-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kthimi i ogurzi i eugjenikës, eugjenetika e shekullit 20 është transhumanizmi i shekullit të 21-t

Më të lexuarat

Nga John Grey

Mendimi eugjenist u refuzua pas Holokaustit, por në epokën e Big Tech, ideja se njerëzit mund të “inxhinierohen” është rishfaqur në një maskë të re.

 

Në korrik të vitit 1912, 800 delegatë u takuan në Hotel Cecil on the Strand në Londër për Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Eugjenikës. Disa nga figurat kryesore të ditës – përfshirë ishkryeministrat dhe kryeministrat e ardhshëm britanik, Arthur Balfour dhe Winston Churchill – ishin aty. Delegatët përfaqësonin një spektër të gjerë opinionesh. Jo vetëm racistët e krahut të djathtë, por edhe liberalët dhe socialistët besonin se politikat eugjenike duhet të përdoreshin për të ngritur atë që ata e konsideronin si cilësi të ulëta të disa pjesëve të popullsisë.

Themeluesi liberal i shtetit të mirëqenies, William Beveridge, shkroi në vitin 1906 se burrat “të cilët për shkak të defekteve të përgjithshme” janë të papunë duhet të pësojnë “humbje të plotë dhe të përhershme të të gjitha të drejtave të qytetarëve – duke përfshirë jo vetëm të drejtën e votës, por edhe lirinë civile dhe të drejtën e atësisë”. Në librin Martesa dhe Morali (1929), Bertrand Russell, ndërsa kritikonte shtetet e amerikës se kishin zbatuar gjerësisht sterilizimin e pavullnetshëm, gjithsesi ai e mbrojti zbatimin e saj ndaj njerëzve që ishin “me defekt mendor”. Në vitin 1931, një editorial në këtë revistë miratoi “pretendimet legjitime të eugjenikës”, duke deklaruar se ato kundërshtoheshin vetëm nga ata “që kapen pas pikëpamjeve individualiste të prindërimit dhe ekonomisë së familjes”.

Koha e kongresit të vitit 1912 mund të jetë domethënëse. Në maj të vitit 1912, një “Projekt ligj për kontrollin e të paaftëve mendorë” u paraqit në dhoma e përfaqësuesve. Projektligji synonte të zbatonte gjetjet e një komisioni mbretëror, të botuar në British Medical Journal në vitin 1908, i cili rekomandonte që “lunatikëve, personave me mendje të çrregulluar, idiotëve, budallenjve, të paaftë mendorë, etj, duhej t’u jepej nga shteti një mbrojtje e veçantë në përshtatje me nevojat e tyre”. Masat e rekomanduara përfshinin mbylljen e qindra mijëra prej tyre në azile dhe shpalljen vepër penale të martesës me ndonjë prej tyre. Çuditërisht, komisioni specifikoi se numri i personave që kërkonin këtë “mbrojtje” ishte saktësisht 271,607.

Projektligji dështoi, pjesërisht si rezultat i lobimit intensiv nga shkrimtari dhe apologjeti katolik GK Chesterton i deputetit liberal Josiah Wedgewood. Pavarësisht agjitacionit të vazhdueshëm nga eugjenistët, asnjë ligj që mundësonte sterilizimin e pavullnetshëm nuk u miratua ndonjëherë në Britani. Megjithatë, në vitin 1913, parlamenti miratoi Aktin e Mangësisë Mendore, që do të thoshte se “një njeri me defekte” mund të izolohej në një institucion shtetëror nën autoritetin e një Bordi Kontrolli. Akti mbeti në fuqi deri në vitin 1959.

Adam Rutherford, i cili raporton këto fakte, shkruan se “ndonëse shumë popullore në të gjitha ndasitë politike … shumë njerëz kundërshtuan me zë dhe publikisht parimet dhe miratimin e politikave eugjenike në Angli dhe jashtë saj”. Kjo mund të jetë kështu, por shumë pak nga kundërshtarët aktivë të eugjenikës ishin mendimtarë përparimtarë. Gjatë valës së lartë të ideve eugjenike midis fillimit të shekullit të 20-të dhe viteve 1930, asnjë intelektual kryesor laik nuk prodhoi asgjë të krahasueshme me librin  ‘Eugjenika dhe të liga të tjera’ të Chesterton-it (botuar në 1922), një polemikë e fuqishme dhe e mprehtë në të cilën Chesterton argumentonte për vlerën e çdo njeriu.

 

 

Jo të gjithë të krishterët ndanin të njëjtin qëndrimin me Chesterton. Siç thekson Rutherford, dekani i Katedrales së Shën Palit dhe profesori i teologjisë në Kembrixh, Reverend WR Inge (1860-1954), shkroi në favor të kontrollit eugjenik të lindjeve, duke sugjeruar se “proletariati urban mund të gjymtojë qytetërimin tonë, pasi shkatërroi atë të Romës së lashtë”.

Ndërsa të krishterët ishin të ndarë në lidhje me eugjenikën, mendimtarët progresistë ishin në ujdi për ta mbështetur atë. I vetmi kundërshembull i spikatur që përmend Rutherford është HG Wells, të cilin ai e quan “një kundërshtar afatgjatë i eugjenikës”. Megjithatë, duke pasur parasysh deklaratat që mirëpresin zhdukjen e popujve jo të bardhë, të bëra në librin e Wellsit, titulluar “Parashikimet” dhe botuar në vitin 1901, ky mendim rreth Ëells-it ky duket se është një përshkrim tejet semplist.

Çuditërisht për progresistët laikë të sotëm, kundërshtimi ndaj eugjenikës gjatë lulëzimit të saj në Perëndim erdhi pothuajse ekskluzivisht nga burimet fetare, veçanërisht nga Kisha Katolike. Idetë eugjenike u përhapën kudo, por pak vende katolike i zbatuan ato. I vetmi legjislacion për sterilizimin e pavullnetshëm në Amerikën Latine u miratua në shtetin e Veracruz në Meksikë në vitin 1932. Në Evropën Katolike, Spanja, Portugalia dhe Italia nuk miratuan ligje eugjenike. Në të kundërt, Norvegjia dhe Suedia legalizuan sterilizimin eugjenik në 1934 dhe 1935, me Suedinë që kërkoi pëlqimin e atyre që u sterilizuan vetëm në vitin 1976. Në SHBA, më shumë se 70,000 njerëz u sterilizuan me forcë gjatë shekullit të 20-të, ndërsa sterilizimi pa pëlqimin e tyre të të burgosurve në burgjet e femrave në Kaliforni kazgjatur deri në vitin 2014.

Për inteligjencën laike në tre dekadat e para të shekullit të kaluar, eugjenika – “krijimi i qëllimshëm i një shoqërie… nga dizajni biologjik”, siç e përcakton Rutherford – ishte një pjesë e domosdoshme e çdo programi të përmirësimit njerëzor. Kështu u kuptua eugjenika nga polimati viktorian Francis Galton (1822-1911), i cili shpiku termin, një lidhje e fjalëve greke për “të mirë” dhe “pasardhës”. Mbarështimi i kontrolluar, që synonte ngritjen e cilësisë së qenieve njerëzore që do lindnin, ishte rruga drejt së mirës njerëzore.

Kjo nuk ishte një ide e re. Çiftëzimi selektiv ishte një pjesë integrale e utopisë së shëmtuar të parashikuar nga Platoni në librin e tij “Republika”. Risia e Galtonit ishte lidhja e eugjenikës me klasifikimin e qenieve njerëzore në kategori racore, e cila u zhvillua në shekullin e 18-të si pjesë e Iluminizmit. Në librin e tij “Gjeniu i trashëguar” (1869), ai shkroi: “Ideja për të hetuar temën e gjeniut trashëgues më lindi gjatë rrjedhës së një hetimi thjesht etnologjik, në veçantitë mendore të racave të ndryshme”.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, ideja e përparimit është shprehur në kuptimin e autonomisë më të madhe personale dhe barazisë sociale. Arsyeja për këtë ndryshim ishte zbulimi i asaj që nënkuptoi eugjenika në Gjermaninë naziste dhe vendet që ajo pushtoi.

Zbulimi se gjashtë milionë hebrenj evropianë u vranë në Holokaust, së bashku me qindra mijëra njerëz me aftësi të kufizuara fizike, sëmundje mendore ose karakteristika të tjera – të tilla si thjesht të qenit homoseksual – që supozohej se e bënë jetën e tyre “të padenjë për të jetuar”, përbënte një shkëputje në histori. Idetë dhe politikat që ishin konsideruar nga një brez i tërë mendimtarësh si udhërrëfyes për përmirësimin e specieve, shiheshin si moralisht të neveritshme. Eugjenika kishte mundësuar një krim të pashembullt. Kuptimi i një brezi të mëparshëm për përparimin jo vetëm u rishikua, por u refuzua, dhe diçka më shumë se e kundërta e saj u pranua.

Ky ndryshim duhet të jetë shqetësues për mendimtarët progresistë të ditëve tona. Si mund të jenë ata të sigurt se kuptimi i tyre aktual nuk do të jetë gjithashtu i mangët? Rutherford, i cili ndan pranon pjesën më të madhe të konsensusit progresiv mbizotërues, duket i patrazuar nga kjo mundësi. Siç vërehen edhe vetë ai në disa raste, ai shkruan kryesisht si shkencëtar. Ai ka pak njohuri në fushën e filozofisë morale, dhe nganjëherë kjo duket sheshazi.

Fuqia e librit të Radhërfordit qendron në demonstrimin e tij se eugjenistët ndjekin një iluzion kontrolli. Skemat Eduardiane dhe Naziste për zhdukjen e atributeve njerëzore që ata i konsideronin të padëshirueshme ishin të pazbatueshme. Edhe pigmentimi i syve është kompleks dhe i pa kuptuar plotësisht. Një model primitiv i determinizmit monogjenetik qëndron pas ringjalljes aktuale të ideve eugjenike. Përparimet në redaktimin e gjeneve janë mirëpritur nga disa, dhe përshëndeten me tmerr nga të tjerët, për të bërë të mundur prodhimin e “foshnjave projektuese”. Është folur pa teklif për rritjen e koeficientit të inteligjencës së gjeneratave të ardhshme, por nuk ka asgjë në njohuritë aktuale që sugjeron që një politikë e tillë të jetë e zbatueshme.

“Eugjenika është një flluskë sapuni,” shkruan Rutherford, “një pseudoshkencë që nuk mund të përmbushë premtimin e saj.” Shkatërrimi shkencor i projektit eugjenik është shkëlqyeshëm ndriçues dhe bindës. Libri i tij do të jetë i domosdoshëm për këdo që dëshiron të vlerësojë pretendimet dhe kundërpretendimet e egra rreth teknologjive të reja gjenetike. Por, është më pak i suksesshëm si një studim i pyetjeve të thella etike që këto pretendime ngrejnë.

Qëllimi kryesor i eugjenikës në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të ishte legjitimimi i fuqisë koloniale evropiane. Ideologjia eugjenike ka pasur gjithmonë funksione të tjera. Siç vëren Rutherford, të këqijat e shoqërive perëndimore u përshkruan si rezultat i inferioritetit të atyre që shtypnin. Varfëria ishte pasojë e marrëzisë dhe pakujdesisë, jo e mungesës së edukimit dhe mundësive. Por është ambicia më radikale e eugjenikës – për të riinxhinieruar specien njerëzore, ose pjesë të privilegjuara të saj – që ka të ngjarë të jetë më e rrezikshme në të ardhmen. Në vend që të eksplorojë këtë perspektivë kërcënuese, e cila ka mbështetjen e korporatave të fuqishme të teknologjisë që po hulumtojnë terapitë kundër plakjes dhe ilaçet teknologjike kundër vdekshmërinë, Rutherford fokusohet në objektiva të buta – figura dhe organizata të vogla që përpiqen të ringjallin teoritë e diskredituara të “racizmit shkencor”.

Ekziston një linjë e drejtpërdrejtë që lidh eugjenikën e fillimit të shekullit të 20-të me transhumanizmin e shekullit të 21-të. Lidhja është më e qartë në eugjenistin dhe “humanistin shkencor” Julian Huxley (1887-1975). Në vitin 1924 Huxley shkroi një seri artikujsh për revistën Spectator, në të cilin ai deklaroi se “mendja zezake është po aq e ndryshme nga mendja e bardhë sa zezaku nga trupi i bardhë”. Nga mesi i viteve tridhjetë, Huxley kishte vendosur që teoritë racore ishin pseudoshkencë dhe ishte një antifashist i përkushtuar.

Ai nuk e kishte braktisur eugjenikën. Në një leksion të titulluar “Eugjenika në një perspektivë evolucionare”, mbajtur në vitin 1962, Huxley ripohoi vlerën e ideve dhe politikave eugjenike. Më parë, në vitin 1951, në një leksion që u shfaq si një kapitull në librin e tij New Bottles for New Wine (1957), ai kishte shpikur termin “transhumanizëm” për të përshkruar “idenë e njerëzimit që përpiqet të kapërcejë kufizimet e tij dhe të arrijë në një përmbushje më të plotë”.

Huxley është një figurë kryesore, sepse ai e lidh eugjenikën me ideologjinë pasardhëse të saj. Rutherford i kushton Huxley vetëm një fjali, duke vënë në dukje se ai e këshilloi mikun e tij Wells për adaptimin e filmit të vitit 1932 ‘The Island of Dr Moreau’. Por Huxley meriton një shqyrtim më të gjerë dhe më të thellë, sepse ai ilustron një vështirësi themelore si në eugjenikë ashtu edhe në transhumanizëm. Kush vendos se çfarë vlen si një lloj njeriu më i mirë dhe mbi çfarë baze bëhet vlerësimi?

Rutherford na thotë pak për çështjet themelore të etikës, dhe ajo që ai thotë është e ngatërruar. Ai citon Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së për afirmimin e të drejtave të patjetërsueshme për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë. Të autorizuara nga Zoti dhe të sanksionuara në ligjin natyror, këto të drejta pohohen të jenë të vetëkuptueshme. Me të drejtë, Rutherford e hedh poshtë këtë pohim: “Ato janë sigurisht trillime, gënjeshtra fisnike.” Megjithatë, Rutherford mbështetet në diçka shumë të ngjashme me të drejtat e patjetërsueshme kur merr parasysh dilemat morale që lidhen me përparimet në gjenetikë.

Duke diskutuar për ndërprerjen e shtatzënisë në dritën e një diagnoze para lindjes, ai shkruan se ajo është “një zgjedhje personale absolute dhe duhet të jetë një e drejtë e pastigmatizuar për gratë dhe prindërit”. Ashtu si Rutherford, unë besoj se zgjedhjet e grave duhet të jenë parësore. Por nëse të drejtat janë trillime, si mund të konsiderohen këto zgjedhje si të drejta “absolute”? Shoqëri të ndryshme do t’i konfigurojnë këto të drejta fiktive në mënyra të ndryshme. Ai që zbatoi një koncept dominues të mirëqenies kolektive mund të kufizojë abortin për disa gra dhe ta zbatojë atë tek të tjerat, siç duket të jetë rasti në Kinë.

Rutherford vazhdon të pretendojë se argumentet utilitare përjashtojnë krimet e eugjenikës, të tilla si vrasja e njerëzve me aftësi të kufizuara. Por një llogaritje utilitare nuk mund t’u japë personave me aftësi të kufizuar të drejtën për jetë. Në librin e tij ‘Etika praktike’ (1979), utilitari australian Peter Singer pohoi se vrasja selektive e foshnjave me aftësi të kufizuara të rënda nuk duhet të jetë moralisht e gabuar. Duke përdorur metrikën utilitare, lumturia mund të maksimizohej në një botë pa këto qenie njerëzore. Kundër argumenteve utilitare të këtij lloji, Rutherford shkruan: “Nëse vërtet donim të zvogëlojmë shumën totale të vuajtjeve njerëzore, atëherë duhet të çrrënjosim të fuqishmit, sepse luftërat bëhen nga njerëzit, por fillohen nga udhëheqësit.”

Kjo mund të jetë tërheqëse retorikisht, por është tërësisht e ngatërruar. Sugjerimi se vuajtja mund të minimizohet duke zhdukur të fuqishmit është e pakuptimtë. Siç Radhërfordi duhet ta kuptojë me siguri, “të fuqishmit” nuk janë një grup njerëzor i veçantë që mund të eliminohet nga shoqëria.

 

 

[Burimi: https://www.newstatesman.com/culture/books/2022/02/the-sinister-return-of-eugenics]

Shqip: erasmusi.org

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit