Në raportin e saj të vitit 2018 mbi Turqinë të publikuar të martën, Komisioni Europian e vlerësoi pozitivisht politikën e migrimit të Turqisë, rritjen ekonomike dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal, por gjithashtu pretendoi “regres serioz mbi sundimin e ligjit, liritë themelore dhe lirinë e shprehjes”, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti mbi Turqinë, vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE, vjen pas një pauze prej një viti e gjysmë.
Lëshimi i raportit u njoftua nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, në një konferencë shtypi në Bruksel.
Raporti mbi Turqinë, i quajtur më parë raporti i progresit, përsëri përfshin PKK-në në listën e grupeve terroriste të BE-së, ndërsa organizata terroriste FETO, e cila orkestroi tentativën për puç në vitin 2016 në Turqi, nuk është përshkruar si një organizatë terroriste.
Raporti e quajti puçin e dështuar si “një periudhë traumatike në Turqi”.
“BE, e cila menjëherë dhe fuqimisht dënoi tentativën për grusht shteti, përsëriti mbështetjen e saj të plotë për institucionet demokratike të vendit dhe njohu nevojën legjitime të Turqisë për të ndërmarrë veprime të shpejta dhe proporcionale përballë një kërcënimi të tillë të rëndë”, theksohet në raportin.
Turqia ka kritikuar BE-në për faktin se ajo është treguar e ngadaltë për të denoncuar tentativën për grusht shtet, si dhe nuk e ka dënuar organizatën që qëndroi pas saj.
Raporti kritikoi shkarkimet nga detyrat pas tentativës për puç të komplotistëve të puçit, pasi Turqia ka akuzuar FETO-n për infiltrim të gjerë në institucionet publike, si sistemi ushtarak, gjyqësor dhe arsimor.
Përkufizimi i FETO-s në raport ka ngelur i pandryshuar nga raporti i vitit 2016, i cili e quajti grupin terrorist si “lëvizja e Gylenit”.
– “Turqia partner i rëndësishëm, vend kandidat”
Raporti theksoi se Turqia është një partner i rëndësishëm dhe vend kandidat për në BE dhe se perspektiva e saj e plotë e anëtarësimit mbetet e vazhdueshme.
Raporti thotë se Turqia ka bërë përparim të mirë në fushën e reformave të administratës publike, me një angazhim të fortë për një administratë më të hapur dhe përdorimin e “e-qeverisjes”
– Zbatimi i vazhdueshëm i marrëveshjes së migracionit
Duke përshëndetur “përparimin e mirë” të Turqisë në fushën e migrimit dhe politikës së azilit, raporti thekson se “Turqia mbeti e përkushtuar ndaj zbatimit të Deklaratës BE-Turqi të marsit të vitit 2016,” sipas të cilit do të ktheheshin emigrantët e parregullt që arritën në Greqi nga Turqia, me çka numri i migrantëve që kalonin përmes detit ka rënë në mënyrë drastike.
Raporti gjithashtu theksoi se marrëveshja e migrimit, e nënshkruar në mars të vitit 2016 midis Turqisë dhe BE-së, vazhdon të japë fryte pozitive dhe konkrete.
Sipas raportit, Turqia vullnetarisht po ndërmerr përgjegjësinë e rëndësishme në mbajtjen e 3,5 milionë sirianëve.
– Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar
Raporti thotë se Turqia ka bërë disa përparime në luftën kundër krimit të organizuar, por shtoi se legjislacioni mbi krimin kibernetik ka nevojë për disa përmirësime.
Për financimin e terrorizmit dhe kundër-terrorizmin, Turqia ka një kuadër gjithëpërfshirës ligjor, thuhet në raport.
– Vlerësim pozitiv për rritjen ekonomike rekorde
Duke nënvizuar rritjen ekonomike rekord të Turqisë në vitin 2017, raporti përshëndeti suksesin e vendit pas puçit të dështuar më 2016.
Ai gjithashtu potencon se Turqia ka bërë përparim në miratimin e rregulloreve të BE-së në ekonomi, duke shtuar se ekonomia turke është “shumë e përparuar” dhe është një ekonomi funksionale tregu.
Raporti gjithashtu ka vënë në dukje përparimin e Turqisë në sektorin e energjisë dhe gazit natyror.
– PKK, organizatë terroriste
Raporti përshkroi aktivitetet terroriste të PKK-së në Turqinë juglindore si “një nga sfidat më akute për vendin”.
Ai përmendi se PKK është përcaktuar si organizatë terroriste nga BE dhe shton se Turqia “ka të drejtë legjitime për të luftuar kundër terrorizmit”, ndërsa kërkon që Turqia të sigurojë “përdorimin proporcional të forcës”.
Në kuadrin ligjor të luftës kundër terrorizmit të Turqisë, Komisioni Evropian tha se “legjislacioni i krimeve dhe ai i antiterrorizmit duhet të përafrohen me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
– Gjendja e jashtëzakonshme dhe pavarësia gjyqësore
Raporti i BE-së pretendoi se në Turqi ka pasur “regres serioz” në sundimin e ligjit, reformën e sektorit publik, të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes.
Në seksionin e kritereve politike të raportit, komisioni nënvizoi “nevojën legjitime të Turqisë për të ndërmarrë veprime të shpejta dhe proporcionale” pas përpjekjes së grushtit të shtetit të vitit 2016, duke pretenduar se masat e marra nën gjendjen e jashtëzakonshme kanë qenë “joproporcionale”.
Raporti përmban deklaratën e mëposhtme në lidhje me organizatën terroriste FETO:
“Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur pas tentativës së grushtit të shtetit më 15 korrik të vitit 2016 mbetet në fuqi, duke synuar shpërbërjen e lëvizjes së Gylenit, të definuar nga qeveria si një organizatë terroriste përgjegjëse për përpjekjen e grushtit të shtetit, dhe mbështetjen e luftës kundër terrorizmit, përballë prapavijës së sulmeve të përsëritura në Turqi, përgjithësisht një periudhë traumatike në Turqi”.
Në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, raporti pretendont se ka pasur “një regres serioz” në këtë fushë.
Raporti ka pretenduar “regres serioz mbi sundimin e ligjit, liritë themelore dhe lirinë e shprehjes”.