Një vajzë 11 vjeçe përdhunohet (në fakt disa herë brenda ditës) nga 5 persona disa nga këta edhe minoren dhe disa nga këta vëllezër të një familje. Përdhunimi sipas mediave ka ndodhur në një interval kohor që mendohet të jetë diku në 7 orë. Minorenia është marrë me një makinë 4×4 tip “pick up”. Me pak fjalë disa çuna tërësisht spontanisht kane ngacmuar një vajzë më pas përdhunuar dhe më pas kanë thirrur disa të tjerë të cilët kane vijuar ta përdhunojnë duke ditur që ajo është minorene. Vajza ka kaluar disa orë torturë fizike dhe psikologjike dhe me shumë gjasa do ti vuaj pasojat e këtij krimi gjatë gjithë jetës.
Ngjarja ndodh në kryeqytet, në lagjen Arbëria e cila nuk konsiderohet lagje periferike. Reagimi i shoqërisë Kosovare ka qenë i jashtëzakonshëm duke filluar me protesta, me kërkesa nga funksionar të lartë për zbatim të ligjit dhe me një mal me komente në rrjetet sociale. Mbase nga presioni i publikut dha dorëheqjen edhe Drejtori i Policisë se Shtetit. Një miku im tek me komentonte një status në facebook për këtë ngjarje thoshte me të drejtë ‘se me këtë që ndodhi në Prishtinë duhet të japim dorëheqje të gjithë’.
Sidoqoftë në fakt nuk gjen në të gjithë këtë mesele një arsyetim mbi rrënjët e problemit. Sociologu i njohur Durkheim dikur thoshte që shkaqet e rritjes se kriminalitetit duhen kërkuar tek humbja e vlerave morale, fenomen të cilin ai përkufizonte si anomi sociale. Sipas Durkahim anomia (pa ligjshmëria) ndodh atëherë kur kemi ndryshime të forta sociale që ai i lidhte për kohen me industrializimin. Sipas tij, strukturat tradicionale të qëndrueshme sociale të cilat bazohen në uniformitetin e anëtarëve të shoqërisë dhe stilin e tyre të jetesës, zhduken nga ndryshimet e reja sociale të cilat për kohën ishin ndarja punës. Krizat dhe krimet në përgjithësi janë shenja të gjendjeve patologjike sociale të cilat kërcënojnë kohezionin e saj social.
Duke ndjekur komentet e publikut mbi ngjarjen do ti ndaja në ato të karakterit politik (paaftësia e shtetit për të marre masat e duhura ndaj rasteve të tilla), kulturore (shoqëria është patriarkale dhe ka nevojë të çlirohet dhe të mbrojë dhe respektojë me shumë femrën) dhe shumë pak komente në lidhje me problemet sociale që po kalon Kosova (papunësia, emigrimi I lartë, cilësia e ulët e shërbimeve publike etj.).
Atëherë kush janë shkaqet e anomisë sociale që lidhen me ngjarjen. Kosova është në një proces formësimi identitar të karakteri politik i cili sigurisht përkufizon deri diku dhe strukturat kulturore dhe sociale. Sociologu tjetër i teorisë së anomisë sociale, Robert Merton, bën një dallim midis strukturës sociale dhe strukturës kulturore. Sipas tij struktura kulturore i referohet qëllimeve dhe interesave që lidhen kryesisht me atë se çfarë shoqëria e sotme në Kosovë përcakton si kulturë nëpërmjet medias, emisioneve, shkrimeve, artit etj. Ndërsa struktura sociale i referohet mjeteve ose metodave të pranuara në shoqëri që rregullojnë dhe mundësojnë arritjen e qëllimeve (objektivave kulturor). Sistemi kulturor i shoqërisë ushtron një farë presioni tek qytetari I cili për të qenë kulturalisht i gjithë pranuar duhet medoemos që të përcaktojë veten sipas kulturës së kohës dhe ta bëjë atë vetëm nëpërmjet mjeteve të legjitimuara nga shoqëria. Duke qenë se këto mjete nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë atëherë të rinjtë ndjekin forma deviante për të arritur objektivat e tyre kulturorë (pasurimi I shpejtë, veshjet firmato, jeta luksoze etj.) dhe për tu afirmuar në shoqëri. Pra ata ose mund të bien dakord me termat përkufizues të kulturës por të përdorin mjete jo të ligjshme për ti arritur ato. Ose nuk janë dakord me kulturën e kohës por përshtaten duke përdorur mjete të ligjshme. Ose refuzojnë qoftë kulturën dhe mjetet dhe rebelojnë duke u zhvendosur tërësisht në një nënkulturë kriminale. Pra Merton thekson se varfëria në vetvete nuk është burimi i krimit por kur asaj i jepet një theks kulturor (pra I varfëri është i barabartë më një të pakulturuar dhe i pasuri është ekuivalenti i njeriut të kulturuar ose të plotësuar) dhe pasuria si qëllim dominues atëherë individ i varfër nuk mund të konkurrojë, për shkak të varfërisë së tij, për vlerat kulturore, atëherë ai padyshim do të kryejë krim për të arritur të jetë I pranueshëm kulturalisht.
Në rastin konkret, djemtë nuk kanë një problem social, pra nuk duket të vijnë nga familje me ekonomi të dobët (ata përdorin një automobil 4×4) por ata duket se janë në fazën më të rënduar të teorisë së Merton ata të rebelimit. Në këtë fazë autorët refuzojnë kulturën dhe mjetet e ligjshme dhe e zëvendësojnë atë më një kulturë dhe mjete tërësisht të papapranueshme dhe jo ligjore për kohën. Kjo sigurisht vjen nga nje kaos dhe konfuzitet kulturor I cili në mendje të pa edukuara nëpër shkolla por të ushqyera nga hip hopi apo “reality show” pa vlerë sigurisht krijon premisa për kulturën e “bad boys”. Dhe duhet pasur parasysh se kjo ngjarje nuk ndodhi një një fshat të humbur periferik por në kryeqytet në Prishtinën ku këndon Rita Ora dhe Dua Lipe, ndodhi jo shumë larg nga sheshi New Born i protestave dhe paradave të shumta, ndodhi në një ndër qytetet me vibrante të Ballkanit. Kjo ngjarje dhe të ngjashme në fakt duhet të na orientojnë në pyetje që lidhen me një farë kompleksi që duket sikur trazon kryesish parinë kryqyetatese, atë identitare, pa rehatinë mbase me traditën dhe mos konformitetin me moralizmat, qebapin dhe suxhukun dhe vrulli për një identitet tërësisht të ri kulturor kinse perëndimor që më shumë krijon paqartësi sesa orienton diku. Pra shkaqet e krimit duhen kërkuar edhe këtu, pikërisht tek paqartësia me të ‘renë’ duke zhvlerësuar çdo diskutim kritik mbi atë kulturë (programe televizive etj) që na shitet se perëndimore paçka se është pothuajse pa vlerë, duke hedhur në kosh çdo diskutim mbi moralin se është demode dhe duke lejuar formimin e një rinie tërësisht të deformuar nga pikëpamja identitare, me defiçencë morale dhe kulturalisht të mangët.
Kur S’KE MA TURP mund të bësh gjithçka, mund të ngacmosh një minorene, mund ta përdhunosh, të ftosh vëllain tënd dhe shokët e tu që ta bëjnë dhe të zgërdhihesh. Shkaqet fillimisht duhen kërkuar tek anomia jonë morale, tek humbja e fytyrës, tek humbja e njërzillëkut. Mbase kjo po na bën të harrojmë Kosovën e Adem Jasharit dhe të mos kuptojmë se çfarë po ndodh me Kosovën e Atdheut “të Përputhen”.