-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Sharra mbi pyjet e Shqipërisë, eksperti: Një miliard dollarë përfitime nga masakra

Më të lexuarat

Shfrytëzimi i pyjeve për arsye ekonomike është e ndaluar përmes një moratorium i miratuar në vitin 2016 nga qeveria Rama. Por sëpata e krimit ka punuar pa mëshirë edhe këto vite duke shkatërruar qindra hektarë masive pyjore në Shqipëri. Problematika fillon shumë vite më parë. Prej 30 vitesh pyjet e Shqipërisë shfrytëzohen në kundërshtim të plotë me ligjin. 15 vitet e fundit Shqipëria ka humbur 30% të sipërfaqes së pyjeve dhe vlera e saj llogaritet në rreth 1 miliard dollar fitime nga kompanitë e licencuara nga shteti. Emisioni “vetting” ka udhëtuar ne disa masive pyjore ne Përrenjas, Librazhd, Ersekë dhe Bulqizë për të sjellë në vëmendjen e  publikut masakrën që ka ndodhur e po ndodh në pyjet.

Eksperti i mjedisit Abdullah Diku konfirmon na njeh me shifrat e dëshpëruese të masakrës mbi pyjet në 15 vitet e fundit. “Në 15 vitet e fundit fondi pyjor kombëtar ka pësuar ndryshim drastik. Gati 30% e volumit të pyjeve është zhdukur si pasojë e prerjeve dhe zjarreve. Këto të dyja janë pasojë e keqmenaxhimit”. Nuk ka të dhëna zyrtare për vlerën monetare të përfituar nga shkatërrimi i 30% të masivit pyjor, por ka një përllogaritje të përafërt nga ekspertët për shifrat marramendëse që përfitojnë kompanitë e përfshira në këtë industri, duke shkatërruar pyjet ilegalisht.

“Po të përkthehej në vlerë monetare do të ishte rreth 1 miliard dollarë, i cili është zhdukur pa asnjë lloj të dhënë konkrete. Po të shohësh raportimet e djegie raportohet 10 herë më pak se ajo që është faktike” tha ai.

Specialisti citon një studim të Bankës Botërore, sipas të cilit ka një diferencë të theksuar midis nevojës për dru zjarri për qytetarët e Shqipërisë dhe masivit të drurëve që rriten në Shqipëri në një vit. “Teorikisht në Shqipëri rriten rreth 1,4 milion metër kub lëndë drusore në vit përjashto zonat e mbrojtura në Shqipëri rriten 1 milion metër kub. Kemi dy studime nga banka botërore dhe FAO se në Shqipëri vetëm për dru zjarri në Shqipëri priten 2.5 milionë metër kub dru pra dy herë më shumë se sa pritet” tha ai.

Grafiku i të dhënave zyrtare të marra nga INSTAT na tregon se në vitin 1985 pyjet shqiptare kishin një volum prej 85 milionë metër kub. Në vitin 2004 është vetëm 74 milionë dhe akoma më pak kanë mbetur aktualisht, në vitin 2021, ku volumi i pyjeve shqiptare kap shifrën 58 milion metër kub. Po sipas grafikut, në vitin 1985 deri në vitin 2021 në Shqipëri janë mbjelle 149 mije hektarë pyje. Sipas specialistes së mjedisit Albora Kacani, rritja e sipërfaqes së mbjellë ka ardhur duke u ulur sistematikisht.

Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.

/ Abcnews.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit