Nga: ardhmeriaonline
Disa nga urtësitë e Haxhit
Ndër këto urtësi, përmendim si vijon:
1 – Të zhvishesh nga kënaqësitë e kësaj bote dhe t’i përkushtohesh me gjithë qenien tënde Zotit. Haxhi, e shkëput njeriun nga preokupimet e kësaj jete, me qëllim që shpirti i tij të kristalizohet dhe shpirti i tij të mbushet kënaqësinë që i fal të qenurit pranë Zotit. Hapi i parë drejt këtij objektivi, është veshja e ihramit, i cili simbolizon zhveshjen nga gjithçka tjetër përveç Zotit. Modeli ynë më i mirë për këtë, është fjala e babait të profetëve, Ibrahimit a.s:”O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin.” (Ibrahim, 37)
Në këtë rast, haxhilerët u përngjajnë më shumë melekëve, pasi i janë dedikuar tërësisht veprave të mira. Thotë Zoti i lartësuar mbi cilësinë kryesore të melekëve:” kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Tahrim, 6)
Lidhur me këtë imam Gazzali citon:”Të zhvishesh nga gjithçka tjetër dhe të priresh vetëm për mirë, është tipari dallues i melekëve. Sakaq, të zhvishesh nga prirja për të bërë mirë por pa marrë tiparet djallëzore dhe duke iu kthyer të mirës pasi kemi rënë në gropën e ligësisë, është tipar njerëzor. Ai që zhvishet nga gjithçka tjetër dhe i përkushtohet të mirës, është një melek i afërt me Zotin. Sakaq, ai që zhvishet nga çdo ndjenjë mirësie dhe i kushtohet ligësisë, është një shejtan. Kurse, ai që del nga balta e të keqes dhe drejtohet drejt të mirë, është njeri.” (Rizgjimi i shkencave islame, 3/105)
Kur njeriu e ndjen veten më pranë melekëve, e hedh mënjanë të paturpshmen dhe të ligën, duke dashur të furnizohet veçse me mirësi. Thotë Zoti në Kuran:
“Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (Bekare, 197)
Thotë Profeti a.s:”Kush kryen Haxhin dhe nuk thotë fjalë banale dhe nuk vepron punë të pahijshme, kthehet që andej si ditën që e ka lindur nëna.” (Buhari, 2/553)
2 – Vijueshmëria për një farë kohe e veprave që kanë dobi për Botën tjetër. Kjo manifestohet qartë tek dhikri dhe telbije. Në rastin e telbijes, zemra zhvishet nga gjithçka tjetër përveç Zotit, ajo tashmë e di objektivin dhe qëllim kryesor, drejt të cilin nuk e pengon dhe nuk e angazhon asgjë tjetër. Prandaj, gjuha dhe e gjithë qenia e besimtarit sikur shpërthen në përkujtim të Zotit, lutje dhe telbije. Gjatë gjithë Haxhit, nuk dëgjon tjetër përveçse thirrjeve të telbijes dhe tekbirit, gjë e cila tregon se ky umet e madhëron Zotin dhe gjithçka tjetër përveç Tij e injoron. Telbijen e haxhilerëve e shoqërojnë dhe krijesa të tjera. Thotë Profeti a.s:”Çdo myslimmn që bën telbijen, shoqërohen nga telbija e gurëve dhe drurëve përreth..” (Tirmidhij, 3/410)
Të gjithë në korr madhërojnë dhe përkujtojnë Zotin:”Lebbejk Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk…”
Ky përkujtim dhe dhikër, furnizon zemrat dhe i mbush me ngrohtësinë e besimit, u jep forcë atyre që gjithmonë të synojnë Zotin dhe kënaqësinë e Tij.
3 – Takimi i tokës me qiellin. Në këtë atmosferë shpirtërore të tej mbushur me përkujtim të Zotit, takohet toka me qiellin, kur sytë e haxhilerëve bëjnë kontaktin e parë pamor me Qaben. Asohere, lipsen sa më shumë lutje e dua, pasi janë të pranueshme. Thotë Profeti a.s:”Haxhilerët janë miqtë e Zotit, nëse i luten ua pranon lutjen dhe nëse i kërkojnë falje, i fal.” (Ibnu Maxhe, 2/966) Thotë Menavij:”Ka shumë mundësi që kjo të ndodhë tek kontakti pamor me Qaben për ata që janë nisur drejt saj. Por mund të jetë edhe për ata që i mbajnë sytë drejt saj. Përderisa njeriu i mban sytë drejt Qabes, dera e qiellit është e hapur dhe lutjet pranohen. Megjithatë, mendimi i parë është më pranë realitetit.” (Fejdul Kadir, 3/339)
Tavafi rreth Qabes i përngjan melekëve më të afërt të Zotit, të cilët kanë rrethuar Arshin dhe bëjnë tavaf rreth Bejtul Mamur në qiellin e shtatë. Në fakt, tavafi që kërkohet është ai i shpirtit, i cili të kujton Zotin e lartësuar. Prekja dhe ngjitja pas mbulesës së Qabes dhe Multezemit, është simbol i mallit dhe nostalgjisë për shtëpinë dhe të Zotin e kësaj shtëpie të shenjtë.
Saji (rendja) që kryhet mes Safa-së dhe Merva-së, vajtje dhe kthim, simbolizon mundin e robit në vatrën e Sovranit solemn, duke manifestuar dëlirësinë dhe sinqeritetin në shërbimin ndaj Tij, duke shpresuar një vështrim plot mëshirë dhe dhembshuri prej Atij prej të cilit pritet çdo e mirë.
4 – Ndjesia se i përket një umeti të kudogjendur në katër anët e botës me lidhje dhe unitet të fuqishëm. Kjo demonstrohet qartë ditën e qëndrimit të haxhilerëve në Arafat, në një vend dhe në një kohë. Asohere e ndjen besimtari sa të lehta janë për tu zbatuar obligimet fetare. Të ardhurit dhe të grumbulluarit atë ditë vijnë nga skajet më të largëta, për të realizuar premtimin e Zotit dhënë Ibrahimit a.s:
“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta,” (Haxh, 27)
Ajo ditë u kujton haxhilerëve Ditën e ringjalljes dhe grumbullimit të njerëzve në një vend të vetëm, ku secili ndihet konfuz mbi të ardhmen që e pret. Atë ditë, zemra e besimtarëve mbushet me përkushtim dhe përgjërim ndaj Zotit me shpresë që t’i përfshihen në karvanin e të fituarve. Ajo ditë është hijerëndë dhe e fisme, pasi mëshira e Zotit mbërrin dhe përfshin të gjithë krijesat duke përdorur si stacion zemrat e sinqerta dhe të pastra. Gjatë qëndrimit në Arafat, ndërgjegjësohemi mbi rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe harmonisë mes individëve të umetit mysliman, të cilët janë si një trup i vetëm. Sa herë ankohet një organ, i gjithë trupi përshihet nga ethet, temperature e lartë dhe pagjumësia.
5 – Oguri i mbarë. Pasi haxhilerët kanë hedhur gurët, kanë rruar kokat ose kanë shkurtuar flokët, ndihen më të qetë shpirtërisht, pasi urojnë dhe shpresojnë që ashtu siç hoqën mënjanë papastërtitë fizike, t’i nderojë Zoti me fshirjen e gjynaheve, të metave dhe gabimeve shpirtërore.
6 – Ndërthurja e dy dëshmive. Gjatë Haxhit shpaloset ndërthurja më e plotë e dy dëshmive, se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe asaj se Muhamedi është i dërguari i Tij. Kjo arrin kulmin kur haxhilerët drejtohen për në Medinen e bekuar për të shuar mallin që kanë për të dashurin e zemrave, Muhamed Mustafanë a.s, i cili është shkak i udhëzimit tonë në rrugën e drejtë dhe mirësinë e pafund. Vizita e Medines së bekuar, ka një vlerë të veçantë në ndërthurjen mes dy dëshmive, pasi shpaloset mirënjohja për vulën e profetëve për mundin dhe sakrificat e tij, që ne sot të jemi myslimanë.
…