-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Sistemoje jetën tënde 4

Më të lexuarat

Nga: dok. Tarik Suejden

Sistemoje jetën tënde 4

42 pyetjet sistemuese të jetës tënde
(pjesa e katërt)
Aspekti praktik:
Hyrje në pyetjet e karakterit praktik:
Pasi fola mbi aspektin teorik të çështjes dhe u përpoqa të ushtroj mbi ju presion, me qëllim që t’ju bëj të mendoni rreth jetës suaj, rreth orientimit të kësaj jete dhe asaj që synoni që të realizoni; tani do tentojmë të shkruajmë një plan praktik, përmes së cilit do të përpiqemi që këto artikuj teorikë t’i shndërrojmë në artikuj praktikë.
27. Si ta rris nivelin tim të besimit dhe adhurimit? 
Koment:
Sigurisht që përsa i përket aspektit shpirtëror, të adhurimeve dhe bindjeve, gjithsecili nga ne ka arritur në një nivel të caktuar. Sado i mirë që të jetë ky nivel, një gjë është mëse e sigurt: “Unë mund të jem edhe më i mirë sesa kaq”. Prandaj nisur nga kjo aksiomë, të kërkoj që t’i drejtosh unit tënd pyetjen:
Si mund të bëhem më i mirë? Cili është niveli, ku unë aspiroj të arrij?
Le të marrim një shembull:
Normal që unë si besimtar musliman që jam, i fal pesë namazet e detyrueshme ditore, por nganjëherë nuk arrij ta fal në kohë namazin e sabahut. Unë dua që t’i vendos vetes objektivin, që ta fal namazin e sabahut në kohën e vet, madje të bëj të pamundurën që ta fal atë në xhami. Nëse ti e arrin këtë nivel dhe realisht angazhohesh me pesë namazet ditore në xhami, atëherë pasi e realizove qëllimin në fjalë, vendosi vetes një qëllim tjetër. Për shembull: “Unë dua që të arrij të fal dymbëdhjetë rekatë vullnetare në ditë, që të realizoj hadithin e Profetit a.s: “Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet atij personi, i cili fal dymbëdhjetë rekate në ditë, përveç farzeve”. Pastaj pasi ta kesh bërë fakt të kryer dhe të konsoliduar faljen e dymbëdhjetë rekateve namaz vullnetar në ditë, vendosi vetes një tjetër objektiv, për shembull le të jetë ky objektiv që të falesh çdo natë të paktën gjysmë ore. Tjetër objektiv për shembull është ai i memorizimit të Kuranit, nëse ende s’e ke memorizuar atë. Në këtë kornizë pyete veten, se sa synon të memorizosh prej Kuranit në periudhën e ardhshme? Po në raport me leximin ditor të Kuranit, cilat janë ambiciet që synon të arrish? Nëse ti tashmë lexon për çdo ditë një pjesë kuranore dhe je i përpiktë në të, le të themi që për shembull ti për çdo ditë lexon çerek xhuzi (rreth pesë faqe), atëherë a ke ambicie për t’u përmirësuar? Nëse po, thuaji vetes: “Dua që tani të arrij të lexoj për çdo ditë gjysmë xhuzi ose një xhuz të plotë. Kësisoj, vendosi vetes objektiva, që t’i realizosh ato. Ajo që duhet të synojmë nuk është modeli optimal, por një gjë e arsyeshme, të cilën personi mund ta realizojë dhe për më tepër mund të jetë i përpiktë në kryerjen e saj në vazhdimësi.
Pra duhet të largohemi nga komplikacionet, ku me komplikacion unë nënkuptoj që dikush të thotë: “Unë dua që ta kompletoj leximin e Kuranit në 3 ditë”, pasi kjo gjë është realisht e vështirë për shumicën e njerëzve. Madje akoma më e komplikuar është, që personi të tentojë që nga një xhuz në ditë të kaloj në leximin e shtatë xhuzeve në ditë, pasi kjo gjë është një përshkallëzim jo i matur dhe tregon pamaturi nga peroni që po vendos një objektiv të tillë.
Ajo që dua të përcjell është fakti, se përshkallëzimi duhet të jetë sa më i përtypshëm dhe i qëndrueshëm, pra jo të lexojë shtatë apo dhjetë xhuze ditët e para dhe pastaj të bjerë në dhjetë faqe apo deri dhe në tre faqe, apo edhe më keq t`i ikin ditë të tëra pa lexuar fare Kuran.
Fillo pra me diçka, që mund ta realizosh gjatë muajit të ardhshëm dhe pasi ta bësh atë realitet, ngrije objektivin pak e nga pak në arritje dhe në kohë, duke planifikuar jo më për një javë apo një muaj, por për disa muaj, pastaj për një vit të tërë, derisa të planifikosh objektivet e tua tre vjeçare apo edhe më tepër.
Pra është një gjë më se e mundur, që të vendosësh objektiv javor, mujor, vjetor e edhe pesë vjeçar, të hedhura në plane të larmishme, që vijnë në varësi të objektivit të synuar.
Një çështje e rëndësishme, të cilën duhet ta nënvizosh dy herë, është që pasi të arrish në limitin e kohës së caktuar për realizimin e objektivit, ta pyesësh veten: “Sa prej objektivave që vendosa, arrita t’i realizoj?”
Objektivat e lëmit të ibadetit-adhurimit duhet t’i shkruash në detaje. Kështu shkruaj në detaje në dy shtrirje në synim dhe kohë, objektivat që synon lidhur me namazin, leximin e Kuranit, agjërimin, sadakanë etj dhe pasi t’i arrish ato, shtoju atyre objektiva të reja, që mund t`i bësh realitet.
28. Si ta rris nivelin tim arsimor dhe kulturor? 
Koment:
Tani do të marrim një aspekt tjetër, atë ideor dhe kulturor.
Sado që të arrijmë në shkallët e diturisë, mendimit dhe kulturës, nuk ka dyshim se këto fusha mund të përmirësohen akoma më tepër.
Rregulli i artë në këtë kornizë është:
“Asgjë nuk e ngre kulturën dhe mendimin, më mirë se leximi”.
Këtu nënkuptoj: trajnimet, ligjëratat, regjistrimet audio apo video, televizori etj. Të gjitha këto u bëjnë dobi njerëzve, por ato kurrsesi nuk mund t’i bëjnë dobi njeriut siç i bën leximi.
Është e vërtetë, se disa trajnime dhe incizime kanë vlerë të veçantë, pasi ato na pajisin me dituri karakteristike, por pavarësisht kësaj ato nuk mjaftojnë; ndaj duhet ta fiksosh mirë në mendje, se asgjë nuk do të të bëjë aq dobi sa ç`bën leximi.
Vendosi vetes objektiv të lexosh një libër çdo dy muaj, pastaj progreso duke lexuar për çdo muaj nga një libër, më tej syno të lexosh dy ose tre libra në një muaj. Në mënyrë që njeriu ta realizojë këtë, ai duhet të ushtroj patjetër presion mbi veten e tij dhe të evitojë sa të mundet kohët e tij të çuara dëm, sikurse kohët e shikimit të televizorit apo të reduktojë brenda limiteve të lejuara kohën e gjumit. Një gjë e tillë është domosdoshmëri për cilindo, që dëshiron të realizojë objektiva të këtyre niveleve.
Ai që dëshiron piedestalet, domosdo duhet të lodhet:
Nëse shpirtrat kanë takuar madhështinë,
Trupat do lodhen që synimin e tyre ta arrijnë.
 
Kësisoj, njeriu ambicioz duhet të lodhet, t’i bëjë apel vetes e t’i thotë:
Unë e kam vendosur që në këtë e këtë lëmi, të lexoj nga këto e këto libra, për çdo javë, për çdo muaj, ose në çdo tre muaj.
Unë e kam vendosur që në këtë njësi kohore të marr pjesë në një trajnim të caktuar, ose të dëgjoj këto e këto regjistrime.
29. Cilat janë librat që dua të lexoj (50% në profilin tim dhe 50% në lëmenjtë e rëndësishëm ku dua të përmirësohem)?
Koment:
Ajo që unë këshilloj, është që personi ta ndajë leximin në dy pjesë, 50% në lëmin në të cilin do që të profilizohet, për shembull në politikë, menaxhim, diturinë fetare, dhe 50%-shin tjetër në lëmenjtë e tjerë, me qëllim që prej tyre ai të kuptojë dhe të vetëdijesohet mbi realitetin jetik, mbi aspektet e tjera kulturore dhe mbarë aspektet ku ai dëshiron të përmirësohet.
S’ka dyshim, se të gjitha këto që po themi, i nxjerrin si detyrë njeriut, që të përpiqet dhe të jetë i zellshëm, pasi vetëm të zellshmit janë ata, që i japin përparim dhe i zhvillojnë kombet, vetëm sakrifikuesit e paepur janë ata, që arrijnë të realizojnë arritje të mëdha. Kësisoj, ai që synon zhvillimin e kombit të tij dhe realizimin e arritjeve të mëdha, medoemos duhet të lodhet, pasi siç thotë proverbi:
Ai që s’dëshiron të ngjitet në male,
Gjithë jetës do jetojë nëpër kanale. 
 
Personi që aspiron piedestalet, kreshtat dhe spikatjen, nuk mund të bëjë një jetë të rëndomtë si të gjithë të tjerët. Atij i del si domosdoshmëri, që të kërkojë diturinë, të perfeksionohet në lëmin e logjikës dhe mendimit, si dhe të përqendrohet seriozisht dhe të mësojë disa prej teknikave, që ndihmojnë në përftimin e diturisë, sikurse leximi i shpejtë, teknikat e bërjes së konspekteve (përmbledhjeve) të librave, etj.
Sa më tepër që njeriu bën përpara dhe rritet në këtë lëmi, pra në lëmin e leximit, aq më tepër do të arrijë, aq më shumë produktivitet do të ketë dhe aq më tepër aktiv, dinamik dhe efikas do të bëhet.
Lypset të marrësh trajnime, lidhur me teknikën e leximit të shpejtë dhe teknikat e tjera, që të ndihmojnë të kesh rezultate efikase në lëmin e leximit. Lypset të kontribuosh gjithmonë e më shumë në zhvillimin tënd në këtë lëmi.
Pra ajo që duhet të them, është të përpiqesh të lexosh në një formë sistematike dhe të programuar dhe të përpiqesh të bësh përmbledhjen e gjërave kryesore. Një nga gjërat më efikase, që e përforcon dhe konsolidon më së shumti informacionin, është procesi i mësimdhënies, madje ai ndikon në memorizimin dhe kuptimin e informacionit edhe më tepër se leximi, prandaj duhet të përpiqesh që atë gjë që e lexon, t’ua thuash të tjerëve.
Personi që nuk ka një program apo metodologji të caktuar, sa i përket çështjes së leximit, duhet medoemos që ta vendosë atë, duhet medoemos ta ndërtojë jetën e tij mbi bazamente, mbi një paketë të dhënash dhe mbi një bagazh informativ thelbësor, pa praninë e të cilit as që mund të flitet për një njeri të suksesshëm, që e ka sistemuar jetën e tij. Personi që ende s’ka lexuar diçka apo që ka lexuar shumë pak në lëmin e akides (besimit islam), duhet që medoemos të lexojë së paku një libër, të dëgjoj incizime të kompletuara në këtë çështje. Njëjtë vlen të thuhet edhe për atë, që ende s’ka lexuar apo ka lexuar shumë pak në lëmin e “Siras-Jetëshkrimit profetik”.
Kësisoj, njeriu duhet medoemos të përpiqet vazhdimisht, që të shtojë kontributin apo produktin e tij, të zhvillojë mentalitetin e tij, logjikën e tij, vetëdijen e tij dhe të shtojë nivelin e tij kulturor. Hiq dorë nga dembelizmi dhe luhatja! Bëju prej të zellshmëve, që kanë projekte të qarta në çështjen e zhvillimit të tyre intelektual.
30. Si t’i zhvilloj lidhjet dhe raportet e mia me:
a. Familjarët e mi? 
b. Shokët e mi?
c. Ata që më rrethojnë?
 
Koment:
Tani do bartemi së bashku tek një lëmi shumë i rëndësishëm, që është pikërisht lëmi i raporteve dhe botës emocionale, pra është lëmi human.
Dihet me siguri, se njeriu posedon një sërë raportesh dhe lidhjesh, të cilat ai duhet të përpiqet medoemos që t’i zhvillojë.
Unë i kam klasifikuar këto raporte klasifikuar në tre grupe, pra konkretisht pyetja pas kësaj qëndron se:
Si t’i zhvilloj dhe progresoj raportet e mia me:
a. Familjarët e mi;
b. Shokët e mi;
c. Ata që më rrethojnë.
 
Sigurisht që njeriu ka arritur në një nivel të caktuar raporti në secilin prej këtyre aspekteve dhe pyetja që shtrohet është: “A mundet ai, të jetë më i mirë në këto raporte, a mundet që këto raporte të jenë edhe më të mira, edhe më të arrira?
Përgjigja është: Sigurisht që po.
Si t’i zhvilloj dhe progresoj raportet e mia me:
a. Me familjarët e mi?
Raporti më i rëndësishëm në jetë, sipas vetë dëshmisë së eksperiencës jetike, është pikërisht raporti i personit me bashkëshorten e tij.
Natyrisht që çdo bashkëshort dëshiron që ta zhvillojë dhe përmirësojë sa më shumë këtë raport?
Nëse e dëshiron diçka të tillë, atëherë duhet t’i dedikosh më shumë kohë bashkëshortes tënde, ta dëgjosh atë dhe të dëgjohesh prej saj, të paktën gjysmë ose një orë në ditë. Pikërisht këto momente bisede janë kohët, që i zhvillojnë më shumë se çdo gjë tjetër raportet bashkëshortore. Këtu me bisedë apo dialog, ne doemos nënkuptojmë dialogun e drejtpërdrejtë, pa praninë e fëmijëve, pa praninë e televizorit, pa asnjë shqetësues, bisedën ku ti dhe ajo jeni tërësisht të përqendruar tek njëri-tjetrin. Me qëllim që të jeni aktiv në dialog, biseda nuk duhet të zhvillohet kurrsesi duke parë televizor apo teksa e keni vëmendjen tek diçka tjetër. Po kështu është fakt, se një bisedë e heshtur, ku fjalët janë të rralla, nuk mund të quhet kurrsesi bisedë. Vetëm biseda dinamike, e përkushtuar, e dominuar nga fryma e dialogut konstruktive dhe etikës së dialogut, është bisedë që i bën bashkëshortët ta kuptojnë më shumë njëri-tjetrin, pasi dihet mirë, se asnjë raport, në veçanti ai bashkëshortor, nuk mund të zhvillohet, nëse mungon kuptimi apo thënë më mirë fryma e mirëkuptimit.
Ne burrat kemi një problem… Problemi ynë është, se ne nuk duam të flasim shumë, nuk preferojmë të flasim për çështje të natyrave nga më të ndryshmet, nuk preferojmë të përkthejmë me fjalë emocionet tona, ndjenjat tona…
Teksa ky është problemi ynë, me gruan ndodh e kundërta. Ajo dëshiron të flasë në çështje nga më të ndryshmet, ajo dëshiron të dëgjojë mendimin dhe qëndrimin tënd mbi të gjitha këto çështje, ajo është shumë e zgjuar, sepse e ka të qartë, se kësisoj ajo do të zbulojë gjithmonë e më shumë shokun e jetës.
Gruaja dëshiron shumë, që bashkëshorti i saj të bisedojë me të, prandaj sa më shumë që e dëgjon bashkëshorti bashkëshorten e tij dhe sa më shumë që i flet asaj, aq më tepër ai ka për t’i zhvilluar raportet e tij me të, madje kjo vlen për të gjitha raportet.
Eksperiencat e shumta tregojnë, se natyra e gruas është e tillë, që sado që bashkëshorti ta dëgjojë dhe t’i flasë asaj, ai nuk do arrijë ta ngopë kurrë këtë dëshirë të madhe të skalitur në temperamentin e saj. Gjithsesi bashkëshorti duhet të përpiqet që ta shtojë në mënyrë të vazhdueshme kohën në dispozicion të bisedave të ngrohta me gruan e tij. 
Edhe pse natyra e burrit qëndron në kah të kundërt me atë të gruas, në çështjen e dëshirës për t’u shprehur gojarisht dhe emocionalisht, ai duhet të dalë nga natyra e tij monotone dhe e mbyllur dhe t’i dedikojë kohë raportit me bashkëshorten e tij, t’i kushtojë kohë dëgjimit të saj, prej ku normalisht do vijnë edhe fjalët e tij aq të dëshiruara për bashkëshorten e tij.
Në këtë kontekst do doja të këshilloja sidomos të rinjtë e sapomartuar, të cilët ndoshta vetëm një muaj pasi kanë nisur jetën bashkëshortore, nxitojnë t’i kthehen raporteve normale të mëparshme shoqërore, duke e kaluar të shumtën e kohës me shokët, si më parë, duke harruar se bashkëshortja e tij, e cila qëndron në shtëpinë e shumë ëndërruar nga këta dy të rinj, dëshiron shumë që ai të rrijë me të dhe të bisedojnë së bashku.
Pra çështja e bisedës konstruktive duhet të jetë në qendrën e vëmendjes së bashkëshortit. Ajo duhet zhvilluar në vijimësi, pasi ajo me të drejtë konsiderohet mjeti më i rëndësishëm për ndërtimin e raporteve solide.
Dialogu përbën pikërisht energjinë pozitive të zhvillimit të raporteve dhe botës emocionale.
Sigurisht ne nuk duam që ky raport të trajtohet si në filma, të cilët i përshkruajnë raportet bashkëshortore apo emocionale në formë përrallash dhe fantazish, ku vajza është në pritje të princit apo kalorësit që do të vijë ta shpëtoj, duke i bërë njerëzit të jetojnë në botën e ëndrrave. Sigurisht nuk është kjo ajo që duam, por ne duam një raport bashkëshortor të ngritur mbi mirëkuptimin reciprok, mbi dashurinë reciproke, ku flitet rreth objektivave, që secili prej bashkëshorteve synon, rreth problemeve që ata takojnë, mbi gjëra konkrete që kanë ndodhur apo ndodhin, mbi gjëra të mësuara, pse jo mbi një libër apo së paku përshtypje dhe urtësi që ke dëgjuar, rreth fëmijëve se cila është më e mira që mund të bëjmë për t’i edukuar sa më mirë ata, për pushimet e verës së ardhshme, cili është plani familjar që kemi bërë, etj. Janë pikërisht bisedat mbi këto çështje, që i zhvillojnë dhe kultivojnë gjithnjë e më shumë raportet tona familjare.
Në çështjen e zhvillimit të diturisë thamë, se mjeti më i rëndësishëm ishte leximi, ndërsa këtu në çështjen e raporteve mjeti më i rëndësishëm është pikërisht biseda.
Përveç bisedës, gjenden një sërë mjetesh të tjera, që forcojnë raportin midis individëve. Prej tyre një status të veçantë gëzon dhurata, sado modeste qoftë, e çdo trajte qoftë, shpirtërore apo materiale, një urim, kompliment apo një lule dhe kartolinë. Dhurata ka një ndikim vërtet të pashlyeshëm tek uni i njeriut, gjë që duket qartë në udhëzimin profetik: “Shkëmbeni dhurata që të duheni”.
b. Me shokët?
Mendo se cilët janë shokët e tu, me të cilët ti ndjen nevojën që t’i zhvillosh lidhjet e tua? Si mund të arrish t’i zhvillosh këto lidhje?
c. Me ata që më rrethojnë?
Gjithashtu mendo se si mund t’i zhvillosh raportet me ata që të rrethojnë.
 (vijon…)
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit