-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Myfti – ky term duhet të hiqet nga fjalori

Më të lexuarat

Roald A. HYSA

“Pra o vllazën Muhammedan! Vëzhgoni me dërgue si delegat n’at kongres, njerëz tepër të dijshëm e të ndershëm, se për ndryshe do të tradhtoni Zotin e Pejgamberin edhe atdheun i cili nuk përmbahet vetëm se duke i dhanë bijve të tij një edukatë fetare e kombëtare; punë të cilën ka për ta siguruar ai kongres.”
Këto rreshta janë nxjerrë nga editoriali i gazetës “DAJTI”, me drejtor përgjegjës patriotin dhe rilindasin e mirënjohur H. Ibrahim Dalliu, i cili i këshillon publikisht të gjithë xhematin musliman shqiptar për të zgjedhur njerëz të ndershëm e të dijshëm për në Kongresin e Dytë të Xhamisë, i cili u zhvillua në ditët e qershorit 1925, dhe ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga të gjitha qytetet dhe krahinat shqiptare. Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme mbi funksionimin e rregullt administrativ të KMSH-së, si dhe për forcimin e punës dhe lidhjet e ngushta më pas me xhematin. Nën shembullin e Perandorisë Osmane drejtuesit e lartë vazhduan të emërtoheshin myftinj dhe zonat ku e shtrinin aktivitetin myftini. Mendoj se ky paralajmërim publik i Hafiz Dalliut për të pasur në krye të punëve njerëz të përkushtuar ndaj fesë dhe atdheut qëndron edhe sot, dhe do të qëndrojë edhe në ditët në vazhdim. Qysh atëherë ka rrjedhur shumë ujë dhe rrethanat politike e historike kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Rindërtimi i KMSH-së solli në funksion nëpërmjet statusit të këtij organizmi përsëri emërtimet myfti dhe myftini, të cilat në vetvete presupozojnë që mbartësi i titullit myfti të ketë një përgatitje të lartë fetare, e cila do t’i përgjigjej në mënyrë adekuate menaxhimit të territorit dhe të jetës shpirtërore për atë që myftiu duhet të mbulojë.
Fatkeqësisht për shkak edhe të rrethanave politike dhe luftës së ashpër që i është bërë dhe po i bëhet fesë në përgjithësi njerëzit me përgatitje të lartë fetare tashmë kanë ndërruar jetë (Paçin rahmetin e Zotit të gjithë ata që kanë kaluar). Barra e drejtimit të myftinive dhe mbajtja e titullit myfti ju mbeti njerëzve që nuk kishin përgatitjen e duhur. Po ashtu edhe shumë të diplomuar në botën myslimane me gjithë shkollimin e marrë nuk e kanë kaluar shkallën e një teologu të zakonshëm. Sidomos ky termi teolog po ju pëlqen më shumë si etiketë edhe hoxhallarëve vetë. Pa i hyrë shqyrtimit të hollësishëm të gjendjes ku ndodhemi vërejmë se figurat fetare apo të ashtuquajturit “myftinj” nuk janë gjë tjetër veçse teologë të shkolluar, të cilët kanë marrë përsipër përfaqësimin e xhemateve lokale dhe drejtimin e tyre shpirtëror. Deri tashti nuk kemi parë që kasta e re e hoxhallarëve të pas vitit 1990 të jetë në lartësinë e duhur, ashtu siç ndodhi edhe pas vitit 1944, kur hoxhallarët e vërtetë dhe myftinj të nderuar përfunduan burgjeve të komunizmit, u vranë dhe vdiqën burgjeve, sepse ia kishin thënë të vërtetën komunistëve qysh prej shumë kohëve. Ata nuk u pajtuan me të keqen dhe me asgjë që mund të ishte në dëm të fesë dhe të popullit shqiptar, Hafiz Ali Korça, Hafiz Dalliu, Hafiz Mustafa Varoshi, Hafiz Xhemal Naipi, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ali Kraja, Hafiz Musa Dërguti etj. Këta persona jo vetëm që patën kurajën civile të flisnin, porse e luftuan me dije përhapjen e komunizmit dhe vendosjen e tij në pushtet, gjë për të cilën më pas e paguan me jetët e tyre. Ata do të mbeten shembulli i një dijetari të vërtetë, që e di se ku do të shkojë në ditët më të vështira së bashku me xhematin e vet.
Shkalla e tyre e lartë vjen prej dijes së marrë dhe devocionit për fenë tonë të nderuar. Përkushtimi i tyre është i jashtëzakonshëm për vetë shembullin që lanë pas. Tashmë kemi një brez të tretë që i përkujton ata dhe veprat që lanë. Mirëpo kuraja civile dhe lufta e tyre nuk po shohim që të përsëritet dhe për këtë kur shohim figurat dhe paraqitjen e myftinjve të rinj, me shumë lehtësi dallohen diferenca të mëdha. Një pjesë e tyre mbajnë mjekra, një pjesë rruhen dhe vishen me kostume e të gjithë këta nuk i dallon nga qytetarët e thjeshtë, që ndjekin trendin e modës stinore. I dëgjon që predikojnë dhe fjala e tyre nuk të ngjall asnjë emocion, dhe nuk dyshojmë aspak në nijetin e tyre të mirë apo për sjelljet e tyre.
Por atë që nuk e kanë, NUK E KANË…
Për këtë unë nën emrin tim personal do të propozoja publikisht, që të hiqet për momentin nga fjalori emërtimi myfti dhe myftinia, dhe forma e organizimit të jetë me bashkësi të zakonshme. Emërtimi myfti duhet të hiqet nga fjalori, kur këtë titull të nderuar nuk munden ta mbajnë njerëz që nuk e kanë arritur gradën e myftiut. Shoqërisë tonë i mbetet si farz kifaje të edukojmë njerëz, që nesër të jenë të aftë për të drejtuar dhe të jenë në grada të larta të fesë. Fatkeqësisht asnjë në Shqipërinë e sotme nuk mund të themi se e gëzon gradën alim. Ndërsa edhe Kosova tashmë nuk e ka titullin myfti për organizimet lokale. Kurse shqiptarët e Maqedonisë megjithëse e kanë titullin e myftiut dhe prodhojnë nëpërmjet medresesë Isa beut kuadër të lartë, në shumë raste edhe atje ka pasur kontestime të vazhdueshme për njerëzit që e mbajnë këtë titull (Kosova dhe Maqedonia ndryshojnë në mënyrë drastike nga rasti i Shqipërisë).
Në Shqipëri nuk është mbyllur ende tranzicioni i bashkësisë myslimane, nuk ka ende në horizont një vullnet për të pasur një kongres të ripërtëritjes shpirtërore e fetare, ashtu siç e zgjidhi Xhemati Islamija më tre kongreset e viteve 1923-1925 dhe 1929. Për këtë e shoh të arsyeshme që titulli myfti duhet të hiqet nga përdorimi. Të gjithë ata vllezërit tanë e meritojnë t’i thërrasësh vetëm hoxhë, dhe nuk kam asgjë personale me ndonjërin prej tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit