3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Fëmijët dhe rrëmuja në shtëpi

Më të lexuarat

Fëmijët dhe rrëmuja në shtëpi

“Mos bëj rrëmujë”, është shprehja tipike që fëmijët dëgjojnë ndoshta çdo ditë nga nëna tyre. Por, a është  normale që një shtëpi me fëmijë të vegjël të jetë e rregullt si ‘vitrinë’?
Ndërkohë që ne të gjithë procedojmë me të gjithë shqisat, fëmijët e vegjël mbështeten në shqisën e të prekurit dhe të të shijuarit për të marrë informacion mbi botën që i rrethon. Në mungesë të aftësive të tyre gjuhësore në këtë moshë, fëmijët e vegjël i mësojnë gjerat jo duke pyetur por duke eksploruar.
Fëmijët mësojnë nëpërmjet lojës, mbi të gjitha në lojërat aktive nëpërmjet të prekurit të objekteve dhe nëpërmjet ‘të bërit të diçkaje’, e cila mund të shkaktojë pak rrëmujë. Duhet ti jepni mundësinë fëmijës të marrë pjesë në një lojë që shkakton rrëmujë dhe ndoshta edhe të bëhet pis. Ajo çka duhet të përpiqeni të bëni është balancimi i nevojave të tua si prindër me nevojat e fëmijëve për të eksploruar dhe për të mësuar nëpërmjet lojës, edhe pse ndoshta juve do iu duket sikur ata vetëm po bëjnë ‘rrëmujë’.
Të mësuarit e fëmijës do të reduktohet shumë nëse ata shqetësohen për rrëmujën, pra është e rëndësishme të shmanget ideja se të bërit pis, kjo është një gjë shumë e keqe, ME MIRE  të përqendroheni në mënyrat se si ta mbani atë brenda limiteve edhe pse mund të jetë e vështirë në shtëpi.
Përfitimet nga loja me rrëmujë
Vetë-shprehje: Kjo lojë i ofron fëmijëve mundësinë për tu shprehur më lirshëm. Materialet mund të punohen dhe ripunohen pafund, një fëmijë mund të krijojë diçka dhe ta rikrijojë atë disa herë. Ndryshe nga një vizatim i cili kërkon një faqe të re nëse ndryshon mendje.
Vetëvlerësim: Duke qenë se loja e ç‘rregullt nuk ka të bëjë me diçka që përfundon, kjo i ndihmon fëmijët që të krijojnë besimin tek vetja pasi nuk ka një ‘dështim’ të mirëfilltë në këtë aktivitet, ata mund të riprovojnë pa fund.
Socializim: Loja e ç‘rregullt është e pëlqyer nga të gjithë fëmijët. Edhe nëse fëmijët janë të vegjël dhe nuk flasin me njëri-tjetrin, ose sapo janë takuar për herë të parë, të luajturit me materiale sensore (që mundësojnë të prekurit) në grup, përforcon lidhjen midis fëmijëve duke e eksploruar materialin së bashku, pa nevojë për të folur.
Aftësi investiguese: Fëmijët aftësohen për zgjidhjen e problemeve sa herë që janë të lirë të manipulojnë një material apo objekt. Fëmijët kuptojnë më shumë mbi shkak-pasojë, p.sh. pse akulli shkrihet më shpejt kur unë e tund atë?
Koncepte para-matematikore: Kur fëmijët eksplorojnë materialet ato munden ti manipulojnë sipas dëshirës së tyre, shpesh ata eksplorojnë format, marrëdhënien hapësinore dhe frekuencat. P.sh., tek përgatitja e një ‘torte’, lëvizja e brumit, prerja në copa tregon për frekuencën (pasi bëhet disa herë), sasia e miellit tregon mbi volumin.
Aftësi fizike: Loja sensore inkurajon aftësitë e motorikës fine dhe koordinimin, edhe në rastet kur fëmijët po luajnë vetëm me një material.
Ide për lojëra të ‘rrëmujshme’.
T’i orientosh fëmijët drejt disa lojërave të rrëmujshme, në të njëjtën kohë edhe i kontrollon ato. Ja disa ide:
1.      Vizatimi
Të vizatosh nuk është domosdoshmërish e nevojshme përdorimi i furçës, penelit apo një këmbaleci. Mjafton të jeni pak krijues dhe çdo ambient mund të jetë i përshtatshëm për vizatim. Mund të shtroni tabakë të mëdhenj mbi tapet dhe bashkë me fëmijët të lini gjurmët e duarve mbi të, ose të vizatoni gjëra të ndryshme, qoftë edhe zhgaravina në rastin e fëmijëve të vegjël. Përdorni ngjyra të ndryshme, bëni një miksim, kjo gjë e kënaq fëmijën. Krijimi i hapësirave të dobishme për të vizatuar, shmang vizatimin në vendet delikate si muri, divanet, dyert etj.
2.      Gatimi me brumë
Mundohuni të gjeni momente të përshtatshme gjatë gatimit tuaj që të përfshini edhe fëmijën. Sigurisht do të tregoheni të kujdesshëm për të shmangur rreziqet gjatë kësaj. Gjatë gatimit me brumë, kur keni ndërmend të bëni një byrek apo një kek, veçoni pakëz brumë enkas për fëmijën tuaj, ndërkohë që ju gatuani vërtet edhe fëmija po gatuan sipas stilit të vet, duke i dhënë brumit forma të ndryshme.
3.      Kolazhet
Prerjet dhe ngjitjet mbeten veprime të preferuara tek fëmijët. Përdorimi i gërshërëve i ndihmon shumë ata në përmirësimin e koordinimit. Është mirë të përdorin materiale të ndryshme si letër, karta, fleta reviste të padobishme etj. Pasi ti presin dhe ngjisin këto, inkurajojini të flasin mbi atë çkanë bërë dhe përgëzojini ata.
4.      Lojë me rërë dhe me ujë
Loja me rërë dhe me ujë është lojë tërheqëse për të gjithë fëmijët. Nuk duhet të prisni kohën e pushimeve për t’ia mundësuar fëmijëve tuaj këtë. Mundohuni të improvizoni në ambientet e shtëpisë. Përdorni mjete të ndryshme, shishe gypa, vegla (plastike) etj. Mbushja e enëve të ndryshme me ujë apo me rërë u jep fëmijëve ndjesinë e peshës. Derdhja nga një enë në një tjetër u paraqet atyre marrëdhënien kapacitet-vëllim. Loja me ujë mund të improvizohet më lehtë nëse keni oborr në shtëpi, në të kundërt mund të fokusoheni tek loja me ujë  e cila mund të eksplorohet edhe në dush, gjatë larjes së fëmijës (në legen ose në vaskë), përdorimi i lodrave, në këtë mënyrë e kontrollon rrëmujën brenda një ambienti më të mbyllur dhe në të njëjtën kohë e bën larjen një aktivitet më interesant për fëmijën.
 
Pergatiti: Suada Hajredinaj
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit