-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kulti i imazheve – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Krijuesi e ka pajisur njeriun me shqisën e shikimit, përmes së cilës ai dhe çdo krijesë tjetër që e posedon krijon marrëdhënie me botën. Përmes saj njeriu percepton dhe njeh gjëra, të cilat do ta kishte të pamundur t’i kuptonte me shqisat e tjera. Shpesh një pamje apo një imazh që shohim, flet më shumë sesa njëmijë fjalë të marra së bashku dhe prek ndjeshmërinë tonë në fraksion të sekondës. Askush nga shqisat e tjera që ne zotërojmë nuk e ka këtë forcë, sasi dhe shpejtësi të përçimit të mesazhit siç e ka të shikuarit. Është një dhunti që nuk përshkruhet dot me fjalë, dhe vetë mendimi se mund ta humbasësh të shkakton trishtim dhe tronditje të pa masë.

Por me gjithë vlerën e papërshkrueshme të kësaj shqise, është pikërisht ajo që gënjehet e para. Për këtë arsye imazhi është mjeti kryesor që përdoret, me vetëdije ose jo, për të manipuluar njerëzit dhe për t’i skllavëruar ata. Sa më i cekët e i pamësuar të jetë një njeri në mënyrën sesi duhet njohur bota, aq më shumë ai është peng i imazheve që e rrethojnë atë. Sa më shumë jep përparësi komunikimit përmes figurave, aq më e madhe bëhet varësia e tij ndaj tyre. Në një botë ku mbizotëron sipërfaqësorja dhe cektësia e të menduarit, mbizotëron edhe imazhi dhe adhurimi i tij.

Jo më kot objektet e kulteve të ndryshme mbushen me imazhe idhujsh dhe ikonash, sepse ato krijojnë iluzionin e prezencës së këtyre perëndive apo shenjtorëve që ato përfaqësojnë. Ato përmbushin nevojën e njerëzve për të ndjerë prezencën e hyjnores mes tyre, qoftë kjo edhe përmes një vetëmashtrimi të pandërgjegjshëm që krijojnë këto imazhe.

Imazhi është kaq joshës dhe tundues, saqë shumica e njerëzve e kanë të pamundur t’i rezistojnë tërheqjes dhe mesazhit të fshehur apo të dukshëm të tij. Dhe pikërisht për këtë arsye bota e sotme e politikës, biznesit, artit dhe madje edhe ajo e shpirtit, i japin rëndësi të jashtëzakonshme imazhit. Ndaj dhe nuk është e rastësishme që mediat dhe mjetet e komunikimit masiv dominohen nga prezenca e tepruar e pamjeve të përditshme të politikanëve të caktuar, të cilët jo vetëm kënaqin egoizmin dhe vetëpëlqimin e tyre, por përmes prezencës së imazhit të vetë ata kërkojnë t’iu imponohen njerëzve duke u bërë të njohur dhe afërt me ta, si të ishin familjarët të tyre, madje shumë më tepër. Nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë dhe thonë, e rëndësishme është se ata janë aty, gjithmonë prezent me figurën e vetë, duke mbushur hapësirën publike me imazhin e tyre. Shpesh njerëz pa asnjë vlerë i imponohen dashur padashur shoqërisë përmes prezencës së imazhit të tyre, si të ishin shpëtimtarë të kombit, apo artistë par exellence. Kjo është forca e manipulimit të imazhit.

Siç kemi thënë edhe në një shkrim të mëparshëm, idhujtaria e sotme është zhvendosur nga statujat e ngurta prej druri dhe guri i perëndive që ato përfaqësonin, tek adhurimi i vetvetes, i egos, i tekave, pasioneve dhe epsheve personale. Dhe imazhi ka pjesën e tij në shfaqjen e këtij adhurimi, sepse ai është shoqërues i përhershëm i çdo idhujtarie. Mania e sëmurë për t’i bërë vetes sa më shumë foto dhe për t’i ekspozuar ato nëpër rrjetet sociale është pjesë e kësaj çmendurie njerëzore. Rrjetet e sotme sociale në botën e kibernetikës, që kanë në qendër të tyre komunikimin përmes imazheve, janë pikërisht pasojë dhe gjithashtu shkak i fundosjes së më tejshme të njeriut në llumin e idhujtarisë së imazheve.

Vetë fjala idhujtari në etimologjinë e saj rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë “adhurim i imazheve”, dhe kjo na kujton rrëfimin e Ibn Abasit se shirku lindi pikërisht si pasojë e madhërimit të imazheve njerëzore. Edhe pse imazhi ka luajtur një rol ndërmjetës të kalimit në idhujtari ai edhe vetë është bërë objekt adhurimi. Fotot dhe figurat njerëzore që mbushin ngado hapësirën private, publike dhe atë të botës virtuale, nuk dallojnë në thelb nga ikonat e dikurshme, pavarësisht ndryshimeve që ka në mes tyre. Në qendër të vëmendjes të gjitha kanë admirimin e madh dhe dashurinë e fortë deri në varësi emocionale ndaj personave që pasqyrohen në këto figura. Lidhja me imazhin e tyre vërtetë i rikujton njeriut lidhjen me vetë subjektin e imazhit, por me kalimin e kohës vetë imazhi merr një rëndësi parësore duke u kthyer në objekt adhurimi. Kështu që marria e sotme e publikimit të fotove personale nuk është gjë tjetër vetëm se refleksion i admirimit të tepruar të vetvetes, vetëpëlqimit, egoizmit, individualizmit, madje dhe adhurimit që njerëzit kanë për vetveten.

Sigurisht që një pjesë e madhe e njerëzve as nuk u shkon ndërmend diçka e tillë dhe as e kanë për qëllim vetëadhurimin, por e keqja në këtë mes është se ata janë imitues të verbër dhe të pavetëdijshëm të frymës së kësaj idhujtarie bashkëkohore, që ka kapluar ngado botën. Dhe sipas pikëpamjes islame, por edhe realitetit të provuar njerëzor, imitimi i jashtëm reflektohet me kalimin e kohës, qoftë edhe sadopak, në ndjenjat e brendshme. Kështu që jo më kot Islami mban një qëndrim ndalues apo edhe tepër të rezervuar karshi imazheve të frymorëve, sepse ato përveç të tjerave krijojnë tek njerëzit premisat që i hapin derën idhujtarisë, qoftë kjo edhe në format më të lehta të saj.

Sikur të mos mjaftonte kjo idhujtari, bota e mbytur nga imazhet ka edhe një tjetër pasojë negative, që është përhapja e analfabetizmit funksional. Sa më shumë mësohemi me botën e figurave aq më shumë gjuha që ne kuptojmë është ajo e imazheve, duke u larguar nga shkrimi dhe leximi, i cili e çliron imagjinatën personale dhe nuk të lë peng të imagjinatës së të tjerëve, por edhe të futë në brendësinë dhe thellësinë e gjërave, të cilat imazhi si diçka sipërfaqësore që është kurrë nuk mund të t’i thotë. Në një botë individualiste dhe sipërfaqësore si kjo e sotmja, nuk është aspak e vështirë që njerëzit të bëhen preh lehtësisht e idhujtarisë moderne, përmes kultit të imazhit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit