15.9 C
Pristina
Wednesday, May 29, 2024

Ibrahimi a.s dhe mbrojtja e të drejtave të gruas

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Ibrahimi a.s dhe mbrojtja e të drejtave të gruas

Hyrje
 
Islami, barazinë mes mashkullit dhe femrës e sheh në të drejta dhe obligime dhe jo në gjithçka. E rëndësishme – në Islam – është që secili të marrë të drejtat që i takojnë. Siç përmendet dhe në një hadith të Profetit a.s:”Burrat janë vëllezërit e grave.” (Ebu Daud 1/111, hadithi 236)
Gjithashtu, Kurani famëlartë i referohet edhe zanafillës së krijimit të burrit dhe gruas e cila është e përbashkët. Po ashtu, Kurani e barazon mashkullin dhe femrën përsa i përket përgjegjësive dhe obligimeve.
Në lidhje me historinë e Ibrahimit a.s dhe bashkëshortes së tij Sara, do të flasim edhe mbi të drejtat e gruas në Islam, do të përmendem vendin që Islami i ka dhënë femrës dhe në fund do të përmendim mbi disa dallime që Sheriati ka bërë mes femrës dhe mashkullit.
 
 
Historia e Ibrahimit a.s dhe e bashkëshortes së tij
 
Transmetohet se Ebu Hurejre ka thënë:”Ibrahimi a.s nuk ka gënjyer veçse tre herë: Dy herë, gënjeu për t’u treguar idhujtarëve kotësinë e adhurimit të idhujve “Unë jam i sëmurë” “e ka bërë idhulli më i madh” dhe herën e tretë gënjeu kur një nga mbretërit u josh nga bukuria e Sarës dhe dërgoi ushtarët t’a marrin. Kur ushtarët e pyetën Ibrahimin a.s mbi Sarën, u tha:”Ajo është motra ime.”
Më pas, Ibrahimi a.s i tha Sarës:”O Sara! Për Zotin nuk ka besimtarë të tjerë mbi tokë, veç teje dhe meje. Nëse të pyesim mbi mua, u thuaj që je motra ime dhe mos më përgënjeshtro!”
Më pas e morrën Sarën dhe e dërguan tek mbreti i tyre. Me të hyrë në dhomën ku ndodhej mbreti, ky i fundit zgjati dorën t’a prekë, por menjëherë dora iu paralizua. I tronditur i kërkoi Sarës t’a lirojë duke i premtuar se nuk do i bëjë gjë të keqe. Sara e luti Zotin dhe dora iu shërua. Mbreti u përpoq për herë të dyta t’a prekë, por përsëri iu paralizua dora më keq se herën e parë. Pasi Sara e luti Zotin, dora iu shërua. Të njëjtin veprim e përsëriti për herë të tretë dhe përsëri iu paralizua krahu. Pasi Sara e luti Zotin që t’a shërojë dhe mbreti u shërua për herë të tretë, i thirri shërbëtorët dhe ushtarët e tij duke u thënë:”Ju nuk më paskeni sjellë një njeri, por një shejtan!”
Pas kësaj ndodhie, mbreti urdhëroi shërbëtorët e tij që t’i shërbenin sa më mirë Sarës dhe i dhuroi asaj një shërbëtore me emrin Haxhere. Kur Sara vajti tek Ibrahimi a.s e gjeti atë duke u falur. Pasi përfundoi, Ibrahimi a.s e pyetei Sarën mbi atë që kishte ndodhur dhe ajo ia ktheu:”Zoti bëri që t’i dështojnë planet.”
Thotë Ebu Hurejre:”Ajo (Haxhereja) është nëna juaj o bijtë e ujit të shiut.” (Buhariu 3/1225, hadithi 2179)
Me fjalët “bijtë e ujit” simbolizohen arabët e shkretëtirës, pasi endeshin në kërkim të oazeve dhe vendeve ku bie shi, për vete dhe bagëtitë e tyre.
Mbreti i keq që përmendet në historinë e mësipërme ishte në Egjypt. Kjo përmendet tek hadithet e imam Muslimit, ku Ebu Dheri  transmeton se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Ju do të merrni një tokë ku përmendet kirati (njësi peshe). Silluni mirë me ta, për shkak të besës, gjakut dhe krushqisë.” (Muslimi 4/1970 hadithi 2543)
Besa e lartpërmendur, simbolizon shenjtërinë e njeriut dhe të drejtave të tij. Gjaku, është për shkak se nëna e Ismailit a.s, është Haxhereja e cila ishte egjyptiane.
Kurse krushqia, për shkak se mbreti i Egjyptit, Mukaukis, i dhuroi profetit Muhamed a.s një skllave, Marinë, me të cilën Profeti a.s u martua dhe i lindi Ibrahimi.
 
 
Argumente mbi vendin që zë gruaja në islam
 
Islami e konsideron misionin themeltar të gruas – për të cilin ajo është e përshtatshme si fizikisht ashtu dhe psikologjikisht – si zonjë shtëpie. Ajo është përgjegjëse për edukimin e brezave të ardhshëm. Duke pasur parasysh këtë, islami e ka vlerësuar dhe i ka dhënë asaj vendin që i takon. Nga argumentet për këtë, do të përmendim:
 
1 – I dërguar i Zotit a.s e filloi thirrjen dhe ftesën islame me një grua (Hadixhen) dhe e përfundoi po me një grua (Aishen). Gjithashtu, fjalët e tij të fundit ishin:”Ju këshilloj të silleni mirë me gratë!” (Buhariu, 3/1212 hadithi 3153)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kijeni frikë Zotin përsa i përket trajtimit të grave tuaja, pasi i keni marrë me besën e Zotit dhe u janë lejuar me fjalët e Zotit.” (Muslimi 2/886, hadithi 1218)
 
2 – Ashtu siç bëri me burrat, Profeti a.s u mori besën dhe grave në mënyrë të barabartë. Këtë e bëri për të zbatuar porosinë e Kuranit:”O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Mumtehine, 12)
 
3 – I dërguari i Zotit a.s konsultohej me gratë. Ai i kërkoi mendim dhe këshillë të shoqes Umu Seleme në një çështje shumë të rëndësishme. Pasi Profeti a.s ra dakord me mekasit mbi një marrëveshje paqeje për dhjetë vite (Hudejbije), u kërkoi muslimanëve t’i therrin bagëtitë që kishin marrë si kurban dhe të rruanin kokat.
Tregon Umer ibnul Hattabi:”Për Zotin asnjëri prej nesh nuk lëvizi nga vendi i tij, saqë i dërguari  i Zotit u detyrua t’a përsërisë tre herë.”
Duke parë që askush nuk lëvizi, Profeti a.s hyri në çadrën e Umu Selemes dhe i tregoi atë që kishte ngjarë.
Umu Seleme i tha:”O i dërguar i Allahut! A dëshiron  të të binden njerëzit? Dil jashtë dhe mos i fol askujt derisa të therrësh kurbanin tënd dhe të rruash flokët e tua.”
Profeti a.s doli jashtë dhe pa i folur askujt therri devenë e tij që kishte pregatitur për kurban dhe thirri berberin që t’i rruajë flokët. Kur panë këtë, të gjithë muslimanët e tjerë filluan të therrin kurbanet dhe të rruajnë flokët, saqë prenë njëri-tjetrin nga inati.” (Buhari 2/974, hadithi 2581)
Kjo ndodhi, është argumenti më i mirë mbi pavërtetësinë e hadithit që thotë:”Këshillohuni me to dhe veproni në kundërshtim me sugjerimmet e tyre!” (Nuk është vërtetuar kurrë që këto fjalë janë të profetit Muhamed a.s)
 
4 – Tregon Umu Hani bintu Ebi Talib:”Shkova tek i dërguari i Zotit (vitin kur morrëm Meken) por ishte duke u larë. Pasi përfundoi, u vesh dhe fali tetë rekate. Pasi përfundoi, unë i thashë:”O i dërguar i Allahut! Vëllau im, Ali ibnu Ebi Talibi kërkon të vrasë filanin të cilin unë e kam marrë në mbrojtje.”
Profeti a.s i tha:”Ai që ke marrë në mbrojtje, është edhe në mbrojtjen tonë o Umu Hani.” (Buhari 1/141, hadith 350)
Ky hadith konfirmon të drejtën e grave për të marrë në mbrojtje burrat.
 
5 – Aisheja ishte referenca e shumicës së sahabeve në çështjet e fetvave. Ajo shpesh herë i korrigjonte fetvatë e sahabeve. Një rast, është dhe kur dëgjoi se Amr ibnul As i urdhëronte gratë që t’i zgjidhnin gërshetat kur laheshin. Në këtë rast, Aisheja tha:”Për t’u habitur me këtë mendim të Amrit! I urdhëroka gratë të zgjidhin gërshetat kur lahen! Përse nuk i urdhëron t’i rruajnë fare flokët?! Unë dhe i dërguar i Zotit a.s laheshim nga një enë e vetme dhe nuk bëja asgjë më shumë se hidhja tre safa ujë mbi kokë.” (Muslim 1/260, hadithi 331)
 
 
 
Disa dallime mes burrit dhe gruas në disa dispozita të Sheriatit dhe shkaku
 
I pari: Dëshmia në gjykatë.
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra.” (Bekare, 282)
Sipas juristëve dhe dijetarëve muslimanë, ky ajet vlen vetëm në çështjet me natyrë kriminale dhe transaksione (muamelat). Ndërkohë që në shumë çështje të tjera dëshmia e gruas është e barabartë me atë të burrit.
Nurmri i dëshmitarëve në ajetin e lartpërmendur, nuk ka të bëjë me aftësitë e tyre, por ka të bëjë me vetë çështjen për të cilën duhet të dëshmojnë. Kështu, kemi rastin e marrëdhënieve jashtëmartesore, ku nuk mjafton dëshmia e dy burrave. Ashtu siç kemi çështje të tjera, që kanë të bëjnë me natyrën e gruas, ku pranohet dëshmia e një gruaje të vetme.
Sot kemi shtete të tilla si Franca dhe Britania e madhe ku një gruaje nuk i lejohet të jetë gjykatëse dhe kjo për arsye që kanë të bëjnë me këtë funksion.
 
I dyti: Trashëgimia
Në Islam, trashëgimia ndahet sipas përgjegjësive të secilit nga trashëgimtarët dhe përderisa burri është përgjegjës për sigurimin e jetesës dhe nevojave, atij i takon pjesa më e madhe e trashëgimisë.
Veç kësaj, parimi “mashkullit i takon dyfishi i femrës” nuk mund të përgjithësohet në të gjithë llojet e trashëgimisë. Parimi i lartpërmendur vlen vetëm për fëmijët e trashëgimtarit. Në disa raste trashëgimie, barazohet mashkulli dhe femra në pjesën që meritojnë nga trashëgimia e të vdekurit, p.sh:
Nëse një burrë vdes dhe lë pas fëmijë dhe dy prindërit. Në këtë rast, secili nga dy prindërit marrin 1/6 e pasurisë, kurse pjesa e mbetur u ndahet fëmijëve.
Ka raste të tjerë kur femra merr më shumë se mashkulli, psh:
Nëse i vdekuri ka lënë pas një vajzë dhe tre vëllezër të tij. Në këtë rast, vajza merr gjysmën e pasurisë, ndërkohë që vëllezërit e të vdekurit (xhaxhallarët e vajzës) ndajnë gjysmën tjetër. Në këtë rast, vajza merr më shumë se secili nga xhaxhallarët e saj.
 
 
 
 
 
 
Përfundim
Secili nga bashkëshortët kërkon që pala tjetër të mbajë përgjegjësitë që i takojnë. Kështu, burri kërkon nga e shoqja të kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, të komunikojë dhe t’i plotësojë nevojat fiziologjike. Po ashtu, gruaja kërkon nga i shoqi t’a bëjë të ndjehet e qetë dhe e sigurtë, t’i plotësojë nevojat jetësore etj…
Vëlla musliman! Mos e bëj veten të tillë, që Ditën e Kijametit të vijë bashkëshortja jote dhe të të nxjerrë para Zotit duke i thënë:”O Zot! Ky më ka bërë padrejtësi, nuk më ka lënë të shkollohem, më trajtonte keq, nuk mi ka plotësuar nevojat dhe më ka bërë të vuaj gjithë jetën.
Vëlla musliman! Unë të këshilloj të jesh si profeti Ismail a.s, për të cilin Zoti thotë:”
“Ai e urdhëronte familjen e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.” (Merjem, 55)
Kushdo që e urdhëron fëmiljen e tij për vepra të mira dhe i ndihmon në këtë aspekt, ka fituar kënaqësinë e Zotit. E lusim Zotin të na bëjë nga kjo kategori! Amin!
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit