13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Familja e shëndoshë dhe tiparet e saj

Më të lexuarat

Familja është shpirti i shoqërisë, e cila na mban gjallë, ajo që ngërthen në vete dashurinë, përkrahjen dhe forcën për të vazhduar tutje. Andaj ne jemi të urdhëruar që këtë familje ta mbajmë të shëndoshë dhe të pastër nga çdo virus i cili i kanoset e që e rrezikon ekzistencën e saj, qoftë ai virus nga jashtë qoftë nga brenda vendit tonë. Ne në këtë shkrim do të mundohemi të tregojmë diçka lidhur me familjen e shëndoshë dhe tiparet e saj.

Pse është e rëndësishme familja?

Familja me të drejtë konsiderohet thelbi i shoqërisë. Nga synimet kryesore të Islamit është edhe formimi i familjes së shëndoshë dhe të lumtur, e cila ngritët mbi parimet e pastra islame e të cilat burime kanë kuptimet kuranore dhe kuptimet e haditheve të profetit Muhamed a.s.. Nën ombrellën e kësaj familjeje arrihen të gjitha synimet e jetës e që janë: qetësia shpirtërore, dashuria, mëshira e harmonia e ndërsjellë. Lidhur me këtë na informon Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë ku na thotë: “Dhe nga faktet e (madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga ju gratë tuaja, ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe krijoi mes jush dashuri dhe mëshirë.”(1)

Pra, ato janë krijuar nga ne për ne, në mënyrë që të gjejmë prehje tek ato, prandaj dhe familja e shëndoshë është burimi i qetësisë shpirtërore, qetësi e cila po na mungon shumë kohëve të fundit, e që mungesa e kësaj qetësie manifestohet me këtë kaos moral e njerëzor, të cilin e kemi të pranishëm në shoqëri dhe i cili medoemos duhet të largohet.

I Gjithëdijshmi në ajetin 187 të sures El Bekare thotë: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato”(2), ajet që ilustron marrëdhëniet në relacionin bashkëshortor dhe përdorë fjalën “libas”(petk), e cila fjalë përmendet në këtë ajet e që sipas komentatorëve të Kuranit ka kuptimin e mbrojtjes, bashkimit, afërsisë, ngrohtësisë, mbulojës dhe stolisë.

Si familje e shëndoshë, sipas Islamit, konsiderohet ajo familje, anëtaret e së cilës janë të lidhur për vlerat dhe parimet e larta të Islamit, vlera këto të cilat i kanë të mishëruara në veten e tyre, si dhe parimet të cilat i kanë pranuar si boshtin e tyre të ekzistencës dhe misionin e tyre jetik të cilin duhet ta përmbushin dhe duhet të jetojnë sipas tij. Ky mision dallohet me metodologjinë e tij të kthjelltë dhe rrugët e qarta, në saje të së cilave synon arritjen deri te shembujt më të lartë dhe me anë të kësaj arritjeje, ai e mbanë gjithmonë familjen të shëndoshë dhe shembull se si duhet të jetë ajo.

Përveç atyre që i përmendëm më lartë, familja gjithashtu është edhe ai institucioni apo ajo medreseja, e cila sjell gjeneratën e re, aty fillon edukimi i një brezi të rinj, i cili është e ardhmja e shoqërisë dhe po ky brez është ai i cili do të udhëheqë nesër me shoqërinë tonë. Ky fakt i rëndësishëm, i cili u përmend, përveç se ka lidhje me familjen e shëndoshë është i ndërlidhur ngushtë edhe me shoqërinë e së nesërmes, andaj rreziku i dështimit në këtë pikë na bën shumë skeptik lidhur me ardhmërinë tonë, sepse nëse ne dështojmë këtu atëherë kemi dështuar në zhvillimin dhe formimin e gjeneratës së re në të cilën është ardhmëria jonë. Për këtë arsye ne duhet të kujdesemi vazhdimisht për familjen tonë e të mos e lëmë atë të përfundojë në humnerat e epsheve dhe në ujërat e thella të injorancës.

Kjo familje e shëndoshë ka edhe tiparet e saja me anë të së cilave mund të kuptohet më lehtë formimi i saj, tipare të cilat duhet të synohen dhe të praktikohen nga të gjithë, në mënyrë që të arrijmë te një rezultat i nevojshëm e i shumë dëshiruar. Ndër to mund të përmendim:

1. Kuptimi i drejtë i martesës;

2. Njohja e të drejtave dhe obligimeve bashkëshortore;

3. Kuptimi i të drejtave të fëmijëve dhe obligimeve të prindërve ndaj tyre;

4. Komunikimi me anëtarët e familjes;

5. Praktimi i shembullit të Pejgamberit a.s. si bashkëshort dhe baba.

Kuptimi i drejtë i martesës

Martesa në Islam ka rëndësi të veçantë, e cila ngërthen në vete natyrshmërinë me të cilën Allahu e ka krijuar njeriun. Ai në shpirtin e burrit ka krijuar nevojën për grua dhe në shpirtin e gruas ka krijuar nevojën për burrë, pra kjo lidhje buron nga realiteti dhe nevoja, me të cilin njeriu përshtatet në mënyrë të përsosur dhe njëri-tjetri e gjejnë prehjen që Allahu e përmendi në ajetin e mësipërm. Gjithashtu rëndësia e martesës është edhe në faktin e ruajtjes dhe mbajtjes gjallë të njeriut si qenie. Prandaj si e tillë, familja bashkon këto dy tipare dhe me anë të familjes gjejmë prehjen tonë, mëshirën, strehimin, e mbështetjen dhe ruajmë shtimin e popullsisë.(3)

Islami me dritën e argumentit të tij largoi të gjitha kuptimet e gabuara të martesës, aty ku gruaja konsiderohej thjesht si një mjet kënaqësie për burrin e saj apo vetëm një shërbëtore në shtëpinë e tij, si dhe mendimin e gabuar të murgërisë, duke treguar që kjo nuk ka lidhje me natyrshmërinë e njeriut. Në anën tjetër, Islami nxit me ngulm për martesë, sepse ai e konsideron atë si një nga faktet dhe argumentet e Allahut në gjithësi. Kur jemi në këtë temë, nuk mundemi të mos e përmendim shembullin e disa sahabëve, të cilët deshën të privoheshin nga martesa e t’i përkushtoheshin totalisht adhurimit, duke agjëruar ditën, e falur gjithë natën. Për këtë qëllim shkuan dhe e pyetën Pejgamberin a.s., e ai u përgjigj duke thënë: “Për sa më përket mua, unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle, si dhe martohem. Kush e refuzon rrugën time ai nuk është prej meje.”(4) Pra Pejgamberi a.s. e refuzoi një mendim të tillë.(5) Ky pra mund të thuhet se është kuptimi i drejtë i martesës sipas Islamit.

Njohja e të drejtave dhe obligimeve bashkëshortore

Edhe ky tipar është ndër më të rëndësishmit për një familje të shëndoshë.

Ndër këto të drejta dhe obligime mund të përmendim:

a) Detyrimi i parë ndaj bashkëshortes është dhënia e mehrit (dhuratës) si shenjë për dëshirën konkrete për martesë. Këtë dhuratë Islami ia ka garantuar gruas si të drejtë të saj, të cilën nuk ia cenon askush. Lidhur me këtë, Allahu në Kuranin e madhëruar thotë: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit.”(6)

b) Detyrimi i dytë është shpenzimi për bashkëshorten. Burri ka për detyrë të sigurojë ushqimin, veshjen, banimin dhe mjekimin për ato. Lidhur me këtë, Allahu në Kuran thotë: “Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfëri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive që i ka dhënë.”(7)

c) Detyrimi i tretë është bashkëjetesa e mirë, lidhur me të cilën Islami ka urdhëruar e për të cilën Allahu ka thënë: “Jetoni e silluni mirë me to (gratë).”(8)

ç) Detyrimi i katërt është bindja ndaj bashkëshortit, ashtu siç burri ka detyrimet ndaj gruas së tij, edhe bindja e gruas ndaj tij është njëra nga detyrimet që i ka ajo.(9)

d) Detyrimi i pestë është se nuk i lejohet gruas që ta fus në shtëpi dikë që burri e urren.

e) Detyrimi i gjashtë është ndalimi i dhunës së gruas dhe mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit të saj.(10)

f) Detyrimi i shtatë është njohja e atësisë së fëmijëve dhe trashëgimi i ndërsjellët.(11)

Kuptimi i të drejtave të fëmijëve dhe obligimet e prindërve ndaj tyre

Do të ishte më në interes që të flasim më tepër për të drejtat dhe obligimet të cilat ndoshta shpesh nuk diskutohen, e të cilat janë:

a) Trajtimi i tyre me butësi;

b) Dhurimi i një shembulli të mirë për ta;

c) Ruajtja e natyrshmërisë dhe ndërgjegjes së pastër të fëmijës;(12)

ç) Trajtimi i barabartë i fëmijëve, të cilën prindërit duhet ta kenë patjetër posaçërisht kur bëhet fjalë për dhënien e dhuratave, ngase kjo lind xhelozi, e cila mund të shkaktojë armiqësi dhe urrejtje midis tyre.(13)

Mbi të gjitha këto në rend të parë është edukimi i tyre në frymën islame, duke mos anashkaluar edhe obligimet e vendbanimit, ushqimit, veshmbathjes, të cilat veçse i dimë.

Komunikimi me anëtarët e familjes

Ky komunikim është çelësi i një marrëdhënie të shëndoshë mes prindërve në njërën anë dhe fëmijëve në anën tjetër, prandaj ne si prindër pos që duhet të komunikojmë mes vete për t’i zgjidhur problemet tona, duhet të kemi konsideratën dhe mirëkuptimin që të flasim edhe me fëmijët tanë, sepse fjalët e tyre janë të vërteta dhe të sinqerta edhe pse shpeshherë neve na duken se këto fjalë janë të pa baza dhe të kota. Prandaj në momentin që i dëgjojmë dhe komunikojmë me ata, ne jo vetëm që e zgjidhim problemin brenda familjes, mirëpo kontribuojmë në rritjen e personalitetit të fëmijëve tanë, sepse me dëgjimin dhe komunikimin me ata, ne i bëjmë të besojnë se ata janë të rëndësishëm dhe të vlefshëm në perceptimet e tyre. Në vazhdim do t’i përmendim disa fakte të cilat na ndihmojnë në këtë aspekt:

-T’ua rikujtojmë fëmijëve se Zoti ua ka dhuruar dy vesh dhe një gjuhë, pra duhet të dëgjojnë dy herë para se të flasin një herë;

-Të flasim me fëmijët dhe t’u kushtojmë vëmendjen e duhur gjatë diskutimit;

-Të jemi më durimtarë e mos t’ia ndërpremë fjalën;

-Kur të flasim me ta, ta shikojmë drejt në sy;

-Të mos e qortojmë për gabimet që i bën, mirëpo gabimet t’i rregullojmë së bashku me ta;

-Ta bëjmë fëmijën pjesë të një problemi që kemi dhe të kërkojmë mendim prej tij për zgjidhjen e atij problemi;

-Të interesohemi më tepër për fëmijët, se si i ka punët në shkollë me shokët, mësuesit dhe rrethin në të cilin gjinden;

-Lënia e të gjitha punëve anash përderisa flasim me fëmijët.

Këto janë disa nga ato që mund të na ndihmojnë në lidhje me komunikimin tonë me fëmijët e po ashtu shumica prej tyre vlejnë edhe për qiftin bashkëshortor. Në momentin e përmbushjes së tyre, ne sigurojmë një komunikim të mirëfilltë, i cili është çelësi për një familje të shëndoshë.

Praktimi i shembullit të pejgamberit a.s. si bashkëshort dhe baba

Nga të gjitha këto tipare të cilat u sqaruan më lartë, profetin Muhamed a.s. e kemi shembullin më të mirë me të cilin e ndriçojmë rrugën tonë. Ai është shëmbëlltyrë dhe model në familje. Ai ishte që e kuptoi në mënyrë perfekte kuptimin e fjalës martesë, ndonëse ishte shumë i zënë me të gjitha aktivitetet e tij të panumërta, ishte ai i cili më së miri e jetësonte atë që quhej jetë bashkëshortore duke i ditur dhe praktikuar të drejtat dhe obligimet bashkëshortore. Ishte pikërisht ky profet i cili u dërgua si mëshirë për gjithë botët, që kishte kuptuar më së miri kuptimin e të qenët prind, duke i respektuar në përpikëri të drejtat e fëmijëve dhe duke i kryer obligimet e tij si prind ndaj tyre. Ky Pejgamber, i cili ishte edhe udhëheqës shteti në të njëjtën kohë, ndalej dhe komunikonte në mënyrën më serioze të mundshme me një fëmijë, pavarësisht moshës së tij që kishte. Shembull për këtë është biseda e tij me një fëmijë të cilit i kishte ngordhur bilbili i tij. Kjo sa i përket marrëdhënies së tij me fëmijët, mirëpo nuk duhet lënë pa përmendur edhe sjelljen e tij karshi bashkëshortes, ku ai bënte gara vrapimi me Aishen r.a., e që kur kjo e fundit e pyeste atë se çfarë dashurie ndjen ndaj meje, Pejgamberi a.s. i thoshte se është sikurse nyja e litarit, një nyje e cila nuk zgjidhet. Ndonëse kalonte kohë, Aisheja r.a. prapë e pyeste cila është gjendja e nyjës, duke aluduar në dashurinë e tij ndaj saj. Pejgamberi a.s. përgjigjej duke thënë se nyja është në gjendjen e njëjtë. Ky ishte shembulli i Pejgamberit a.s., i cili edhe pse ishte profet i një populli dhe thirrësi më i rëndësishëm në jetë, ai ishte një bashkëshort i suksesshëm dhe një baba shembullor.

Ky Pejgamber me veprimet e tij na tregoi që miqësia dhe dashuria mes tij dhe bashkëshorteve, po ashtu edhe fëmijëve, janë në nivelin më të lartë dhe se me mirëkuptim, miqësi, dashuri e prehje njeriu jeton një jetë të mirë.

Jeta është e shkurtër andaj nuk ia vlen ta kalojmë atë duke u grindur e hidhëruar mes vete, ngase kjo lirisht mund të konsiderohet si nëpërkëmbje e një mirësie, të cilën Allahu na ka dhënë e që quhet familje.

Në fund themi që suksesi nuk mund të jetë sukses nëse nuk është gjithëpërfshirës, sepse njeriu mund të jetë i suksesshëm në famë, pushtet apo pasuri, mirëpo kjo nuk është asgjë nëse ka dështuar në atë që quhet familje. Prandaj them me bindje që suksesi nuk mund të quhet i tillë nëse nuk e përfshinë këtë thesar që Allahu e la si amanet për ne. Mos të harrojmë që familja është shpresa e cila na mbanë gjallë, andaj duhet që me të gjitha forcat të mos e lejojmë që kjo shpresë të shuhet. Jemi të vetëdijshëm që rrethanat janë të vështira e pengesat të shumta, mirëpo ndriçimi i argumenteve të Islamit e bën rrugën të lehtë për ta kaluar, mjafton që vetëm të mos largohemi nga kjo fe.

__________________________

1 Err Rrum, 21, përkthimi i Hasan Nahit.

2 El Bekare, 187.

3 Ahmed Umer Hashim, El Usra Fi El Islam, fq. 54.

4 Muhamed Ismail el Buhari, Sahih i Buhari (50631)| Muslim bin Haxhaxh, Sahih el Muslim (1401)

5 Jusuf el Kardavi, Melami El Muxhteme El Muslimu El-ledhi Nunshiduhu, fq. 331.

6 En Nisa, 4.

7 Et Talak, 7.

8 En Nisa, 19.

9 Talat Abdul Gafur Hasen, Ahval Shahsije lil Muslimin, fq. 202.

10 Dr. Zekeriya Guler, 40 Hadiste Kadin ve Aile, fq. 39.

11 Talat Abdul Gafur Hasen, Ahval Shahsije lil Muslimin, fq. 216.

12 Huda Mahmud Nashid, El Usra we terbijetu et-tifl, fq. 44-45.

13 Jusuf el Kardavi, El Halalu wel Haramu fil Islam, fq. 262-263.

Nehat Shehu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit