Nga: Xhasim Mutava
Dialog i veçantë i Ibrahimit a.s.
Hyrje
Joshja ose kërcënimi përgjatë një debati, mund të çojnë në një ndryshim të përkohshëm. Ndërkohë që dashuria çon në ndryshim të përhershëm dhe të qëndrueshëm. Prej këtu lind rëndësia e edukatës dhe etikës gjatë dialogut dhe debatit me kundërshtarët në mendim – sidomos me prindërit – gjë e cila ka efekt më të thellë.
Duke u nisur nga kjo, ne do trajtojmë dialogun e veçantë dhe konstruktiv mes Ibrahimit a.s dhe babait të tij jobesimtar, duke theksuar rëndësinë që ka respekti i prindërve dhe vendin që kjo vlerë zë tek profetët e Zotit.
Dialogu i Ibrahimit a.s me babanë e tij jobesimtar
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë rreth dialogut që zhvilloi Ibrahimi a.s me babanë e tij jobesimtar:”
“Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”! Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem, 41-47)
Në tefsirin e Muhamed Tahir ibnu Ashur thuhet:”Ibrahimi a.s iu drejtua babait të tij me këshilla të sinqerta. Ai i solli argumente të prekshme:“O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?”
Veç kësaj, Ibrahimi filloi t’i flasë mbi mesazhin dhe shpalljen hyjnore me të cilën e kishte graduar Zoti:”O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!”
Më pas, Ibrahimi a.s i tërhoqi vëmendjen se idetë dhe fenë që babai i tij kishte përqafuar, ishin prej cytjeve dhe vesveseve të shejtanit: “O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit!”
Me këto fjalë, sikur i thoshte:”O babai im! Zoti më ka urdhëruar të t’i them këto fjalë. Nëse ti nuk je i sigurtë për këtë, atëherë ndëshkimi është i pashmangshëm. Idhujt që ti adhuron, kurrë nuk mund të të thonë fjalë të tilla.” (Tahriru tenvir 16/113)
Një ligjërim i tillë, është tregues i edukatës së lartë dhe etikës që Ibrahimi a.s respektonte në komunikimin me të atin. Ai nuk e quajti të atin “xhahil trashanik” dhe nuk e quante veten “i dituri suprem”, por i tha:” O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!”
D.m.th, mua më janë dhënë dije të cilat nuk të janë dhënë ty, prandaj më beso dhe respektoji këshillat e mia. Nëse do të ndodheshe në një vend të panjohur dhe vij unë dhe të tregoj nga është rruga, a do më ndiqje? Edhe në këtë rast, më ndiq pasi do të shpëtosh nga ndëshkimi i rreptë dhe humbëtira!
Gjithashtu, konstatohet përdorimi i shpeshtë nga ana e Ibrahimit të fjalës “O babai im”, me qëllim që të fitojë zemrën dhe simpatinë e tij dhe automatikisht, t’ia pranojë këshillën.
Por përgjigja e babait të Ibrahimit a.s ishte shumë e ashpër. Ai nuk harroi të përdorë edhe kërcënimet dhe shantazhin, gjë e cila është tregues i zemrës së tij të ngurtë.
Fjalët përmbyllëse të dialogut mes Ibrahimit a.s dhe babait të tij, duke treguar edhe një herë dëshirën e tij të flaktë për udhëzimin e të atit në rrugën e drejtë:
Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.”
Ibrahimi a.s vazhdoi të kërkojë falje për të atin, derisa Zoti ia ndaloi diçka të tillë, duke e njoftuar se babai i tij i është bashkangjitur karvanit të mohuesve të Zotit.
Profeti Muhamed a.s, në gjurmët e Ibrahimit a.s.
Të njëtën gjë bëri edhe i dërguari i Zotit a.s me xhaxhanë e tij, të cilin e kishte pasur Deri atëherë përkrahësin më të madh. Transmeton Seid ibnul Musejjib se ka dëgjuar të atin duke thënë:”Kur Ebu Talibit i erdhi vdekja, i shkoi i dërguari i Zotit a.s. dhe pranë tij gjeti Ebu Xhehlin dhe Abdulla ibnu Ubej Umeje ibnu Mugire. I dërguari i Zotit a.s i tha:”O xhaxhai! Thuaj “La ilahe il-lallah!” që t’a kem si argument para Zotit, Ditën e Kijametit.”
Ebu Xhehli ndërhyri dhe i tha:”O Ebu Talib! A dëshiron të braktisësh fenë e Abdul Muttalibit?!”
I dërguari i Zotit vazhdoi t’i propozojë që t’a thotë fjalën e dëshmisë, derisa në fund Ebu Talibi tha fjalët e tij të fundit:”Unë do të vazhdoj në fenë e Abdul Mutalibit.” Dhe nuk pranoi të thotë “La ilahe il-lallah.”
Profeti a.s tha:”Për Zotin, unë do të vazhdoj të lutem dhe të kërkoj falje për ty, përderisa nuk jam ndaluar për këtë.”
Atëherë Zoti i shpalli ajetin:”
“Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit. Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Teube, 113-114)
Takimi i Ibrahimit a.s me babanë e tij Ditën e Kijametit
Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Ibrahimi a.s do e takojë babanë etij Azerin Ditën e Kijametit. Fytyra e babait të tij do të jetë e errët dhe e pluhurosur. Kur t’a shohë, Ibrahimi a.s do i thotë:”A nuk të thashë të mos më kundërshtosh?”
Babai i tij do i thotë:”Sot nuk do të të kundërshtoj.”
Ibrahimi a.s do i drejtohet Zotit me fjalët:”O Zot! Ti më ke premtuar se nuk do të më poshtërosh Ditën e Ringjalljes. A ka poshtërim më të madh se t’a shoh babanë nën xhehenem?!”
Zoti do i thotë:”Unë ia kam ndaluar xhenetin jobesimtarëve.” Më pas do i thotë përsëri:”O Ibrahim, shiko poshtë këmbëve!”
Ibrahimi a.s do të vërejë një kafshë me qime të gjata dhe të ndotur me pluhur dhe gjak. Kjo kafshë do të tërhiqet për këmbësh dhe do të hidhet në zjarr.” (Buhariu 3/1223, hadithi 3172)
Ibrahimit a.s do i shfaqet babai në formën e kësaj kafshe të shëmtuar dhe të ndotur me pluhur dhe gjak, me qëllim që t’a ketë më të lehtë ndarjen dhe distancimin prej tij.
Njerëzimi Ditën e Kijametit
Njerëzit do të jenë të renditur sipas kontributit të dhënë në përhapjen e fesë dhe sipas veprave të vepruara në këtë botë. Kështu, ata do të prihen nga i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s. më pas do të vijnë të dërguarit e vendosur, pastaj të dërguarit e tjerë, profetët, të sinqertët (siddikun), shehidët, njerëzit e ndershëm, besimtarët, muslimanët, qafirët dhe në fund munafikët (hipokritët).
Të dërguarit e vendosur janë: Profeti Muhamed a.s, Ibrahimi a.s, Nuhu a.s, Musai a.s dhe Isai a.s.
Rëndësia e respektimit të prindërve
Në shumë tekste, Islami na nxit që t’i respektojmë prindërit dhe të mos i braktisim ata. Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (Teube, 23-24)
Transmeton Muadh ibnu Enes, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Para Zotit do të dalin disa njerëz, të cilëve Zoti as nuk do u flasë, as nuk do i pastrojë dhe as nuk do i shohë.”
Dikush e pyeti:”Kush janë këta njerëz o i dërguar i Zotit?”
Profeti a.s u përgjigjet:”Një që i ka kthyer shpinën dhe ka braktisur prindërit, një që u ka kthyer shpinën dhe ka braktisur fëmijët dhe një njeri që ka përfituar nga begatitë e dikujt, por më vonë i ka mohuar dhe i ka kthyer shpinën.” (Musnedi i imam Ahmedit, 3/440, hadithi 15674)
Profetët dhe respekti
Në Kuran përmendet thënia e profetit Isa a.s:
“Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” (Merjem, 30-32)
Kurse Nuhu a.s e luste Zotin e madhëruar:
“Dhe Nuhu tha: “O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë! O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim!” (Nuh, 26-28)
Ndërkohë, për profetin Jahja a.s thuhet:
“(Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri, butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm. Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.” (Merjem, 12-15)
Përfundim
Dashuria e fëmijëve për prindërit është diçka emocionale. Prandaj fëmijët e kanë të lehtë mosrespektimin e prindërve. Ndërkohë që dashuria e prindërve për fëmijët është e ngulitur thellë në natyrën dhe instiktin e këtyre të fundit. Është kjo ajo që i bëjnë prindërit kaq të lidhur me fëmijët e tyre dhe të gatshëm të sakrifikojnë për ta gjithçka, edhe jetën nëse u kërkohet.
Për këtë Sheriati islam është i mbushur me tekste që nxisin për respektim të prindërve dhe sjellje me edukatë me ta. Diçka të tillë nuk e hasim përsa i përket dashurisë dhe përkujdesit që duhet të tregojnë prindërit me fëmijët, pasi kjo është në natyrën e prindërve.
Nga dialogu i Ibrahimit a.s me të atin jobesimtar, kuptojmë rëndësinë e edukatës, respektit dhe modestisë para prindërve. Me një edukatë të tillë duhet të karakterizohen edhe të rinjtë tanë.
…