Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më shumë se 3 milion njerëz vdiqën si pasojë e përdorimit të alkoolit në 2016.
Kjo shifër përfaqëson 1 në 20 vdekje.
Në përgjithësi, përdorimi i dëmshëm i alkoolit shkakton më shumë se 5% të barrës globale të sëmundjeve.
Nga të gjitha vdekjet që i atribuohen alkoolit, 28% vijnë për shkak të lëndimeve, të tilla si ato të trafikut, vetëdijes dhe dhunës ndër-personale, thekson OBSH në raport.
Pjesa tjetër, në të gjithë botën, ndodhin përkatësisht 21% për shkak të çrregullimeve të tretjes; 19% për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, dhe pjesa e mbetur për shkak të sëmundjeve infektive, kancerogjene, çrregullimeve mendore dhe kushteve të tjera shëndetësore.
Sipas shifrave në databazën e OBSH, në Shqipëri konsumohet 7.5 l alkool /njeri, për vitin 2016.
Konsumin më të lartë për frymë të alkoolit në rajon e ka Serbia, ku sipas të dhënave është 11.1 litra.
Më pas renditet Mali i Zi, ku konsumi i alkoolit për frymë për grup-moshën mbi 15 vjeç, me 8.0 litra për frymë dhe Bosnja me 6.4 litra për frymë (rreth 1 litër më shumë se në Shqipëri).
Mesatarja e Bashkimit Europian për konsumin e alkoolit është 10.6 litra, ndërsa e vendeve me të ardhura të larta është 9.3 litra, raporton Monitor.
“Pavarësisht nga disa tendenca pozitive globale në menaxhimin e përhapjes dhe numrin e vdekjeve të lidhura me alkoolin, vihet re që nga viti 2010, barra e përgjithshme e sëmundjeve dhe dëmtimeve të shkaktuara nga përdorimi i alkoolit është në rritje, veçanërisht në Rajonin Evropian dhe në Rajonin e Amerikës”, theksohet në raport.
Globalisht rreth 237 milionë burra dhe 46 milionë gra vuajnë nga çrregullimet e përdorimit të alkoolit me prevalencën më të lartë midis burrave dhe grave në rajonin evropian (14.8% dhe 3.5%) dhe Rajoni i Amerikave (11.5% dhe 5.1%). Çrregullimet e përdorimit të alkoolit janë më të zakonshme në vendet me të ardhura të larta.