2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kur fëmija gënjen

Më të lexuarat

Kur fëmija gënjen

Jo rrallëherë prindërve u qëllon që “të kapin mat” fëmijën me gënjeshtra të vogla, të tipit “nuk e bëra unë” ose të tjera si këto. Por si mund të ndalohet kjo sjellje, para se ajo të kthehet në një ves tek fëmija?
 
Mendo rreth kësaj: Fëmijët gënjejnë për arsye të ndryshme. Ata gënjejnë për të ruajtur lumturinë e prindërve, gënjejnë që t’u shmangen problemeve, gënjejnë për të dalë nga një situatë e sikletshme, ose gënjejnë sepse nuk arrin të bëjnë dallimin midis të vërtetës dhe trillimit. Të mësosh fëmijën tënd për vlerat e të treguarit të së vërtetës do kohë dhe durim.
 
Mos bëj hetuesin: Mos bëj pyetje, që e nxisin fëmijën të gënjejë. Nëse fëmija është bërë me çokollatë në fytyrë dhe torta ka mbaruar, mos e pyet, “Ti e hëngre tortën që ishte mbi tavolinë?”, por në vend të kësaj thuaji një të vërtetë; “Jam e zhgënjyer që ti e hëngre tortën pa më pyetur, ky do të jetë vakti yt për sot”. Nëse fëmija të thotë, “Nuk e bëra unë” mos luaj hetuesin, thjesht paraqiti faktet, “Torta nuk është më dhe ti ke çokollatë në fytyrë. Pse nuk shkon në dhomë të qetësohesh  dhe kur të kesh dëshirë për të folur rreth kësaj, kthehu që flasim bashkë”.
 
Shpenzo kohë për zgjidhjen: Fokusohu më shumë në gjetjen e një zgjidhjeje sesa në fajësimin e dikujt. “Pavarësisht se si ndodhi, llamba është thyer. Çfarë mund të bëjmë për këtë?”
 
Tregohu i drejtë dhe i sinqertë: Nëse nuk je i sigurt nëse fëmija yt po gënjen, tregohu i drejtë me të duke i thënë, “Kjo nuk më tingëllon si e vërtetë”. Pra mos akuzo pa baza.
 
Mos u fokuso tek gabimi: Nëse fëmija vjen t’iu tregojë të vërtetën, mos filloni t’i mbani leksion. Falënderojeni fëmijën që iu tregoi dhe fokusohuni në gjetjen e një zgjidhjeje, pa u nevrikosur. Mos gaboni duke i thënë atij: “Nëse tregon të vërtetën, nuk do të ndëshkohesh.” Ne të gjithë bëjmë gabime dhe të pranojmë fajin është e vështirë, por është e nevojshme të jemi të përgjegjshëm për veprimet tona. Nëse po parkon makinën, godet një makinë tjetër, nuk mund të pretendosh se nuk do të kesh pasoja, nëse pranon fajin, sepse patjetër do marrësh përsipër përgjegjësitë mbi dëmin e shkaktuar. Prandaj, shmang frazën “Nëse tregon të vërtetën, nuk do të ndëshkohesh”. Mirëpo nga ana tjetër bëji të ditur fëmijës se: “Nëse gënjen, do të futesh në telashe më të mëdha!”
 
Rishiko pritshmëritë e tua për fëmijën: Ndonjëherë fëmijët gënjejnë, sepse ndihen sikur nuk i kanë plotësuar pritshmëritë e tua dhe mendojnë se është më e lehtë të gënjesh, sesa të ndihesh i dështuar. Reflekto mbi mënyrën se si reagon ndaj një gabimi të fëmijës tënd dhe sigurohu që reagimi yt të mos i nxisë ato.
 
Bëhuni model sinqeriteti: Kur fëmija ju dëgjon duke përdorur “gënjeshtra të bardha”, ju jeni duke i mësuar atij diçka mbi sinqeritetin.
Çfarë nënkuptojmë me “gënjeshtra të bardha”? Kjo do të thotë p.sh: ta mësosh fëmijën, që të thotë në telefon: “Babi nuk është në shtëpi”, në mënyrë që të mos i flisni personit që po telefonon, ose të ulësh moshën e fëmijës, për të përfituar ulje në blerjen e një bilete. Fëmija juaj i mëson këto gjëra, ndërkohë që ju i bëni këto, me dashje apo pa dashje.
 
Nëse gënjeshtra është kthyer në ves: Nëse gënjeshtra tashmë është kthyer në një ves për fëmijën tuaj, nëse ai gënjen edhe për gjëra të rëndësishme, nëse vazhdon të këmbëngulë tek gënjeshtra e tij edhe pse e vërteta është zbuluar, zgjidhja e zgjuar do të ishte të drejtoheshit tek një specialist.
 
Përgatiti: Suada Hajredinaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit