4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Brenda dosjes 339 që tronditi Shqipërinë

Më të lexuarat

Çfarë është dosja 339, për të cilën po flitet kaq shumë këto ditë. A është tërmeti që ka shkaktuar ajo vetëm fillimi i një tronditjeje më të madhe? Çfarë skenarësh na presin në ditët në vijim pas publikimit të përgjimeve nga kjo dosje prej gazetës prestigjioze, Bild? Flasin gazetarët Klodiana Lala dhe Armand Bajrami

Nga Blerina Gjoka

Gjithçka thuhet se filloi rreth fundit të dimrit të vitit 2016. Një seri përgjimesh nisën në Kavajë, duke hedhur ‘rrënjët’ për një nga dosjet më voluminoze, por edhe më të frikshme në historinë postkomuniste. Bëhet fjalë për dosjen me numër ‘339’, e cila është lakuar vazhdimisht prej kohësh, por tashmë e ka nxjerrë ‘kokën’, duke kërcënuar se do ‘shkundë’ mirë jo vetëm votuesit, por sidomos politikën e lartë.

Akoma nuk dihen me saktësi detajet se si nisën hetimet që shumë shpejt do zbulonin një rrjet me shtrirje në thuaje gjithë Shqipërinë. Rrjeti preferon ta shohë këtë si një iniciativë të ardhur nga jashtë vendit, me shumë mundësi nga Gjermania. Të tjerë thonë se ishte thjesht një përgjim pa shumë pretendime, që e çoi organin e akuzës drejt tentakulave të një oktapodi që ishte shtrirë që nga trafiku i drogës, ai i votave, tjetërsimi i pronave e deri te bastet sportive dhe notat në universitet.

Goditja e parë u dha në operacionin e njohur si ‘VOL-VO 4’ me dhjetëra të arrestuar, mes tyre dhe dy ligjvënës të Partisë Socialiste. Për shkak të ngarkesës së madhe me informacione gjatë kësaj kohe, të paktë ishin ata që po e shihnin ‘monstrën’ përpara syve. Kjo shtrirje e gjerë e rrjetit dhe ‘larmia’ e krimeve që ishin konsumuar dhe po konsumoheshin nga klanet kriminale, të jepte menjëherë idenë e një shteti paralel, që vendoste për thuajse çdo gjë në disa prej qyteteve më të rëndësishme në vend, nisur nga Shkodra, në Durrës dhe Fier.

Por u desh që të vinte një seri me raportime nga gazeta më e madhe gjermane, Bild, për të kuptuar se në fakt nuk ishte një shtet paralel, por ai ishte thjesht ‘shteti’, një strukturë mafioze që kishte vënë nën kontroll zyrtarët më të lartë të vendit, që bindeshin përpara kriminelëve.

***

Shqipëria nuk do jetë më njësoj pas publikimit të këtyre përgjimeve të dala nga dosja ‘339’. Kjo, jo për shkak se gazeta Bild ka paralajmëruar se ka materiale edhe më të forta, që do dalin në ditët në vijim. As për shkak se në prokurori e polici është ndezur një debat se kush e ka fajin për rrjedhjen e informacionit. Por sepse shqiptarët e panë dhe dëgjuan me veshët e tyre se ‘narkoshteti’ ishte realitet.

Për gazetarët shqiptarë, që e njohin më mirë këtë dosje, ajo që ka dalë deri më tani ishte vetëm maja e një ajsbergu, ku fshihen çudira edhe më të mëdha. Dosja 339 do vazhdojë ta trazojë rëndshëm politikën shqiptare edhe në ditët në vazhdim.

***

Socialistët nxituan t’i vënë një emër ‘tradhtarit’ të dosjes 339. Ata mendojnë se dosja ka rrjedhë qëllimisht pranë opozitës dhe medias. Sipas zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, ai është prokurori Besim Hajdarmataj. Por siç ndodh vazhdimisht në Shqipëri, situata nuk është gjithmonë kaq bardhezi. Tek e fundit, për Top Channel, ishte Hajdarmataj që shtoi krimin zgjedhor si pjesë të kësaj dosjeje.

Një pyetje megjithatë do e mundojë gjatë opinionin publik në vend. Kjo dosje u mbajt kaq gjatë nëpër sirtarë për të bërë shantazh apo për ta zhdukur nëpër kalendat greke? A ishte ndërhyrja e medias gjermane një përgjigje ndaj mundësisë që materialet e përgjimit mund të ‘pastroheshin’, siç paralajmëron Bild? Apo duhet të besojmë teoritë konspirative të rrjetit se kjo dosje është përdorur qëllimisht për interesat e tyre nga emra të tillë si Adriatik Llalla dhe Fatmir Xhafaj?

Për një mendje të qartë, mundësitë më të mëdha janë që pushteti ta ketë mbajtur të fshehtë dosjen për të mos nxjerrë në shesh ‘lakrat’, që dolën disi nga përgjimet e publikuara në Bild. Pavarësisht interpretimeve, ato treguan se krimi ka blerë votat dhe ka manipuluar rezultatin jo vetëm te kutia, por duke nisur që nga vendosja e kandidatëve në lista.

Historia ka treguar se Ballkani prodhon më shumë histori nga ç’mund të konsumojë. Kurse Shqipëria prodhon më shumë informacion se ç’konsumon një vend normal. Shanset janë që ditët e orët në vazhdim të prodhojnë sërish të tilla ‘bomba’. Ndoshta shumë prej tyre mund të vijnë nga dosja ‘339’. Ndoshta jo. Fakt është se ditët e nxehta të verës që sapo kanë nisur, të prodhojnë një nxehtësi shumë të lartë edhe në politikë.

 

Detajet e një dosjeje voluminoze

Zëri i Amerikës

Prokuroria pranë Gjykatës Për Krime të Rënda në Tiranë bëri dje të ditur se Dosja 339 e hapur në dhjetor të 2016 përmban akuzat për 74 persona në bashkëpunim nga prodhim, shitje dhe trafikim narkotikësh e deri te ndikim i paligjshëm në zgjedhje.

Sipas drejtueses së kësaj prokurorie, Donika Prela, vitin e parë dosja u hetua vetëm për “Trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim, si dhe “Pastrim i veprimtarisë kriminale”, ndërsa vitin e dytë me një prokuror të dytë u shtuan edhe akuzat “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “Korrupsion aktiv e pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”.

Më pas dy prokurorë të tjerë, tha ajo, shtuan në dosje edhe 40 emra të tjerë si dhe akuzat shtesë “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës” etj., të kryer në bashkëpunim si një grup i strukturuar kriminal.

Hetimi përmban gjithsej 624 CD me regjistrime telefonike dhe 115 DVD. Nga këto janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019.

Të gjitha CD e administruara kanë qenë të patranskriptuara në tërësi dhe vijimësi, por ka patur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike.

Veprime hetimore të hapura janë kryer vetëm për veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryera në qytete të ndryshme të vendit dhe abuzimeve me pronat në zonën e Qarkut Lezhë, ndërsa për veprat e tjera penale, duke përfshirë dhe veprat penale në fushën e zgjedhjeve nuk ka patur hetime të hapura, me përjashtim të përgjimeve, të cilat nuk kanë qenë të transkriptuara në tërësi.

Hetimet janë shtrirë në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier, Sarandë. Aktualisht, prokurorët përfunduan hetimet dhe dërguan për gjykim 12 persona, dhe janë në përfundim të hetimit dhe për 6 persona të tjerë.

Paralel me hetimet për vepra penale në fushën e zgjedhjeve, ku është rritur shpejtësia e zbardhjes së CD-ve, u shtua edhe një prokuror tjetër dhe po kryhen hetime edhe për publikimin e akteve sekrete hetimore, të cilat janë të dënueshme penalisht dhe dëmtojnë vazhdimin e hetimeve.

Disa përgjime pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara gazetën gjermane Bild, kanë rikthyer dhe një herë temën e lidhjeve të zyrtarëve socialist në Durrës me elementë të krimit dhe ndikimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017.

Përgjimet vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, me kandidatin aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arbani, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë Socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi.

Pas publikimeve të përgjimeve të para, në mënyrë të përsëritur kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka mohuar njohjen tij me drejtuesit e grupit të Avdylajve, duke deklaruar se gjatë një fushate zgjedhore ai takohet me shumë njerëz. Në të njëjtën linjë, atij i ka dalë në mbrojtje dhe kryeministri Edi Rama, duke folur gjithashtu për kontakte rastësore gjatë aktiviteteve elektorale.

Por publikimi nga gazeta gjermane Bild, i bisedave të përgjuara nga Prokuroria shqiptare, dëshmojnë se zoti Dako kishte shumë më tepër se një njohje rastësore me Astrit Avdylajn, madje dhe me një ish- të dënuar për vrasje Vath Alla. Madje Avdylaj rezulton të ishte në dijeni dhe të takimeve që Dako zhvillonte me kryeministrin.

 

Klodiana Lala: Kemi parë vetëm majën e ajsbergut, dosja 339 ka të vërteta të frikshme

Klodiana Lala është gazetarja e parë që investigoi përfshirjen e grupeve kriminale në shitblerjen e votës, pjesë e përgjimeve në dosjen 339. Në një intervistë për Mapo-n ajo thotë se dosja ka brenda të vërteta të frikshme se si kriminelët urdhërojnë zyrtarët e shtetit. Sipas saj do ketë koka turku për këtë dosje, por nuk do të shkohet deri te “peshqit e mëdhenj”.

Dosja hetimore 339 duket se ka brenda një minë për politikën shqiptare me përgjimet. Si nis krijimi i kësaj dosjeje? Ishte një rastësi që emra të njohur të politikës ranë pre e këtyre përgjimeve?

Përgjimi i zyrtarëve ishte një rastësi, por që na bëri të kuptojmë, pas publikimit të përgjimeve, si në mediat shqiptare, ashtu dhe të huaja, sesi krimi ka marrë revansh në Shqipëri. Se si grupet kriminale, kanë arritur deri aty sa të deformojnë edhe vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Duhet pranuar që shitblerja e votës është një fenomen i njohur në Shqipëri, nga të gjitha forcat politike, por këtë herë, përgjimet na zbuluan se klanet kriminale kanë ngritur një strukturë të sofistikuar për ta realizuar këtë. Kriminelët kanë shkuar deri aty sa të përcaktojnë edhe emra në listën e kandidatëve për deputet. Hetimi për ‘339’ është bërë i ditur tashmë që nisën me gjurmimin e disa trafikantëve droge, por që zbuluan detaje të tmerrshme për mënyrën sesi funksionon administrata në vend.

Është pranuar që në dosje ka qindra DVD të regjistruara? Mos kemi parë vetëm majën e ajsbergut, nëse do të huazonim shprehjen e kryeministrit, pra “nuk kemi parë gjë akoma”?

Sigurisht që përgjimet e publikuara deri më tani janë maja e ajsbergut, sepse janë vetëm 10 apo 15 biseda nga mijëra të tilla. Zërat thonë se nëse dosja do dalë ndonjëherë e plotë në publik, pra nënkuptoj faktin të kalojë për gjykim, do shohim çudira.

Çfarë fshihet pas kësaj dosjeje?

Të vërteta të frikshme, se si kriminelët urdhërojnë zyrtarët dhe këta të fundit shfaqen të nënshtruar prej trafikantëve dhe vrasësve.

Pse është zgjatur kaq shumë hetimi në kohë dhe nuk është dërguar akoma dosja në gjykatë?

Sepse prokurorët dhe aktorë të tjerë politikë dhe jo vetëm, janë të interesuar që kjo çështje të relativizohet, sikurse ndodh rëndom në Shqipëri, me dosje ku përfshihet politika. Dhe ajo çfarë bie në sy, është se askush nuk merret me faktin, se përse u zvarritën hetimet, porse kush e nxori sekretin. Sigurisht që shkelësit e sekretit, duhen hetuar, por pasi prokuroria të na thotë se çfarë ndodhi në Durrës, Lezhë apo ndonjë qytet tjetër me zgjedhjet. Cilët ishin kriminelët që ndikuan në deformimin e rezultatit dhe për llogari të kujt.

Çfarë luhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi këtë dosje? A ka përplasje pas ardhjes së Donika Prelës në krye të kësaj prokurorie dhe Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme?

Brenda Krimeve të Rënda ka luftë nervash, ka prokurorë të pafuqishëm për të hetuar, prokurorë të ndikuar dhe të vënë në shërbim të pushtetit. Ka dhe luftë klanesh për të goditur njëri-tjetrin në kuadër të vettingut. Ka mungesë të theksuar transparence dhe ndryshe nga sa parashikojnë ndryshimet e reja ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi, institucioni vepron me modelin e vjetër, plotësisht i centralizuar.

A mendoni se skandali publik i shkaktuar nga publikimi i përgjimeve do të sjellë dhe dënimin e njerëzve të përfshirë në këtë dosje me akuzën për shitblerjen e votave? A është ky rasti që mund të shohim “peshqit e mëdhenj” të shkojnë pas hekurave?

Për shkak të presionit nga mediat e opinioni publik, prokuroria do bëjë “koka turku”, mund të ndodhë të ketë dhe të dënuar për shitblerje vote, por nuk mendoj se do të ndëshkohen ata që konsiderohen si “peshqit e mëdhenj”.

 

Armand Bajrami: Zvarritja e hetimit u jep mundësi njerëzve të pushtetshëm të zhdukin provat

Dosja hetimore 339 fsheh një panoramë të qartë të keqfunksionimit të shtetit dhe depërtimit të thellë të tentakulave të krimit të organizuar në administratën shtetërore. Kështu mendon gazetari i A2CNN, Armand Bajrami, në një intervistë për Mapo-n. Sipas tij, zvarritja e hetimeve vetëm sa u jep mundësi njerëzve të pushtetshëm të zhdukin provat që i përfshijnë në krim.

Dosja hetimore 339 duket se ka brenda një minë për politikën shqiptare me përgjimet. Si nisi krijimi i kësaj dosjeje? Ishte një rastësi që emra të njohur të politikës ranë pre e këtyre përgjimeve?

Dosja 339 e ka fillesën e saj në vitin 2016. Në muajin shkurt të këtij viti Policia e Kavajës referoi në Prokurorinë e këtij rrethi emrat e disa personave të përfshirë në prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike. Hetimi i mëtejshëm zbuloi se furnizuesit e tyre operonin në zonën e Shijakut. Për shkak të dyshimeve se bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal të angazhuar në trafikun e sasive të mëdha të drogës, dosja iu referua për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Kjo e fundit në dhjetor 2016 regjistroi procedimin penal me numrin 339 për “trafik narkotikësh” dhe “pastrim parash”. Vazhdimi i hetimeve dhe vënia në përgjim e numrave të personave të dyshuar si anëtarë të këtij grupi zbuloi lidhjet me grupime të tjera kriminale të përfshira në trafikun e drogës jashtë vendit me baza në Lezhë, Shkodër dhe Fier. Mbajtja në përgjim e dhjetëra numrave për llogari të këtij hetimi hodhi dritë edhe mbi kryerjen e veprave të tjera penale, si ajo e tjetërsimit të trojeve në bregdetin e Lezhës përmes falsifikimit të dokumenteve, krim zgjedhor gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, apo edhe afera korruptive në sistemin e burgjeve. Për këtë shkak, në dosje u regjistruan edhe veprat penale të “grupit të strukturuar kriminal” dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Hetimi i dosjes 339 mori një kthesë të fortë në tetor të vitit 2018 me lëshimin e 44 urdhër-arresteve nga Gjykata për Krimet e Renda, të cilat u ekzekutuan gjatë operacionit policor të koduar “VOL-VO 4”. Mes të prangosurve ishin edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko. Ndërkohë, në “kurthin” e përgjimeve ranë edhe zyrtarë të lartë lokalë, si kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, si edhe zyrtarë të tjerë, drejtues drejtorish të niveleve më të ulëta. Njerëz të veshur me pushtet shtetëror janë zënë mat duke biseduar në telefon me persona të inkriminuar. Emrat e personazheve politikë nuk kanë qenë objekt hetimi, por janë përmendur, apo përgjuar, në komunikimet me personat e dyshuar si pjesë e grupeve kriminale.

Është pranuar që në dosje ka qindra CD të regjistruara? Mos kemi parë vetëm majën e ajsbergut, nëse do të huazonim shprehjen e kryeministrit, pra “nuk kemi parë gjë akoma”?

Është një fakt i pranuar edhe nga ana e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme gjatë raportimit të saj në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, që janë 700 CD me përgjime ende të pazbardhura, fakt i konfirmuar edhe nga titullarja e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Është e logjikshme të mendosh që “nuk kemi parë asgjë akoma”. Sipas informacioneve që kam, disa prej të arrestuarve nga “VOL-VO 4”, janë përgjuar duke komunikuar me zyrtarë apo drejtorë Hipotekash, me kryetarë bashkish, me zyrtarë të policisë, me drejtorë spitalesh, drejtorë drejtorish arsimore, pra, praktikisht me gjithë kolanën drejtuese të institucioneve më të rëndësishme shtetërore në rrethe. Nuk kanë kursyer askënd. Mendoj se me zbardhjen e plotë të CD-ve do të dalin në dritë edhe të tjera “mëkate” të të arrestuarve dhe po ashtu edhe “mëkatarë” të tjerë, qofshin këta zyrtarë të lartë apo të zakonshëm të institucioneve shtetërore. 

Çfarë fshihet pas kësaj dosjeje?

Pas kësaj dosjeje fshihet një panoramë e qartë e keqfunksionimit të shtetit dhe e depërtimit të thellë të tentakulave të krimit të organizuar në administratën shtetërore. Fshihet fataliteti i degradimit të sistemit të vlerave dhe të meritokracisë. Nëse do të ketë transparencë për dosjen 339, atëherë do të kuptohet se si personazhe të botës së krimit ndikojnë dhe imponohen në vendimmarrje që iu takojnë zyrtarëve shtetërorë. 

Pse është zgjatur kaq shumë hetimi në kohë dhe nuk është dërguar akoma dosja në gjykatë?

Vlerësimi i zgjatjes në kohë të hetimit iu përket prokurorëve që kanë në dorë çështjen. Por zgjatja rregullohet me afate kohore, që ligjërohen nga ana e gjykatës. Parimisht, hetimi zgjat deri në momentin që prokurorët kanë prova dhe fakte të mjaftueshme për të vërtetuar kryerjen e veprave penale ndaj personave nën hetim. Hetimi për dosjen 339 ka zgjatur më shumë se 2 vjet e gjysmë. Deri më tani kemi vetëm 12 persona të dërguar në gjykatë për çështje trafiku, ndërsa më shumë se 50 të tjerë në hetim. Nga gjeneza e saj dosja ka kaluar në duart e disa prokurorëve, ndërsa së fundmi janë 2 prokurorë dhe 11 Oficerë të Policisë Gjyqësore të angazhuar për të.

Një hetim kaq i gjatë, nuk është i pazakontë për një dosje voluminoze, por nga ana tjetër, referuar personazheve të përshirë dhe ndjeshmërisë publike për disa nga veprat penale të përfshira, si ajo e krimit zgjedhor, hetimi duhet të kishte qenë më efektiv dhe të kishte dalë me rezultate konkrete.

Çfarë luhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi këtë dosje? A ka përplasje pas ardhjes së Donika Prelës në krye të kësaj prokurorie dhe Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme?

Me ndryshimet ligjore të vitit 2017 prokuroria nuk është më një organ i centralizuar. Kjo do të thotë që, ligjërisht, drejtuesit e prokurorive nuk orientojnë më rrjedhën e hetimit të dosjeve. Të gjitha veprimet hetimore kryhen nën diktatin e prokurorit të çështjes, i cili është “Zot” i saj. Por nuk kanë munguar rastet kjo filozofi e re ligjore nuk është mirëkuptuar nga titullarja e Përkohshme e Prokurorisë dhe ajo e komanduar e Krimeve të Rënda. Vlen të theksohet përplasja e shtatorit të vitit 2018, kur dosja “Shullazi” mbeti pa prokuror. Një procedurë shortimi për këtë çështje, në fazën e leximit të pretencës, u cilësua si e paligjshme nga prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët braktisën mbledhjen e drejtuar nga Donika Prela.

Pak ditë më vonë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Marku urdhëroi nisjen e hetimit disiplinor për 10 prokurorë që kundërshtuan procedurën e shortit. Ndërkohë u urdhërua transferimi në rrethe i tre prokurorëve të Krimeve, mes të cilëve edhe ish-drejtuesit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, një prej ish-prokurorëve të dosjes 339. Vendimi i saj u rrëzua nga Gjykata Administrative dhe KLP më pas i ktheu ata te Krimet e Rënda.

A mendoni se skandali publik i shkaktuar nga publikimi i përgjimeve do të sjellë dhe dënimin e njerëzve të përfshirë në këtë dosje me akuzën për shitblerjen e votave? A është ky rasti që mund të shohim “peshqit e mëdhenj” që të shkojnë pas hekurave? 

Titullarja e Krimeve të Rënda sqaroi në një deklaratë publike se deri më tani ka qenë i pamundur hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale në fushën e zgjedhjeve. Sipas saj, nuk mund të realizohej ndarja e transkripteve pasi elementet e kësaj vepre penale janë konstatuar të ndërthurura me personat e përgjuar për përfshirje në trafikun e drogës. Ditët e fundit Prokuroria për Krimet e Rënda ka kryer veprime konkrete hetimore sa i përket kësaj rrjedhe të hetimit. Do të jenë këto verifikime dhe patjetër, nevoja e zbardhjes së plotë të të gjitha përgjimeve të dosjes dhe patjetër një vullnet i plotë i prokurorisë për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje.

Deri më tani kjo çështje ka vënë nën përgjegjësi penale elementë të rëndësishëm të botës së krimit në vend, të lënë në burg, një ish-deputet dhe një ish-drejtor burgjesh, aktualisht në “arrest shtëpie”, por kjo tablo besoj se nuk përmbush pritshmëritë e publikut për “peshqit e mëdhenj” para drejtësisë. Por zvarritja e këtij hetimi nuk bën gjë tjetër veçse i jep mundësi, në mos ua ka dhënë tashmë, njerëzve të pushtetshëm të dëmtojnë apo zhdukin provat që i përfshijnë në krim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit