8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Pastrimi i parave që e shohin institucionet e huaja, por jo SPAK-u

Më të lexuarat

Vehap Kola

Një raport i sapobotuar i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GIF) vërtetoi një akuzë të bërë publike prej kohësh nga opozita: Bashkia e Tiranës është shndërruar në një lavatriçe të pastrimit të parave përmes lejeve të ndërtimit. Sipas gjetjeve kryesore të këtij studimi, në “Tiranë u lëshuan 65 për qind e të gjitha lejeve të ndërtimit për ambiente banimi, me një shumë totale prej 400 milionë eurosh. Nga 141 kompani që fituan leje ndërtimi për ndërtesa më të larta se gjashtë kate, gjatë periudhës 2017–2019, rreth 60 për qind e tyre nuk i kishte burimet financiare për të përfunduar ndërtesat.”

Në këtë sektor, janë pastruar 500 milion euro nga rreth 800 milion euro që janë pastruar gjatë viteve 2017-2018. Bën përshtypje fakti që ky bum ndërtimesh si veprimtari pastrimi e parave të pista fillon në 2017, një vit pas kanabizimit të vendit në 2016. Por, ndryshe nga sa mund të besohet se këto para vijnë kryesisht nga trafiku i drogave të lehta që kultivohen në vendin tonë, studimi i GIF shpjegon se burimi është tjetër. Trafiku i kanabisit të prodhuar në Shqipëri ofron kapitalin e nevojshëm për të hyrë në një treg shumë më të shtrenjtë të narkotikëve: atë të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe ShBA-ve.

Pra, projekti shqiptar i kanabisit ishte vetëm faza përgatitore e përfshirjes në një industri të errët që shqetëson dhe mban në alarm të gjithë strukturat ndërkombëtare të sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit. Me kapitalin e siguruar nga shitja e hashashit shqiptar dhe rrjetin e shpërndarjes të ngritur nëpër Europë, organizatat shqiptare të trafiqeve dhe krimit të organizuar arritën të shndërrohen në hallkë vendimtare në zinxhirin e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Sigurisht që pa bashkëpunimin e qeveritarëve të lartë në Shqipëri, siç kanë zbuluar hetimet e antimafias italiane, kjo nuk do të kishte qenë e mundur.

Potenciali që ofron Shqipëria për pastrimin e parave të pista u rikthye në debatin publik pas përgatitjes nga qeveria të një ligji për amnistinë fiskale dhe penale, sipas të cilit edhe shtetas të huaj që kishin hapur një NIPT në vendin tonë kishin të drejtë të ligjësonin kapital të padeklaruar në vendet e tyre të origjinës. Menjëherë pasi drafti u bë publik, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Europian dhe Zyra e Delegacionit Europian në Tiranë paralajmëruan qeverinë që të mos e miratojë një ligj të tillë. Qeveria e shtyu miratimin e këtij ligji të pakërkuar nga biznesi apo partnerët, por nuk e tërhoqi përfundimisht atë.

Pak ditë më vonë, Indeksi i Bazelit e renditi Shqipërinë si vendin e dytë në Europë, pas Turqisë, për mundësitë që ofron për pastrimin e parave të pista që burojnë nga trafiqet ndërkombëtare dhe terrorizmi. Të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare e pranojnë dobësinë në nivele kritike të institucioneve tona shtetërore për të monitoruar aktivitetin financiar në një ekonomi me sisteme të varfra kontabiliteti dhe kontrolli.

Por ndërtimi nuk është i vetmi treg bujar për mundësitë që gjen paraja e pistë në Shqipëri. Financimi i partive politike është një ndër destinacionet më të mëdha të parave që fiton mafia shqiptare nga trafiku ndërkombëtar i kokainës. Legjislacioni aktual mbi financimin e partive politike është veçanërisht i paplotë sa i përket financimit të fushatave. OSBE vlerëson se ‘ligji nuk garanton transparencë të mjaftueshme të financimeve të fushatës elektorale sepse nuk kërkon deklarimin e tyre përpara ditës së zgjedhjeve”.
Krejt logjikshëm, përdorimi i parave të drogës për blerjen e votave në Shqipëri detyron studimin të përmendë investigimin e gazetës gjermane BILD në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve dhe rolin e parave me origjinë kriminale në këtë proçes. Sapo partia e financuar nga mafia merr pushtetin, është radha e saj që t’i kthejë borxhin sponsorëve të pushtetit. Lejet e ndërtimit, tenderat fiktivë, tenderat sekretë dhe PPP-të më të shtrenjta në botë janë disa prej mënyrave si shpaguhet ‘bujaria’ e familjeve mafioze.
Këtu del në dritë edhe burimi i dytë i madh i parave që pastrohen në industrinë e ndërtimit në Tiranë: paratë e korrupsionit. Raporti zbulon atë që shumë sipërmarrës e thonë nën zë: ryshfeti për tenderat publikë ka arritur në 30 përqind të vlerës së punimeve. 36.1 përqind e bizneseve pranojnë se kanë paguar të paktën një herë ryshfet gjatë vitit 2019, ndërsa 50 përqind e kontratave publike pranohet të jenë nënshkruar me një pagesë ryshfeti.
Në tërësi, fondet e shpërdoruara nga tenderat shtetërorë arrijnë në 45 përqind të vlerës së kontratave. Vetëm gjatë viteve 2018-2019, nga 679 milion euro të ndara nga qeveria për prokurime, rreth 300 milion euro u shpërdoruan si ryshfet, 30 përqind, ose humbën në cilësinë e punimeve, afatin e zbatimit të kontratave, pagesa për sekserë të qeverisë, pagesa tarifash sigurie për organizatat e krimit, etj. Pra, 300 milion euro, ose 45 përqind e fondeve të destinuara për punë publike nuk u shndërruan në punë publike por përfunduan në xhepat e pushtetarëve, sekserëve dhe u abuzuan edhe nga vetë kontraktorët.

Në një vend me 40 përqind ekonomi informale, ku 22 përqind zë ekonomia e krimit dhe 18 përqind evazioni dhe korrupsioni, Prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit nuk arrijnë dot të bien në gjurmë të asnjë afere madhore. Përkundrazi, edhe dosjet e denoncuara nga opozita dhe media, si afera e Unazës së Re, dosja e ish-Ministrit të Brendshëm Tahiri, dhe kjo aferë që denoncon edhe raporti i GIF, janë mbyllur pa rezultate nga Prokuroria. Në raste të tjera, si afera e dyshuar e pastrimit të parave në ndërtim dhe roli që mund të luajë kryetari i Bashkisë së Tiranës në të, hetimet as nuk janë hapur.

SPAK-u dhe institucionet e reja të drejtësisë nuk kanë gjetur deri tani asnjë arsye për të hetuar këto afera, por kanë zbuluar se janë mediat kritike ndaj qeverisë që mund shërbejnë si skema të pastrimit të parave me origjinë kriminale. 500 milion eurot e pastruara në ndërtim, siç duket, nuk kanë lënë asnjë gjurmë për prokurorët fuqiplotë të SPAK-ut, por çuditërisht kanë lënë mjaftueshëm gjurmë për autorët e raportit “PRURJE FINANCIARE TË PALIGJSHME NË SHQIPËRI, KOSOVË DHE MAQEDONINË E VERIUT” për vitet 2017-2019 të botuar nga GIF.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit