1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Google & Facebook: Si mund të ndalen dy “përbindëshat”?

Më të lexuarat

Nga Barry Lynn dhe Matt Stoller

Të martën, senatori John Kennedy nga Luiziana u tha këshilltarëve të Facebook dhe Google: “Pushteti juaj ndonjëherë më frikëson”. Problemi, tha Kennedy, është se korporatat dinë shumë për ne, dhe shumë pak për veten e tyre.

Kennedy e ilustroi frikën e tij me dy pyetje retorike. “Nëse CEO do të vinte tek ju … dhe do t’ju thoshte që unë dua të di gjithçka që mund të gjej për senatorin Graham … Ju do të mund ta bënit këtë, apo jo?” Nga ana tjetër, shtoi Kennedy: “Ju nuk keni aftësi për të ditur se kush është secili nga ata që bëjnë reklamë tek ju, apo jo?”

Ky paradoks i qartë, nxjerr zbuluar një problem themelor që Facebook dhe Google nuk mund ta zgjidhin të vetëm; këto institucione janë të projektuara për të grumbulluar informata të mëdha për çdo qytetar, por ato nuk janë ndërtuara për të menaxhuar atë informacion, në interesin e atyre individëve apo publikut në tërësi, si për shembull duke parandaluar hacker-ët rusë që të shënjestrojnë votues të caktuar përmes propagandës.

Do të duhet kohë për të kuptuar se si të sigurojmë që Google, Facebook dhe monopolistë të tjerë të platformave gjigante, i shërbejnë me të vërtetë interesave politike dhe tregtare të njerëzve. Lajm i mirë është se ka një mënyrë të thjeshtë, që të paktën të ngadalësojë ritmin me të cilin problemi po përkeqësohet. Të mos lejohen këto platforma dominuese, që të blejnë kompani të tjera.

Nëse është e qartë që Facebook dhe Google nuk mund të menaxhojnë atë që tashmë e kontrollojnë, përse ato korporata duhet të kenë më shumë? Ata që zbatojnë ligjet e antitrustit mund të imponojnë një rregull të tillë, pothuajse menjëherë.

Së pari, nuk ka dyshim se këto korporata kualifikohen për rregullat e antitrustit. Facebook, për shembull, ka 77% të trafikut të rrjeteve sociale në Shtetet e Bashkuara, ku më tepër se gjysma e të rriturve amerikanë përdorin Facebook çdo ditë.

Pothuajse të gjitha shpenzimet e reklamimit online shkojnë vetëm te Facebook dhe Google dhe këto dy kompani, referojnë gjysmën e të gjithë trafikut, drejt faqeve të lajmeve në internet. Në tërësi, Facebook ka rreth 2 miliardë përdorues në mbarë botën.

Së dyti, Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni Federal i Tregtisë kanë të gjithë autoritetin që u nevojitet, sipas ligjit ekzistues. Në të vërtetë, KFT e krijoi pjesërisht vetë problemin e “lajmeve të rremë”, duke mos arritur të përdorte autoritetin që kishte, për të bllokuar blerjet e mëparshme nga këto platforma, si ato të ëhatsApp dhe Instagram nga ana e Facebook.

Sikur këtyre kompanive do t’u lejohej të rriteshin dhe të konkurronin me Facebook, sot do të shihnim më pak energji dhe kontroll të përqendruar në atë korporatë. Vetë historia e monopoleve të platformës, ofron dëshmi të mjaftueshme të fuqisë, që buron nga blerja e teknologjive të njerëzve të tjerë.

Një nga legjendat e platformave të teknologjisë është se ata janë aktorë të rinj, që shpikin mënyra të reja për të bërë gjërat. Në të vërtetë, nuk janë të tillë. Ata janë konglomerate!

Larry Page dhe Sergey Brin të Google, në një projekt të financuar nga një grant i Fondacionit Kombëtar të Shkencave, krijuan një mënyrë për të renditur faqet e internetit, gjë që i lejonte të ndërtonin një motor kërkimi shumë të mirë. Më pas, përdorën paratë e fituara ose mbledhura me këtë sukses të hershëm, për të blerë pjesën më të madhe të produkteve kryesore të Google, duke përfshirë YouTube, Android, Deep Mind, Waze dhe Doubleclick. Në një pikë të caktuar disa vjet më parë, Google blinte rreth një kompani një javë.

Një tjetër mësim i historisë është se kufizimet e përkohshme, se si këto korporata mund të përdorin teknologjitë e reja të fituara, nuk e zgjidhin problemin themelor. Para shtatë vjetësh, Google pagoi 700 milion dollarë, për një kompani të quajtur ITA, e cila ofron softuerë për industrinë e udhëtimeve. Departamenti i Drejtësisë miratoi marrëveshjen, me kusht që Google ta mbajë qasjen në softuer të hapur, për bizneset e tjera, për të paktën pesë vjet. Këtë vit, Google e mbylli atë derë. Ted Benson, një ish punonjës në Google e shprehur fare qartë këtë që ndodhi: “Ky është një ekzekutim me një të rënë të lapsit, i një ekosistemi të tërë të kompanive rishtare në shitjen e biletave”.

Këto korporata tashmë gëzojnë avantazhe të mëdha mbi çdo rival të mundshëm. Në rastin e Facebook-ut, këto avantazhe janë krejt të padrejtë. Në vitin 2013, Facebook bleu një kompani mobile për analiza të të dhënave të quajtur “Onavo.” Siç shkruhet në një artikull të kohëve të fundit në “Wall Street Journal”, Onavo i mundëson Facebook-ut të vëzhgojë sjelljen në internet të përdoruesve të Internetit, duke u dhënë drejtuesve të Facebook një “panoramë pazakonshmërisht të hollësishme, të asaj që përdoruesit bëjnë kolektivisht në telefonat e tyre”.

Facebook, në thelb, arrin të shohë se cilat produkte janë duke ecur mirë dhe cilat karakteristika brenda këtyre produkteve, vlerësohen më shumë nga përdoruesit. Mund ta përdorë këtë informacion për të vënë në shënjestër rivalët me rritje të shpejtë, përmes teknikave potencialisht fatale të kopjimit, apo edhe të përpiqet që t’i blejë këta konkurrentë.

Disa javë më parë, Facebook bleu një kompani tre-muajshe rrjetesh sociale të quajtur TBH, e cila po rritej shpejt midis adoleshentëve. Nuk është e qartë pse Facebook e bleu kompaninë. Por është e qartë se kjo blerje do të forcojë më tej pozitën e monopolit të Facebook në mediat sociale, si dhe do të zgjerojë fuqinë e kompanisë mbi të gjithë konkurrentët.

Për këtë arsye, në të Open Market Institute kohët e fundit i bëmë thirrje autoriteteve që të pezullojnë të gjithë bashkimet dhe blerjet nga Facebook – dhe mundësisht edhe nga Amazon e Google. Një ndalim i tillë do të linte pa përgjigje shumë probleme. Nuk do ndreqte duopolin e Facebook dhe Google mbi reklamat online, as nuk do të pengonte aktorët e huaj që të përdornin rrjetin e kompanisë për të manipuluar votuesit amerikanë.

Por një ndalim i tillë do u ofronte njerëzve kohën që u nevojitet, për të gjetur se si këta monopole shumë të fuqishme, të mos kërcënojnë më liritë tona më themelore civile, artistike, ekonomike dhe politike.

Barry Lynn është Drejtor Ekzekutiv i Open Market Institute. Matt Stoller është studiues në Open Market Institute / The Guardian – Në shqip nga bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit