SHKOLLA FILLOI EDUKIMI JO!
Edukimi si koncept historikisht njihet si një element shumë i rëndësishmën në shoqëri. Edukimi ështe term që haset nëpër librat e shkollës dhe në fjalorin e jetës së përditshme. Këto ditë është fillimi i shkollës dhe normalisht që shkolla është një institucion të cilin fëmija, përveç familjes, atë e ka vatrën e dytë familjare, e ka fole edukimi. Shkolla për fëmijën duhet të jetë vendi ku ai mer informacionin përkatës për kapacitetet që zotëron. Shkolla para se gjithash është institucioni që i mëson qëllimet përkatëse të jetës dhe normat brenda kontekstit social. Shkolla për qëllim të saj ka edukimin e fëmijëve me vlera dhe parime pozitive që për ne njihen si të këndshme dhe që janë në themel të moralit shoqëror. Shkolla mbi të gjitha, si objektiv parësor dhe vendimtar, ka të krijojë ndjenjën e iniciativës dhe përkatësisë, si dhe të zotërojë ndjenjën e udhëheqësit të së nesërmes. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësisë dhe ndikimin që ka shkolla mbi fëmijën dhe vazhdimisht duhet që ato të jenë në gadishmëri të dëgjojnë se çfarë ka mësuar fëmija në shkollë. Ajo që i mundëson shkolla fëmijës është se e bën atë të jetë më i ndërgjegjshëm për sjelljet që vepron dhe, gjithashtu, më të lirë në përzgjedhjen e asaj që dëshiron, duke i mundësuar të përzgjedhë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për të. Sipas filozofit dhe psikologut amerikan, Djuit: “shkolla është vendi ku themelohet demokracia”. Prandaj ajo që sugjerohet për prindërit është që të jenë në kontakt me shkollën dhe informacionin që merr fëmija, sepse shkolla nuk është vetëm vendi ku informohet fëmija, por edhe vendi ku formohet. Shumë prindër bëjnë gabime në edukimin e fëmijëve. Dhe këto i bëjnë që para se t’i çojnë në shkollë. Ato që hasen më së shumti në fjalorin e tyre janë frazat “mos këtë”, “mos atë”, etj.. Fjala “mos” është ndalesë, është paralajmërim, është këshillë. Fjala “mos” paraqet shumë gjëra që për ne janë të pranuara, por edhe të ndaluara, sepse në të shumtën e rasteve ndodh që disa gjëra janë në dëmin tonë. Fjala “mos”, sipas disa psikologëve, është stimul që pakëson iniciativën e njeriut sidomos të fëmijës. Të ndalosh iniciativën do të thotë të mbjellësh tek fëmija ndjenjën e fajit e të krijosh ndjenjën e fajit, si rrjedhim, do të thotë të krijosh mungesën e autonomisë. Përcaktimi i sjelljes se çfarë duan prindërit është si rezultat i kapaciteteve edukative që ata zotërojnë. Edukimi i prindërit shpesh herë është përcaktues se çfarë sjelljesh do të huazojë edhe fëmija. Prindëri është modeli i parë i fëmijës: pasqyra ku fëmija shikon veten. E dimë shumë mirë që huazimi i sjelljeve të fëmijës fillon që në moshë të vogël, pra që në moshën 2 ose 3 vjeç, ndërsa karakteri i plotë i fëmijës sipas psikologëve formohet në moshën 7 – 10 vjeçare. Mundësia për të patur një edukim dhe një influencë tek fëmija nga ana e prindërit është në këtë moshë, sepse e dimë shumë mirë që në këtë moshë fëmija është shumë delikat për faktin e vetëm se fëmija nuk e ka të zhvilluar egon e tij (mekanizmat mbrojtes), sensi i refuzimit nuk është ende i zhvilluar. Asaj që i vihet më së shumti theksi është pikërisht sjellja që bëjnë prindërit gjatë kohës që janë ne shtëpi ose kur kontaktojnë me të tjerët në prani të fëmijëve. Imitimi është një element shumë i rëndësishëm nëpërmjet të cilit fëmija huazon sjellje apo tipare të prindërve, përveç sjelljeve të trashëguara gjenetikisht. Prindërit duhet të kenë kujdes të veçantë në sjelljet e tyre sidomos kur i kanë pranë fëmijët e tyre. Problemet që më së shumti hasin fëmijët në shkollë është si rezultat i keqpërshtatjes së prindërve me fëmijët dhe respektimi i normave të vendosura brenda kësaj familje. Si përfundim mund të thuhet se shkolla dhe edukimi familjar janë parësor në formimin e karakterit të fëmijës. Ajo që shkolla duhet të ngulitë thellë janë mbi të gjitha parimet e të qënët njeri. Shoqëria nuk mund të përparojë me sofistikimin e saj nëse nuk ka ekzistuar edukimi cilësor i anëtarëve të saj, sidomos atyre prindër. Aty ku edukimi nuk është insititucioni ku prodhohen dhe mësohen vlerat njerëzore aty nuk ka progres. _______ Erduan Kllobucishta Master në Psikologji Shkollore dhe Organizacionale
…
Rating: 4.5 of 5. 2 vote(s).