3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Për Ramën dhe disa të huaj: Të paktën mos na e fyeni inteligjencën

Më të lexuarat

E para ishte fjala, shkruante një nga pankartat e protestës së gazetarëve përpara parlamentit.

E megjithatë, në dëshpërim e sipër, po e kuptojmë se përballë një autokracie, fjala nuk mjafton. Këtë edhe mund ta dinim, por tashmë po përjetojmë shijen e hidhur të faktit se në sistemet hibride ose totalitare, mund të mos u vijë radha të gjithëve njëkohësisht, por në një moment ajo do vijë.

Këtë herë ishte radha e gazetarëve, ndaj të cilëve kryeministri Edi Rama ka përgatitur një paketë anti-shpifje, e cila në një formë a një tjetër ka marrë edhe mbështetje nga ndonjë element ndërkombëtar, siç ishte rasti i një eksperti të OSBE, që duhet të kujdeset për lirinë e medias. Por për Ramën dhe këdo, brenda e jashtë, duhen shpjeguar së paku 15 gjëra.

E para, mos na ofendoni nga larg duke na thënë se ky qenka një ligj me probleme, por do ta monitoroni me kujdes. A e dini ju se një nga dramat e mëdha të Shqipërisë është fakti se kemi pasur dhe kemi ligje të mira, por që janë zbatuar keq? Kurse ky është një ligj i keq, i cili do të zbatohet akoma më keq..

E dyta, mos na fyeni me këto thirrjet që AMA të tregohet e pavarur se kjo e bën për të qeshur të madh e të vogël në Shqipëri. Këtu kanë rënë në dorën e kryeministrit të gjithë institucionet e fuqishme, kurse ju shpresoni se AMA do jetë e pavarur?

E treta, ne e dimë se situata e lirisë së medias në vend është e keqe, por me këtë ligj do të bëhet akoma më e keqe. Ne e dimë shumë mirë se edhe nëpër gjykata, me drejtësi të re a të vjetër, quajeni si të doni, gjyqet ka për t’i fituar kryeministri Edi Rama, siç ka ndodhur deri më tani. Ja shihni rastet e freskëta dënimit të opozitës. A mos mendoni se do thellohen në hetime këta të drejtësisë pasi ju të inicioni një denoncim? Do mjaftohen me një dënim për të kënaqur pushtetin. Por ne po kërkojmë të paktën, që si në çdo vend normal në planet, gjërat të shkojnë për shqyrtim në dyert e gjykatës.

E katërta, si përfaqësues i OSBE-së, hiqni dorë nga këto terminologjitë soc-komuniste, që keni punuar deri vonë, ditë e natë, deri në minutën e fundit, me kryeministrin Edi Rama. Punoni aq sa duhet punuar, nuk kemi nevojë për heronj të socializmit. Boll e kemi një hero që punon ditë e natë për vendin. Se çfarë ka bërë ai me Shqipërinë, lexoni ndonjë raport ndërkombëtar ose mediat e huaja.

E pesta, të paktën dëgjoni ndonjë zë normal në mesin e socialistëve, që habitet kur mëson se një gazetar apo portal do të shkojë në gjykatë pasi e ka falimentuar gjoba e qeverisë. Ose atë tjetrin që thotë se nuk e dinë se si mund të shkojnë në Strasburg me këtë paçavure ligjore.

E gjashta, tregoni pak respekt dhe besim për këtë krijesën e deformuar që po lind, me emrin reformë në drejtësi, të cilën tani nuk duan ta këshillojnë gjëkundi as baballarët e saj në Perëndim.

E shtata, mos u fshihni pas pretendimeve se gjoba duhet ekzekutuar direkt sepse nuk mund të prisni një vit nëpër gjykata për të dalë e vërteta, sepse kjo nuk u intereson së pari gazetarëve që kanë bërë investigimet dhe denoncimet. Koha tregohet më e pamëshirshme për të tretur çdo gjë. Pyeteni shqiptarët tani a u kujtohet gjë për Saimir Tahirin, Frrokërit, Ndokërit, Rroshërit?

E teta, meqë jemi te shqiptarët, mos u përpiqni ta paraqisni si një betejë mes dy të këqijave, politikës dhe medias, sepse këtë garë e ka të fituar gjithmonë media dhe e vërteta. “Një media e lirë mund të jetë e mirë dhe e keq, por pa asnjë dyshim, pa lirinë, media do të jetë gjithmonë e keqe,” thotë Albert Kamy.

E nënta, mos u mundoni të na prezantoni në opinionin publik se edhe mes komunitetit të gazetarëve ka përplasje për këtë çështje. Këtu nuk ka ndarje mes atyre që janë pro dhe atyre që janë kundër, por mes atyre që i shërbejnë qeverisë dhe atyre që nuk i shërbejnë. As mos flisni për gjobëvënësit në media, sepse atyre ua gjeni anën menjëherë.

E dhjeta, ju duhet të jeni të lumtur që media është kaq e dobët. Si në rastin e ajsbergut ose më keq, ajo nuk nxjerr në dritë as një të dhjetën e të keqes që është mbjellë në këtë vend nga kjo qeveri. Për shembull, kur keni parë të bëhet një denoncim i fuqishëm nga TV-të e mëdha për krimin dhe keqqeverisjen e vendit? Ne nuk jemi Gjermania dhe Suedia, por vendi më i korruptuar në planet, duke lënë pas vetëm një republikë bananesh. A na e kanë vënë etiketën narkoshteti i vetëm i Europës?

E njëmbëdhjeta, mediat online janë i vetmi oaz që ka mbetur disi jashtë kontrollit të qeverisë. Por këto media janë akoma të brishta dhe ndaj qeveria e di se duhen shkatërruar që në nisje. Mjafton një gjobë e AMA-s dhe ato ‘palosen në dysh’.

E dymbëdhjeta, e di që mund të duket paradoks, por pavarësisht se me buxhet të vogël, sërish portalet ia kanë dalë të jenë në ballë të luftës ndaj korrupsionit. Sepse nuk ka rëndësi madhësia, por besueshmëria. Gjithmonë do të ketë nevojë për të denoncuar krimin dhe keqqeverisjen diku. Dokumentet dhe provat do të rrjedhin vazhdimisht.

E trembëdhjeta, meqë keni merak Gjermaninë dhe flisni për ligjet e ashpra të këtij vendi. Të krahasohesh me gjermanët është si të thuash se një Porsche e vitit 2019 është më e keqe se plugu i Surrelit. Po ku imagjinohet në Gjermani që krimi të kapë shtetin për fyti dhe të vjedhë zgjedhjet për llogari të qeverisë? Po ku u shkon ndërmend gjermanëve që të shohin dy ministra të brendshëm njëri pas tjetrit të rrëzohen nga lidhjet me banda të drogës? A ka ndonjë shans ta shihnin Angela Merkel-in që e quan median ‘qenef’?

E katërmbëdhjeta, boll e lakuat vend e pa vend këtë fjalën ‘Fake news’, a thua se ka më shumë efekt kur e përdorni në anglisht. Lajmet e rreme kanë qenë dhe janë pjesë e jetës njerëzore prej fillimit të historisë. Historiani me nam botëror, Yuval Harari, kur flet për lajmet e rreme, thotë se gjeneratori më i madh i tyre mbeten fetë. Kurse ju keni nisur të këpusni dogma fetare që nga parlamenti e deri përpara fëmijëve, të cilëve u ngrini gishtin e mesit si leksion morali. Historinë e lajmeve të rreme e ka rregulluar vetë tregu gjithmonë. Nëse vërtet doni të bëni diçka, dëgjoni atë këshillin e ekspertit amerikan Aleksandër Dardeli te Zëri i Amerikës, që thotë se qeveria mund të investojë në edukim, duke nisur që nga fëmijët, për të qenë më të aftë që të procesojnë informacionin. Nuk është habi që ka prej atyre që mendojnë se kanceri shërohet me sodë dhe diabeti me lëng thanash.

E fundit, ju akuzoni gazetarët se kanë çuar drejt vdekjes një person pas tërmetit, duke raportuar se ka shembje te Spitali i Durrësit. Po ndaj jush, çfarë akuze mund të ngrihet pasi i latë me dhjetëra qytetarë të futen në banesa të dëmtuara, edhe pse Zoti na paralajmëroi me tërmete disa herë? Çfarë duhet të themi për ju, që sinonimin e karrierës e keni të lidhur me fjalë si ‘kulla’, ‘pallate’, ‘kaos urbanistik’, ‘korrupsion në ndërtime’, ‘15-përqindëshi i lejeve’, etj? A nuk jeni në krye të një shteti që vetëm i pret në besë qytetarët e tij, të cilët i ka çuar në dëshpërim ekonomik e social dhe së fundmi edhe në rrugën pa kthim?

Kjo është arsyeja se përse ligji po miratohet tani. Mos kujtoni se censura funksionon duke goditur këdo. Mjaftojnë disa shembuj dhe censura e autocensura do japin fryte. Ditë të vështira na presin, por të paktën të mos na fyeni edhe inteligjencën. Nuk jemi si ajo avokatja e qeverisë, e cila i quan gjobat e qeverisë si gjobat e makinës. Në fund fare, kur ta kuptoni se fjala dhe protesta nuk po bëjnë punë ndaj një qeverie autokratike, ka gjithmonë një zgjidhje. Vota e lirë!

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit