8.1 C
Pristina
Friday, December 6, 2024

ISMAIL QEMALI DHE JANINA

Më të lexuarat

Epopeja e shkruar me gjakun e mijëra e mijëra martirëve shqiptarë që dhanë jetën në mbrojtje të kufinjve natyralë të Shqipërisë është vënë në qendrën e sulmeve dashakeqe që synojnë deformimin e historisë sonë. Skuthat shqipfolës të cepave guxojnë të flasin rreth figurave më të shquara të kombit, ndërkohë që vetë janë të zhveshur e pa asnjë dallim nga kërmilli që lëpihet pa fund për t’u ngjitur sa më lart të mundë…

Dua të citoj veprën e titulluar “Helenizmi i Epirit të Veriut dhe Marrëdhëniet Greko-Shqiptare 1897-1918”, vëll.l, ku historiani me origjinë korçare Vasilis Kondis shprehet se në vitin 1907 Ismail Qemali kreu një takim me kryeministrin grek të kohës Jorgo Theotoqin, të cilit i paska premtuar dhënien e Vorio Epirit, por nuk arrin të sjellë asnjë argument në vërtetim të kësaj teze. Skuthat shqipfolës ngjiten fort pas fjalëve të Kondisit dhe nisin të çnderojnë historinë. Pikë së pari, le të argumentojnë ekzistencën e emërtimit Vorio Epir ose Epir i Veriut, i cili u përdor për herë të parë në vitin 1913 nga nacionalistët politikë grekë si starti i masakrave të egra mbi jugun dhe juglindjen e vendit. Epiri i Veriut është thjesht një nocion i formësuar nga bindjet fanatike të shovinistëve grekë për të justifikuar pretendimet e tyre territoriale ndaj Shqipërisë. Së dyti, përpjekjet e shëmtuara të skuthave shqipfolës dështojnë në labirintin e mashtrimit, pasi gazeta e shoqatës së arvanitasve botoi fjalën e Ismail Qemalit një ditë pas takimit të tij me kryeministrin helen, ku ndër të tjera ai thekson se jo vetëm që do të angazhohej me promovimin e çështjes shqiptare në Greqi, por “me pavarësinë e Shqipërisë do të caktoheshin kufinjtë historikë me shtetin grek”. Nëse do të marrim parasysh se kufinjtë historikë të Epirit të vjetër arrinin deri në bregun verior të ngushticës së Korintit në Greqinë qendrore të sotme, merret me mend se cili ka qenë rezultati i bisedimeve mes Ismail Qemalit dhe Theotoqit. Kështu vuloset me damkën e turpit edhe një tjetër idiotësi “akademike” që kutërbon era shovinizëm.

Janina ishte kryeqyteti i Shqipërisë së Poshtme, një qendër e madhe vilajeti e njëkohësisht një nga qytetet më të rëndësishme për anën perëndimore të shtetit osman. Ajo siguronte rrugën drejt vilajetit të rëndësishëm të Selanikut, portet tregtare e ushtarake të jugut shqiptar dhe linjën kryesore ndërlidhëse mes Stambollit e Adriatikut që ishte ngritur mbi themelet e vjetra të Egnatias, ndaj përbënte një nga prioritetet e politikës së ekspansionit që kishte iniciuar Athina zyrtare. Komiteti i Janinës i themeluar në vitin 1881 që synonte aneksimin e Epirit nga Greqia, i kryesuar nga kryepeshkopi Sofron; ndalimi i përdorimit të shqipes në një pjesë të konsiderueshme të Janinës e më gjerë në vilajet, si dhe vrasja në këtë qytet e patriotit Kadri Gjata nga bandat terroriste greke në vitin 1912 vërtetojnë suksesin e punës agjenturore e politike greke në dëm të Shqipërisë. Në tetor 1912 ushtria greke rrethoi qytetin e Janinës. Kjo e shqetësoi së tepërmi qeverinë e Vlorës, e cila fill pas shpalljes së pavarësisë kërkoi me çdo kusht mbështetjen e bejlerëve dhe pashallarëve shqiptarë për forcat mbrojtëse të qytetit, por thirrjes së Ismail Qemalit nuk iu përgjigj asnjë prej “borgjezëve” të kohës sepse shumë prej tyre kishin bërë marrëveshje të fshehta me grekët dhe të tjerë përpiqeshin të ruanin pronat e tyre në Greqi. Isamil Qemali dërgoi në Janinë Mehdi Frashërin që t’i kërkonte Esat Pashës, komandantit të mbrojtjes, ngritjen e flamurit shqiptar në qytet për të faktuar mbrojtjen e territorit të shtetit të ri shqiptar, gjë që osmanlliu Esat, edhepse me origjinë nga Gardhiqi i Çamërisë, e refuzoi prerë. Si kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Ismail Qemalit ministri i jashtëm grek kërcënoi me pushtimin me Vlorës nëse ndihmat ushtarake për Janinën do të vazhdonin. Pak ditë më pas, flota luftarake detare greke mbërriti në afërsi të Vlorës dhe preu kabllon telefonike që lidhte qytetin me Evropën.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 delegacioni shqiptar përcillte fjalët e Ismail bej Vlorës se “Janina ka një rëndësi jetësore për vetë ekzistencën e shtetit të ri shqiptar” dhe ndërkaq u paraqiste pjesëmarrësve në konferencë memorandumin me të dhënat konkrete për sanxhakun e Çamërisë dhe qytetin e Janinës duke kërkuar si kriter për përcaktimin e kufinjve gjuhën e cila flitej në familjet arbërore që përbënin shumicën e zonës, kulturën dhe qytetërimin shqiptar të banorëve të Çamërisë. Audienca diplomatike u vu në dijeni edhe të telegrameve drejtuar Ismail Qemalit ku luftëtarët vullnetarë theksonin: “…Ka tetë ditë që po përleshemi pa mëshirë me armikun deri brenda në qytet…Ata, grekët po dhunojnë nderin e grave, therin fëmijët në sy të nënave, çka s’e kanë bërë as barbarët e mesjetës…” Në ditën e zezë të 6 marsit 1913 trupat greke nën komandën e mitropolitit të Konicës Spiridon Vllehu, një nga arkitektët kryesorë të nismës së përgjakshme anti-shqiptare të vitit 1914 që çoi në shkretimin e Shqipërisë së jugut, pushtuan Janinën dhe dëbuan me dhunë prej andej rreth 10.000 shqiptarë, vullnetarë e civilë të ardhur nga Çamëria, Delvina, Gjirokastra, Tepelena dhe Vlora. Qindra shqiptarë të tjerë të zënë rob u dërguan në një kështjellë të vjetër në Konicë ku u lanë në kushte çnjerëzore. Shumë prej tyre vdiqën nga uria, etja e sëmundjet, të tjerë u masakruan barbarisht nga bajonetat greke. Konferenca e “kasapëve” në Londër, me këmbënguljen e përfaqësuesve të Anglisë, Francës e Rusisë, aleatëve të hershëm të mbretërisë greke dhe armiqve kryesorë të Italisë dhe Austro-Hungarisë, dy vendeve të suportit të fuqishëm europian për Shqipërinë e sapoformuar, ia aneksoi Janinën Greqisë. Ky vendim ndikoi në fatin tragjik të mijëra shqiptarëve të mbetur jashtë kufinjve shtetërorë, të cilët iu nënshtruan politikës së egër të asimilimit.

Dhe përballë gjithë fakteve tronditëse që ruan arshiva historike për themeltarin e shtetit dhe për një nga plagët më të mëdha të tij dhe të gjithë shqiptarëve të ndershëm, disa skuthë guxojnë të llomotisin, por kjo është marria e tyre: llafollogjia e skuthave na jep shtysë që të krenohemi për të shkuarën tonë, të mësojmë prej saj dhe të dimë të mbajmë lart idealin tonë si pishtar për gjeneratat e reja.

Sokol Ademi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit