Ushtria ruse u kërkoi forcave ukrainase në Krime të dorëzohen deri në orën 04:00 të mengjesit të se martës ose në të kundërtën do të vihen në shënjestër.
Burime të sigurisë së Ukrainës thanë se kreu i Flotës Detare Ruse të Detit të Zi, Aleksandër Vitko vendosi këtë afat dhe kërcënoi me një ofensivë në të gjithë Krimenë. Gjithashtu u kërkoi edhe dy luftë-anijeve të Ukrainës të dorëzohen, ose përndryshe do të sulmoheshin në orën 18:00 të së hënës. Megjithatë, kapiteni i një prej dy luft-anijeve i tha televizionit ukrainës se njerëzit e tij janë gati të luftojnë dhe nuk do të dorëzohen.
Agjensia ruse e lajmeve Interfax citoi një zëdhënës të Flotës Detare Ruse në Detin e Zi për ultimatumin drejtuar trupave ukrainase. “Eshte tërësisht i pakuptimtë, tha ai. Jemi mësuar tashmë me këto raportime të përditshme, që na akuzojnë se po përgatitemi për sulme ushtarake kundër kolegëve ukrainas. Nuk do të shkojmë drejt një përballje të tillë”.
Autoritetet ruse kanë deklaruar se mbrojnë të drejtat e njeriut në Krime, por kjo është dënuar fuqimisht nga Kievi, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore. Sic raportojnë mediat ndërkombëtare, Rusia është tani “de facto” në kontrollin e rajonit të Krimesë.
Parlamenti rus apo Duma, mund të miratojë një ligj që do të lejojë aneksimin e Krimesë. Një zyrtar amerikan tha se SHBA vlerëson se janë rreth 6000 ushtarë rusë, këmbësorie dhe detare në Krime dhe nuk ka asnjë diskutim se janë në pozicion për të pushtuar.
Ukraina në anën tjeter urdhëroi mobilizimin e plotë të ushtrisë për t’i bërë ballë ndërhyrjes ushtarake. Asnjë e shtënë nuk është dëgjuar në rajonin me shumicë rusisht-folëse, ku qeveria lokale është pro Moskës. Por, ndërkohë Shërbimi i Sigurisë së Kufirit në Ukrainë raportoi për disa sulme në pikat kufitare në lindje të Krimesë, përgjatë kufirit me Rusinë. Dhjetë baza ushtarake dhe detare të Ukrainës në Krime janë bllokuar nga persona të armatosur, sipas komandantit të sapocaktuar të forcave detare ukrainase, Admiralit Serhei Gaiduk. Paraardhësi i tij Denis Berezovski dezertoi në favor të trupave ruse në Krime.
Kryeministri Arsenji Jacenjuk tha më herët se cdo përpjekje për të marrë Krimenë, do të dështojë dhe u kërkojë aleatëve të mbështesin ekonomikisht dhe politikisht qeverinë e tij. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm për situatën në Ukrainë.
Zv.Presidenti amerikan, Joe Biden i kërkoi Rusisë të mbështesë planin për të zhvendosur vëzhgues ndërkombëtare në Ukrainë. G7 tërhiqet nga përgatitjet për G8, i caktuar në muajin Qershor në Soci të Rusisë, çka ndezi revoltën e Moskës.
Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se situata në Ukrainë është kriza më e madhe me të cilën po përballet Europa në shekullin e 21-të.
“Departamenti amerikan i Shtetit po përgatitet për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe po ecën drejt kesaj rruge”. Kështu ka shkruar në profilin e tij në Twitter, Mark Mardell, korrespondent i BBC-së për çështjet e Amerikës së Veriut.
Nga ana tjetër, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, shefja e Politikës së Jashtme të unionit, Catherine Ashton tha se, “organizata po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa zv/presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi kryeministrin rus, Dmitrij Medvedev për të shtuar izolimin politik dhe ekonomik nëse Rusia nuk lëviz për të zgjidhur situatën e krijuar”. Michael Mann, zëdhënësi Ashton, tha se ajo do të takohet të martën me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Llavrov dhe të mërkurën do të udhëtojë drejt Kievit./tch/kohaislame