6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Filozofia e Vitit të Ri, në mes irracionales dhe besëtytnisë

Më të lexuarat

Filozofia e Vitit të Ri, në mes irracionales dhe besëtytnisë

Atmosfera e festimit të kësaj feste është atmosferë injorance e besëtytnish. Nga përshtypjet, në formë definicionesh, që japin kremtuesit e kësaj feste, del në pah se Viti i Ri është festë me argëtim, shoqërim, ngritje të dollive, tryezave të begatshme([7]), me një fjalë, festë që mundohet ta bëjë njeriun ta harrojë vetveten e vet, ta harroje realitetin, dhe ashtu i dehur, për pak çaste të “dëfrehet” e të argëtohet.
Megjithatë, festa nuk është e zhveshur edhe nga filozofi, besime, bindje e besëtytni, që të bëjnë të kuptosh se vërtetë ke të bësh me diç të pakuptimtë. Përveç asaj që përmendëm nga paganët, këtu do të kemi rastin të njihemi edhe me besëtytni tjera të popujve tjerë përkitazi me festimin e kësaj feste.
– Te kinezët, ekziston besëtytnia se mu para ndërrimit të mot moteve, në emër të largimit të çdo gjëje që është e vjetër, në mënyrë detale duhet pastrohet banesa dhe shtëpia, ndërsa, nëpër rrugët e të gjitha qyteteve organizohen ceremonialet madhështore, ku në parakalimet e gjata përplot me njerëz, dominon marshimi i dragonjve të improvizuara nga letra si simbole të fuqisë dhe suksesit([8]). Familjet mblidhen për festë në mbrëmjen e Vitit të Ri dhe qëndrojnë deri vonë në mëngjes, duke besuar se në këtë mënyrë do të zgjasin jetën e tyre. Kinezët besojnë se shpirtrat e këqij enden natën e Vitit të Ri, ndaj i lënë ata jashtë shtëpive të tyre, duke ndezur drita, të cilat i mbajnë ata larg. Për këtë arsye veshin me letër muret dhe dritaret e shtëpive të tyre për t’i mbajtur larg këta shpirtra([9]).
Ndonëse Kina është shteti me popullsinë më të madhe në botë, ajo po kështu kryeson edhe listën e vendeve me pabesimtarët më të shumtë. Thuhet se statistikat e atyre që fare nuk besojnë janë 90% e popullsisë së përgjithshme, dhe, nëse merret parasysh kjo gjendje, nuk ka vend për tu çuditur për këto besëtytni e besime të kota që burojnë nga atje. Tek ne muslimanët sa janë të pakuptimtë dragonjtë po aq është e pakuptimtë edhe qëndrimi natën me këto arsye. Nata tek ne zakonisht cilësohet si mejdan i adhurimit të të devotshmëve derisa zgjimi pa arsye ose me dolli e manifestime të këtyre natyrave konsiderohet si gjest që në vend se ta largojë djallin, ai e tërheq edhe më. Ne nuk largojmë djajtë me drita e letra apo një herë gjatë vitit, ne i largojmë ata nga shtëpitë tona për çdo ditë dhe atë me këndim të Kur’anit. A nuk ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:
Djalli ikën nga shtëpia në të cilën këndohet kaptina el-Bekare”. ([10])
– Në Japoni kjo festë kremtohet me tryeza të begatshme përplot me specialitete të radha tradicionale, e në mesnatën e ndërrimit të mot moteve jehojnë 108 të rëna të kambanave nga të gjitha tempujt budist anë e kënd vendit. Simbolika e 108, nënkupton si vërejtje dhe porosi për largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë([11]). Japonezët zhvillojnë edhe një lloj besimi të quajtur “Shinto”. Për ditë më të lumtura dhe fat të mirë ata varin jashtë derës së shtëpisë së tyre një litar të thurur me kashtë, pasi besojnë se i mban larg shpirtrat e këqinj. Japonezët qeshin sa më tepër në çastet që viti i ri fillon, pasi në këtë mënyrë do të kenë fat gjatë gjithë vitit([12]).
Muslimani karshi këtyre bindjeve përdor arsenalin e tij islamik ku fuqia bërthamore-nukleare e besimit të tij zhdukë nga faqja e dheut këto besëtytni. Ai beson se njeriu gjatë vitit mund të bëjë me mijëra mëkate dhe se zgjidhja e parë dhe e fundit për të shpëtuar prej tyre është vetëm pendimi. Ai përherë përkujton thirrjen e Zotit të vet:
Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”. ([13])
Në anën tjetër, ai beson se largimi nga shpirtrat e këqij, nuk bëhet nëpërmjet këtyre simboleve, jo, ato për muslimanin paraqesin rrezik permanent për besim të tij dhe konsiderohen si mjete që djalli vë në kurth njeriun me to. Ne besojmë se e mira vjen prej Allahut si shpërblim ndërsa e keqja vjen si sprovë apo ndëshkim. Allahu ka thënë:
…thujau: “ Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos Allahut, nëse Allahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë te keqe, ose,nëse Allahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij?”. Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Vetëm atij i mbështeten të mbështeturit”. ([14])
Mu për këtë, bartja e hajmalive, varja e patkonjve në dyer, rruazat kundër mësyshit, e gjërat e ngjashme, cilësohen mëkate të mëdha. Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
“Kush mban hajmali, Allahu mos ia plotësoftë atij (atë që e dëshiron nga shërimi apo mbrojtja), ndërsa në transmetim tjetër thotë:kush mban hajmalinë ka bërë shirk”.([15])
“Kush mban diçka (nga hajmalitë ose tjetër gjë me qëllim shërimi ose mbrojtje nga të këqijat) lihet në mbështetjen e saj”. ([16])
Imam Ahmedi transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ia kishte parë në dorë një njeriu një pe të lidhur. Për çfarë e mban këtë?-e pyeti. Të më ruaj nga të ligat- u përgjigj. Largoje atë ngase ajo vetëm të këqijat t’i shton, dhe, nëse ti vdes me atë në dore, nuk do të shpëtosh kurrë”.
– Tek populli çifut festohet sepse ajo edhe me mësime religjioze konsiderohet si festë shpirtërore me të cilën shënohet përvjetori i fillimit të krijimit të Botës([17]).
Nëse janari është muaji i parë i vitit kjo nuk do të thotë, assesi, se në këtë muaj Allahu e krijoi botën. Ne dimë vetëm faktin se Allahu është Ai qe ka caktuar rrjedhën kohore dhe ka porositur që t’ia kemi friken Atij, ta shfrytëzojmë këtë kohë në të mirë tonën dhe të marrim mësim nga kalimi i saj se kjo botë është e përkohshme.
– Tradita kubane për natën e ndërrimit të mot moteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues.
Lumturia nuk është diç që blihet me para, pihet me gotë apo hahet me thikë e pirun. Nëse kjo ngrënie do të ndikonte mirë për shëndet, kjo nuk përcakton që edhe lumturia të vijë prej saj. Sa njeriu hanë ushqim të mirë e nuk është i lumtur dhe sa i varfëri hanë ushqim të dobët e është i lumtur!
– Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumë llojllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje.
Për muslimanin “mastrafi” (shpenzimet e tepërta) nuk preferohen kurrë. Edhe në festë edhe jashtë saj ne mbajmë atë vijën mesatare duke iu përmbajtur fjalës së Allahut:
O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”. ([18])
– Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar konsiderohen si fëmijë më fatlum në botë.
Një gjë e tillë është marrëzi të thuhet. Nuk ka datë të caktuar që nëse njeriu lind në të është i lumtur. Dukuritë natyrore, duke përfshirë këtu edhe llogaritjen kohore, pra ditët, nuk kanë të bëjnë me njerëzit aspak. Muhammedi, alejhi’s selam, siç transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, ka thënë përkitazi me nxënien e diellit gjatë vdekjes së birit të tij:
“Më të vërtetë Dielli dhe Hëna janë dy prej argumentëve të All-llahut (të fuqisë së Tij) dhe ato nuk e humbin dritën për shkak vdekjës së ndonjë personi as për shkak gjallërimit të tij dhe kur të ndodhë kjo faluni dhe lutëni All-llahun (me frikërrespekt) deri sa të largohet ajo qe ju ka ndodhë”.
Mirëpo, në Islam, ka ditë të caktuara, që nëse vdes njeriu në to, shpresohet t’i lirohet barra e mekëtave, siç është dita e xhuma. Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë:
“Secili musliman që vdes ditën apo natën e xhuma, All-llahu do ta mbron nga sprova e varrit”. ([19]).
Megjithatë këtu nuk bëhet fjale për asnjë besëtytni. Dita e xhuma për muslimanët, me citat fetar, është ditë feste, dhe përveç kësaj ka edhe një mori specifikash tjera, që e bëjnë të denjë për një veçim të tillë.
(- Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen.
Kjo është vërtet qesharake. Nga vet teksti tregohet qartë se atmosfera festive është e shthurur, e pakontrolluar dhe e përzier burra e gra. Neve muslimanëve festimet e tilla na janë ndaluar. Ne jetojmë me realitetin. Nëse adhurimi i tepërt dhe jashtë normales së paraparë nga feja është ndaluar atëherë si të mos ndalohet kremtimi i tillë. Nga këtu zbehen edhe më teoritë famëkeqe të atyre që thërrasin në transparencë, liri për djemtë e vajzat që të dëfrehen e argëtohen së bashku, vallëzime festive me gruan e shokut dhe anasjelltas, dhe del në pah se pikërisht këto janë themeli i të këqijave vijuese-pasojë e këtyre festimeve. Neve në Islam, nga frika e rënies në situata të palakmuara, paraprakisht na është bërë me dije se njeriu, qoftë edhe i devotshëm, ndien nevoje për një dëfrim dhe zbavitje, dhe për të mos rënë në atë çfarë e quan autorja e punimit “shprehje e momentit euforik të kremtes”, na është ndaluar përzierja burra-gra edhe në faltore e lëre më jashtë tyre. Le ta quajnë këtë si të duan por kjo është e vemja metodë që ka funksionuar dhe atë gjatë tërë historisë pas shpalljes së fesë islame.
– Njeriu i parë i cili do t’ju hyj në shtëpi pas mesnate, besohej se, ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të te, e posaçërisht nëse ky person është mashkull, trupgjatë dhe zeshkan.
Fati është i përcaktuar nga Allahu qysh kur je në barkun e nënës dhe, bindja se njeriu i pashëm, shtatlartë, trim, të sjell të mira është besëtytni dhe bindje e periudhës paraislame. Arabët e periudhës paraislame mendonin gjëra të ngjashme. Nëse gruaja do të kryente marrëdhënie me ndonjë burrë të përshkruar me trimëri, guximëri, e tipare tjera, edhe fëmija do të lindte i tillë. Këtu dua të them se njerëzit në Islam nuk vlerësohen në baze të tipareve të jashtme por të brendshme. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“Është e vërtetë që Allahu nuk shikon trupat e tuaj e as format tuaja, por shikon në zemrat tuaja” ([20]).
– Të gjitha portofolat e juaja që i dispononi, atë mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’ju përcjelli me shumë begati dhe pasuri financiare([21]).
Kjo është marrëzi e shkuar marrëzisë. Po nuk punove nuk do të kesh asgjë. Këtë më së miri na e ka mësuar praktika e pejgamberëve, alejhimu’s selam, të cilët punonin për ta fituar kafshatën e gojës. Davudi, alejhi’s selam punonte si farkëtar ndërsa Zekerijaja, alejhi’s selam si zdrukthëtar. Mbështetja në gjëra të tilla është më shumë çmenduri se sa realitet. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte përbuzur qëndrimet e disa asketëve, të cilët nuk punonin por lypnin. Ai iu kishte përmendur shembullin e një are që për të sjellë bereqet duhet mbjellur, kujdesur dhe mbështetur, përfundimisht, në Allahun e Madhëruar.
– Në Kore, dita e parë e hënës së re është quajtur “Sol-nal”. Kjo do të thotë bashkim i familjeve dhe përgatitje për vitin e ri. Të gjithë vishen me rroba të reja mëngjesin e ardhshëm, duke simbolizuar një nisje të mbarë të vitit dhe mblidhen të gjithë në shtëpinë e mashkullit më të vjetër të familjes. Ushqimet që përdoren në natën e ndërrimit të viteve përfshijnë edhe një tas me supë orizi. Koreanët besojnë se, duke ngrënë këtë supë jetës së tyre, u shtohet edhe një vit ekstra, e madje mosha e koreanëve llogaritet ditën e Vitit të Ri. Pikërisht këtë ditë secili prej tyre bëhet një vit më i madh.
Ndonëse ushqimi mund të ndikojë në shëndetin dhe vitalitetin e trupit të njeriut, ai, asnjëherë, nuk mund të bëjë zgjatjen e jetës. Jeta është e caktuar prej Allahut, dhe ajo as nuk vie më herët dhe as nuk shtyhet për më vonë kur të vie momenti i vdekjes. Allahu ka thënë:
Cdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t’u vijë afati tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë”. ([22])
– Viti vietnamez është quajtur “Tet Nguyen Dan”. Një vietnamez i zakonshëm beson se personi i parë që do të hyjë në shtëpi natën e Vitit të Ri mund të sjellë fat, ose jo, për atë familje ku ai shkon. Po kështu vietnamezët besojnë se në çdo shtëpi ka një engjëll, i cili për Vitin e Ri shkon te Zoti dhe i tregon për sjelljet e mira apo të këqija të secilit prej anëtarëve vitin e shkuar. Vietnamezët e vjetër besojnë se ky engjëll udhëton në kurrizin e një peshku të quajtur karp, ndaj dhe për këtë arsye një pjesë e tyre blejnë një karp të gjallë dhe e lënë atë të lirë natën e Vitit të Ri në një lumë.
Në Islam, me citate të vërteta, është vërtetuar frekuentimi i engjëjve në shtëpitë tona dhe atë me një mision të rëndësishëm. Thotë Allahu:
Ai (njeri) ka përcjellës një pas një, para tij dhe prapa tij, që me urdhrin e All-llahut e ruajnë atë. All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre. Po, kur All-llahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë nuk ka kush që ta zbrapsë. Ata, (njerëzit) nuk kanë mbrojtës tjetër pos Tij”. ([23])
Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
Melaiket ndërrohen; ka melaike të natës dhe melaike të ditës, që bashkohen në namazin e sabahut dhe atë të ikindisë. Ata që ishin tek ju ngritën dhe i pyet Allahu, duke qenë se Ai nuk ka nevojë për këtë ngase e di,: Si u ndatë nga robërit e Mi? I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur- përgjigjen”. ([24])
Por Melaket nuk përshkruhen në atë formë. Tek ne, melaiket janë krijesa prej dritës, pa gjini, adhurojnë vazhdimisht Allahun dhe kurrë nuk e kundërshtojnë.
– Në Kamboxhia njerëzit i pastrojnë dhe i zbukurojnë shtëpitë e tyre për t’i uruar mirëseardhjen Shpirtit të Vitit të Ri “Tevada Chhnam Thmey”, i cili besohet se në këto ditë zbret në tokë. Një statujë e Budës vendoset në altar, ku ka gjithashtu edhe shumë lule, qirinj, ushqime, pije si dhe banane me anë të të cilave janë formuar figura të ndryshme. Një ditë pas Vitit të Ri, njerëzit vizitojnë manastirin e vendit të tyre dhe u ofrojnë ushqime murgjve. Ditën e tretë statuja e Budës dhe manastiret pastrohen([25]).
Buda asnjëherë nuk ka pretenduar hyjnizim të vetvetes. Ai madje as që ka themeluar ndonjë fe. I tërë misioni i tij ka qenë vetëm moral për tu formuar më pas, pas vdekjes së tij, si fe. Nga vet përshkrimi i kësaj atmosfere festive, muslimani fiton përshtypjen e sakte se kjo është idhujtari, adhurim i njerëzve, këto janë forma të kota adhurimi, mënyrë e pakuptimte e festimit…Musliman i ka mësuar se njeriu kushdo që të jetë ai nuk mund të përshkruhet me hyjnizim. Sa shumë e kemi dashur dhe e duam Muhammedin, alejhi’s selam por asnjëherë nuk i kemi dhënë atribute të tilla. Madje ai vet urrente gjërat e tilla. Ai, siç e kishte urdhëruar Kur’ani, kishte deklaruar:
Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë”. ([26]),
Thuaj: “Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti Një, pra drejtonju Atij dhe kërkoni falje prej Tij. Për idhujtarët është mjerim i madh”. ([27])
Buhariu transmeton nga Ibni Omeri:
Mos bëni me mua siç bën të krishterët me Isain, te birin e Merjemes, ngase unë jam rob. Thuani: Rob dhe i dërguar i Allahut”.

Burimi:
sedatislami.com

[7] http://www.agimi. com/modules. php?name= News&file=print&sid=861 [8] Ibid. [9] http://www.ballkan. com/index. php?page= shownews&newsID=34658. Autori i Lajmit: Elisabeta Ilnica [10] Muslimi, Ahmedi, Tirmidhiu. [11]http://www.agimi. com/modules. php?name= News&file=print&sid=861 [12] http://www.ballkan. com/index. php?page= shownews&newsID=34658. Autori i Lajmit: Elisabeta Ilnica [13] ez-Zumer, 53 [14] ez-Zumer, 38 [15] Albani për këtë hadith thotë se është i saktë. [16] Tirmidhiu. [17]http://www.agimi. com/modules. php?name= News&file=print&sid=861 [18] el-A’rafë, 31 [19] Tran. Ahmedi ndërsa hadithi është sahih. http://www.albislam .com/artikuj/ artikull. asp?NrArtikull= 346 [20] Transmeton Muslimi. [21] http://www.agimi. com/modules. php?name= News&file=print&sid=861 [22] el-A’rafë, 34 [23] err-Rra’du, 11 [24] Buhariu. [25] http://www.ballkan. com/index. php?page= shownews&newsID=34658. Autori i Lajmit: Elisabeta Ilnica. Të gjitha paragrafët me “italic” janë nga ky burim. [26] el-Kehf 110 [27] Fussilet 6

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit