Është temë interesante, të studiohen ditët e fundit të qëndrimit të muslimanëve në Spanjë dhe të vështrohet se si u trajtuan arabët e kulturuar dhe tolerantë të Spanjës. Për këtë kemi të dhëna shumë interesante në veprën ‘El-Enuarun-nebevije fi abai hajrilbenjie’, nga autori Muhamed b. Abdurrefij al-Eaddmje, i cili ka vdekur në rexheb të vitit 1062 h. (1642), 35 vjet pas persekutimit të fundit të muslimanëve nga Spanja. Prandaj, ai është dëshmitar okular i ngjarjeve që kanë ndodhur në atë kohë dhe pjesëmarrës në vuajtjet që përjetuan muslimanët e Spanjës. Ne, këtu do t’i përkthejmë disa fragmente të veprës së tij të përmendur.
Ai thotë: Shumë nga vëllezërit tanë në këto vende afrikane nga Tunizia dhe vendet e tjera neve na ‘quajnë’ si sherifë (sherifët janë njerëz që kanë prejardhje nga Pejgamberi savs) nga Spanja, duke thënë: “Prej nga ata mund të jenë sherifë, kur kanë banuar në një tokë jobesimtare për kaq qindra vjet! Nuk ka askush që e di këtë dhe që e mban mend nga kohërat islame. Ata janë përzier me të krishterët. Ata thonë fjalë të tilla dhe të ngjashme, por unë nuk dua të vazhdoj më tej, sepse dua ta ruaj edhe nderin e tyre sepse i dua me të vërtetë. Por unë këtu, do ta prek vetë çështjen: Unë kam qenë i vogël kur erdhëm në këtë vend – Zoti e dekoroftë me Islam!
Për Islamin kam mësuar nga babai im merhum kur isha 6 vjeç, madje edhe më pak. Atëherë kam shkuar në shkollë të krishterë dhe e kam mësuar fenë krishtere. Kur kthehesha në shtëpi, babai ma mësonte Islamin. Kështu që unë i mësova paralelisht të dyja fetë. Isha vetëm 4 vjeç kur u detyrova të vijoja shkollën e krishterë. Babai e siguroi një tabelë nga druri i arrës. Më kujtohet si sot: ishte e lëmuar dhe pa njolla. Në të ma shkruante alfabetin, pastaj më pyeste për shkronja të veçanta të krishtera, dhe kur ia thoja, ai ma shkruante atë shkronjë me shkrim arab dhe më thoshte: Ky është shkrimi ynë.
Kështu, ai ma mësoi tërë alfabetin arab, dy herë. Kur ma mësoi për herë të parë, më rekomandoi që të mos i tregoja askujt dhe ta fshihja edhe nga nëna, nga xhaxhai, nga vëllai im dhe nga të gjithë të afërmit. Pastaj më kërcënoi dhe fshehurazi e dërgoi nënën time për të më pyetur për këtë, kështu që ajo më pyeste: Çka po të mëson babai yt? Kurse unë i përgjigjesha: Asgjë. Ajo më thoshte: Më thuaj, mos ki frikë, sepse unë e di atë që po të mëson. Unë gjithmonë i përgjigja se nuk ka asgjë, dhe se babai im nuk po më mëson. Unë shkoja në shkollë të krishterë pa ndërprerë, kurse babai im më mësonte në shtëpi. Pas një kohe babai im ma dërgoi një mikun e tij të vërtetë, por unë as atij nuk ia pranova. Me këtë qasje, babai im ishte i ekspozuar rrezikut të madh, sepse nëse do t’i kisha thënë dikujt, atij nuk do t’i kishte mbetur asgjë tjetër, përveç se të digjej i gjallë në turrë të druve. Por Zoti na ka ndihmuar dhe na e ka lehtësuar që ta përmendim, ta falënderojmë dhe t’i bëjmë ibadet midis armiqve të fesë së vërtetë.
Babai im – Zoti e mëshiroftë! – më mësonte se çka të thosha kur t’i shihja statujat dhe më thoshte: Kur të shkosh në kishat e krishtera dhe t’i shohësh statujat, lexoje në vete fshehtas këtë ajet kuranor: O njerëz, ja një shembull, e dëgjojeni atë: Ata, të cilët, përpos Allahut, i adhuroni ju, nuk mund të krijojnë – kurrsesi asnjë mizë, madje – edhe nëse tubohen për këtë (krijimin e mizës). E, nëse miza, u merr atyre diçka, nuk do të mund ta marrin (ata) nga ajo. I dobët është adhuruesi (i tjetërkujt, pos Allahut), por edhe i adhuruari – (pos Allahut)! (el-Haxhxh, 73)
Gjithashtu më ka rekomanduar suren: Thuaj: O ju mohues! Unë nuk do ta adhurojë atë, që po e adhuroni ju. (el-Kafirune) dhe ajete tjera, ndër të cilat edhe:
Edhe për shkak të mohimit të tyre edhe për shkak të fjalës së tyre – akuzave të mëdha kundër Merjemes. Dhe për fjalët e tyre: Na kemi mbytë Mesihun – Isain të birin e Merjemes, Pejgamberin e Allahut. Por, ata as nuk kanë mbytur as nuk e kanë varë, por iu ka përngja atyre (një person). Ata që bënë polemikë për çështjen e tij, ata me siguri gjenden në dyshim përr të, (Isain). Ata nuk kanë ditur kurrgjë për te, por vetëm u janë mbështetur supozimeve. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë mbytur, por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes (në një vend që nuk e arrijnë njerëzit). Se Allahu, është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (en-Nisa, 156-158)
Kështu që, pasi babai im u sigurua se unë i fshihja gjërat islame si nga të afërmit, ashtu edhe nga të tjerët, ai më tha se lirisht mund t’i them se jam musliman nënës, xhaxhait dhe vetëm disa prej miqve të tij më besnikë. Ata vinin në shtëpinë tonë dhe flisnin për fenë, kurse unë i dëgjoja. Pasiqë babai im pa se unë isha i fortë dhe i vendosur në fe, kjo e bëri atë shumë të lumtur dhe më njoftoi me miqtë, me të njohurit dhe vëllezërit e tij në fe, dhe unë u takova me ta një nga një.
Unë udhëtova disa herë për të takuar muslimanë të mirë nga Xhejjani, qyteti i Ibn Malikut, udhëtova në Granada, Kordoba, Sevilla, Toledo dhe qytete të tjera të këtij gadishulli të gjelbër – Zoti e riktheftë në Islam! Nga njohja me ta, unë arrita të njihem edhe me 7 persona, të cilët më treguan për Granadën, dhe çfarë kishte pasur në të gjatë qeverisjes muslimane dhe për ato që do të flas më vonë. Prandaj, lidhja ime me epokën islame është e afërtë, sepse midis meje dhe qeverisjes islame në Granada është vetëm një gjeneratë njerëzish. Nga takimet e mia me ta, unë kam fituar shumë gjëra të mira.
Ata të gjithë kanë studiuar para njërit prej shejhëve të Granadës, i cili quhej el-Fakih el-Luturi – Zoti e mëshiroftë! Ishte njeri i mirë, evlija i vërtetë, i devotshëm dhe i ditur, me shumë keramete, për të cilat flisshin njerëzit. Kuranin e kishte mësuar në shkollën muslimane në Granada, para se ajo të okupohej nga armiqtë. Në atë kohë unë isha 8 vjeç. Ai e mësoi fikhun dhe shkenca të tjera para shejhëve të mëdhenj, sa kishte mundësi, sepse koha ishte e ngushtë për shkak të luftimeve dhe rrethimit, si dhe për shkak viteve të tij të reja. Përtej kësaj, Granada u rrëmbye nga duart e gjyshërve tanë muslimanë, dhe armiku lejoi këdo që dëshironte të emigronte përtej detit, të shiste gjithçka që dëshironte dhe të shkonte në këto vende islamike. Afati për ta bërë këtë ishte tri vjet.
Kush dëshironte të mbetej në fenë e tij dhe në pronat e tij, mund të qëndronte me kushtet që kishin përcaktuar dhe detyrat që kishin shkruar kundër muslimanëve. Kështu, pasiqë gjyshërit tanë u nisën dhe vendosën t’i linin shtëpitë dhe pronat e tyre dhe të largoheshin nga vendlindja, disa u transferuan në Tunizi, disa në Algjeri, Tetvan, Fas, Marok dhe në vende të tjera. Kjo ndodhi në vitin 902 (1496/97). Por, kur armiku pa se ata po lëviznin me vendosmëri, ai e shkeli marrëveshjen, dhe me forcë i ktheu disa nga bregdeti për në shtëpitë e tyre dhe i ndaloi rreptësisht që të shpërngulen tek vëllezërit dhe të afërmit e tyre në shtetin islam. Në përgjithësi, armiku tjetër gjë tregonte, ndërsa tjetër punonte.
Gjyshërit tanë muslimanë, disa herë u bënë thirrje për ndihmë sundimtarëve islamikë siç ishte sundimtari i Fasit dhe Misirit, por gjithçka mbeti vetëm me shkëmbim të disa korrespodencave, për tu përmbushur ajo që Zoti ka caktuar.
Pastaj armiqtë filluan të kërkojnë mënyra për t’i detyruar muslimanët në mosbesim. Ata filluan t’ua heqin rrobat muslimane, banjat, takimet dhe praktikat e tjera muslimane. Këta rezistuan dhe kundërshtuan, madje në disa raste i kapen edhe armët dhe hynë në beteja. Më në fund, mbetëm mes armiqve, të cilët e digjnin në turrë të druve cilindo, tek i cili shihnin ndonjë gjë islamike, dhe ju shkaktonin tortura të ndryshme. Sa shumë njerëz janë djegë! Sa shumë njerëz janë torturuar! Sa shumë njerëz janë dëbuar nga shtëpitë e tyre! Sa shumë muslimanë janë zhdukur dhe shkatërruar! Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi! Kjo vazhdoi kështu, derisa u shfaq shpëtimi në vitin 1013 (1604).
Doli një nga vëllezërit dhe miqtë tanë, ai është fakihu dhe muderrisi Ebul-Abas Ahmed el-Hanefi i quajtur Abdulaziz el-Kureshi, me një nga dajet e tij në qytetin e Beogradit, i cili i përket Kostandinopojës, dhe u takua me vezirin Murat pasha, përkatësisht, vezirin e sulltanit Muhamed Osmanoviq, të cilit i tregoi se çka po ndodhte me vëllezërit nga Spanja, të cilët kishin ikur në Francë dhe në vende tjera. Ai menjëherë e shkruajti, me urdhër të Sulltanit, një urdhër për sundimtarin e Francës, të cilit i kërkoi që t’i liroi të gjithë muslimanët, të cilët kishin ikur nga Spanja atje, dhe me anije me gjithçka që ju nevojat t’ia dërgojë atij.
Kur në kuvendin e sundimtarit francez u lexua urdhri i Sulltanit, atë e dëgjoi edhe një deputet spanjoll, i cili menjëherë i dërgoi zotërisë së tij Filipit III, duke e informuar se sundimtari francez është pajtuar që t’i dërgojë muslimanët që kanë ikur nga Spanja, dhe do ta pranojë çdonjërin, që edhe në të ardhmën kalon nga Spanja, dhe do t’i lejojë ata të lundrojnë nga brigjet e tij për në cilindo vend musliman që dëshirojnë.
Kur Filipi dëgjoi për këtë, e kaploi frika dhe i urdhëroi krerët e priftërinjve, murgjit dhe patriarkët që të mblidhen dhe të këshillohet me ta, se çka të bëjnë me muslimanët në vendin e tij. Së pari filluan të flasin për banorët e Valencisë dhe të gjithë ranë dakord dhe vendosën që muslimanët të dëboheshin nga vendi. Ju dhanë anije dhe hartuan urdhëra dhe kushte të veçanta në lidhje me ta dhe si do të dëboheshin. Prefektëve të qyteteve ju dha urdhra të ashpër për t’u kujdesur për muslimanët e Spanjës.
Këtu do ta përmend një fragment, të cilin e kam shkurtuar dhe përkthyer nga urdhrat e sundimtarit jobesimtar, të cilat i lëshoi në lidhje me vëllezërit tanë nga Spanja, kur i dëboi nga Gadishulli i Gjelbër, për ta ditur shkakun e vërtetë se pse ata u dëbuan, dhe se nuk është e saktë ajo që na thonë ziliqarët, si dhe mos të mendohet keq për neve muslimanët nga Spanja.
Sundimtari në urdhra thotë: Administrata e mirë perandorake kërkon t’i dëbojë nga shteti ata të cilët ua nxijnë jetën banorëve të krishterë të vendit të tyre, të cilët po jetojnë jetë të mirë të këndshme, ndërsa përvoja na ka treguar qartë se ata spanjollë që kanë lindur nga ata, të cilët na e kanë nxirë jetën në të kaluarën duke u ngritur kundër nesh, duke e vrarë parinë e vendit tonë, priftërinjtë dhe murgjit që ishin në mesin e tyre, duke ua shqyer mishin e tyre, duke ua prerë gjymtyrët e tyre, duke i vuajtur me tortura të ndryshme të pashembullta. Ata nuk janë penduar për këtë, as nuk janë kthyer me zemër në fenë krishtere, as nuk kanë përfituar nga këshillat tona, dhe siç kemi parë shumica janë djegur në turrën e druve, sepse po vazhdojnë në fenë islame, fshehurazi po rebelohen dhe po bëjnë thirrje sulltanit osman për ndihmë kundër nesh. Siç kemi mësuar qartë nga burime të besueshme, midis tyre dhe atij ekzistojnë letërkëmbime dhe bisedime fetare, dhe askush neve nuk na ka raportuar për atë që ata ëndërrojnë tani, ose çfarë kanë ëndërruar në vitet e kaluara. Nga të gjitha këto, unë kam mësuar se ata janë të një mendjeje, të vendosur që t’i përmbahen një feje dhe të gjithë kanë një qëllim.
Më është bërë e qartë mua, besimtarëve të mençur, priftërinjëve, murgjive dhe patriarkëve, të cilët i tubova për këtë çështje për t’u këshilluar me ta, se nga mbajtja e tyre në mesin tonë, do të shkaktojë çrregullime dhe rrezik të madh për shtetin tonë. Ndërkaq, me persekutimin e tyre do të parandalohet çrregullimi. Prandaj, për ta eliminuar shqetësimin tashëm dhe të ardhshmin për të krishterët, të cilët janë qytetar të bindur ndaj urdhrave tona dhe ndaj fesë sonë, kam vendosur t’i dëboj ata nga shteti im dhe t’i transferoj në vendet muslimane, sepse edhe ata janë muslimanë.
Unë nuk do të lëshohem për t’i theksuar kushtet që ata kanë vendosur. Vetëm shikoni se si dëshmon armiku i fesë, sundimtari jobesimtar, se ata janë muslimanë, dhe se nuk po mund ta shlyente fenë tyre nga zemrat e tyre, dhe se ata i përmbaheshin fesë së tyre me vendosmëri, pavarësisht se digjej në turrë të druve çdonjëri tek i cili vërehej kjo.
Çfarë dëshmie më tepër mund të ketë se sa ajo që kanë vuajtur, që për shkak të besimit të drejtë kanë shkuar në zjarr, dhe kanë bërë thirrje për ndihmë nga sundimtari musliman sulltan Ahmed Osmanoviçi që ta mbrojë fenë e tyre.
Të gjithë emigruan në vitin 1019 (1610), kurse sipas regjistrimit të sundimtarit jobesimtar, numri i atyre që u dëbuan nga Spanja në atë kohë ishte më i madh se 600 mijë banorë, me të vegjël dhe të mëdhenj. Sundimtari urdhëroi, gjithashtu, edhe dëbimin e atyre që gjendeshin nëpër burgje dhe ata që u dënuan me djegie. Kështu, ata mbërritën të lumtur në vendet islamike.
Këto janë disa të dhëna të vlefshme nga ditët e fundit të qëndrimit të muslimanëve në Spanjë, të regjistruara nga një dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në vështirësitë që duhej të duronin muslimanët. Ne, gjithashtu, mund të nxjerrim mësime nga ky informacion. Secili musliman, që e lexon këtë, mund të shohë se sa e rëndësishme është ruajtja e traditës së veshjes muslimane. Përpjekja e parë që bën armiku kur dëshiron t’i largojë muslimanët nga feja dhe ta dobësojë Islamin, është përpjekja për heqjen e traditës muslimane të veshjes dhe të formaliteteve të ngjashme me të. Pas kësaj, pastaj vazhdon tutje. Këto të dhëna tregojnë gjithashtu se sa muslimanët i përmbahen fesë së tyre. Në vetë Toledo-n, Ibn Abdir-rei, kishte gjetur njerëz të cilkët fshehurazi e praktikonin fenë islame, ndërsa Toledo kishte ra në duart e armikut 500 vjet para kësaj kohe.
Për një kohë të gjatë pas persekutimit të muslimanëve arabë, gjuha arabe mbeti në përdorim derisa më vonë u ndalua zyrtarisht. Disa fshatra rreth Valencias kanë folur arabisht deri në fillim të shekullit të 19-të. Në disa fshatra edhe sot gratë mbulohen dhe fshihen. Ende ka shumë tradita fetare islame, të cilat pak janë ndryshuar, paksa e kanë ndryshuar ngjyrën islame.
Autor: Mehmed Handžić
Përkthim: Miftar Ajdini