2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kurban Tomori – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Idhujtaria, ose ndryshe adhurimi e përulja ndaj çdokujt tjetër veç Zotit, apo hyjnizimi i objekteve, njerëzve dhe qenieve të tjera veç Tij, është gjynahu dhe mëkati më i madh në Islam. Në Islam, idhujtaria shihet si e barabartë me besimin në shumë zota, ose ndryshe politeizmi dhe është mëkati, ose ndryshe gjynahu i vetëm i pafalshëm në sytë e Zotit. Kjo, sepse ky mëkat cenon drejtpërdrejt ekskluzivitetin më të madh të njohjes, pranimit dhe adhurimit ndaj Qenies Absolute më të madhe, pra të Vetë Allahut. Idhujtaria, me vetëdije ose jo, është arrogancë, mosmirënjohje, injorancë dhe injorim i monoteizmit, i meritës ekskluzive të Krijuesit për t’u njohur, pranuar dhe adhuruar i vetëm, pa ndërmjetës dhe ortak. Idhujtaria është prapambetje mendore, kulturore dhe sociale dhe aspak një trashëgimi e denjë për t’u mburrur me të, prandaj dhe ajo është refuzuar kategorikisht nga të gjitha fetë hyjnore monoteiste dhe më së shumti nga Islami.

Mbijetesa e formave të idhujtarisë mes feve monoteiste nuk është aspak një vlerë kulturore e lëvduar, por përkundrazi, është dëshmi e një gjendjeje kontradiktore mendore, e një populli që ka ngelur në mes të një tranzicioni kulturor e social të papërfunduar, e që dëmton thellësisht gjendjen e tij shpirtërore dhe e lë të mangët e të dyzuar, mes përparimtares e dinjitares monoteiste nga njëra anë dhe prapambetjes e përçmimit që paganizmi i vesh dinjitetit njerëzor nga ana tjetër.

Ceremonitë religjioze me origjinë pagane që i kushtohen kultit të malit, e më pas shenjtorëve të caktuar, janë nga format më tipike të dyzimit mes monoteizmit dhe politeizmit në trojet shqiptare. Mirëpo, një dyzim i tillë ngelet përsëri politeizëm, sepse edhe pse pranon ekzistencën e një Zoti, ai vazhdon të besojë në hyjni të tjera, të cilave iu përkushton blatime, që i meriton vetëm Zoti i vetëm, Krijuesi.
Vëllezërit tanë të të njëjtit gjak dhe race shqiptare, që e identifikojnë veten si muslimanë dhe bektashinj dhe në veçanti udhëheqësit e tyre fetarë, duhet ta kuptojnë dhe pranojnë se nuk mund të vazhdojnë më, të ruajnë pambarimisht në formën e një tradite religjioze një sinkretizëm të tillë, ekstremisht kontradiktor pagano-islam, sepse ai bie ndesh në mënyrë skandaloze me të qenit musliman dhe të besuarit në Allah, në Profetin e Tij, Muhamed (alejhi salatu ue selam) dhe gjithë pasardhësit e tij të nderuar.
Kulti pagan i malit të Tomorit dhe ceremonitë e kurbanit që kryhen në të, nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me besimin e Aliut (radijAllahu anhu) në Zot dhe me besimin e pasardhësve të tij. Në ajetet Kuranore dhe në thëniet profetike sanksionohet qartësisht dhe në mënyrë të prerë kategorike dhe nuk lihet vend për dyshime dhe hamendje, se të gjitha format e idhujtarisë, mes tyre dhe prerja e kurbanit kushtuar dikujt tjetër veç Krijuesit, janë idhujtari e politeizëm, apo ndryshe “shirk i madh”, që rrënojnë monoteizmin islam dhe pajtojnë me paganizmin.

E vërteta dhe e drejta janë kategorike për shpëtimin e shpirtit njerëzor në këtë botë dhe në tjetrën, përkundrejt ndjekjes së çdo tradite shekullore të krijuar në një periudhë historike tranzicioni, të kalimit nga idhujtaria pagane në Islam. Heshtja ndaj këtyre formave të idhujtarisë, qoftë nga dervishët e baballarët bektashinj, apo edhe nga hoxhallarët dhe drejtuesit e bashkësisë islame, në emër të një tolerance absurde ndaj një trashëgimie pagane, është tradhti ndaj besimit në një Zot dhe ndaj vetë popullit, i cili ndjek parinë e tij fetare dhe shpirtërore në çështjet e fesë dhe besimit.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit