Tetorin e kaluar, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk morën një ‘Po’, për sa i përketi hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Të gjithë pranuan se Maqedonia e Veriut kishte përmbushur premtimet e saj, siç është Marrëveshja e Prespës e nënshkruar me Greqinë, çka solli edhe ndryshimin e emrit, por disa vende të BE-së shprehën dyshime për përparimin e Shqipërisë.
Nikola Dimitrov, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, propozon gjatë një intervistë për Euronews, një zgjidhje të mundshme: Të dyja vendet të ndahen në procesin e hapjes së negociatave.
“Unë mendoj se suksesi i një vendi është lajm i mirë për të gjithë rajonin. Si fqinj, dhe mbi të gjitha si fqinj të mirë, ne besojmë se Tirana duhet të jetë në gjendje të fillojë rrugëtimin e saj evropian. Sigurisht një zgjidhje pozitive do të ishte më e mira. Ne duhet të punojmë për gjetjen e një emëruesi të përbashkët. Por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë ne kemi nevojë për një vrull pozitiv, jo për një dinamikë negative. Dhe një është padyshim më mirë se asnjë”, ka theksuar ai.