3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

“A je ti biri i Zotit…?!” – profesori nga Tirana ia tregon vendin kryeministrit Rama

Më të lexuarat

“Pluhur Yjesh…”

Prej disa kohësh, pjesë e angazhimeve të mia ka qenë edhe ndjekja e daljeve dhe e fjalimeve publike të lidërve kryesorë politikë në Shqipëri, Kosovë dhe jo rrallë herë edhe në Maqedoni. Kreun e listës e zënë daljet publike të kryeministrit të Shqipërisë, z. Rama, natyrisht për shkak të pozicionit që ka.

Arsyeja është e kapshme. Pra, për të kuptuar, si shumë të tjerë, se çfarë po bëhet dhe çfarë do të bëhet me këtë vend dhe këtë popull, me popullin e tashëm dhe atë të ardhshëm, pra çfarë po bëhet me mua dhe çfarë do të bëhet me fëmijët e mi dhe fëmijët e tyre… .

Nuk është e vështirë të kuptohet se daljet dhe fjalimet publike janë vetëm njëra prej mënyrave për të kuptuar çka më sipër. Veç kësaj, kjo formë mund të konsiderohet më pak e besueshmja, të paktën sipas gjykimit trend. Por, edhe pse për momentin mund të dyshohet në vërtetësinë apo fallsitetin e çka thuhet në dalje publike, terreni mbetet laboratori më i mirë vërtetues i besueshmërisë apo fallsitetit… .

Në këtë kontekst duhet theksuar se unë, dhe ata si unë, duke mos qenë pjesë e institucioneve shtetërore, pra duke mos pasur rrugë tjetër për të vlerësuar se ç’po bëhet dhe çfarë do të bëhet, daljet dhe fjalimet publike mbeten thuajse forma apo mekanizmi i vetëm për të gjykuar çka thuhet dhe premtohet në këto dalje, të cilat nuk vonojnë të jenë të detyruara t’i nënshtrohen laboratorit të terrenit…

Në lidhje me daljet, fjalimet publike dhe rëndësinë e ndikimin e tyre mund të zgjatemi e të flasim shumë, në aspektin e rëndësisë dhe ndikimit të tyre në të menduarit e njerëzve dhe në sjelljet e tyre. Në fund të fundit, ato mbesin urrat kryesore lidhëse mes liderëve dhe popujve, ato janë kanali kryesor i prezantimit me planet dhe projektet e tashme dhe të ardhme si dhe ndikimi i tyre në interesin publik. Pikërisht, këto dalje dhe fjalime publike janë ato që lartësojnë ambiciet e masave dhe të popujve apo që i banalizojnë ato; ngrejnë nivelin e optimizmit apo e dërrmojnë atë; kultivojnë dashurinë për të mirën, për të bukurën, për vendin dhe identitetin ose mbjellin dhe shtojnë urrejtjen për to; zgjerojnë diapazonin e shpresës në kraharor ose mund ta shndërrojnë kraharrorin në një kafaz, kockat e të cilit kërcasin në ngushtim e sipër. Pra, mendoj, për mos thënë se kam bindjen, se është shumë gabim të mendohet ndryshe… .

Të dëgjosh, do të thotë në vetvete të gjykosh.

“Fjala është vetë jeta”, -thotë një i mençur. Ai e ka fjalën në aspektin e ndikimit që ajo ka në mënyrën e pozicionimit në jetë. Kështu që pozicionimi të jetë sa më i drejtë, ai varet nga lloji i gjykimit, pra nëse gjykimi është i drejtë edhe pozicionimi do të jetë i tillë dhe e kundërta.

Kodi

Llogjika e mësipërme fton natyrshëm, madje bën të domosdoshëm, pajisjen me kodin e duhur ose standartin e duhur vlerësues të daljeve dhe fjalimeve publike të lartpërmendura.

Kurani, në kuadër të sqarimit edhe të rëndësisë së çështjes së më sipërme, ka përcaktuar një kod apo standart shumë të përpiktë, i cili aq sa duket se ta mat kokën me pe, po aq të mundëson mbrojtje dhe siguri të sofistikuar si nga të rënit preh e fjalës së papërgjegjëshme edhe nga të rënit preh e gjykimit të papërgjegjshëm.

“O ju që keni besuar, jini gjithmonë të drejtë dëshmitarë të Allahut, edhe ndaj veteve tuaja, prindërve tuaj dhe të afërmëve tuaj…” {Kurani: Nisa 135}
“O ju që keni besuar, nëse dikush jua sjell ndonjë lajm sigurohuni që të mos i bini ndokujt në qafë e për pasojë do ju vijë rëndë” {Kurani: Huxhurat 6}
“Asnjëherë mos ndiq dhe mos e quaj të mirëqenë atë për të cilin nuk ke dije. Dëgjimi, shikimi dhe zemra, që të gjitha do të pyeten për të” {Kurani: Isra 36}
Këto janë disa prej kodeve më të rëndësishme që ofron Kurani për hir të një gjykimi dhe pozicionimi të drejtë ndaj vetë Kuranit si dhe ndaj çdo pretendimi dhe zhvillimi jashtë tij. Pra, Kurani fton që të vërtetën e tij ta vlerësojmë me këto lloj kodesh universale dhe të përpikta siç fton që po me të njëjtat standarte të vlerësohen zhvillimet dhe ngjarjet në jetën e përditshme.

E solla sa më sipër edhe për të thënë se gjatë ndjekjes së daljeve publike të lartpërmendura, janë pikërisht këto kode që jam munduar t’i kem parasysh për hir të një gjykimi dhe pozicionimi sa më të drejtë si dhe për të shpëtuar nga gjykimet këtu e atje… E theksova dhe më sipër se listën e ndjekjes së daljeve publike të liderëve politikë e zë kryeministri i Shqipërisë edhe për pozitën që ka. Sakaq qasja në sa vijon ka të bëjë me daljet apo komunikimin e tij publik.

Këtu më duhet të theksoj se vëmendja do jetë e përqëndruar thjesht tek shfaqjet materiale të tij, pra të asaj çka shoh dhe dëgjoj prej tij, duke lënë mënjanë komentet këtu e atje apo interpretimet që u bëhen këtyre daljeve si: populizmi, pushtimi total i kanaleve të komunikimit publik, mandate i tretë… etj. Në kuadër të kësaj qasje nuk jam në kushtet as të mbështetjes dhe as të mohimit të këtyre interpretimeve për dy arsye: sepse nuk më interesojnë në kuadër të kësaj qasje dhe sepse për të qenë korrekt me kodet e larpërmendura dhe të cilave u besoj, nuk jam akoma në kushtet e gjykimit të drejtë për arsye se më mungojnë argumentet e mjaftueshëm.

Kthim në fillim ose kodi përballë kodit…

Le të kthehemi atje ku e lamë! Patjetër duhet të ekzistojë një kod për të gjykuar drejtë. Për ndryshe pasojat janë katastrofike. Mirëpo ka një lidhje të domosdoshme mes kodit të gjykuesit dhe kodit të të gjykuarit. Domethënë, që kodi gjykues të funksionojë sa më drejtë duhet patjetër të ketë si objekt gjykimi kodin e personit të gjykuar. Në të kundërt proçesi i gjykimit ka rrezik të hyjë në një rreth vicioz të rrezikshëm e neveritës. Ndryshe mund të themi se kodet janë piketat jetike ku mbështetet komunikimi mes dy palëve dhe mbi të cilat ndërtohet marrëdhënia mes dhënësit dhe marrësit.

Kodet e Kryeministrit

Gjatë komunikimit të tij me publikun, në mënyrë të vazhdueshme dhe të herëpas’hershme kryeministri Rama thekson, verbalisht dhe praktikisht, një paketë kodesh mbi të cilat, siç vërehet nga ajo çka shfaqet, ai ka vendosur të ndërtojë komunikimin e tij me publikun:

“Ajo që them do të bëhet…”
“Punët që i fillojmë i nxjerrim në fund…”
“Komunikimi i drejtpërdrejtë me masat”
“Zbritje e vazhdueshme në teren…”
“Ndjekje e ecurisë së projekteve në realitet…”
“Realizmi dhe pragmatizmi në marrëdhëniet e jashtme…”
“Realizmi dhe pragmatizmi me ar(miqtë) e vjetër të popullit shqiptar…”
“Qëndrim i matur dhe i kuruar ndaj besimeve fetare…” dhe këtu theksoj se kemi të bëjmë me një prezantim të reformuar krahasuar me këtu e 20 vite më parë… .

Komunikimi i kohëve të fundit

Duke pasur parasysh se ajo çka më intereson nga kjo qasje e shkurtër është pikërisht kjo nëntemë: “Komunikimi i kohëve të fundit”, nuk dua t’i hyjë analizës së hollësishme të kodeve të lartpërmendura të kryeministrit edhe pse duhet theksuar, të paktën parimisht, se komunikimi i drejtpërdrejtë i liderëve me masat ka një rëndësi të veçantë nga e cila e pakta gjë që buron, kur shfrytëzohet pozitivisht, është krijimi i atmosferës së sigurisë tek masat. Këtu dua të theksoj se kohët e fundit, dhe kam parasysh këtu që nga tërmeti i shtatorit e këndëj, paketës së kodeve kryeministrore i është shtuar edhe përmendja e shpeshtë e:

  • Zotit,
  • e fjalëve të shenjta
  • dhe e sprovës.

Dy rastet e fundit të komunikimit publik qenë tek emisioni “Provokacija” dhe “Zonë e lirë” Para se të shkoj tek pyetjet konkrete që i janë shtruar kryeministrit Rama në këto dy emisione dua të theksoj se përmendja e Zotit dhe e fjalëve të shenjta nga liderët politikë duhen parë edhe në kuadër të:

  • E drejtë kushtetuese e çdokujt për shkak të zbatimit të së cilës nuk duhet të paragjykohet askush në çfarëdo lloj pozicioni të jetë.
  • Nevojë e natyrshme njerëzore e cila shfaqet akoma dhe më dukshëm në raste sfidash të mëdha si këto që po përjetojmë në këto kohë.
  • Natyra shekullariste e civilizimit bashkohor dhe pozicioni i lidershipit, nuk i kanë penguar edhe liderë të mëdhenjë të historisë moderne nga përmendja e Zotit dhe referimi i njerëzve tek besimi dhe fjalët e shenjta. A nuk është e shënuar në simbolin kryesor amerikan, dollarin, “IN GOD WE TRUST” ?!

Pra, personalisht nuk shoh ndonjë problem në ushtrimin e kësaj të drejtë, por problemin e shoh faktikisht diku tjetër… .

Provokacija… – “Libra të Zotit apo të njerëzve?”

Nga podiumi i ‘Provokacias’ Kryeministri Rama provokohet me dy pyetje sa të “guximshme” aq edhe absurde. Them absurde sepse pyetja e parë cënon “kufijtë e individualitetit” që vetë protagonisti i emisionit “Provokacija” i ka aq të shenjta, them e guximshme sepse pyetja e dytë kërkon realisht guxim shkencor dhe si pyetje duhet të shtrohet nga një studiues i mirëfilltë i kësaj çështje që në të gjitha rastet edhe reagimin ndaj përgjigjes do ta kishte të mundur ta kishte reagim shkencor. Mirëpo përgjigja ndaj pyetjes së dytë, nga ana e Kryeministrit, nuk qe sipas standartit të kodit të cilit iu nënshtrua tek përgjigja e pyetjes së parë.

Pyetjet

Pyetja e parë:

Moderatori: Po ju a jeni besimtar? Çfarë marrëdhëniesh keni me besimin?

Kryeministri: (këtu kryeministri ruan kodin) “Është diçka që e kam shmangur në publik pasi besoj se është shumë personale dhe nuk kam dëshirë të flas për këtë pjesë” Këtu kemi të bëjmë me përgjigje korrekte në kuadër të vlerës së individualitetit e cila karakterizon trendin.

Pyetja e dytë

“Ju besoni se Bibla dhe Kurani janë libra të diktuar nga Zoti në rastin më të keq ose të shkruara nga ai në rastin më të mirë? “
Që nga formulimi kupton se e rëndësishme për moderatorin është të provokojë, ama se ç‘lidhje ka një çështje e tillë sa e rëndësishme aq edhe shkencore, për të cilën kanë studiuar dhe vazhdojnë të studiojnë dhe për të cilën të dijshmit seriozë futen me kaq fines në të, e gjitha kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme për moderatorin është të provokojë… .

Kryeministri bie në kurth

Përgjigja e Kryeministrit: “Jo, janë libra të shkruar nga njerëzit, por reflektojnë në faqet e tyre themelet mbajtëse të qytetërimeve dhe të qytetërimit ku ne jetojmë sot. Dhe janë libra që kurrë nuk mund t’i lexosh dot deri në fund sepse gjithmonë gjen një shtresë tjetër në atë që lexon. Kështu që patjetër që në to ka pluhur yjesh”

Them bie në kurth për dy arsye:

E para se shkeli mbi kodin e vet që sapo e kishte potencuar tek pyetja e parë. Pra, pse duhet të shmangej tek pyetja e parë dhe jo tek e dyta?! Ndërkohë që tek pyetja e dytë kryeministri kishte dhe një arsye tjetër edhe më të fortë për t’u shmangur, pra është arsyeja vijuese.

E dyta se kjo është një pyetje që kërkon këllqe shkencore përkatëse për t’i dhënë përgjigjen e duhur, gjë që kryeministrit Rama i mungon.

Domethënë: që librat fetarë janë themele të civilizimeve të vjetra dhe të këtij që jetojmë ne, kjo është shumë e drejtë, por që Kurani të jetë i shkruar nga njerëzit kjo nuk është aspak e drejtë siç nuk është e drejtë se mbinjerëzorja në këto libra është pluhur yjesh, sepse edhe njerëzorja edhe mbinjerëzorja në të, pra në Kuran, është prej Zotit me fjalë e me përmbajtje, edhe pse këtë shprehje: pluhur yjesh, Kryeministri mund ta ketë përdorur si metaforë për hyjnoren.

Jo i nderuar zoti Kryeministër, nuk ia keni qëlluar me këtë përgjigje. Kurani nuk është vepër njerëzore e as pluhur yjesh, por fjala e Zotit me tekst dhe me përmbajtje. Prandaj në respekt edhe të kodit të adaptuar nga ana juaj keni thjesht dy alternativa:

E para: t’i qëndroni përgjigjes që i dhatë moderatorit, por mbaje për vete, dhe kjo është në përputhje me kodin tuaj.

E dyta: t’i hyni me themeli kësaj çështje sipas kritereve shkencore dhe ta mbroni konkluzionin tuaj shkencërisht, cilido qoftë ai.

Zonë e lirë…

“A je ti biri i Zotit…?!”

Këtë pyetje ia shtron moderatori i emisionit “Zonë e lirë” kryeministrit Rama. Sfondi që përshkruan moderatori nga ku buron pyetja janë dy sprovat e mëdha, tërmeti dhe covid 19. Gjatë përshkrimit të sfondit të ngjarjeve moderatori përmend edhe cilësinë “I përzgjedhur” nga Zoti për t’u bërë ballë këtyre situatave. Konceptet “Biri i Zotit” dhe “I Përzgjedhur” janë koncepte me kontura shumë të gjëra, sakaq është e pamundur qasja ndaj tyre në kuadër të kësaj analize. Por, ajo që dua të theksoj fort me këtë rast është inspirimi apo tingulli shumë i rrezikshëm dhe shumë mashtrues që lë ky cilësim tek psikologjia njerëzore nëse nuk konceptohet ashtu siç duhet dhe nuk orientohet ashtu siç duhet.

E pakta gjë që do të bënte një njeri i dijshëm dhe i vetëdijshëm për madhështinë e Zotit dhe për pavlefshmërinë e volumit të tij para madhështisë së Krijuesit të tij, do të ishte shfrytëzimi i disa minutave për t’u kthyer me furri tek vetja duke shqiptuar me përshpirtshmëri fjalën: O Zot më fal! O Zot më fal, se kush jam unë para madhështisë tënde. Kush jam unë që të pretendoj se Ti më ke përzgjedhur. O Zot, Ti nuk ke nevojë për askërkënd. Ti je Krijuesi i gjithçkaje dhe gjithçka veç Teje është krijesë… – I gjithë ky akt i përshpirtshëm, për të fshirë cytjen dhe fryrjen djallëzore nga atmosfera joreale e krijuar.

Mendoj se janë tre situata apo rrethana që e bëjnë shumë të rrezikshëm këtë lloj cilësimi

  • Historia na tregon se fillimi i humbjes, shkatërrimit, arrogancës, dhunës, mendjemadhësisë dhe vetpëlqimit të njeriut ka qenë pikërisht pretendimi i të qënurit i veçantë dhe i dalluar nga të tjerët. Historia e parë e pas krijimit të Ademit është ajo e Iblisit, djallit, i cili rebeloi ndaj Zotit, duke pretenduar se meritonte të ishte i dalluar.
  • Historia na tregon se njeriu duke qenë i pavëmendshëm ndaj ndikimeve të këtyre cilësimeve ka arritur deri atje sa që i ka thënë vetes Zot. A nuk i ndodhi kështu Faraonit?!
  • Papërgjegjshmëria e mjedisit ku shtrohen kështu lloj pyetjesh. Papërgjegjshmëri që vjen si pasojë e padijes dhe pavetëdijes.
  • Rreziku që buron nga mungesa e transparencës apo servilizmi i mjedisit rrethues që mund të jetë i paaftë për t’i thënë tjetrit: kujdes, hapi sytë e mos u verbo. Historia na tregon se Faraoni nuk mori guximin t’i thotë vetes Zot, vetëm pasi njerëzit që kishte përreth filluan t’ia ushqejnë diçka të tillë.

Për në fund

Më vjen ndërmend një diskkutim mes Dijetarit të shquar e shumë të dashur Muhamed Sharavi me ish-presidentin e Egjiptit, Husni Mubarekun. Historinë e tregon po një dijetar i madh islam, Shejh Muhamed Gazali.

Në diskutim e sipër mes të treve

Mabareku: “Dijetarë të nderuar, lutjuni Allahut për mua se kam një barrë të madhe mbi supe.”

Sharavi: “E çfarë barre?!”

Mubareku: “Më duhet të ushqej 80 milionë frymë”

Gazali: “Ne na ra qielli mbi kokë: çfarë i duket vetja këtij që po pretendoka se ka në dorë rizkun e 80 milionëve, veç kësaj na futi në siklet se nuk dimë se çfarë t’i themi…”

Sharavi: “Çfarë the?!!! Zotëri!!! E vetmja gjë për të cilën duhet të vrasësh mendjen është se çfarë xhevapi do t’i japësh Allahut të Madhëruar ditën kur do të takohesh me të, kurse për 80 milionët as mos e vra mendjen se rrizku i tyre është në dorën e Atij që i ka krijuar. E kush je ti?! Zoti i gjithë botërave që ta pretendosh diçka të tillë!”

Gazali: “Allahu e nderoftë Sharavin se na hoqi sikletin që na ra mbi kokë.”

Për reflektim: “Muhamedi është thjesht Profet. Para tij kanë kaluar dhe vdekur edhe profetë të tjerë…” {Kurani: Ali Imran 144}

Profesor Sabaudin Jashari

“Titulli është redaksional i KohaIslame. Titulli origjinal është “Pluhur yjesh”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit