Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Dje e as sot deri në këto momente askush nuk e përmendi një faktor (plus) të rëndësishëm që ndikoi në dështimin e referendumit në Maqedoni.
Unë mendoj se lëkundja (në dukje) e marrëdhënieve mes Turqisë dhe SHBA-ve, në një mënyrë apo tjetrën ndikoi dukshëm në dështimin e këtij referendumi.
Përse them kështu?
Sepse, sa herë që Ballkani është lënë jashtë kujdesit intensiv të superfuqive, si dikur Perandoria Osmane, Austro-Hungaria e sot SHBA-të, Rusia nëpërmes Serbisë dhe sllavëve të tjerë orthodoks ka ditur të befasojë. Për Rusinë Ballkani është po aq i rëndësishëm sa është edhe për NATO-n e posaçërisht për SHBA-të. Dhe, sa herë që Ballkani lihet çoftë edhe padashtas në harresë, Rusia do të bëjë ç’është e mundur për ta mbushur vakuumin e krijuar aty.
Andaj, fuqive të mëdha gjithnjë u nevojitet një pykë-shtet që do t’i ruante baraspeshat në rajon dhe interesat e superfuqive aty.
Mos të harrojmë. Nëpër regjione të ndryshme të botës, si në Kore, në Vietnam, në Indi, në Pakistan, në Afganistan, në Irak, në Siri, në Libi, e së fundmi edhe në Ballkan, Turqia për SHBA-të ka luajtur një rol të rëndësishëm, siç thonë amerikanët dhe turqit, për ruajtjen e paqes globale. Që nga Lufta e Parë Botërore, pra, menjëherë pas rënies së Perandorisë Osmane, kjo Turqi ka pasur marrëdhënie (detyrimisht) të mira me Amerikën dhe Gjermaninë. Me gjithë acarimet e herëpashershme mes Turqisë dhe SHBA-ve, pra, edhe atëherë kur ushtria turke invadon Qipron Veriore pa lejen e SHBA-ve ku edhe i jep një goditje të rëndë Greqisë, marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve asnjëherë nuk kanë eskaluar. Mendoj se nuk do të eskalojnë as tani kur SHBA-të po bëjnë një luftë ekonomike kundër lirës turke. Sepse, në këtë “luftë”, humbës real do të dalin interesat amerikane në rajon, por jo aq shumë Turqia. Turqia veç ka filluar të fus në tregun botërorë Lirën e saj, e kjo është një e arrtiur e madhe për Turqinë.
Mos interesimi i Turqisë për referendumin në Maqedoni, pra, të qenurit e Turqisë spektatore pasive nga larg i kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, domosdo ka bërë që Rusia të korrë edhe një fitore të rëndësishme në Ballkan. Nëse vazhdohet me këtë tempo, ta quaj të dobësimit të ekonomisë turke, rrjedhimisht të dobësimit të ndikimit të saj nëpër zona të ndryshme të botës, aty ku nuk vepron Turqia si aleate strategjike e SHBA-ve, e Gjermanisë dhe e NATO-s, aty do të intervenojë Rusia. Është ligj i pashkruar ky, i marrëdhënieve të tanishme ndërkombëtare.
E, se a do të arrijë Maqedonia ta riparojë këtë “gabim” të Perëndimit, mbetet të shihet në ditët në vijim. Opsion ka mbetur vetëm fuqia që mund të krijohet nga disa kostelacione ligjore e kinse kushtetutare që do të aktivizohen nëpërmes matematikave, tani për tani imagjinare, në Parlamentin e Maqedonisë…!