Kohët e fundit në masmediat shqiptare është spekulluar shumë për një fenomen të ri në jetën e përditshme të kombit shqiptar – atë të fondamentalizmit islamik.
Por, a ekziston në të vërtete një fenomen i tillë në Shqipëri? Nëse po, cilat janë aktet terroriste të këtyre bandave e grupeve? E nëse jo, me ç‘qëllim bëhet zhurmë e madhe rreth kësaj çështjeje?
Përveç shkrimeve të fryra të disa pseudo-gazetareve si dhe deklaratave të disa politikaneve që e heqin veten si nacionalistë të medhenj (ndërkohë që veprimet e tyre të lënë të kuptosh se ata janë në ato poste vetëm për të mbushur xhepat e tyre), asnjë fakt konkret nuk ekziston që të implikojë me këtë akuzë organizatat myslimane në Shqipëri. Mund të jetë e vërtetë që në mes të dhjetëra misionarëve nga vendet arabe, disa prej tyre mund të jenë me të kaluar të dyshimtë që duke përfituar nga situata mund të fshihen në Shqipëri. Por kjo nuk e justifikon aspak të gjithë atë furtunë gazetareske dhe dhunë politiko-policore mbi popullsinë dhe veprimtarët myslimanë në vend. Aq më pak i
justifikueshëm është fakti që nxitësi kryesor i kësaj “furtune” është SHIK-u i cili me këto veprime jo vetëm që denigron figurën e vet në sytë e popullit por edhe nga ana profesionale tregohet si një turmë amatore dhe injorante në
llojin e punës që ka, duke i nxitur më shumë të gjitha llojet e Shërbimeve të huaja që të veprojnë në Shqipëri pa pasur as drojën më të vogël.
SHIK-u e ka për detyrë që këto elemente terroriste, të cfarëdolloj kombësie qofshin, ti zbulojë dhe t’i pengojë në kryerjen e këtyre akteve terroriste në territorin e Republikës së Shqiperisë. Por vetë natyra e kësaj detyre është e fshehtë dhe nuk duhet kurrsesi që puna e tyre të bëhet publike sepse vetë misioni i tyre do të dështonte, edhe imazhi tij (SHIK-ut) do të binte në syte e publikut.
Gjithashtu kjo “furtune” ka edhe efektin e saj negativ. Si pasoje e këtyre sulmeve, të sulmuarit mund ta gjykojnë të nevojshme që të mbrohen dhe t’i kthejnë sulmet. Pra me këto veprime, SHIK-u dhe qeveritaret tanë i shtijnë
benzinë prushit duke bëre që ai të kthehet në zjarr. Zbulimi i i një apo dy “terroristëve” që kërkohen nga qeveria e Egjyptit, apo ndonjë telefonate anonime kërcënuese ndaj ambasadës amerikane, nuk e justifikon aspak mbylljen e disa medreseve, bastisjen e zyrave të grupeve të ndryshme fetaro-bamirëse apo sharjet dhe fyerjet publike ndaj fesë islame dhe të atyre që e praktikojnë ate. E gjithë kjo zhurmë si dhe deklaratat kundër pjesemarrjes së Shqipërisë
në Konferencën Islamike sigurisht që kanë lëne një shije të keqe te mijëra besimtarë myslimanë të cilët megjithëse konstituojnë shumicën, e kanë ndjerë veten të shtypur e të nepërkëmbur në vendin e vet. Por, duke i shtirë benzinë
zjarrit, rrezikohet që disa nga këta besimtarë të nëpërkembur të zgjedhin si rrugë kundërpërgjigje, atë të mbrojtjes me forcë. Dhe ateherë do të kishim me të vërtetë një lëvizje ekstremiste që për të mbrojtur vetveten dhe duke qene e
pafuqishme ndaj shtetit, t’i kthehej terrorizmit si mjet shpëtimi.
E nëse tani për tani, në Shqiperi nuk ekzistojnë fondamentalistet islamike, atëherë në interest të kujt është gjithë kjo zhurmë rreth kësaj çështje?
Sigurisht jo në interes të kombit tonë. Deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve tanë i kanë hapur rrugën fare mirë Beogradit që të akuzojë Shqiperinë në botë si mbështetesë të terrorizmit. Këto deklarata i kanë mbështetur ato të Beogradit dhe tani edhe shtypi botëror shkruan për terrorizmin islamik, lidhjet e Osama bin Ladenit etj, ne Shqiperi. Edhe nëse këta ekzistojnë në të vërtete, është detyra e shtetit dhe e Shërbimit tonë Sekret që të veprojë në fshehtësi dhe të mos i vret shpirtërisht dhe moralisht pjesën myslimanë të kombit duke i quajtur terroristë etj, . Në fund të fundit,
myslimanet janë shumica në Shqipëri, dhe fyerja pa të drejtë e besimit të tyre do të krijonte rrezikun e kundër përgjigjes me forcë duke krijuar kështu një situatë të pakëndshme të luftës fetare nga e cila (situate), ne të gjithë si
komb, nuk do te dilnim tjetër vecse të humbur.
Ridvan Hoxha
Jan 24, 1999
alb-muslimstudents