Një nga mjetet stilistike të përdorur nga Kur’ani famëlartë për të përcjellë mesazhin e tij janë pikërisht historitë apo rrëfenjat, që në të mund të gjenden në forma të larmishme dhe për qëllime të ndryshme. Kur’ani përmban histori të popujve të mëparshëm, histori të profetëve si dhe përshkrime të ngjarjeve të caktuara. Në thelb, objektivi në të gjitha rastet është i qartë. Ato shërbejnë si mësime, si përgëzime për besimtarët, por edhe si përkujtesë dhe paralajmërim. Në çdo histori të Kur’anit ka një leksion për njerëzit. Ato nuk janë thjesht rrëfenja të përcjella për njohje apo informacion.
Vetë Allahu thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.” (Kur’ani 12:111)
Një nga këto histori është ajo e Musait dhe Hidrit, që sipas Ebu Al Alaudinit, në komentarin e tij të bukur mbi Kur’anin, i dërgojnë njeriut mesazhin që të ketë “besim të plotë në urtësinë e asaj që ndodh nën ndikimin e faktorit hyjnor dhe në përputhje me vullnetin e Allahut.”
Përveç kësaj, historia reflekton një mësim të vërtetë jetësor për të gjithë njerëzit, pasi na udhëzon që të kemi vizion të qartë dhe të përpiqemi të arrijmë qëllimet tona me vendosmëri dhe guxim.
Kjo reflektohet në këtë ajet: “(Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (Kur’ani 18: 60)
Në këtë ajet të lavdishëm, Profeti Musa shfaq vendosmëri të paluhatshme në rrugën e arritjes së qëllimit të tij, duke qartësuar se asgjë nuk do ta ndalë, edhe nëse për këtë do t’i duhet të udhëtojë përjetësisht. Në mendjen e tij, një gjë ishte e padiskutueshme në lidhje me këtë udhëtim të vështirë: Përderisa ai do të vazhdonte me sinqeritet në rrugën e Allahut, suksesi ishte i sigurt. Kjo tregon se vendosmëria është një gjë, ndërsa kombinimi i saj me sinqeritetin për hir të Allahut është diçka tjetër; dhe që të dyja janë thelbësore në suksesin e sipërmarrjeve tona jetësore.
Gjithashtu, s’duhet të harrojmë se pajisjet dhe furnizimet e nevojshme janë përbërës i rëndësishëm i udhëtimit tonë jetësor, njësoj si në këtë histori. Kemi parë shpesh sesi planet dështojnë për shkak të logjistikës së dobët. Kjo është një pikë e rëndësishme që na tregon se pavarësisht çfarë do të bësh, duhet të përgatitesh për të. Jo vetëm kaq, por duhet të forcosh veten me vendosmëri të paluhatur, të gërshetuar me sinqeritetin për hir të Allahut. Të gjitha këto do të të ndihmojnë të lundrosh përmes oqeanit të egërsuar dhe të trazuar të jetës. Kujtoni fjalët e Musait: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (Kur’ani 18:60)
Një tjetër mësim që nxjerrim nga kjo histori është qëndrimi i papërkulur përballë vështirësive të jetës.
”Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel. Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë”. Ai u përgjigj: “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!” (Musai) tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë”. Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije.” (Kur’ani 18: 61-65)
Nga ajetet e mësipërme vërejmë se udhëtimi i jetës është përplot vështirësi, por njëkohësisht edhe me befasi. Nevojitet shumë durim, urtësi dhe kurajë për të tejkaluar peripecitë e jetës dhe të papriturat e saj. Ndërsa udhëtojmë, duhet të jemi syçelë, sepse do të hasemi me shenja të ndryshme nga Zoti; pikërisht përmes shenjave Zoti na flet neve. Ai s’na lë kurrë në baltë, përveçse nëse nuk jemi në gjendje të kuptojmë mesazhin e tij dhe dështojmë të konstatojmë shenjat përmes të cilave Ai komunikon me ne.
“Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin!” (Kur’ani 12:105)
Musai e rroku mesazhin e Zotit përmes shenjave të tij, prandaj u udhëzua drejt realizimit të misionit të tij.
“(Musai) tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë”. (Kur’ani 18: 64)
Sa nga ne kanë dështuar të shquajnë shenjat e Zotit, kanë qenë të paaftë të kuptojnë mesazhin e tij, dhe kanë përfunduar të pashpresë dhe pa orientim, duke menduar se Allahu i ka lënë në mëshirë të fatit. Jo, Ai s’lë askënd nga shërbëtorët e tij në mëshirën e fatit, veçanërisht ata që i drejtohen, besojnë në të, i luten dhe ndjekin udhëzimet e tij.
Ky është një mësim i vyer, veçanërisht për muslimanët e rinj. Ndërsa nisin të pavarur udhëtimin e jetës, ata duhet të jenë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm për Zotin e tyre, sepse drita e tij do ju ndriçojë rrugën që të mos humbasin. Ata duhet të dëgjojnë këtë këshillë të Profetit Muhamed a.s: “O ju të rinj, mbështetuni tek Allahu; Ai do t’ju mbrojë! Mbështetuni tek Allahu sepse Ai do të jetë gjithmonë pranë jush.” (Tirmidhiu)
Një tjetër çast kulmor i historisë është kur Musai kupton se kishte devijuar nga rruga, nga destinacioni i tij, dhe kthehet menjëherë pas. Mund ta imagjinoni sa rraskapitëse duhet të ketë qenë kjo për një person që kishte kohë që udhëtonte dhe që ndihej i dërrmuar. Megjithatë, në këtë çast, Musai, dhe sigurisht shoqëruesi i tij, shfaqën guxim dhe qëndrueshmëri shembullore, duke sfiduar lodhjen dhe stërmundimin; ai harroi ushqimin që kishte kërkuar dhe ripërshkoi hapat e tij për të arritur qëllimin e lartë.
Kjo tregon se në çastin që vërejmë një mangësi apo pasaktësi në planin tonë, pasi kemi përparuar, s’duhet të hezitojmë kurrë ta kthejmë pas procesin, për t’i kthyer gjërat në normalitet, pa u mërzitur dhe dëshpëruar. Me kurajë dhe qëndrueshmëri të tillë, mund të arrijmë gjithçka të arritshme dhe të shndërrojmë në realitet ëndrrat tona.
Duhet thjesht të kujtojmë fjalët e Musait: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (Kur’ani 18:60)
Burimi: aboutislam