Falenderimi dhe Lavdërimi i takon Allahut fuqiplotë, Krijuesit të botëve, Sunduesit absolut, paqa dhe shpëtimi i Tij qoftë mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin a.s., familjen e tij fisnike, shokët e tij besnik, dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij, deri në ditën e gjykimit.
Ai shpalli fenë e Allahut të Madhëruar, transmetoi mesazhin dhe përcolli amanetin ashtu siq iu besua, ua sqaroi njerëzve atë që i zbriti, ua qartësoi ligjet e Allahut , e kreu detyrën e tij derisa njerëzve ua plotësoi fenë e tyre, për t’ia kthyer njeriut krenarinë e humbur.
Të nderuar besimtar…..
Krenaria islame është gërshetim hyjnor që Allahu xh.sh. ia trasoi njeriut si rrugë, që me krijimin e tij, cilësi kjo që duhet të ruhet si atribut hyjnor, tek çdo musliman dhe muslimane, për ta arsyetuar dhuntinë hyjnore ndaj njeriut në këtë botë. Pra ne jemi ummet në të cilin Allahu zgjedhi krenarinë cilësi të tij, e si ne ta humbim krenarinë tonë, dhe të mbjellim me duart tona (veprat tona) përuljen, nënshtrimin dhe ngushëllimin. Ngritja dhe krenaria është veti e Krijuesit të njerëzve, Ai që ka krijuar dhe përsosur çdo gjë, i Cili ka gjykuar dhe udhëzuar njeriun, dhe se dritave të shkëlqesisë së Tij i mahniten mendjet njerëzore.: “Pra, falenderimi i qoftë vetëm Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të tokës, Zotit të gjithësisë! Vetëm Atij i takon lartëmadhëria në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, më i urti.” ( El- Xhathije:36-37)
E gjithë krenaria njerëzore është nënshtrimi i njerëzve ndaj Zotit të tyre, është nënshtrim ndaj të vërtetës, e jo nënshtrim ndaj gënjeshtrës, sepse e gjithë vërtetësia, pasuria dhe pushteti i takon vetëm Atij. Prandaj muslimani është natyrshëm krenar tek Zoti i tij, krenar me veten e vet, dhe fenë e vet, Kur’anin e vet dhe Vatanin e vet, nuk e pranon nënshtrimin asnjëherë, e as humbjen dhe të kotën..Kështu ishte i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. krenar, i butë, komunikativ, i përulur vetëm ndaj Allahut xh.sh. ballin lartë para gjithkujt , i matur në të folur,i arsyeshëm në vendime… etj. Sepse Allahu i Gjithëdijshëm e udhëzoi të ishte i tillë, edhe pse ai jetonte në rrethana shumë më të vështira se sa ne sot.
Nëse ndalemi dhe pyesim se me çka dhe si mund t’ia kthejmë Islamit krenarinë, atë mund ta gjejmë në konceptin e njëshmërisë në krijim , njëshmërisë në besim, njëshmërisë në libra të shpallur, njëshmërisë në moral, si dhe arritjen e vetëdijes shoqërore në baza të udhëzimit hyjnor që Allahu na e sqaroi në Kuranin famëlartë. Ky është koncepti i vijave të trasha të krenarisë Islame, e që në fakt mungon edhe si i tillë, kurse tani dëshiroj të futem në atë, se qfarë ne duhet të luftojmë në veten tonë që krenarinë t’ia kthejmë muslimanëve, e jo Islamit, sepse ai është me krenari të pa cenuar nga Krijuesi Fuqiplotë dhe Krenar…!
Islami ia ndalon muslimanit të plogështohet, nënshtrohet,apo të ndjehet i dobët, dhe e largoi nga zemra e tij shqetësimin dhe mosdisponimin në çdo situatë, i cili e lëndon prestigjin e tij dhe e ul pozitën e tij.
Krenaria apo mburrja dhe prestigji i muslimanit janë prej vetive më të shquara në të cilat e thërret Islami, të cilat i mbolli në gjenezën shoqërore të njeriut, që i miratoi në bazë të instruksioneve të shëndosha hyjnore. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: ” Kush e dëshiron krenarinë, ( le ta dijë) e tërë krenaria i takon Allahut, te Ai ngritet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon. E ata që pregatitin dredhira të këqija, për ata është një denim i rëndë dhe dredhira e tyre është e zhdukur.”( Fatir, 10)
Pra, të nderuar besimtar, në këtë aludonte edhe Omer Ibën Hattabi, me porosinë e vet: Dëshiroj prej njeriut, që pa drejtësisë t’i thotë me gojën plotë: Jo.” Sepse kështu e porositë thirrja pesë herë në ditë, duke thirr në madhërimin e Zotit Një, në fillim dhe mbarim të ezanit`! E pse përsëritet ky madhërim, dhe i ngërthen tërë veprimet e namazit, prej qëndrimit në këmbë dhe qëndrimi ulur? Me qëllim të bindjes së fortë të muslimanit, bindje e cila nuk luhatet dhe nuk devijohet, se çdo i madhëruar pos Allahut është i vogël, si dhe çdo një që tentohet të tregohet madhështor, pas Allahut, ai është i degraduar. Sikur kjo thirrje pra është obliguar, që t’i kthejë njerëzit në të vërtetën, sa herë që i bën të dështoj kjo botë, dhe i devijojnë kotësitë e saj të fshehta. Këto fjalë të bukura konfirmojnë madhërimin e Allahut xh.sh. nga besimtari me emrat e Tij të bukur : Ekber – më i Madhi, ElAdhim – i Madhi dhe ElAëla – më i Larti, që i përsëritë muslimani gjatë rukusë dhe sexhdes së tij, kështu që shpirti i tij mbushet me njëshmërinë e Zotit, Krijuesit , Furnizuesit, më të Lartit, Zotit të botëve, duke e madhëruar dhe përmendur Atë. E gjithë kjo njeriut i trason rrugën kah krenaria dhe e drejta e tij në veprim, në obligimet jetësore që i ka.
Të vepruarit mirë të bënë, që edhe armiku yt i përbetuar, të ketë frikë prej teje, sepse rruga e tij e devijuar, e bën atë të frigohet edhe nga e vërteta. Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë thotë: ” Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira ( xhenneti) e edhe më tepër (e shohin Allahun). Fytyrat e tyre nuk i mbulon dheu i zi, as nënçmimi, ata janë banues të Xhennetit, aty janë përgjithmonë. E ata që bënë të këqija, dënimi i së keqes është aq sa është ajo, ata i mbulon poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbroj kush nga Allahu, fytyrat e tyre sikur t’i kishte mbuluar ndonjë copë e errët e natës. Ata janë banues të përhershëm të zjarrit.” ( Junus 26-27)
Pra, Islami , kur e porositi muslimanin për krenari, e udhëzoi edhe në shkaqet e saj, ia trasoi dhe lehtësoi rrugët e saj, si dhe ia bëri të qartë se, prestigji, ngritja e tij është në devotshmëri, lartësia është në adhurim, dhe se krenaria është në nënshtrueshmërinë ndaj urdhërave të Allahut xh.sh., për të jetuar në paqë dhe lumturi.
S’do mend se i gjithë ky elaborim i krenarisë Islame, apo thënë më ndryshe, të kuptuarit e drejtë të krenarisë Islame tek muslimanët, është i natyrshëm dhe atë duhet ta gjejmë në zbatimin e dispozitave të tij, duke ju qasur udhëzimit në të besuar të vërtetë dhe mënyrës së jetës autentike islame.
Çfarë duhet të zbatojmë që t’na kthehet krenaria e humbur ?
Nëse i qasemi historikut të së kaluarës 1300 vjeqare, të sundimit të muslimanëve në botë, khalifatit – periudhave të ndryshme historike para nesh, shohim se muslimanët kanë qenë më të pasur, në të kuptuarit e sheriatit, më kompaktibil në të, dhe gjithashtu në të praktikuarit e tij. Edhe rrethanat jetësore ndryshonin, por nuk është i gjithë defekti i paraqitur tek muslimanët në mënyrën e jetesës, por në të praktikuarit që ia lejon sheriati, dhe devijimi në të kuptuarit rrënjësor të Islamit. Në këtë kontekst do mundohem t’i përmendi çështjet më delikate të paraqitura në shoqërinë islame sot, e që duhet t’i njef në hollësi xhemati ynë, çështje parësore të suksesit dhe krijimit të një imazhi esencial Islam, tek masa jonë muslimane dhe tek ajo jo muslimane.
A thua, këtë që po e themi është marrje me vetvetën, apo kthyerje kah krenaria jonë e humbur, me humbjen e besimit tonë në baza esenciale te besimit, që shpesh herë besimtari musliman paraqitet si njeri i vrazhdë, apo njeri që nuk kupton esencën e islamit, por vetëm ato dytësoret, dhe se tek shumica e njerëzve kuptohet, se ky qenka njeri i interesit personal-egoist, dhe jo ai që duhet ta përmirësoj veten dhe të tjerët,.apo thënë ndryshe jo me ato ideale të cilat ia caktoi Allahu i Madhëruar në zbatimin e sheriatit- dispozitave islame, të paktën kështu paraqitet në mediat botërore,apo politikat udhëheqëse të botës sot.
Allahu i Madhëruar na e ka bërë të qartë burimin e dritës dhe të udhëzimit gjatë jetës së Pejgamberit a.s., si dhe pas vdekjes së tij, me qëllim që drita e këtij mesazhi të ndriçojë çdo gjë, flamuri i tij të jetë i ngritur deri në Ditën e Gjykimit, uniteti i besimtarëve të mos prishet dhe zemrat të mos përqahen. Në lidhje me këtë Allahu xh.sh. thotë: ” Bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju”. (En-Nisa’u:59) Përgjegjësit e këtij ajeti janë, besimtarët në dispozitat hyjnore, të Allahut xh.sh., respektimi dhe zbatimi i tyre dhe i sunnetit konsekuent, dhe përgjegjësit kryesorë janë dijetarët e aftë që mund të nxjerrin përfundime konkluzash.
Pra, ummeti musliman, është ummeti më i fortë në tokë, sepse nëse do t’i ndodhte ndonjë populli në botë ajo çka i ka ndodhur muslimanëve, do t’u zhdukte nga faqja e dheut, por ne prapë se prapë jemi faktor i rëndësishëm i botës mbarë, edhe pse të dobët dhe të kundërshtuar nga çdo anë, ne qëndrojmë ende faktor i rëndësishëm në botë…. Allahu xh.sh. thotë në Kur’anin famëlartë: “Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë,t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues.Dhe atyre t’u japim pushtet në tokë…”( Elkasas:5-6) Nga kjo kuptojmë se bashkimi i ummetit tonë është qëllimi parësor në jetë, dhe marrja e përgjegjësive dhe pushtetit, nga mizorët, të padrejtit, të korruptuarit, ata që kundërshtojnë kushtetutën hyjnore të Kur’anit famëlartë,…etj. Me këtë Allahu i madhëruar dëshiron që ta ngrisë ummetin më të mirë gjatë historisë, jo për t’i kundërshtuar popujt tjerë, por, edhe njëherë për ta vërtetuar, besimin drejtësinë , korrektësinë, barazinë në tokë, siq e bëri ky ummet për 1300 e ca vite, gjatë sundimit Islam; e në tokë mbretëronte qetësi, dhe barazi…Dhe jeta ishte shumë më e mirë se sa kjo sot, e që besimet, fetë, nuk kanë qenë asnjëherë më të lira dhe të qëndrueshme, se sa në atë periudhë! Edhe pse kishte gabime, konsiderohet periudha më e lumtur e jetës në tokë…!
Të nderuar besimtarë; ejani pra, të mendojmë në bashkimin dhe unifikimin e mendimeve në çështje bazike dhe sekondare, në bashkimin e forcave tona, pasurisë sonë, qëllimeve, aspiratave tona, për të sendërtuar dhe rikthyer krenarinë tonë të humbur, ta ndryshojmë vetveten tonë që Allahu ta zbret mëshirën dhe fuqinë e fitores sonë.!
UNIFIKIMI I DISPOZITAVE NË TË KUPTUARIT E KOHËS DHE VENDIT NË RAPORT ME FARZIN DHE SUNNETIN
Është obligim i dijetarëve të (Usulijinëve)bazave islame, që të qartësojnë dispozitat themelore, dhe ato dytësore, ashtu siq ishte për brezin e parë, dallimi i dimensioneve kohore dhe vendore, si dhe vërejtja e veqorive të etapave dhe situatave të tyre ne çështjen e të kuptuarit të veprimeve, të Muhamedit a.s. , aprovimeve të tij dhe natyrës së tij si njeri dhe gradën e kësaj natyre. Për këtë atëherë ata vendosën disa rregulla. A mundet që dijetarët të vendosin rregulla të tilla për sa i përket thënjeve të Muhamedit a.s. dhe si? Mendimet e ndryshme ndërmjet një çështje të pjesshme të cilën e cek juristi dhe një çështje ideore të cilën e cek mendimtari apo filozofi, dhe anës shoqërore të cilën e cek sociologu çojnë në domosdoshmërinë e gjetjes së disa metodave për të kuptuarit e Sunnetit dhe trajtimit të tij.P.sh. Hadithi i cili cek një çështje të pjesshme me të cilën merret juristi, ndryshon nga hadithi i cili cek një çështje shoqërore të përgjithshme, për njohjen e të cilit duhet njohur çdo anë që ka të bëjë me sociologjinë. Si mund t’i rikthejmë muslimanit të kuptuarit dhe vizionin e përgjithshëm me rregullat e tij? Kur dihet se sot janë të gjitha mundësitë për mbledhjen e Sunnetit dhe njohjen e transmetuesve të tij. Kërkimet studimore në shkencat e shumta Kur’anore, dhe dialogu i përbashkët në tryeza dhe simpoziume shkencore , gjë që zgjedhin problemin e ndryshimeve thelbësore konceptuale tek muslimanët, etj.
Pra, Sunneti si bazë e dytë e Sheriatit është identifikuar si metodikë kryesore e zgjedhjes së problemeve të ummetit, me baras peshën e tij, sepse ai ekuilibron mes shpirtit e trupit, mes mendjes dhe zemrës, mes kësaj bote dhe tjetrës, mes ideales dhe reales, mes teorisë dhe praktikës, mes lirisë dhe përgjegjësisë, mes vetjakës dhe asaj që është e përbashkët, e jo si inicuese e përqarjes dhe grupimeve ndër besimtarët. E që sot fatkeqësisht në arenën islame në përgjithësi, e në atë arabe në veçanti, mbizotrojnë një mori çështjesh negative të cilat përbëjnë një nga pjesët e krizës së mendimit bashkëkohor islam, të cilat shfaqen në mënyra të ndryshme. Keqkuptimi i Sunnetit ka rezultuar në shkëputjen e lidhjeve mes grupeve të ummetit, sundimi i shpirtit konfliktuoz me të gjitha llojet e tij, ideore, sociale, grupore, medh’hebore duke shtuar edhe atë politike dhe ngjalljen e ideve përqarëse mes besimtarëve, apo krijimi i ideve të tilla në raste nevoje, humbja e lidhjeve shoqërore dhe territoriale, sundimi shpirtit egoist, kanë bërë që sot besimtarët musliman të jenë të paralizuar dhe të sunduar nga të tjerët, për shkak të neglizhencës, humbjes së iniciativës, dëshira për të paragjykuar negativisht, humbja e shpresës, mos besimi në sukses, mos interesimi për punë efektive me të tjerët. Dëshira për të formuar grupacione- lëvizje, forume – OJQ-të etj.,janë stil modern i përqarjes së ummetit, përkufizimi i çështjeve dhe mos institucionalizimi i tyre, të qenurit jo objektiv me realitetin e problemeve shoqërore dhe lidhjen e tyre me historinë jo reale, pranimi i gjërave pa i verifikuar, ose gabimisht të konceptuara, etj., janë mënyra më devalvuese e vlerave të Ummetit Islam gjatë gjithë historisë.
Çka duhet të pranoj muslimani sot, e çka të kundërshtoj? Të nderuar vëllezër xhematlinjë, tani do përmendim mënyrën e mundshme të suksesit tonë në jetë, që është shumë e thjeshtë dhe praktike, që e gjejmë në mesin tonë, në librin dhe sunnetin tonë, në ibadetin dhe devotshmërinë tonë, thënë më thjesht, në përditshmërinë tonë Islame. Sa për ilustrim do e përmendim një thënje-hadith të Muhamedit a.s. kur i dërgoi Ebu Musain dhe Muadhin për në Jemen, i porositi shumë shkurtë por shumë qartë e me domethënje: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni e mos largoni, bindjuni njëri tjetrit e mos u kundërshtoni”. ( Hadith unanim). Fletë për shpalljen e tij duke thënë: “Unë jam dërguar me fenë e drejtë dhe tolerante” Pra Sunneti i Muhamedit a.s. është metodologji e hollësishme për jetën e muslaimanit që përfaqëson Kuranin e interpretuar dhe Islamin e trupëzuar e korrektësinë e tij.
1- Largimi nga devijimi dhe ekstremiteti
Gjatë gjithë historisë shohim se njerëzit kanë devijuar nga teprimi dhe fanatizmi- ekstremiteti i pa nevojshëm, si rrjedhojë e të larguarit nga mesatarja e cila është synim i kësaj feje, si rrjedhojë e të larguarit nga lehtësimi dhe toleranca për të cilën dallohet sheriati Islam, për të mos tepruar në fe. Në Kur’anin famëlartë Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: O ithtarë të librit, mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos shkoni pas epsheve të një populli para jush që ka humbur dhe që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që u largua nga rruga e vërtetë.” (El-Maide:77) Edhe Muhamedi a.s. thotë në transmetimin e Ibn Abasit: “Kini kujdes nga teprimi në fe, sepse nga teprimi në fe u shkatërruan ata që ishin para jush.” Në një transmetim tjetër thotë: ‘Të shkatërruar e të humbur janë ata tepruesit”.
Pra, të kihet prasysh mesatarja dhe objektiviteti, që mos të teprohet as në ibadet, as në aspektin material, e as në atë shoqëror e social, që njerëzit të jetojnë në harmoni shpirtërore dhe materiale për një zhvillim të jetës konform dispozitave hyjnore. Sepse në të nuk ka arrogancë, nëpërmjet të cilës mashtruesit përpiqen të fusin në këtë metodologji hyjnore atë që s’është prej saj dhe t’i mveshin asaj risi dhe bidate të cilat nuk i pranon natyrshmëria e saj, i refuzon ideologjia e tij, nuk i pranojnë bazat dhe degët e tij, e aq më pak metodika pejgamberike e Muhamedit a.s. Marrja me cështjet e dorës së dytë, cektësia intelektuale dhe mungesa e logjikës fetare, shfaqen në cështjet e imëta dhe të dorës së dytrë në kurriz të atyre kryesore , të cilat janë të lidhura me identitetin, dhe fatin e krejt Ummetit. Polemika të tepërta dhe të panevojshme , për mbajtjen e mjekrrës, për veshjen e rrrobave mbi nyjen e gishtave të këmbës, daljes në fotografi etj., kur ne fatkeqësisht në anën tjetër kemi me qindra ajete të Kur’anit dhe dispozita që nuk zbatohen, si në anën rituale, ashtu edhe në atë materiale, harrohen dhe shpenzohen koha dhe paraja, për atë që është sekondare dhe shumë herë edhe e pa vlerë, nëse në të nganjëherë mund të ketë vlerë, thënie e vërtet që ka për qëllim të keqen ( të pa vërtetën). Të nderuar besimtar, të largohemi nga përqarja dhe ekstremiteti, sepse tepruesit në fe shkatrrojnë ardhmërinë e popullit të vet, të lidhemi me nyjën e Akides-besimit tonë, nyjën më të fortë dhe më të shtrejtë të jetës sonë. Të vëllazërohemi sepse Allahu thotë :”Besimtarët janë vëllezër…” e vëllazërimi është vëlla i imanit, kurse ndasia është vëlla i kufrit, si dhe fuqia kryesore është fuqia e bashkimit. Nuk ka bashkim pa dashuri, e dashuria më e thjeshtë është pastërtia e gjoksit, kurse më e larta shkallë është shkalla e përparimit. ” Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuarit..” Vëllau i vërtetë i sheh vëllezrit e vet më të nevojshëm se vetvetja e tij, sepse nëse nuk është me ta, nuk mund të eksiztoj pa ta, kurse ata nëse nuk janë me të, do të ekzistojnë me dikë tjetër ( edhe nëse devijojnë).
2- Largimi nga koncepti i gabuar i ndërmjetësimit
Në jetën tonë të përditshme tek disa besimtarë musliman fatkeqësisht ende shohim njolla të shirkut- rivalitetit, e që vërehet qartë për idhujtarinë e dukshme, siq është shirku i vogël që nënkupton disa mëkate të cilat kundërshtojnë besimin e vërtetë, dhe këtë e hasim në disa hadithe të Muhamedit a.s. p.sh. ku thotë: ” Ai që betohet në diqka tjetër përveq Zotit, bën shirk”.Kurse në hadithin tjetër thotë: ” Ai që mban hajmali, bën shirk”. Kështu qëndron edhe tek cështja e kufrit : kemi kufër të madh, qoftë thelbësor apo aksidental, e ata janë , ateistët, natyralistët që mohojnë ekzistimin e Zotit të Madhëruar, ata të cilët e pranojnë Islamin por jo edhe Pejgamberllëkun e mesazhin hyjnor, dhe ata të cilët besojnë në disa Pejgamberë e në disa jo. Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar thotë: ” Kush nuk i beson Allahut engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarëve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg”. ( Nisaë, 136)
” Bënë kufër (mohuan të vërtetën) ata që thanë: Allahu është ai, Mesihu, bir i Merjemes.E vet Mesihu (Isa)tha: O Beni Israilë, adhurone Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, sepse ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vend ii tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës”. (Maide, 72)
Kurse kufër aksidental është ai i tradhtarëve- murtedëve të fesë (apostatëve) të cilët dalin tërësisht nga Islami dhe veprojnë plotësisht në kundërshtim me parimet e tij. Për ata thuhet e kanë ndërruar fenë e tyre. Kufri i vogël nënkupton mëkatarin i cili mund të bëjë kufër. Ky lloj mëkatarësh janë njerëz që bëjnë gabime indirekte si p.sh. Mëkatari i cili u ngjason veprave të pabesimtarëve … mohimi i të mirave dhe dhuntive të Allahut xh.sh. që janë mohues të asaj që e zbriti Allahu xh.sh. etj. Këtu mund t’i përmendim disa hadithe të Muhamedit a.s. ku thotë: ” Sharja e muslimanit është mëkat, kurse të luftuarit kundër tij është kufër”. ( trans. Ibn Mes’udi) ” Pas meje mos u shndërroni në pabesimtarë e të vritni njëri tjetrin”. (trans. Ibën Umeri) ” Mes njeriut dhe mes shirkut e kufrit është lënia e namazit”. ( trans. Xhabir Ibën Abdullahi) ” Dallimi mes nesh dhe atyre është namazi dhe ai që e lë, bën kufër”. ( trans. i Ahmedit etj.) ” Mos i refuzoni etërit tuaj, e ai që refuzon të jatin e vet, bën kufër”. ( Ebu Hurejre)
Këta shembuj dhe thënie të Muhamedit a.s. na japin të kuptojmë dallimin dhe vërtetësinë Islame në të besuar, si dhe të larguarit nga cfarëdo ndërmjetësimi, qoftë ai në besim, apo mbështetje në dicka përvec në Allahun xh.sh., në cfarëdo rrethanash që jetojmë, duke e ditur se Allahu është krijues, i shkaqeve të mirëfillta të jetës në këtë botë.
3- Largimi nga dyftyrësia dhe tradhtia
Kjo që u tha për kufrin mund të thuhet edhe për dyftyrësinë, e cila gjithashtu ndahet në dy lloje: dyftyrësia e madhe që ka të bëjë me besimin dhe dyftyrësia e vogël që ka të bëjë me veprat.
Dyftyrësia në besim nënkupton deklarimin e besimit me gojë dhe me disa vepra praktike, ndërsa në brendi fshihet pabesimi në Zotin dhe në të dërguarit e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: ” Ka disa njerëz që thonë: Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër, po në realitet ata nuk janë besimtarë.Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe at që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetërpos vetvetës, por at nuk e hetojnë”. ( Bekare 8-9)
Dyftyrësia në vepra nënkupton sjelljen praktike të hipokritëve por në zemër besohet në Zotin një , në Pejgamberin e Tij dhe në botën tjetër. Rreth kësaj cështjeje ka shumë hadithe të sakta, si p.sh.: ” Shenjat e hipokritit janë tri, kur flet, gënjen,kur premton , nuk realizon, kur i besohet diqka, tradhton”. (Trans. unanim) Të nderuar besimtarë ndër faktorët kryesor që shkaktojnë përqarje në shoqëri është largimi i njerëzve nga esencialiteti Islam, nga cështjet e rëndësishme, nga ëndrrat e mëdha dhe nga shpresat e gjëra, për t’u përqëndruar në cështje të vogla, dhe shpeshherë bien në konflikt për asgjë. Njerëzit më së shumti i bashkojnë problemet e përbashkëta dhe konfrontimi me armikun e njëjtë. Ndërsa kur të clirohen nga problemet e mëdha, thellohen në detin e polemikave për cështje dytësore, ose për cështje margjinale të besimit.
Tradhtia dhe devijimi nga rruga e vërtetë është të përdoren ofendime të ashpra dhe nëncmime të rënda në cështje që dihen se nuk qëndrojnë në realitet, për cështje që mund të komentohen në disa mënyra, për ata që të respektojnë, apo së paku që janë njerëz që i konfirmojnë horizontet e gjëra të kësaj feje. Për këtë dijetarët dhe mendimtarët muslimanë kanë qenë të obliguar që ta drejtojnë masën e gjërë islame nga problemet e mëdha, dhe rreziqet që i kanosen këtij ummeti nga dyftyrësia, shirku, kufri dhe humbja nga ekstremiteti i pa nevojshëm. Nëse kihen parasysh këto negativitete me qasje më serioze për largimin e tyre nga ky ummet, atëherë do të rikthehet krenaria e humbur dhe rizgjimi ynë Islam, e që Islami mos të akuzohet si faktor i prapambeturisë dhe devijimit, e që dihet fare mirë se ai sot nuk aplikohet fare në jetë, qe një shekull tek muslimanët, vetëm se në mënyra dhe organizime private të pa centralizuara në qeveri dhe popuj.
NË CILAT CILËSI NA DUHET PËRQËNDRIMI MË I MADH ?
1-Besimi në parimet e moralit hyjnor – shembulltyrë e muslimanit
Edhe pse definimi i moralit tek shumë njerëz kuptohet në mënyra të ndryshme, ne kemi për qëllim moralin Islam të praktikuar në jetë, duke dhënë rezultatet legjislative të tij në familje dhe shoqëri, në shkollë dhe qeveri, në luftë dhe liri, si dhe në çdo pore të jetës, të bazuara në Kur’an dhe Sunnet, që muslimani të udhëzohet në vlerat të cilat ia plotësojnë atij fenë dhe ia rregullon jetën në të dy botërat, siq ishte edhe në periudhat e kaluara të sundimit të shtetit Islam. Pejgamberi i Islamit e ka përcaktuar qëllimin e dërgimit të tij dhe metodologjinë e qartë të misionit të tij, me fjalët: ” Me të vërtet jam dërguar t’i plotësoj virtytet e moralit”. (trans. Maliku) Për t’u plotësuar këto virtyte duhet të ruhen vlerat hyjnore për të ndricuar horizontet e përsosmërisë, ashtu që të ecin në të me dituri dhe moral shembullor. Të ruhen ritualet e miratuara në Islam, të cilat konsiderohen kondita të besimit, duke u larguar nga dogmatizmat dhe bestytnitë e të kaluarës dhe të sotmes, duke konfirmuar parimet e moralit hyjnor, që njeriu të pajiset me vlera të shëndosha dhe të jetë konsekuent në këto vlera. Sepse, feja jonë Islame nuk është vetëm besim, por është rregullim dhe program i jetës në bazë të legjislacionit të tij, bashkim i fesë dhe ligjit, i edukimit dhe fuqisë, idealit dhe interesit, bashkësisë shpirtërore dhe shtetit, vullnetit dhe detyrimit, të lejuarës dhe të ndaluarës, që të plotësohet feja apo Islami kuptim plotë. Musimani nuk guxon të egzistoj si individ në vete, egoist dhe vetjak, por të krijojë mjedisin, shoqërinë dhe rregullin jetësor, për të argumentuar atë që e beson, atë cfarë e mëson Kurani famëlartë.
Për t’i dhënë kuptim këtyre parimeve të moralit islam, besimtari musliman sot duhet të mendoj në zanafillën e zgjedhjes së problemeve, dhe në qëndrimin e tij në shoqëri të mirëfilltë, e jo në gjëra të dorës së dytë, polemika që humbin kohën pa nevojë, që rezultojnë në hargjim të energjisë në adresë të gabuar, kur Islami është në shënjestër të armiqëve për ta kompromituar atë, për t’ia humbur kësaj feje karakterin hyjnor e historik.
Morali nuk është luks pa të cilin mund të jetohet, por ai është esenca e jetës të cilën e pranon feja dhe i respekton bartësit e tij. Për këtë, Islami i përmblodhi vlerat dhe i nxiti ithtarët e tij që t’u përmbahen atyre një nga një. Ne do t’i përmendim disa cilësi dhe vlera në të cilat besimtari musliman duhet të kthehet, për t’ia kthyer vetes dhe fesë së vet krenarinë e humbur.
2- Thesari i mirësisë – Korrektësia
Dihet se Islami gërshetoi në tiparet e besimtarit, cilësitë shpirtërore dhe materiale, në adhurim ndaj Allahut xh.sh. dhe kërkoi korrektësi në të. Allahu xh.sh. krijoi qiejt dhe tokën me drejtësi, e po ashtu kërkoi prej njerëzve që ta ndërtojnë jetën e tyre mbi drejtësi, ashtu që të flasin vetëm drejtë dhë të punojnë vetëm drejtë dhe korrekt. Korrektësia në cdo cështje dhe gjykim , është shtyllë e fortë e karakterit të muslimanit dhe mbrojtje konstante në jetën e tij, për të krijuar një shoqëri Islame që ngritet mbi luftimin e paragjykimeve, dyshimeve dhe flakjen e dezinformatave. Muhamedi a.s. thotë: “Lëre atë që të vë në dyshim, dhe kapu për atë që nuk ke dyshim, korrektësia është qetësim, kurse gënjeshtra dyshim.( trans. Tirmidhiu) Korrektësia në fjalë dhe punë, është esenca e suksesit të njeriut, kur dihet se pa të, njeriu humb vlerat e moralit, si dhe pozitën e tij në shoqëri, dhe rrethi i dëmit është më i madh, nga vrazhdësia e gënjeshtrës dhe mos korrektësisë. Të kësaj kategorie janë gënjeshtrat e pushtetarëve ndaj popullatës, sepse gënjeshtra e folësve është e larmishme dhe e njohur, Muhamedi a.s. thotë : “Tre lloj njerëzish nuk do të hyjnë në Xhenet: Plaku i cili bën amoralitet, udhëheqësi gënjeshtar dhe varfanjaku mendjemadh”.(trans.Bezari)
Transmetohet prej Ibën Ebu Eufas, se një njeri e nxori një mall në treg dhe u betua në Allahun, që ta mashtrojë me të një musliman, me cka arriti cmim sa me asnjë tjetër, andaj zbriti ky ajet: ” Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë në botën tjetër, dhe në Ditën e Kjametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve) ata kanë një denim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
3- Sinqeriteti
Njeriu është i krijuar nga disa tipare të brendshme dhe të jashtme, që e motivojnë në punën e tij, disa prej tyre gati shihen, gjatë veprimit të tij, e disa nuk shihen, janë të mbyllura në thellësitë e shpirtit. Instiktet e tij janë kriteret e sjelljes dhe lëvizjes së përgjithshme, që ai mund të shpreh dashurinë ndaj vetes, kërkimin e shpëtimit, lakminë e tij ndaj pasurisë, animin e tij kah mburrja dhe dominimi në shoqëri etj. Nëse në cdo veprim i cili shfaqet, mungon sinqeriteti në të, dhe humb qëllimi i shëndoshë, atëherë tek njerëzit edhe nëse konsiderohet i suksesshëm, tek Allahu është i humbur, dhe ai veprim shëndërrohet në mëkat.P.sh. Namazi me hipokrizi është krim, dhe pasi e ka humbur shpirtin e sinqeritetit, është shëndrruar në formë të vdekur,në të cilën nuk ka dobi, po ashtu edhe Zekati; nëse ai jepet me zemër bujare , për hirë të Allahut xh.sh., do të pranohet tek Ai, përndryshe, ajo është vepër e pa vlerë. Allahu thotë: ” Pra shkatërrim është për ata që falen. Të cilët ndaj namazit të tyre janë të pa kujdesshëm…(Elmaun 4-5) Kurse në ajetin tjetër thotë: ” O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim, siq bënë ai që jep pasurinë e vet sa për sy e faqe të njerëzve…”( Elbekare 264)
4-Zbatimi i premtimit
Gjithashtu zbatimi i premtimit është një segment i rëndësishëm i jetës së muslimanit, që duhet të plotësohet, kur e jep premtimin duhet ta zbatojë atë. Kur të lidhet një kontratë duhet zbatuar ajo që është e shkruar, apo e deklaruar, para dëshmitarëve.Prej besimit është që muslimani të qëndrojë në fjalën që e ka thënë. Ndërsa, nuk lejohet që njeriu të jetë këmbëngulës në zbatimin e një betimi, kur mos zbatimi i tij është më i preferuar, nëse ndryshon interesi i përgjithshëm dhe anët pozitive janë dominuese. Në një hadith thuhet : Më e rëndë te Allahu i Madhëruar është që të hyjë dikush prej jush me betimin e vet në familje, se sa ta japë kompensimin të cilin ia obligoi Allahu i Madhëruar.” ( trans.Buhariu) Në Kur’anin famëlartë Allahu thotë: ” …dhe zotimin e dhënë Allahut plotësonie. Këto janë me çka Ai ju porositë kështu që të përkujtoni.” (Elenam,152)
5- Siguria nga urrejtja
Shkalla më e lartë e qetësisë tek njeriu është që zemra e tij të jetë e pastër nga urrejtja dhe brengat e e tij, zemra e shëndoshë e larguar nga cytjet e shejtanit, dhe shpirtëligësisë, ndaj begative tek të tjerët. Zemra e besimtarit duhet ta ndjejë të keqen dhe të mirën në realitetin e sajë, kur e sheh një njeri se e ka gjetur një e keqe, i vjen keq për të, dhe i lutet Zotit t’ia largoj atë. E nëse e sheh ndonjë të mirë tek ai, i lutet Zotit t’ia shtojë atë. Muhamedit a.s. i thane: O Pejgamber i Allahut; cilët janë njerëzit më të mirë? Tha: çdonjëri që ka zemër të qetë dhe është korrekt. I thanë : korrektin e dimë, e cili ka zemër të qetë? Tha: Ajo është zemra e devotshme dhe e pastër, në të cilën nuk ka mëkat dhe ligësi, nuk ka tradhti dhe zili.” ( trans.Ibën Maxhe)
6- Butësia
Çdo çështjeje Islami i ka caktuar kufijtë e arsyes, që njeriu mos të kaloj në shkallët e cmendurisë, dhe të dominoj hidhërimi në vendimet e tij, deri në shkallën më të ulët të nënçmimit, e deri tek derdhja e gjakut. Ndërsa butësia është përcaktim hyjnor, që përmes saj njeriu ngjitet në horizontet e shpresës dhe të suksesit, e assesi përmes arrogancës dhe hidhërimit. Kjo cilësi na i kujton edhe të dërguarit e Allahut Fuqiplotë, që përmes saj arritën t’i kundërvihen nxitimeve dhe arrogancës së njerëzve të cekët. Pra, ne e kemi obligim të pajisemi me të, që të jemi të arsyeshëm, e jo arrogant dhe teprues në vrazhdësi.
7- Bujaria
Prej cilësive me të cilat muslimani duhet të mburret është bujaria e dëshmuar gjatë gjithë historisë Islame, që nga ditët e para të krijimit të shoqërisë Islame, e deri në ditët e sotme. Sepse Islami është fe e dhënies dhe ndarjes së pasurisë, për t’ia bërë të dashur njerëzve shpirtëgjërësinë, dorëdhënien dhe bëmirësinë. Allahu xh.sh. në lidhje me këtë thotë: ” Ata, të cilët pasurinë e vete shpërndajnë ( në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë të Zoti i tyre dhe për ta nuk ka frikë, as pikëllim.” (El-Bekare:274)
8- Durimi-Sabri
Durimi është arma kryesore e mbrojtjes nga pësimi, kur njeriu është shumë afër suksesit dhe mund ta humbë atë nga mos durimi. Kur njeriu është në krizë dhe depression, durimi është ai që muslimanin e mbron nga pesimizmi. Muhamedi a.s. thotë: Durimi ëhtë shkëlqim. (trans. Muslimi) atëherë kur besimtari sprovohet, duhet të duroj ndaj asaj që i ka ndodhur. Allahu xh.h. na ka bërë me dije se në këtë botë do të sprovohemi, deri në sukses… “Ne do t’u sprovojmë juve, derisa t’i njohim luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do t’i sprovojmë veprat tuaja.” (Muhammed :31) Në kaptinën tjetër Allahu thotë: ” …po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.”(Ali Imran:186)
9- Ndershmëria
Kemi përmendur se Islami i bashkon kërkesat trupore e shpirtërore, dhe ndërpret dominimin e njërës ndaj tjetrës, me ekuilibër specifik të jetës së njeriut në këtë botë, nuk anon as kah asketizmi i thellë as kah materializmi i tërbuar. Islami Preferon ndershmërinë dhe maturinë, që muslimani të jetë qenja më fisnike, duke e ruajtur nderin e vet dhe të familjes së tij, e që luksi i kësaj jete mos të jetë preokupim, duke besuar që për cdo vepër të mirë do ta gjejë shpërblimin në këtë dhe jetën tjetër… Muhammedi a.s. ka thënë: “Frikohem për ju për epshet djallëzore në barqet dhe organet gjenitale, dhe devijimet hamendëse.” {Transmeton Ahmedi}
10- Vëllazërimi, etj.
Vëllazërimi është vëlla i imanit, kurse ndasia është vëlla i kufrit, e që nuk ka arsye që njerëzit të jetojnë të ndarë e të armiqësuar, sepse qëllimet jetësore të kësaj bote i afrojnë njerëzit, të bazuar në logjikën e realiteit dhe ndjenjave të shëndosha, aty ku ka sinqeritet dhe dashuri të mirëfilltë. Feja jonë lufton egoizmin tiran, me vëllazërinë e drejtë, që t’i tregoj njeriut se ai nuk guxon të jetojë i ndarë, por duhet të krijoi shoqëri vëllazërore, të qëllimeve të njëjta. Pejgamberi ynë a.s. thotë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën pa drejtësi dhe nuk e dorëzon. Kush i ndihmon vëllaut të vet, Allahu do t’i ndihmojë atij, kush ja largon muslimanit një brengë, Allahu do t’ia largoj një brengë prej brengave të Ditës së Gjykimit. E kush i mbulon turpet e një muslimani, atij do t’ia mbulojë Allahu në Ditën e Gjykimit.” (transmeton Buhariu dhe Muslimi) Pra kjo është vëllazëria e besimit, e jo e fiseve apo grupeve etnike, por vëllazëria për hirë të Allahut, e për këtë në Kur’an thotë: “Ska dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kinie frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar.” ( El-Huxhurat: 10)
Të nderuar vëllezër, këto dhe shumë të tjera, janë cilësitë të cilat na kthejnë kah realiteti krenaria dhe vendim marja jonë Islame e humbur. Nëse dëshirojmë të qëndrojmë unik në atë çka na e obligoi Allahu i Lartësuar, për të qenë të bashkuar, e jo të ndarë dhe të keqinterpretuar nga të tjerët, ndaj të vërtetës Islame. Këto janë vetëm disa pika kyqe, që ne të jemi nga ata që zbatojnë besën e dhënë Allahut xh.sh., që të jemi të suksesshëm në jetë, dhe të nënshtruar vetëm ndaj Allahut të Gjithëfuqishëm.
Bahri Sejdiu
Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame – Prishtinë