1.1 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Fytyra e vërtetë e ateizmit

Më të lexuarat



Fytyrën e vërtetë të ateizmit e ka shprehur më së miri Wootton-i, kur ka shpjeguar lidhjen ndërmjet ateizmit dhe imoralitetit, një lidhje aq e afërt që kushtëzohej me këdo që mohonte providencën e Perëndisë, se të gjithë këta ishin të pamoralshëm dhe se në raste përgjithësuese “njerëzit imoralë ishin jobesimtarë” [Wootton: 1985, f. 86].

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Më 7 gusht të vitit 1961, Majori Gherman Titov (1935-2000) u bë kozmonauti i dytë sovjetik që u kthye nga orbita në tokë. Duke folur për eksperiencat e këtij ekskursioni në gjithësi, ai tha se nuk e kishte parë Zotin: “Shikova për rreth me shumë vëmendje, por nuk pashë askënd atje” [Seattle Daily Times, 7.05.1962]! Nuk e pa madje as me “teleskopët që shohin thellësitë e qiellit”! Një mendje kaq e brishtë nuk ka mundësi të formojë idenë mbi Krijuesin, që pret ta shohë në qiell të ulur në fron!

Pak vite më vonë (1968), tre astronautë amerikanë qenë të parët që shkuan në anën e errët të Hënës, nga ku për herë të parë syri njerëzor pa planetin Tokë! Kur u kthyen, njëri prej tyre tha: “Zotin nuk e pashë, por shenjat e Tij i pashë kudo”. Ajo mrekulli e paraqitur para syve të tyre dhe mënyrat e ndryshme që ata i përshkruan i shtyri shumë studiues të mendojnë seriozisht: A ekziston vërtetë Zoti? A është Ai krijues i njeriut apo njeriu krijuesi i Tij? A është vdekja qëllimi final i jetës? A duhet të vështrohet diçka pas kësaj jete të bukur e të çuditshme? Cili është qëllimi i universit (gjithësisë) [Mahmood: 1994]?

Këto mbetën për një kohë të gjatë pyetjet themelore që preokupuan njeriun “shkencor” më shumë se çfarëdo tjetër [Adler: 1952, f. 543] dhe pikërisht këtu u nda feja nga shkenca. Nëse e para është mbushur me mite, kjo e fundit është e korruptuar, por gjithsesi të dyja pretendojnë se e vërteta është me to. Të dyja janë përpjekur për të dhënë një përgjigje kundrejt gjithë këtyre krijesave të mrekullueshme, rreth këtyre planetëve të pafundtë me një sistem të rregullt lëvizjesh! Ne mund të priremi ta shohim ateizmin si një ide që është shfaqur vetëm kohëve të fundit në shoqëritë laike ose shekullare, por edhe shoqëritë e hershme kishin të tilla ide mohuese, të cilat na japin të kuptojmë se format e mosbesimit mund t’i gjejmë në të gjitha kulturat. Studiuesit pretendojnë se etimologjia e fjalës “ateizëm”, përkundër teizmit (që pranon së paku një Hyjni), origjinon pesë shekuj para erës sonë dhe buron nga fjala greke “atheos” që ka kuptimin “pa zot(ra)”. Herakliti (535-475), për shembull, pohonte dikur se “feja është sëmundje” [Stenger: 2009, f. 19]!

Shumë kohë më parë, vetë faraoni, i cili e shpalli veten “Zot”, nuk ishte asgjë më pak se një ateist. Madje, edhe tregimi mbi “banorët e shpellës” në kohën e mbretit Declius (201-251), na tregon për detyrimin që i bënte ai popullit për ta mohuar Zotin! Të tilla ide u paraqiten pastaj të maskuara me emrin e “përparimtares” dhe “shkencores”! Shumica e historianëve të ateizmit veçojnë filozofët grekë dhe romakë, si Epikurin, Demokritin dhe Lukretin, për shkrimtarët e parë ateistë, të cilat disave u pëlqen t’i quajnë “materialistë”, edhe kjo një doktrinë filozofike që mohon çdo pavarësi të botës shpirtërore dhe që po e shpie Perëndimin drejt shkatërrimit, duke e lënë të zbrazët “vendin e Zotit”. Filozofët klasikë Arisipi dhe Epikuri pohonin se “qëllimi i jetës është lumturia, përkatësisht dëfrimi apo zbavitja”, duke mohuar kështu rregullat hyjnore dhe jetën e amshueshme. Ata, madje, edhe vjedhjen e prostitucionin nuk i konsideronin si gjëra aq të ndaluara! Në këtë mënyrë, me doktrinat e tilla filozofike, e mohonin Zotin dhe e binin njeriun në nivelin shtazorë, në një qenie që jeton për të ngrënë dhe nuk ha për të jetuar!

Edhe për Demokritin (460-370) para tyre: “Gjithçka është prej natyrës dhe rastësive që përfundojnë këtu”! Kështu, në botën e vjetër greke dhe romake feja konsiderohej një e vërtetë për masën popullore, një gjë e përdorueshme për magjistarët dhe një shpifje për filozofët, të cilët merreshin me shkrime! Whitmarsh-i i përmend shkrimet ateiste të Ksenofonit nga Kolofoni (570-475 p.e.s)! Vetë Platoni (427-324) thoshte se jobesimtarët e kohës së tij “nuk ishin të parët që kishin pikëpamje të tilla për perënditë” [Whitmarsh: 2015]! Ai e kishte këtë pikëpamje kur në “Shtetin Ideal”e përjashtonte “jetën familjare, dashurinë dhe pronësinë” që janë të rëndësishme tek teistët. Por, në kohën e hershme moderne, ateisti i parë i qartë i njohur me emër konsiderohet “kritiku” danez i fesë në gjuhën gjermane Matthias Knutzen (1646–1674), i cili i botoi tre shkrime me përmbajtje ateiste në vitin 1674 [“Epistola amici adamicum”].

Mesjeta ishte në fakt periudha religjioze, që kulminoi përgjatë shekullit XIV. Skepticizmi ndaj saj u mbyll në Angli me mendimtarët e filozofisë më shumë se tek shtresa mesatare, që u shndërrua në një lloj skepticizmi agnostik [Encyclopedia of Philosophy, 1967, f. 92] në vend të karakterit ateist. Proverba mesjetare “në mesin e tre mjekëve janë dy ateistë” ishte në kundërshtim me armiqësinë e kishës në disa aspekte të kërkimeve mesjetare. “Ateizmi” i mjekëve përgjithësisht nuk bazohej në refuzimin e “Zotit Trinitarë” dhe as në vlefshmërinë e sakramenteve. Njeriu i shekullit XIV e kishte në pikëpyetje besimin nëse kishte ndonjë lidhje me filozofinë, por ky lloj skepticizmi kishte të bënte më shumë me korruptimin e elitës fetare. Folozofi Geoffrey Chaucer (1340-1400) nuk e sulmoi asnjëherë drejtpërsëdrejti fenë. Ai shqetësohej për shkak se “rojtarët e fesë”, ata që dukeshin të devotshëm, nganjëherë nuk ia vlente t’u besohej [Bowden: 1964, f. 44, 47] dhe kjo kishte të bënte drejtpërdrejt me Krishterimin.

Natyrisht që, në periudha të ndryshme, pikëpamjet ateiste ishin të padëshirueshme e shpesh edhe të ndaluara. Gjatë shekullit IX, për shembull, ateistët britanikë, megjithëse ishin të paktë në numër, ishin subjekt i praktikave diskriminuese [Larson: 2003]. Poeti Percy Bysshe Shelley (1792-1822) u përjashtua nga Universiteti i Oksfordit dhe e mohoi kujdestarinë e dy fëmijëve të tij pasi publikoi një broshurë me titull “Nevoja e Ateizmit” [Gey: 2007, f. 253–255]. Në vitin 1871, Gjykata Supreme e Tennessee-t e lëshoi këtë deklaratë: “Njeriu që ka guxim të pohojë se nuk beson në Zot, tregon pakujdesi në karakterin e tij moral dhe mungesë të plotë të përgjegjësisë morale. Si të tillë, fjalët e tyre nuk duhet të dëgjohen në gjykatën e drejtësisë në një vend të krishterë” [Swancara: 1950, f. 140]. Kështu ishte edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku ateistët që nuk ishin të gatshëm të betoheshin në betime të krishtera gjatë procedurave gjyqësore, nuk lejoheshin të jepnin prova në gjykata për drejtësi, derisa kjo kërkesë u shfuqizua nga aktet e miratuara në vitin 1869 dhe në vitin 1870 [Larson: 2003]!

Gjatë inkuizicionit ateistët (dhe blasfemuesit) u nënshtroheshin torturimeve dhe ekzekutimeve. Filozofi Giulio Cesare Vanini (l.1585) u dogj në vitin 1619, fisniku polak Kazimierz Lyszczynski (1634-1689) u ekzekutua në Varshavë [Brooke: 2005], kurse francezi Etienne Dolet (l.1509) në vitin 1546 u ekzekutua [Copley: 1889]. Edhe vetë Sebastian Castellio (1515-1563), i cili në “De Hereticis” (1554) kishte bërë thirrje për tolerancë, bëri disa përjashtime, duke e pranuar persekutimin e ateistëve dhe të blasfemuarve [McClendon: 1999, f. 19-42].

Në pjesën e parë të shekullit XX, goditjen më të madhe religjioni i krishterë e mori nga Cari i Rusisë (1917), kur shteti më i madh mijëvjeçar i krishterë i botës u shkëput nga lidhja fetare në çdokënd të jetës [Panichas: 1968, f. 454]. Por, në shumë shtete ende nuk u jepej e drejta ateistëve që të dëshmonin në gjykatë, për shkak se ata nuk besonin “në jetën pas vdekjes” dhe, si të tillë, nuk ndiheshin moralisht të obliguar të thoshin “të vërtetën përpara trupit gjykues”. Në një fjalim të bërë në vitin 1933 Hitleri (1889-1945) pretendonte se e kishte “shuar” lëvizjen ateiste [Baynes: 1969, f. 378]. Në negociata me Vatikanin, më 26 prillit të atij viti, ai deklaroj se “shkollat laike nuk mund të tolerohen kurrë”, për shkak të tendencave të tyre jofetare [Helmreich: 1979, f. 241]. Heinrich Himmler – njeriu më i rëndësishëm i Partisë Naziste, pohonte: ”Ne besojmë në një Zot të Plotfuqishëm që qëndron mbi ne. Ai ka krijuar tokën… Çdo qenie njerëzore që nuk beson në Zot duhet të konsiderohet arrogant, megalomaniak dhe budalla”.

Natyrisht që do të gjejmë koncepte të ndryshme se çfarë në të vërtetë është përkufizimi i ateizmit? David Wootton e përshkruan mënyrën në të cilën termi “ateist” ishte aplikuar zakonisht për ata që: “kanë mohuar ekzistencën e një ligji të vendosur nga Perëndia, kanë mohuar ekzistencën e providencës Hyjnore ose me veprimet e tyre të japin të kuptosh një mosbesim të tillë” [Wootton: 1985, f. 86]. Disa mendimtarë kanë konstatuar se ateizmi është një kombinim i epikuranizmit dhe makiavelizmit, në kërkim të kënaqësisë trupore pa frikën e ndëshkimit hyjnor[Hume: 1995]! Të tjerët i kanë dhënë ngjyrime politike, siç kanë bërë biografitë mesjetare të Europës. Neils Hemmingsen (1513-1600), për shembull, në traktatin “Enchiridion theologlcum” (1581) në kuadër të ateistëve i fuste të gjithë ata që nuk ishin protestantë: turqit (muslimanët), çifutët, papistët (katolikët) dhe heretikët, të gjithë “kundër Zotit” [Hemmingsen: 1581, f. 80]. Philip Mornay (1549-1623) i radhiste në një kategori: ateistët, epikurianët, çifutët e muhametanët [Mornay: 1587], këta të fundit duke i radhitur me ambicie politike. Ata e quanin Muhamedin (a.s.) si “shtrembërues i fesë së vërtetë” ose si “mosbesimtar”! Teologu anti-katolik William Whitaker (1583) e konsideronte Islamin si një “fe ateiste”, duke shpjeguar se: “Ateizmi turk është refuzimi i lindjes së Krishtit nga një virgjëreshë. Asnjë i krishterë nuk mund të mendojë ndryshe, veçse një ateizëm i pastër” [Whitaker: 1585, f. 160]. Vetë teksti dhe ngjarja e paraqitur tek drama “Tragjedia e Selimit, Perandorit të Turqve” (1594), ku paraqitet një personazh musliman në një deklaratë të qartë materialiste [Vitkus: 2000] ishte “një diskurs interesant i ateizmit që hyn në debatin mbi dimensionin ideologjik të fesë”, si një përmbysje e “moralit të krishterë” [Dollimore: 1989, f. 85, 173].

Siç shihet, gjatë periudhës së hershme moderne, termi “ateist” përdorej si një fyerje kundrejt një grupi të gjerë njerëzish që mbanin bindje teologjike të kundërta [Davidson: 1992, f. 55-86]., me theks të veçantë për Islamin. Henry Smith, për shembull, e rendiste Islamin në rendin e ateistëve, se “feja e Muhamedit është fe e shpifur dhe e dobët” [Smith: 1593], ndërkohë që Joseph Wybame e përgënjeshtronte Islamin në proporcion me Judaizmin [Wybame: 1609], sepse: “Islami është një fe e re me emra të vjetër” [Jenkins: 2007]. Ishte edhe William Biddulph (1434-1511), më parë, i cili tek “Udhëtimet e një anglezi” (1609) e konsideronte vetë Muhamedin (as) si një “ateist”!

Në vështrimin e tyre, ateisti ishte një person “që nuk besonte në Ligjin e Zotit” në kuptimin e krishterë! Në versionin e Thomas Newton-it (1704–1782) paraqitet “analiza” ateiste mbi origjinën e fesë së Muhamedit (a.s.), që përshkruhej si “ambicioz politik” [Newton: 1575]. Të tillë “fytyrë” kishte edhe editoriali i një gazete amerikane në vitit 1831, atë të idesë më të hershme të Whitaker-it, ku shkruhej se “ateizmi ishte një e keqe” e cila bashkë me infidelët kishte për qëllim të hynte në aleancë me katolikët për ta shkatërruar Protestantizmin, që kështu ta ngufaste Krishterimin [Massachusetts Yeoman, 15.01.1831]. Ishte kjo ideja e John Locke-ut (1632-1704), një themelues i nocioneve moderne të “lirisë fetare”, i cili argumentonte se ateistëve, katolikëve dhe muslimanëve nuk duhej t’u jepej “e drejta e plotë e shtetësisë” [Martin: 2007, f. 250–253]! Në këtë kontekst, Presidenti i gjashtë, John Adams (1735-1794), rivali i Thomas Xheffersonit, akuzohej të ishte një “musliman” [Williamand Mary Quarterly, #4/1948, f. 467], njëjtë siç u etiketua pas tij edhe Xheffersoni (1743-1826) [Spellberg: 2013, f. 212].

Pa dyshim, ateizmi u rigjallërua me “konfliktin ndërmjet shkencës dhe religjionit” dhe këtë konflikt e shkaktoi dukshëm kisha. Njeriu perëndimor, nga religjioni që në periudhën e dominimit të Kishës i kundërvihej shkencës u bë kundërshtar i religjionit, nga “religjioni pa qytetërim” u bë “qytetërim pa religjion”, iu kthye ndërtimit material duke e lënë pas dore jetën pas vdekjes, përkatësisht duke u shndërruar në krejtësisht në indiferent ndaj ekzistimit të Zotit [Latiq: 2020, II, f. 59-60]. Ndonëse filozofia e tij bëri përpjekje për të dhënë shpjegime të tilla, ajo nuk ka arritur asnjë parim filozofik, nuk zgjidhi asnjë problem, nuk solli asnjë të re në lidhje me krijimin e botës dhe njeriut, me kuptimin e jetës dhe fatin e tij pas vdekjes. Kjo ishte thjeshtë “të ikësh prej botës, të zgjedhësh imagjinatën” [Ozel: 2009, f. 39-40]!

Çdo studiues që është marrë sadopak me këtë subjekt, është i njohur me paraqitjen tragjike të sistemit kishtar dhe me injorancën e tyre kur matematikani, mjeku dhe astronomi Galilei Galileo (1564-1642) u detyrua nga inkuizicioni (1633) të heqë dorë nga përkrahja e teorisë së Kopernikut mbi sistemin solar [White: 1960, I, f. 144-170]. Teoria e tij u vlerësua si “ateiste” nga kisha, sipas së cilës “gjeometria ishte djallzore”, kurse“matematika duhej të ndalohej sikurse të gjitha herezitë e tjera”! Që të mos e pësojë “fatin” e turrës së druve, sikurse Gjordano Bruno (1548-1600), Galileo u detyrua “ta tërheqë” mendimin “antikishtar” se bota sillet dhe se është e rrumbullakët, por në shenjë proteste kishte mërmëritur “E pur se Muov” (e megjithatë lëvizë) [Islamic Culture, #1/1937]. Kisha e kamxhikoi Pernilin për shkak të deklarimit se yjet nuk dalin nga trajektoret e tyre të caktuara. E torturoi Harveyin për argumentin se gjaku qarkullon nëpër arterie dhe vena. E burgosi 27 herë Complandin për shkak të pohimit se ekzistojnë shumë “botë” të tjera pos tokës. E burgosi Kolombon që kishte “zbuluar” vende që nuk i përmendë Bibla. E shkishëroi Paskalin, Monteyin dhe Millerin për shkak të “blasfemisë” dhe “amoralitetit”! Të gjithë këta ishin ngarkuar me mëkatin e afetarisë.

Jorastësisht “Enciklopedia Katolike” thotë se një trajtim i tillë i Galileut ishte një gabim që “nuk mund ta arsyetojmë” [New Catholic Encyclopedia, VI, f. 254]. Kisha katolike nuk ka lejuar kurrë të ketë “treg idesh” në mesin e shoqërisë, sepse idetë e saj kanë qenë “produkte” inferiore, andaj në pamundësi për t’i mbrojtur kundrejt teorive të tjera, është përpjekur t’i ruajë duke ushtruar dhunë. Protestantizmi u tregua fillimisht si përmirësues i kësaj situate, por përfundoi duke ua dhënë grushtin më të madh dashamirëve të kulturës dhe duke e ashpërsuar gjithnjë e më shumë luftën ndërmjet tyre! Eprorët e rinj nuk patën qëllim tjetër, veçse të fitojnë influencë kundrejt kishës së Romës, por edhe si bashkëshkaktarë për ta zhytur Europën në gjak dhe për të sjellë më vonë teori darviniane!

Natyrisht, teoria darviniste përbën bazën moderne të filozofive ateiste, teori që pretendon se qeniet e gjalla janë zhvilluar si “rezultat i rastësive”, një koncept indoktrinues si “përzgjedhja natyrore”, si “lufta për ekzistencë” ose si “mbijetesë e më të përshtatshmit”, duke përjashtuar virtytet e mëshirës, dhembshurisë, vetëflijimit dhe përulësisë, që janë vlerat morale të tre besimeve monoteiste. Ai u jepte njerëzve mesazhin mashtrues me moral të ulët: “Ju nuk jeni përgjegjës ndaj askujt, ia detyroni jetën tuaj rastësive, keni nevojë të luftoni dhe për të pasur sukses ju duhet të shtypni të tjerët. Kjo është bota e përplasjes dhe e interesit vetjak.” Me librin e tij “Origjina e Llojeve” (1859) Charles Darvin-i (1809-1882) nuk u bë i njohur për vlerat shkencore, por për kuptimin ideologjik të tij! Megjithatë vetë fjala “evolucion” nuk u shfaq deri në edicionin e vitit 1872 [Jaki: 1986, f. 282]! Ai nuk arriti asnjë gjetje konkrete për të dëshmuar pretendimet e tij “të rastësive” dhe prandaj u detyrua më pas të pranonte disa dështime në “Problematikat e teorisë”. Ai, madje, pohon se në kohën kur e kishte shkruar “Origjinën e llojeve” kishte qenë një teist! Edhe Marksi (1818-1883), që e kishte vlerësuar fenë si “opium”, nuk qe vetëm themelues i “materializmit dialektik”, por edhe një “adhurues i zjarrtë” i Darvinit, siç i shkruante në kopjen e “Kapitalit” (1867) që ia dërgoi. Edhe ai qe për idenë platoniste kundër jetës familjare: “Fëmijët e dy gjinive s’do mbrojtur prej askujt më shumë se prej prindërve të tyre”. E mendonte fenë si një shkak për ndarjen e njerëzve në klasa!

Në kohën e Renesancës, humbja e besimit tek dogmat zyrtare rreth Jezusit dhe përpjekja për të gjetur një prehje shpirtërore tek besimet eskotike, e shpjegon më së miri përhapjen e ateizmit [Hofman: 2003, f. 17]. Fjala “zot” ishte ndër fjalët më të abuzuara në historinë njerëzore, shpesh e barasvlershme me “lirinë”, “drejtësinë” dhe “dashurinë”! Fridrih Niçe (1844-1900), fillimisht si besimtar, e në fund si i çmendur, e ka portretizuar një shembull në “The Madman” për njeriun e çmendur i cili në një mëngjes kishte shkuar në treg dhe, duke qarë bërtiste: “Jam duke kërkuar Zotin”! Shumica e atyre që nuk besonin në Zot qëndronin bashkë e qeshnin. “Përse ka humbur?”, pyeti njëri. “Apo ndoshta është fshehur?”, tha tjetri. “Vallë të ketë frikë nga ne… apo ndoshta ka migruar”, bërtisnin e qeshnin! I çmenduri ua ndërpreu të qeshurat: “Ku është Zoti… ua them unë, e kemi vrarë unë dhe ju, të gjithë ne jemi vrasësit e tij”! Natyrisht, i çmenduri pastaj vazhdoj me “argumentet” e veta të çmendura se pas “vrasjes” së Zotit, asgjë nuk ka ndryshuar në horizont! Shkoi pastaj në kishë dhe pasi këndoi “requie maeter namdeo” serish bërtiti: “Çfarë janë tani këto kisha nëse nuk janë varrezat e Zotit?” [Nietzche: 1954, f. 125]. Kur e shpalli Zotin “të vdekur”, ai nuk mendonte për fetë, por për Krishterimin: “Unë e konsideroj Krishterimin një mallkim të madh, çoroditja e brendshme më e madhe, instinkti më i madh i hakmarrjes, për të cilën asnjë mjet nuk është aq helmues, aq tinëzar, aq i nëndheshëm dhe aq zemërngushtë” [Nietzche: 1921, f. 125]. Në “Gesamite Briefe” ai mbante një tjetër qëndrim për Islamin, për: “atë që Europa e ka humbur burrërinë, respektin, autoritetin dhe dëshirën, e cila fuqimisht e afirmon jetën” [Nitzche: 1996].

Megjithatë ai mbeti njëri ndër kryesorët e bindjeve ateiste që solli motivimin e Sigmund Freud-it (1856-1939) dhe Carl Jung-ut (1875-1961) për lëvizjen “Zoti është i vdekur” [Berlinerblau: 2005]. Të tilla bindje që i dhanë edhe Stalinit (1878-1953) fuqinë e duhur për ta gjallëruar ateizmin në arenën politike [Zacharias: 1990, f. 24]. Historiani Paul Johnson [në: “The Modern Times”], ndryshe nga Baynes (1969), thotë se të gjithë “djajtë” e shekullit të XX, përfshirë Hitlerin dhe Musolinin, në të vërtetë kishin pikëpamje të tilla.

Të tilla bindje përfshijnë edhe mendjet shqiptare në periudhën e viteve të hershme të pavarësisë. Në vitet e ’30-ta të shekullit të kaluar, ateizmi ishte bërë një “modë” a një “sëmundje” e intelektualëve të kohës. Në vitin 1934 ishte ndezur një debat i ashpër ndërmjet Ismet Totos në gazetën “Illyria” me “Mistika e re” dhe broshurën “Grindje me klerin” [Univers, #2/2002, f. 267-286], nga njëra anë, dhe Ismet Dibrës, Junus Bulej, Gjergj Fishtës dhe Anton Harapit, nga ana tjetër. Një tjetër ateist, që kishte pikëpamje antifetare, ishte Ilo Mitkë Qafzezi, i cili përveç që botonte herë pas here shkrime në “Gazeta e Korçës”, iu përvesh edhe punës për përkthimin e Kuranit, jo për ta njohur lexuesin me të vërtetën islame, por për të shpifur kundër tij [Basha: 2011, f. 377].

Më pastaj erdhën komunistët, të cilët pavetëdijshëm i fituan bindjet se duke mohuar Zotin po bëheshin “përparimtarë”. Në shtator të vitit 1967, Enver Hoxha i përshëndeti ndërmarrjet e studentëve të shkollës “Naim Frashëri” të Durrësit për të eliminuiar kishat e xhamitë në Shqipëri dhe “për të fshirë obskuranizmin religjioz” [Moorey: 2015, f. 62]. Me dekretin 4337 ai e ndaloi besimin fetar (1967), mbylli e shkatërroi 2.169 objektet fetare, shndërroi në bare, kafene ose shtëpi kulture dhjetëra kisha, xhami e teqe, librat e shenjtë u dogjën, ndërsa varret e njerëzve të respektuar u përdhosën [Fevziu: 2012, f. 210]. Sikurse shkruante “Nëntori” i përmuajshëm: “Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë” [Zickel& Iwaskiw: 1992, f. 86]. Ndaj prijësve myslimanë e të krishterë u ushtrua dhunë, shumica e tyre u vranë, u burgosen ose ikën. Në Shkodër u hap “Muzeu Ateist” (1973-1990), i vetmi i llojit të tij në botë, kur Pjesa C, artikulli 37 të Kushtetutës së vitit 1976, thotë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrahë e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencorë” [Kushtetutat, 2006, f. 141].

Ata përvetësuan vlerat e huaja, duke e paraqitur fenë si një virus që duhej të luftohej. U thirrën në “Feja e Shqyptarit asht shqyptaria” e Pashko Vasës, që Rilindja Kombëtare e përdori për të bashkuar shqiptarët [Rizvanolli: 2007, f. 295]! Ata ia dolën t’i përjashtojnë lutjet për heronjtë dhe t’i zëvendësojnë me fjalën “Lavdi” ose “të qoftë i lehtë dheu”, në vend të ngritjes së duarve ose shenjës së kryqit “një minutë heshtje”, lutjet i zëvendësuan me krisma pushkësh, të gjitha këto në emër të modernizimit, demokracisë e përparimtares! Ndonëse i shkaktoi të këqija të pafund popullit, nuk e zhduku dot. Moorey tregon një barcoletë që e kishte dëgjuar kur e vizitoi Shqipërinë post-ateiste, ku thuhet se kur njëri tha “unë jam ateist”, tjetri e pyeti: “A je ateist mysliman apo ateist ortodoks”!? [Moorey: 2015, f. 22].

Se çështja e besimit në Zotin është ndjenjë e lindur, natyrë dhe ndërgjegje, këtë e argumenton vetë nevoja për hulumtime, vetë përpjekjet njerëzore për ta gjetur të vërtetën, për ta rehatuar shpirtin. Ata u përpoqën të mësojnë për një gjë që e ka emrin “përtej natyre” (metafizikë) dhe neve nuk na intereson sa patën sukses, por kush u tha se përtej natyrës është një send që duhej hulumtuar e studiuar? Ata u bindën për nevojën e lidhjes së njeriut me një qenie më të lartë, se: “Bota nuk mund të jetë pa një fuqi prapa saj”. Kur dijetarët konstatuan për pesë shqisat e jashtme, na dhanë të kuptojmë se ka edhe të tjera që e lidhin njeriun me botën e tij të brendshme. Në këtë përpjekje ata do të duhej të ndaleshin aty ku ndalej mendja, që kështu të mos e ngatërronin “kuptueshmërinë” me “parashikimin”. Mendja u tha se ekziston një fuqi që e drejton, mbikëqyrë dhe orienton këtë botë. Kjo është gjë e kuptueshme për të gjithë dhe me kaq çështja do të merrte fund. Emri i kësaj fuqie, forma dhe veçoritë, pastaj, nuk janë çështje e mendjes, por e parashikimit. Kjo fuqi do të lajmërohej dhe do të udhëzonte njerëzit vetë përmes shpalljeve dhe të dërguarve të Tij. Ngatërrimi filozofik i kuptueshmërisë me parashikimin lindën idhujtarinë dhe ateizmin. Prandaj, pra, pati të drejtë Francis Bacon-i (1561-1626) kur në esenë “Of Atheism” (1597) shprehej se: “një filozofi e vogël mund ta bëjë njeriun ateist”! Filozofia duhet të heshtë për atë që nuk mund ta thotë, sepse e pathëna nuk është joekzistuese; ajo ekziston e, madje, edhe paraqitet.

Ndërkohë, shkenca nuk mund të krijojë argument për ekzistencën e Zotit, sepse hyjnorja nuk vjen përmes eksperimenteve dhe ekuacioneve [Fllu: 2019, f. 135], por përmes shpalljes së mesazhit. Tragjedia e vërtetë brenda këtij konteksti është ndryshimi i madh ndërmjet asaj që besojmë dhe asaj që dimë! Humbja e udhës në fizikë dhe metafizikë, përgjatë jokorrektësisë në aplikimin e teologjisë dhe filozofisë, është e ngjashme me një shpatë që e përdorë në mënyrë të papërgjegjshme dhe përfundon duke prerë kokën e vet! Sa herë që janë shfaqur zbulime të reja, faktet e mëparshme shkencore janë hedhur poshtë. Shkenca mund të shtrojë një tezë dhe të mbledhë ithtarët e vet, por në asnjë rast nuk mund ta dëshmojë se ne jemi “produkt i një rasti të verbër”!

Po cili njeri me ndërgjegje të pastër mund të besojë se fjalori u zhvillua për shkak të një eksplodimi në shtëpinë botuese!? Cili produkt i dizajnuar në eksperiencën njerëzore nuk e tregon dizajnuesin e vet?! Cila mendje dhe ide mund ta mbrojë mundësinë që jeta të ketë filluar rastësisht, duke përdorë analogjinë e një tufe majmunësh që godasin tastieren e kompjuterit dhe përfundojnë duke shkruar një sonet shekspirian!? Këto pyetje, që kërkojnë përgjigje, i ka shkruar Gerald Schroeder-i [“Has Science Discovered God”] – një ish-ateist që u pendua për mosbesimin e tij! Nëse teorema nuk funksionon me një sonet, atëherë është absurd sugjerimi se vepra e madhe dhe shumë e ndërlikuar e fillimit të jetës të jetë mundësuar rastësisht [Fllu: 2019, f. 75-76]! Ajo nuk ka shpjeguar asgjë në këtë drejtim dhe prandaj sa më shumë që dimë, më fantastike bëhet bota dhe më e thellë errësira rreth saj.

Shkenca, sado që përparoi, nuk i shpiku mjetet e domosdoshme për jetë. Ajo vetëm i përsosi ato dhe e lehtësoi mënyrën e jetës. Shkenca nuk arriti të zëvendësojë ushqimin që prodhon toka me ndonjë send tjetër. Dikur ujin e pinin me grushte nga përroskat, ndërsa sot e pimë me gota qelqi. Dikur ajrin e kishin të nxehtë verës e të ftohtë dimrit, ndërsa shkenca arriti ta ftohë ajrin verës e ta ngrohë dimrit. Por, megjithatë uji është ujë e ajri ajër, një i njëjti përgjatë mijëvjeçarëve. Dielli nuk u vendos vetë në vendin e vet, as larg tokës që ajo të ngrijë dhe as afër që ta djegë. Shtresa mbrojtëse e Ozonit, që na mbron prej rrezeve të diellit, nuk mund të jetë rastësi! Pat thënë Lordi Kelvin: “Nëse mendoni me sinqeritet, shkencat e natyrës do t’u detyrojnë të besoni në Zot” dhe Albert Makob: “Hulumtimet e mia shkencore kanë qenë shkak që të thellohet besimi im në Zotin”.

Zhvillimi i shkencës e lehtësoi jetën e njeriut në tokë, por i solli edhe fatkeqësi! Zbulimi i atomit dhe copëtimi i bërthamës së tij nuk çoi vetëm në shfrytëzimin human të energjisë atomike, por edhe në shpikjen e bombave shkatërrimtare. Njeriu, vërtet, nuk frikësohet sot prej hyjnive ose shpirtrave të panjohur, por nga “hyjnitë” e reja militariste, që i ka krijuar dija e tij [Latiq: 2020, I f. 66]. Teknologjia ia ka dhënë njeriut mundësinë e udhëtimit 25.000 milje në orë; elektronika i ka mundësuar të hyjë në eksperienca të ndryshme; edukimi e ka çliruar mendjen nga ndërgjegjja; mjekësia e ka çliruar nga sëmundjet; psikiatria dhe kimia e kanë çliruar nga emocionet! Por, njeriu që udhëton 25.000 milje në orë është i dobësuar në nerva; pasuria dhe varfëria – secila në mënyrën e vet e kanë mbyllë brenda; televizori e ka kapur ndjeshmërinë e tij dhe ia ka homogjenizuar gjendjen; modat në art i mbërthehen mbi vetëdijen publike – tre milionë njerëz e blejnë të njëjtin roman; ilaçet e kanë skllavëruar; luftërat e kanë ngecur; negociatat diplomatike e kanë bllokuar [Hoon: 1971, f. 30]! Në fund qëndron vdekja, të cilën mendimtarët e kanë trajtuar si “armiku” ynë i fundit dhe njëra nga eksperiencat përfundimtare me të cilën jemi të detyruar të përballemi. Kjo është barazia më e madhe njerëzore, por meqenëse ende qëndron në kategorinë e “të panjohurës”, duket e frikshme dhe problematike për filozofinë. Arbert Kamy (1913-1960) thoshte njëherë se “vdekja është problemi i vetëm i filozofisë”. Sipas Aldous Huxley: “E vetmja që nuk kemi pasur sukses ta vulgarizojmë”.

Sherrington-i ka bërë studime neuropsikologjike të trurit bashkë me miliarda qeliza të gjata nervore, secila prej tyre mesatarisht në kontakt me 10.000 qeliza të tjera. Në “Man on his nature” jep një përshkrim piktoresk, duke e parë trurin si: “tezgjah i magjepsur ku miliona anije ndezëse enden në modelin e tretjes gjithnjë me model domethënës përmes nervave të qëndrueshme, në harmoni me nën-modelet” [Sherrington: 1955, f. 187]. Duke pasur këtë bindje, Anshtajni po fliste njëherë për një gjë që duket dhe për një gjë që nuk duket. Një i pranishëm i tha se mendja jote nuk duhet t’i pranojë gjërat që nuk shihen. Anshtajni iu përgjigj: “Ju keni të drejtë, urdhëroni e nxirreni jashtë mendjen tuaj që ta shohim e atëherë të besojmë se keni mend” [Përpjekja Jonë, #21-22, 1998, f. 23]. Shkencëtarët e vërtetë e kanë kuptuar se shenjat më të mëdha për Një Krijues të padukshëm janë pikërisht shenjat e padukshme, të tilla si Ligji i gravitetit dhe forcat e tjera të mëdha të universit, siç është elektromagnetizmi. Pra, nuk mund të ketë një ligj pa një ligjvënës, asnjë sistem pa një administrues, nuk ka mençuri pa urtësi, nuk ka dituri pa zotërues të diturisë dhe, sigurisht, nuk mund të ketë krijesë pa një Krijues [Brown& Palmer: 1987, f. 4-5].

Me “vrasjen e zotit”, do të thosha mosnjohjen e Zotit, ateistët mbeten pa arsye për të qenë, pa moral për ta përkrahur, pa domethënie për të jetuar dhe pa shpresa përtej varrit. Ata “mbetën” pa Parajsë për t’u shpërblyer dhe pa Ferr për t’u dënuar, pasi jeta e tyre “përfundon me të rrahurat e fundit të zemrës”, plot frikë, por pa shpresa! Është e kuptueshme pra përse 100 vjet pas Niçes kjo filozofi e pashpresë i dërgoj dhe i shtyri shumë të rinj të kërkojnë “realitete” të tjera! Ata që nuk patën shpresa për ta mbytur dëshpërimin e tyre iu kthyen drogave e alkoolit ose eksperimenteve të tjera, për të cilat menduan se do të thyejnë mbytjen e kotësisë. U përballën me filozofinë e jetës, që nuk u premtoi asnjë shpresë dhe nuk u dha asnjë përgjigje. Pasojat e tyre qenë të trishtueshme – më shumë se 830.000 vdekje vjetore të lidhura me sëmundjet imorale (AIDS), më shumë se 750.000 si pasojë e drogës dhe më shumë se tre milionë si pasojë e alkoolit. Nuk është koincidencë që numri më i madh i vetëvrasjeve ndodhë të jenë ateistë dhe agnostikë, njerëz që nuk ia dinë qëllimin jetës së kësaj bote! Në krye të kësaj liste është edhe Japonia, një vend me një ekonomi të zhvilluar, pa mungesë ushqimi, strehimi e kujdesi mjekësor! Shoqëritë e tilla “prodhuan” më pak martesa, më shumë ndarje, më shumë fëmijë jolegjetimë, më shumë beqarë dhe më shumë homoseksualë!

Fytyrën e vërtetë të ateizmit e ka shprehur më së miri Wootton-i, kur ka shpjeguar lidhjen ndërmjet ateizmit dhe imoralitetit, një lidhje aq e afërt që kushtëzohej me këdo që mohonte providencën e Perëndisë, se të gjithë këta ishin të pamoralshëm dhe se në raste përgjithësuese “njerëzit imoralë ishin jobesimtarë” [Wootton: 1985, f. 86]. Ateizmi shpesh konsiderohet si kërcënim i individit dhe i shoqërisë, është “një ‘shkencë’ e divorcuar nga urtësia dhe frika e Zotit” – thotë një filozof se: “është fjala që ka ndikuar më së shumti në djallëzitë më të shëmtuara të luftërave moderne’[Taylor: 1947, f. 158-159]. Duke shpërthyer si një trajtë e doktrinës filozofike, pretendonte se kishte për qëllim mbrojtjen e lirive dhe zhdukjen e zullumeve barbare, por në të vërtetë e zhyti njerëzimin në barbari më të mëdha.

Njeriu “pa zot” ka humbur vendin qendror, duke u kthyer në një mjet për arritjen e qëllimeve ekonomike dhe ndodhet në gjendje tëhuajësimi, e ka humbur lidhjen konkrete me natyrën dhe me kuptimin e jetës [Fromm: 1955, f. f. 267], sepse është pikërisht aftësia e kuptueshmërisë [së jetës] ajo që e ndan nga kafsha. Lidhja logjike ndërmjet arsyes, shkencës dhe progresit është zëvendësuar me ndjenjën e frikës kundrejt karakterit shkatërrues të shkencës që ka prodhuar Hiroshimën dhe Nagasakin [Dovutogllu: 2009, f. 59]. Fytyra e vërtetë e ateizmi shfaqet sot në “idhujtarinë moderne”, ku nuk adhurohet më Dielli e Hëna, por tregu dhe shtetarët, makinat dhe teoritë! Kjo frymë, si kurrë më parë, na ka çuar në lindje artificiale dhe në vdekje artificiale, në çerdhe fëmijësh pa prindër dhe në shtëpi pleqsh pa fëmijë! Në një mjedis ku gjithçka përfundon “me vdekjen tënde”, nuk kemi pse habitemi kur të mirën ta kthejnë me të keqe dhe kur prindërit lihen në mëshirën e fatit!

David Hume, që ishte i ashpër kundër fesë, refuzonte të quhej një ateist [Matefijt: 1968, f. 35], kurse Volter-i skeptiku që fitoi famën kundër fesë, nuk mund të mos e pohonte se “ateisti do të bënte çdo gjë të keqe po ta dinte se e keqja e tij nuk do ta gjeje dënimin” [Murray: 1966, f. 11-12]. Secili njeri i shëndetshëm mendësisht – thotë një psikolog: “kërkon marrëdhënie të mira me veten, me të tjerët dhe me Zotin”. Përndryshe, “vendosni mjeshtërisht të gjithë ateistët në klasën e të sëmurëve mendorë” – shkruan Thomas Szasz [Szasz: 1970. f. 36]. Në të njëjtin vend do t’i vendoste edhe Tolstoi kur tha: “Po të mos ishte Zoti dhe jeta e amshueshme, gjithësia do të merrte formën çrregulluese të një kaosi… po ta pranojmë Zotin dhe jetën e amshueshme, jeta njeriut bëhet një e mirë, një virtyt e një lumturi”. E tillë ishte edhe shtylla e filozofisë klasike evropiane, Ernest Renan, e cila përkundër ateizmit e preferonte fenë: “Nuk do të zhduket ideja e fesë. Ajo do të jetë e përjetshme dhe doktrina e materializmit do të perëndojë para shkëlqimit të saj”.

I sëmuri nuk shkon të lutet para altarit para se t’i pijë ilaçet, por edhe vetë ilaçi vjen prej një bime mjekuese që është një krijesë e Zotit dhe që rritet në të njëjtin vend dhe ku rritet edhe bima helmuese! Gjarpri që e mban helmin në trupin e vet, i shkakton vdekjen një trupi tjetër! A nuk janë këto një dëshmi e mjaftueshme për të zotët e mendjes?! Nuk thoshte kot Dekarti se: “Dituria e cekët e largon njeriun nga besimi, kurse dituria e thellë e kthen atë në besim”. /shenja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit