AGIM BAÇI
Humori është një gjë shumë serioze. Të paktën, po të lexosh “Metamorfozën e një kryeqyteti” të Ylljet Aliçkës, e kap veten duke qeshur në fillim. Por më pas e ndjen se është duke të ngrirë buzëqeshja, pasi gjithçka që vjen përmes humorit është dhimbja e madhe e së sotmes sonë. Romani ka një gjuhë gati shpërfillëse, sa je në dilemë nëse autori ka dashur të japë një roman të gjinisë së humorit apo ka tentuar të shkarkojë disa të vërtetat e hidhura me bindjen se sërish shumë nga ne nuk do mund t’i lexojmë. Por ajo që del nga personazhet në rrëfim dhe debat pas debati, nis e bëhet një çështje e rëndësishme, e cila duket sikur është e gjitha në funksion të një pyetjeje që na kap si në ngërç: A jemi ne padronë të hapave tona apo kemi vetëm idenë se ndodh kështu, pasi nuk e kemi kuptuar se rolin e përditshmërisë na e kanë përcaktuar të tjerët dhe ne jemi thjesht disa gurë shahu?
Rrëfimi romanor nis me vargjet e Beniamin Bendos, i cili, nga një këndonjës i “diellit që ndriçonte në lindje” gjatë gjithë kohës së sistemit komunist, bëhet në prag të ndryshimit të sistemit “guximtari disident” për të rrëfyer se “dielli i lindjes vjen i skuqur nga plagët, por është i ëmbël dhe me kuptim në perëndim”. Pra, ëndrra për një botë të lirë, për një mendim ndryshe, nis udhëtimin nga ata që i kënduan burgosjes së mëparshme shpirtërore. Duket sikur nis me përkujdesjen që të ketë shartim të pemës së fjalëve, por rrënja të mbetet ajo, e dikurshmja, te dashuria për “partinë që sjell ndryshimin dhe të bukurën”. Ylljet Aliçka rindërton atë vrap të madh ku është luajtur teatri mes së vërtetës së të shkuarës dhe ndërtimit të së ardhmes. Inxhinierët shpirtërorë të “Njeriut të ri” janë aty, për të marrë përsipër ta kurojnë edhe në ndryshim. Dhe mjafton të shohësh vetëm transformimin e një familje në kryeqytet, – familjes Bendo, që ka në gjirin e saj edhe poetë, edhe pjesëtarë të Sigurimit, edhe sekretarë partie, edhe shefe kuadri, edhe të pushkatuar, edhe të burgosur politikë. Shkurt, një pikturë e shumicës së fiseve shqiptare në kohën e diktaturës, ku partia kujdesej që fiseve t’u jepeshin të gjitha ngjyrat që i duheshin kohës.
“Pasardhësi i Udhëheqësit, – lexonte sekretari i Partisë në mbledhjen ku ishte i pranishëm Sadiku, – porosit që ‘këtej e tutje, duhet t’i lëmë turmat të shkarkojnë deri në fund dufin. Le të shahet egërsisht regjimi i kaluar, e kam fjalën si fenomen dhe jo me emra të veçantë, sepse kjo gjë nuk do të ishte në dobi të shoqërisë. E rëndësishme është të demaskohet sistemi. Madje, duhet të jenë vetë komunistët ata që do të shajnë komunizmin në themel e në çati, sepse në këtë mënyrë do të fitohet simpatia e disidencës antikomuniste. Vetëm kështu ata janë në burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë do të thonë: edhe këta e urrejnë komunizmin. Neve na intereson karta morale e tyre, do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme. Por kurrë nuk do të marrin pushtetin…”. (Ylljet Aliçka, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Onufri, f.124) . Ky pasazh i romanit të bën të qeshësh fillimisht, sepse të duket fantazmorik, i pamundur për të qenë i vërtetë. Por, në fakt, duke marrë edhe dozën e lehtë të shpërfilljes përmes së cilës Aliçka ndërton rrëfimin, e qeshura që të merr në fillim, kthehet në kah krejt të kundërt sapo nis të meditosh mbi të shkuarën. Dhe ti e gjen veten duke u parë në pasqyrë e duke kuptuar se të gjithë kanë qenë duke qeshur teksa flisje, por jo për fjalët që ke thënë ti, por për atë që kanë parë te ti, te fytyra jote që ke harruar ta fshish nga ajo që të ka bërë pis pa e ditur, pa e ndjerë. Aliçka nuk e kursen aspak teatrin e përditshmërisë, ku e vërteta, ku faktet mbi atë të keqe të madhe që kaloi një pjesë e shoqërisë, nuk gjejnë dot shtegun e daljes në publik, sepse përkujdesja është që ajo të mbetet atje, në të shkuarën. Ata, të cilët kanë miratuar dikur me gjithë shpirt “shpalljen armik i popullit”, janë edhe “këshilluesit e urtë” që t’i ikim së shkuarës, të mos merremi me të, të mos na ngatërrohet nëpër këmbë.
-”Këtë shpërblimin unë e kuptoj, – ndërhyri Nausika me tonin e gruas së emancipuar, – por nuk të kuptoj pse mendon se kujtimet e burgut mund të jenë të dobishme. Ç’do t’i sjellë rinisë së sotme trishtimi, thyerja e kockave, zymtësia e vuajtjeve tuaja në qeli?”. Kështu e pyet një nga personazhet ish-të burgosurin Rudianin, të cilit i është pushkatuar i ati, Bejto Bendo, me një dakordësi thuajse të të gjithë fisit. Edhe ai, një viktimë e vetë sistemit shfarosës të cilit ai i kishte shërbyer dhe që është injoruar në momentin përpara pushkatimit, teksa kërkonte të kishte në gji portretin e Udhëheqësit. “Kjo do të ishte një vdekje e lumtur për ty, ndaj nuk e meriton ta kesh atë portret në gjoks”, i thanë ish-shokët e vet pak përpara pushkatimit. Por i biri ishte thjesht një shtojcë e pasojave, duke humbur edhe statusin “pjesë e fisit” deri në vitin e ndryshimit të sistemit. Madje, pa e besuar se e shkuara do të ishte një hileqare e madhe që mund t’i shkaktojë ndarje, përçarje, inate thuajse po aq të mëdha sa edhe në “kohën e dreqit”
I gjithë romani është një tablo tronditëse e gjithë tragjizmit në thuajse tridhjetë vite ndryshimesh, e ndërtuar ashtu, fjalë pas fjale, me shpresën se, duke qeshur mund t’ia arrijmë ta mbajmë faqen deri në fund të hapur. Është një roman që nuk kërkon asnjë fund të lumtur. As nuk ka qëllim të sjellë të bukur dhimbjen. Aliçka të fton të besosh se të keqen mund ta mbajë më lehtë mbi shpatulla shpërfillja dhe ironia. Por shpërfillja dhe ironia janë shëruese nëse mundet që ngërçit tonë të leximit t’i shtojmë pyetjet e duhura. Aliçka duket sikur e zgjon njeriun nga një ëndërr që ai e beson, duke menduar se në liri gjërat vijnë vetë, si me magji. Por nuk mjafton vetëm të thuash diçka, nëse për të nuk lufton çdo ditë. “E keqja nuk mundet që të ketë fuqi mbi ne, nëse ne vetë nuk ia hapim derën”, shprehet poeti dhe filozofi Khalil Gibran. Dhe Aliçka duket se kërkon të na thotë se, nëse kjo e keqe vijon të qëndrojë kaq fort mes nesh, do të thotë që përgjegjësia është edhe e jona që i kemi bërë vend në përditshmërinë tonë.
Një rrëfim që dhemb, por që edhe fton të qeshësh- të qeshësh më së pari me veten teksa e sheh se je padashur personazh i Aliçkës edhe vetëm duke e lexuar…