasë krijesave të tij. Në rastin më të mirë, për idhujtarët një zot mund të flasë për procedurën, pra sesi, kur dhe ku duhet të kryhen detyrimet që kanë ndaj tij, pra një e folur normative dhe pa kontekst që nuk shndërrohet në kontakt imediat dhe komunikim ndërveprues.

Mesa duket kjo shkaktohet nga dy arsye:

-mosmirënjohja si kryepasion

-ky kontakt dhe komunikim do t’i vendoste në një raport të paraprirjes së mirësisë personale prej nivelit të njohjes së Zotit dhe ndërveprimit me Të, duke i kaluar në rend të dytë  raportet mondane. Pikërisht për ta shmangur këtë sërë e për t’i dhënë vend qendror mondanes,  idhujtaria sigurisht e pranon që një zot të flasë, por në fakt, pikërisht për këtë arsye, nuk pranon që me këtë zot të komunikojë.

Dhe  vetë e shkaktuar  kështu, bën të mundshme, pra shkakton, refuzimin e Ringjalljes, Ditës së Gjykimit, Kopshtit dhe Zjarrit: njëherë po e përjashtove komunikimin me Krijuesin në Dunja, pashmangshmërisht kjo do vazhdojë dhe në Ahiret (pra ky moskomunikim), e prandaj Ahireti i idhujtarisë është pa Zot dhe pa Gjykim, e pa Xhenet e pa Xhehenem, që të gjitha sëbashku duan të thonë Pa Komunikim Me Zotin.

Sa thamë, besojmë se gjendet në Fjalën e Allahut, në Suren el-Ankebut: “E ata që mohojnë shpalljet e Allahut dhe takimin me Të, pikërisht ata kanë humbur shpresën nga mëshira Ime dhe ata i pret dënimi i hidhur. Popullit i tij nuk kishte tjetër  përgjigje vetëm të thotë: mbyteni a të ose digjeni!Por Allahu e shpëtoi atë prej zjarrit. Vërtet këtu ka shenja të qarta për një popull që beson. Dhe ai (Ibrahimi) tha: Ju në vend të Allahut,  keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por në ditën e kijametit ju do të refuzoni njëri – tjetrin dhe do të mallkoni njëri – tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri, dhe nuk do të ketë  për ju kurrfarë ndihmësi” (23-25).

Sikurse në ajetet e Sures Enbija, edhe në këto ajete flitet për historinë e Ibrahimit me popullin e vet, pra janë fjalë të referuara për idhujtarët. Dhe pohimi i parë në ajetin 23 “ E ata që mohojnë shenjat e Allahut dhe takimin me Të…” jo vetëm e bën të padyshimtë lidhjen e pandarë mes mohimit të shpalljes apo shenjave (ajat është fjala që këtu vjen e përkthyer  si shpallje) dhe Takimit me Zotin në Ahiret, por sugjeron se mohimi i idhujtarëve nuk është drejtpërdrejt mohim i Zotit dhe as i Fjalës së Tij në vetvete, por është mohim i Komunikimit të Tij, sepse fjala “ ajetet – shenjat” tregon (madje edhe më shumë se fjala shpallje) një gjendje permanente komunikimi në të cilën ka vendosur t’i vejë krijesat e tij Krijuesi. Pra fjala shenjat tregon jo thjesht që Zoti na tregon kufijtë që s’duhet t’i shkelim dhe mënyrat që të mos tërheqim Zemërimin e Tij mbi ne (pra të na tregonte këto dhe ne t’i kishim parasysh dhe t’i respektonim si detyrim për adhurim, siç synojnë idhujtarët), por përmes shenjave të tij të pakufizuara, në univers, në shoqëri, në histori, në vetet tona,  Zoti kërkon të jemi përherë të angazhuar në komunikim me Të, në një skemë që mirësinë për veten tonë e ndërlidh në mënyrë të pazgjidhshme me njohjen sa më shumë të Allahut të Madhëruar. Vijimi i mohimit të shenjave me mohimin e Takimit të Allahut në Ahiret, e konfirmon edhe më shumë këtë: shenjat në Dunja duan të thonë Komunikim me Krijuesin, sikurse takimi me Allahun në Ahiret do aq më tepër gjithashtu të thotë Komunikim me Krijuesin. Ndryshe nga ateistët që mohojnë drejtpërdrejt Zotin, idhujtarët në thelb mohojnë Komunikimin me Zotin, synim që realizohet kollaj nga zotat e shpikur: këto me siguri që nuk komunikojnë.

Kurse ajeti 25 “…ju  në vend të Allahut keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë” na konfirmon se arsyeja e refuzimit të këtij komunikimi është përndezja që sjell komunikimi mes tyre në këtë botë, që shpjegohet kjo përndezje (duke e mbyllur qarkun) me dorëheqjen nga detyrimi për mirënjohje ( vetëm mirënjohja ndaj Zotit mund të jetë e pastër dhe e plotë, sepse mirënjohja ndaj krijesave, mundet për çdo rast të kompromentohet nga vetëpëlqimi i një veprimi që edhe mund të mos  bëhej).

3.

Duke qenë mospërfshirja në komunikim me Zotin (edhe pse qartazi Zoti flet, sepse nuk mund të jetë zot pa aftësinë e të folurit) cilësi bazë e idhujtarisë, nga kjo rrjedh që idhujtaria është në thelb laike. Sepse teknika me të cilën idhujtaria funksionon, është ta kufizojë, ta censurojë në fakt, të folurën e zotit – tagutit të radhës,  pra të marrë prej tij vetëm ato fjalë, ato pak fjalë, e si rregull ato perifraza që në trajtë himnesh tregojnë për atributet e këtij zoti dhe elementë kozmogonikë, apo dhe për formulat dhe ritet sakrifikuese apo shelbyese me të cilat besimtarët garantojnë favoret e këtij zoti. Kjo teknikë ndarje, veçimi dhe distancimi është kështu njëherazi teknika edhe e idhujtarisë edhe laicizmit, sepse siç e kemi thënë tjetërkund, laicizmi është në thelb përçarje dhe specializim i ligjërimit. Kështu duke folur vetëm për disa gjëra specifike dhe duke e lënë të pamarkuar realitetin permanent të brendshëm dhe të jashtëm të besimtarëve, zoti i  idhujtarëve flet por nuk komunikon, sepse bindja ndaj një ligjërimi të tillë mund të përmbushet vetëm me veprimet e jashtme, edhe vetëm formalisht –  mekanikisht, pa qenë i obliguar besimtari  të ndryshojë kuptimet dhe nijetet e veta. Dhe mbi të gjitha, i lejon ithtarëve të këtij zoti (të rremë sigurisht) që të mos ndjehen të obliguar me një mirënjohje të pashpagueshme siç i takon Zotit Të Vërtetë, por me një mirënjohje potencialisht të kompensueshme siç është lloji i mirënjohjes ndaj krijesave.

Mirëpo laicizmi synon që jo vetëm zotave të rremë, por edhe Zotit të Vërtetë, Krijuesit të Shtatë Qiejve e Shtatë Tokave, t’i njohë atributin e të folurit, por jo atributin e të komunikuarit, rrezik që interferon drejtpërdrejt tek  marrëdhënia e muslimanëve me Kuranin. Sepse është e vetëkuptueshme se Kurani është zhbërës i laicizmit dhe kuptohet poashtu se nuk mund të ketë kuptim të plotë e të vërtetë të Kuranit, as Hak të Tij, në kushtet e nënshtrimit ndaj premisave dhe procedurave të laicizmit, por nëse kjo mospërmbushje e komunikimit u ndodh besimtarëve, atëherë duhet ta kenë të qartë se kjo përvojë moskomunikimi, i afron me përvojën bazë të idhujtarisë; jo, jo se rrezikojnë kështu besimin,por se rrezikojnë kapacitetin dhe dinjitetin, një rrezik i mjaftueshëm për të synuar kapërcimin e kësaj pavetëdijshmërie që kontaktin me Të Folurën e Zotit, ua konfondon me Komunikimin me Të.)

(Për aq sa kjo përvojë moskomunikimi mund të përfshijë edhe besimtarët, dobësia e muslimanëve në raport me jomuslimanët në kohën që jetojmë, mund të përshkruhet përmes një analogjie anasjellëse, pra duke e ruajtur tipologjinë e situatës së përshkruar nga ajetet e përmendura, por duke i përmbysur pozicionet:  dy shekujt e fundit, pasi e kanë sulmuar dhe cënuar Kuranin si Fjalë të Zotit, perëndimorët, përmes strukturës  së Orientalizmit, na kanë provokuar duke na thënë pyeteni Zotin tuaj, si mund të hidhen poshtë këto teza, dhe fakti që muslimanët deri vonë nuk arritën dot të përgjigjen, erdhi se me pavetëdije kishin reduktuar Fjalën e Zotit, sikur ajo të fliste vetëm për ritualet fetare dhe mondane dhe vetëm për Qenësinë e Zotit dhe jo për realitetin, historinë, kulturën,universin etj. Pra  të rënë në kurthin e një praktike laicizuese, reduktuese të Fjalës së Zotit, për shumë kohë, në një situatë të ngjashme, por  të përmbysur në raport me Ibrahimin a.s.: që ishte ai si besimtar që i sfidoi të pushtetshmit duke vënë në pah kontradiktën e tyre në marrëdhënie me zotat e tyre, ndërmene sot si besimtarë që sfidohemi dhe poshtërohemi prej të pushtetshmëve të kohës sonë, ndërsa sillemi sikur Zoti ynë flet, por ne nuk komunikojmë me Të. Pra pozicionin dhe sfidues dhe frymëzues te Ibrahimit a.s., që na përket neve si muslimanë, ne e kemi lënë bosh dhe në njëfarë mënyre ia kemi bërë dhuratë mosbesimtarëve, të cilët duke përfituar nga metodologjia e saktë e Ibrahimit a.s. ( që  është metodologji e të gjithë profetëve), kanë rrëmbyer pozicionin e sfiduesit duke na vendosur në  pozitën inferiore të të qenit të sfiduar.

Si ka ndodhur kjo, ne tashmë e kemi një përgjigje: Orientalizmi si strukturë ideologjike brenda Modernes, pasi e përforcoi prirjen e muslimanëve për të ndarë dijen më dysh siç kemi treguar tek  “Laicizmi i mendjes”, e zbatoi vetë laicizmin përmes një teknike kreative: e shndërroi dijen fetare dhe fenë në objekt të dijes mondane, dhe nga pozita e atij që tashmë zotëron edhe dijen mondane edhe dijen fetare, i sfidoi muslimanët që e merrnin të mirëqenë panevojshmërinë e dijes mondane. Duke na sugjeruar sërish analogji me metodën e Ibrahimit a.s., i cili duke studiuar e njohur natyrën e idhujtarisë – përmes refuzimit të hyjnorësisë së yllit, diellit dhe hënës – ia bashkoi dijes së teuhidit duke i dominuar dhe inferirizuar idhujtarët.)

4.

Këtu takohemi edhe njëherë  me natyrën hyjnore  të Ligjërimit Kuranor (siç e kemi përmendur më parë tek “Leximi me zë”), sepse Allahu në Kuran jo vetëm që flet për gjithçka që i përket fushës së njohjes dhe interesit njerëzor duke mos i dhënë asnjë hapësirë laicizmit, por edhe mënyra sesi flet, pra pa  kushtëzim kronotopik në rendin e temave dhe argumenteve (kushtëzim  i përgjithshëm për tekstet diturore), pra paparashikueshmëria e këmbimit të argumentit, është ashtu siç duhet të jetë Ligjërimi Hyjnor, Rëndësia e Padyshimtë e Të Cilit, nginj me rëndësi edhe kohën në të cilën artikulohet – çdo çast të kësaj kohe, prova më e prekshme e një gjendje permanente komunikimi.

E në këtë kuptim vetëm Surja Fatiha, do të mjaftonte si mrekulli, siç do përpiqemi të tregojmë tani:

Pa këtë Sure nuk është i mundshëm namazi, pra kjo Sure ka një funksion thelbësor procedurial, është tekst përmes të cilit përmbushet falja  ditore si një nga pesë shtyllat ku mbështetet Islami. Me këtë pazëvendësueshmëri të saj, kjo Sure me tërësinë e pohimeve të veta brenda procedurës që bën të mundshëm ritualin e namazit, fillon duke evokuar falënderimin (mirënjohjen) e krijesave ndaj Krijuesit dhe vazhdon me dy pohime (ajete) të tjera që dëshmojnë për cilësitë absolute të Zotit (Mëshiruesi Absolut dhe Sunduesi Absolut). Sikur të mbyllej këtu apo të vazhdonte vetëm duke pohuar cilësi të tjera absolute të Zotit,si një tekst ritual i përsëritur dhjetëra herë çdo ditë, ai mund të induktonte tek besimtarët vetëm vetëdijen e Zotit si të largët dhe të kufijve që e garantojnë këtë largësi: Zoti u flet dhe ata i marrin mesazhet për atë që Zoti Është, por pa hyrë në komunikim me Të, pra  thjesht marrin sinjale prej Tij, por nuk komunikojnë me Të).

Mirëpo kjo mundësi zhbëhet me vijimin e Sures, ku në ajetin e katërt sugjerohet se marrëdhënia me Zotin  E Vërtetë, influencohet dhe konfondohet nga zotat e rremë, pastaj në ajetin e pestë mësohen besimtarët të kërkojnë udhëzim prej Zotit se cila është rruga e drejtë (programi për sukses në Dunja dhe Ahiret). Kurse në dy ajetet e fundit udhëzohen besimtarët të bashkojnë aspiratat me ata që bëjnë punë të mira dhe jo me ata që bëjnë padrejtësi apo kridhen në iluzion.

Pra vazhdimi dhe mbyllja e Fatihasë, janë dëshmi permanente se Zoti nuk flet vetëm për Veten për të deduktuar nga Madhështia e Tij Protokollin e Obligimeve dhe Ritualeve të krijesave, por flet për gjithçka dhe për gjithkënd, ashtu siç në fakt i takon Krijuesit. Që bën të mundshme, në mos ndryshe, qoftë edhe vetëm përmes regjistrit të pavetëdijes,  që ata  që falen ta kalojnë marrëdhënien me Zotin e tyre, nga thjesht Të folurit Ceremonial tek Komunikimi Total, pra kontakti me fjalën e Zotit, për çdo gjë dhe në çdo çast.

Kur thamë përmes regjistrit të pavetëdijes, patëm parasysh  të shpjegonim sesi në fakt, kjo mrekulli retorike e Fatihasë, vërtet nuk u ka mjaftuar e  vetme muslimanëve, që të përmbushin komunikimin me Krijuesin, sepse edhe besimtarët mund ta lexojnë Fjalën e Zotit të distancuar e madje të ndarë e të paintegruar, në një shtangie laike të pavetëdijshme (prej pasionit mirënjohës të paktë apo prej kapacitetit komunikativ të mangët), por gdhendja që i bën Kjo Sure përshtypjes se Zoti  është i pacensurueshëm dhe flet për gjithçka (paçka se kjo përshtypje mund të mos jetë e vetëdijshme), kjo gdhendje mjafton si garanci që muslimanët  të mos i dorëzohen asnjëherë në mënyrë përfundimtare laicizmit dhe po ashtu si garanci se nëse e synojnë, muslimanët e kanë gjithmonë mundësinë ta kapërcejnë natyrën sinjalistike të protokollit, për ta përmbushur si komunikim permanent marrëdhënien me Fjalën e Zotit.

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit