7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Qatipi i sharjes dhe abuzimit.

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid el Karni

Qatipi i sharjes dhe abuzimit.

Disa prej shkrimtareve janë qatipë të sharjes dhe abuzimit, s’dinë të bëjnë gjë tjetër veç gjuetisë së gabimeve, tubimit të lapsuseve,  ngazëllimit prej rrëzimeve dhe zbulimit të shkarjeve. Një person i tillë është një bucelë e boshatisur, daulle e çarë, natyrë-mbrapshtë, qëllim-përmbysur dhe shikim-shuar, që tregohet i verbër karshi mirësive, e neglizhon arritjen dhe nuk i hyjnë në sy sukseset; pasi uni i tij është i sëmurë, moralet e tij janë shterpë, në gjëndrën e tij ka të depozituar vetëm helm të cilin ia vjell njerëzve, ndërsa në zemrën e tij ka dinamit, të cilin ia plas të tjerëve.
Ulokët shpirtëror i kënaq pa masë kryqëzimi i të suksesshmëve në dërrasën e vdekjes. Të marrët e shkalluar ndihen të ekzaltuar, kur përbaltin nderin e intelektualëve të ndershëm; smirëziut mosmirënjohës i duket kërcënuese e mira e tjetrit, kërcënuese për sigurinë dhe rehatinë e tij, ndaj nxiton ta rrënojë atë.
Ku është paanshmëria tek disa qatipë-shkrimtarë, që e kritikojnë rivalin e tyre pa parë tek ai asnjë të mirë, arritje apo gjetje; për t’u shndërruar kësisoj në persona që e humbin vlerën në syrin e lexuesve dhe damkosen si manipulues, të padrejtë dhe fshehës të realitetit.
Kurrë s’do mundesh që me frymën tënde të dobët, t’i frysh fytyrës së diellit e ta shuash, pasi dielli është më i madh dhe qëndron më lart nga ajo që ti kërkon t`ia bësh. S’ke për të arritur kurrë, që me rrobën tënde t’ia mbulosh fytyrën hënës, sepse ajo është më madhështore dhe më e hijshme.
Shkrimtari kritikues, sharës, abuzues dhe përgojues është një mizë e rënë mbi një kasaphane, që bart pisllëqet dhe vërtitet duke shpërndarë dëm dhe epidemi tek njerëzit.
Ndërsa shkrimtari i çiltër dhe i ndershëm është si bleta, që thith nektarin e luleve dhe vesën e trëndafilave, pastaj prodhon mjaltë të kulluar, që shërben si shërim për njerëzit.
Të pikëlluar janë armiqtë e suksesit! Zemrat e tyre janë bërë stufa të mllefit, vullkan armiqësie dhe kosha hedhurinash mbushur me smirë dhe zili. Nëse do kishin qenë të drejtë dhe të paanshëm, do ishin larë me ujin e dashurisë, do vishnin petkun e paqes dhe do u kishin përhapur njerëzve buzëqeshjet e sigurisë, fjalët e kënaqësisë dhe trëndafilat e përgëzimit.
Lëre shpifësin e ngrysur, smirëzi dhe abuzues, që ta takojë shpërblimin e merituar, falë veprës së tij që vetë e ka punuar; ta vrasë veten e tij me thikën e vet dhe ta kapërdijë gotën e helmit me dorën e vet. Vetëm ai e kaloi natën pa gjumë prej smirës së tij, i nxori jashtë përdorimit nervat e tij, për shkak të zilisë së tij, e shqeu shpirtin e tij prej hakërrimit të tij.
“Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve”. [Fussilet: 46]
Në mos lavdërofsh një të mirë, mos e shaj atë; në mos inkurajofsh një të suksesshëm mos e dekurajo atë; në mos ndihmofsh një punëtor të paepur, mos e shpotit atë.
Armiqësia e të suksesshmëve të tregon se je dështak; mllefi yt për të përparuarit na kallëzon ne se ti je ngecës, pra kujdes nga këto dëshmi që i jep ti vetë, për vetveten, se ajo paska ngecur dhe është molepsur. Koshi i plehrave të historisë është në pritje të çdo pisi të marrë dhe çdo tirani agresor…
Ndoshta prej urtësisë së Allahut është fakti, se Ai përkundrejt dinjitozëve, bëri njerëz të këqinj, që këta të fundit, përmes sharjeve dhe abuzimeve, t’ua marrin të këqijat të parëve dhe të shërbejnë si mburojë e tyre kundrejt epidemisë së mendjemadhësisë dhe mburrjes. Duhet fshirë medoemos nga stolia pluhuri, me rrecka dhe peshqirë.
“Kësisoj, Ne çdo profeti ia bëmë ndonjë armik prej jobesimtarëve, por mjafton që Zoti të jetë udhërrëfyes dhe ndihmës i yti”. [Furkan: 31]
Kritika djallëzore që i bëhet të suksesshmëve, është patentë novacioni dhe dëshmi mbi biografinë dhe sjelljet e tyre të hijshme; pasi pisin e ngratë s`e nxë toka nga prania e dinjitozëve, bubuzheli zukat prej aromës së luleve, ndrsa uji e mbyt brumbullin i trëndafilit.
Luani kaloi, një ulërimë lëshoi dhe bretkosa me një kuakje e kërcënoi. Luani i tha: O bretkosë, ti gjendesh në një vend të përçmuar, të ndenjurat e tua mbi ujë dhe e sipërmja jote e zhguritur në baltë. A s’e di se unë karvanët e deveve i kam copëtuar, burrat me emër më janë frikësuar dhe vetë malet janë tronditur kur ulërimën time e kanë dëgjuar?!
Një mijë urime për të suksesshmit, ndërsa smirëzinjve dhe dështakëve u takon rrethi i kuq, mbi të cilin është shkruar: “Thuaju: Vdisni me mllefin tuaj!” [Ali Imran: 119]

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit