8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Muslimanët e Arakanit presin që bota t’u shtrijë dorën e ndihmës

Më të lexuarat

Mijëra muslimanë të Arakanit të cilët janë strehuar në Bangladesh për t’i kur dhunës nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë presin që bota t’ua shtrijë dorën e ndihmës në kampin në të cilin jetojnë në kushte të vështira

COX’S BAZAR (AA) – TUĞRUL ÇAM

Mijëra muslimanë të Arakanit (Rohingya) të cilët janë strehuar në Bangladesh për t’i kur dhunës nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë presin që bota t’ua shtrijë dorën e ndihmës në kampin në të cilin jetojnë në kushte të vështira, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra persona që kaluan në Bangladesh duke i braktisur shtëpitë pas dhunës që shpërtheu ndaj muslimanëve në Mianmar dy javë më parë, filluan të vendosen në Kampin Kutupalong në afërsi të qytetit Cox’s Bazar në Bangladesh.

Siç u njoftua, numri i personave që në ditët e fundit kaluan kufirin dhe kaluan në Bangladesh është rritur, ndërsa numri i muslimanëve të Arakanit në kamp ka kaluar mbi 120 mijë, edhe pse punonjësit humanitarë lokalë theksojnë se bilanci ka arritur në 150 mijë.

Muslimanët që kanë braktisur shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën, janë duke jetuar në kushte të vështira në Kampin Kutupalong. Organizatat si Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Fondi për Fëmijët i OKB-së (UNICEF), Organizata Ndërkombëtare e Migrimit dhe Programi Botëror i Ushqimit janë duke zhvilluar aktivitete humanitare, por thuhet se ato janë shumë të pamjaftueshme.

Në kamp mungon sasi e mjaftueshme e ushqimit dhe ujë i pastër, ndërsa nga këto kushte më së shumti ndikohen fëmijët dhe pleqtë. Mijëra persona kalojnë natën në baraka të ndërtuara nga najloni, teneqeje ose bambuje. Në baraka thuajse nuk ka kuzhina dhe banjo. Aktualisht janë ngritur shqetësime për shëndetin e personave që janë duke qëndruar në to.

Muslimanët arrijnë në Bangladesh duke ecur me ditë të tëra

Gjatë sulmeve të ushtrisë ndaj muslimanëve të Arakanit janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Shumë muslimanë të Arakanit për AA kanë thënë se të afërm të tyre kanë vdekur ose janë plagusr nga sulmet në Mianmar dhe se për të shpëtuar kanë ikur pa marrë asgjë me vete.

Shumica e personave të ikur nga Mianmari theksojnë se në kampin brenda kufirit të Bangladeshit kanë arritur katër-pesë ditë më parë. Ata njoftojnë se u është dashur të ecin tetë deri në dhjetë ditë për të arritur në kufi, ndërsa disa prej tyre kanë kaluar në Kampin Kutupalong duke lundruar në lumenj me varka të vogla.

Abdul Kalam, një nga të ikurit në Bangladesh, rrëfen se në kamp ka ardhur para dy ditëve së bashku me familjen e tij dhe se gjyshi i tij ka humbur jetën nga një sulm i budistëve radikalë. Ai thotë se shumë shtëpi në fshatrat e tyre janë djegur dhe se edhe helikopterët e ushtrisë kanë hapur zjarr mbi fshatra, duke shkaktuar shumë viktima.

Ai ka ikur së bashku me gjashtë fëmijët e tij dhe gruan, ndërsa thotë se përkohësisht janë duke qëndruar në një shkollë, për arsye se nuk kanë ku të qëndrojnë.

Edhe Mahmut Kemal, një tjetër musliman nga Arakani, tregon se babai i tij ka humbur jetën si rezultat i një sulmi të ushtrisë në fshatin e tyre. Ai thotë se u sulmuan “vetëm nga fakti se janë muslimanë”.

Sejid Husein, i cili ka humbur të afërmit e tij, rrëfen se pesë nga të afërmit e tij janë qëlluar nga hapja e zjarrit, ndërsa njëri prej tyre ka humbur jetën. Ai thotë se katër të afërmit e tij të plagosur ishin dërguar në spital, porse aktualisht nuk e di se ku ndodhen ata.

“Kemi ngrënë dru të bananes nga uria”

Xhamir Husein, një tjetër nga shumë muslimanët e ikur në Bangladesh, shprehet se në kufi kishin arritur pasi kishin ecur për tetë ditë.

“Duke ecur gjatë rrugës, nuk mund të gjenim diç për të ngrënë, na kaploi uria. Për këtë arsye, ne kemi ngrënë pjesët e ngrënshme të drunjve të bananes, të cilat nuk kishin fruta. Në këtë mënyrë arritën të mbijetojmë dhe të arrijmë në kamp”, rrëfen Husein.

Drama e Hasinas, gruas shtatëzëne që humbi burrin

Ajo që tërheq vëmendje në Kampin Kutupalong është numri i madh i grave dhe fëmijëve. Shumë gra tregojnë se kanë humbur bashkëshortët dhe kanë ikur me fëmijët e tyre.

Një nga këta gra është edhe Hasina Begum, e cila ka dy fëmijë dhe është në pritje të fëmijës së tretë. Për AA ajo rrëfen përjetimet e saj, duke thënë se burri i saj Rafiku humbi jetën nga një sulm i ushtrisë së Mianmarit dhjetë ditë më parë.

Begum, e cila pas vdekjes së burrit arriti të ikë me ndihmën e fqinjëve, thotë se i janë dashur të ecë dhjetë ditë deri në Kampin Kutuplong, në të cilin ka arritur para tre ditësh.

“Kam dy fëmijë dhe e kam të pamundur të gjej ushqim të mjaftueshëm. Ne ngopemi nëse popullata na ndihmon. Por nëse nuk na ndihmon askush, atëherë natën flemë të uritur”, thotë Begum, duke theksuar se kushtet në kamp janë të vështira.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit