Smira e lëvduar
Abdullah ibnu Umer (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka smirë tjetër, përveç smirës ndaj dy personave. Njërit Allahu i ka dhënë Kur’anin e ai i jep hakun ditën dhe natën dhe një personi tjetër, që Allahu i ka dhënë para e ai e shpenzon në rrugë të Allahut ditën dhe natën”.[1]
Abdullah ibnu Mes’udi (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka smirë tjetër, përveç smirës ndaj dy personave. Njërit Allahu i ka dhënë pasuri e ai shpenzon në të vërtetë dhe personit tjetër, që Allahu i ka dhuruar urtësinë e ai vepron dhe ua mëson të tjerëve atë”.[2]
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Begatitë, që Allahu ua ka dhënë robërve të Tij, janë të shumta. Mirësia më e madhe që Allahu e jep, është mirësia e Islamit dhe krijimi i mundësisë për të qenë të përkushtuar ndaj Tij. Allahu i begaton disa njerëz me dije, pasuri, shëndet apo diçka tjetër. Por e keqja është, se ata përfitojnë prej këtyre begative vetëm në jetën e kësaj bote. Kur ndonjëri prej tyre vdes, përfitimi i këtyre të mirave ndërpritet, për të mos lënë asnjë gjurmë më pas.
Ndërsa njeriu, i cili vepron mirë, dynjaja për të është parcela e Ahiretit, begatinë që i ka dhënë Allahu, e shfrytëzon për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për t’u afruar sa më pranë Tij. Kur të takohet me Zotin në ditën e Gjykimit, do ta gjejë shpërblimin të depozituar dhe të ruajtur.
Medito së bashku me mua këtë hadith profetik, që përmend dy shembuj të përfitimit të begatisë
Shembulli i Parë: është shembulli i atij personi, që Allahu i ka dhuruar begatinë e mësimit përmendësh dhe të kuptimit të Kur’anit Fisnik. Ai i jep hakun leximit të tij ditën dhe natën, punon sipas porosive të tij dhe ua mëson atë të tjerëve.
Shemulli i Dytë: është shembulli i atij personi, që Allahu i ka dhënë pasuri, e ai e shpenzon atë në rrugët e hajrit dhe të bamirësisë duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, pa u treguar aspak koprac. Përfitimin e saj e shtrin deri në botën tjetër, duke e depozituar për ditën e Gjykimit.
Nuk ka njeri më të lumtur sesa ai, të cilit Allahu ia ka mundësuar këto dy mirësi dhe fiton të mirën e dynjasë dhe ahiretit. Puna e tij nuk ndërpritet me vdekjen e tij, por ajo është e vazhdueshme, ashtu siç ka thënë profeti (a.s): “Kur njeriu vdes, puna e tij ndërpritet, përveç tre gjërave: sadekaja (bamirësia) e rrjedhshme, përfitimi i dijes që ka lënë dhe fëmija i mirë që lutet për të”.[3]
Në krah të këtyre personave, që kanë këto mirësi, qëndrojnë njerëz të tjerë, që i shikojnë me zili, duke shpresuar që të kenë të njëjtën gjë si ata. Kjo lloj zilije konsiderohet e pëlqyer. Islami ka nxitur për këtë dhe ka motivuar drejt saj, sepse ajo është fusha e konkurimit për të fituar kënaqësinë e Mëshiruesit.
Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Zilia është dy llojesh: reale dhe figurative. Zilia reale është ajo zili, kur ti shpreson, që tjetri mos ta ketë një të mirë të caktuar. Kjo lloj zilie është e ndaluar, ashtu siç ka rënë dakord i gjithë umeti mysliman, duke u mbështetur tek tekstet e sakta. Ndërsa zilia figurative është zilia e lavdëruar, që do të thotë: që të shpresosh të njëjtën mirësi që kanë tjerët, me kusht që edhe ata ta kenë. Nëse kjo zili ekziston në çështjet e kësaj bote, është e lejuar, ndërsa nëse ajo ekziston në adhurime është e pëlqyeshme”.[4]
Të kesh zili bartësin e Kur’anit
Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij të haditheve ka veçuar një kapitull, për të treguar gradën e lartë që gëzojnë bartësit e Kur’anit, duke e titulluar: “Zilia e bartësit të Kur’anit” Në këtë kapitull ka përmendur këtë hadith si argument për gradën dhe pozitën e lartë që gëzon bartësi i Kur’anit, sepse këshilla e profetit (a.s). që të tjerët ta kenë zili bartësin e Kur’anit që gëzon këtë mirësi dhe pozitë të lartë, tregon në rradhë të parë që ai vetë të ketë zili për punën e tij. Gjithashtu kjo këshillë tregon edhe për nderimin e madh që Allahu i Lartësuar i ka dhënë atij.
Për këtë arsye imam Ibnu Kethir ka thënë: “Përmbajtja e këtij hadithi tregon, se bartësi i Kur’anit ka zili. Ai duhet të ketë zili të madhe për gjendjen ku ndodhet, madje është e preferuar, që ai të ketë zili. Kjo do të thotë: të shpresojë që të jetë në të njëjtën mirësi. Kjo zili është ndryshe nga zilia e kritikuar.[5]
Frytet e zilisë së lavdëruar:
1- Pendimi për humbjen e kohës dhe lulen e rinisë në moskërkimin e dijes, mësimin e Kur’anit Fisnik dhe përpjekjes për të fituar mirësinë dhe shpërblimin që kanë marrë të tjerët. Domosdoshmëria e punës për ta lënë prapra krahëve atë që ka kaluar dhe për ta shfrytëzuar në maksimum kohën.
2- Dashuria për njerëzit e mirë, altruizmi që duhet të kemi për ta ndaj të tjerëve dhe marrja e tyre si shembull për ne. Mundohuni të ngjani me ta nëse nuk jeni si ata, sepse të ngjash me fisnikët ëshë shpëtim.
3- Përfitimi i shpërblimit nga kërkesa e sinqertë me nijet të pastër dhe nga mundi i derdhur, megjithëse se nuk ia arrin qëllimit. Kjo gjë konfirmohet nga hadithi kudsij, që profeti (a.s) përcjell nga Zoti: “Kush vendos të bëjë një punë të mirë, por nuk e bën atë të mirë, Allahu atij ia shkruan një sevap të plotë.”[6]
“Kush vendos të bëjë një punë të mirë” do të thotë: Ai, i cili ka dëshirë dhe ka vendosur për të bërë një punë të mirë, por diçka e pengon që ta bëjë atë.
Imam Tirmidhiu transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Do t’ju flas disa fjalë, prandaj mësojini: Kjo botë përmban katër lloje njerëzish:
Të parit Allahu i ka dhënë pasuri dhe dije, ai i shfrytëzon ato të dyja për të qenë i përkushtuar ndaj Zotit, mban lidhjet farefisnore dhe e di se duhet t’i japë atyre hakun e duhur tek Allahu. Kjo është grada më e mirë.
Të dytit Allahu i ka dhënë dije dhe nuk i ka dhënë pasuri. Me sinqeritet të pastër ai thotë: sikur të kisha pasuri do të veproja mirë ashtu siç vepron filani. Ai shpërblehet sipas nijetit dhe shpërblimin e kanë të njëllojtë.
Të tretit Allahu i ka dhënë pasuri, por nuk i ka dhënë dije. Pasurinë e shpenzon pa patur kurrfarë dije, duke mos e patur frikë Zotin, nuk i mban lidhjet farefisnore dhe nuk u jep atyre hakun e duhur tek Allahu. Kjo është grada më e keqe. Të katërtit Allahu nuk i ka dhënë as pasuri e as dije. Ai thotë: sikur të kisha pasuri, do të veproja si filani (që bën vepra të këqia). Ai do të gjykohet sipas nijetit të keq që ka dhe gjynahun do ta kenë të njëllojtë”.[7]
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Porosia dhe këshilla që i ka dhënë profeti (a.s) popullit të tij, që ata të fitojnë në tregtinë fitimprurëse të botës tjetër.
2- Rëndësia e nijetit të mirë dhe pozita e lartë që ka ajo tek Allahu i Lartësuar.
3- Prej kushteve të dijes së dobishme, për të cilën njeriu është për t’u patur zili dhe që ka një pozitë të lartë, është që të punojë me të dhe t’ia mësojë atë tjerëve. Argument për këtë është fjala profetike: “personit tjetër që Allahu i ka dhuruar urtësinë e ai vepron dhe ua mëson atë të tjerëve”.
4- Bartësi i Kur’anit Fisnik ka një pozitë të lartë tek Allahu. Atij i del si detyrë që ta ndjejë këtë begati, të kapet fort pas saj dhe t’i japë hakun, duke falenderuar për këtë begati. Ndërsa përsa i përket të tjerëve, duhet ta kenë zili atë dhe duhet të konkurojnë me njëri-tjetrin që të arrijnë gradën e tij.
5- Pasuria që zotërohet nga njeriu i mirë është një avantazh i mirë, sepse ajo është një mjet për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për t’i bërë dobi njerëzve. Argument për këtë është hadithi i profetit (a.s): “Sa pasuri e mirë është ajo pasuri, që është në dorën e njeriut të mirë”.[8]
[1] Transmetojnë imam Buhariu:4737 dhe imam Muslimi: 815. Teksti është i imam Muslimit.
[2] Transmetojnë imam Buhariu:73 dhe imam Muslimmi: 816
[3] transmeton imam Muslimi: 1631
[4] marrë nga libri: “Komentimi i haditheve të imam Muslimit.”
[5] Marrë nga libri “vlerat e Kur’anit”
[6] Transmetojnë imam Buhariu: 6126 dhe imam Muslimi: 131
[7] transmeton imam tirmidhiu: 2325. hadithi eshte i mire dhe i sakte.
[8] Transmeton imam Muslimi ne musnedin e tij. Hafiz El Iraki e ka saktësuar këtë hadith në librin “Ihja Ulumid din”