Fakte të reja interesante vijnë e publikohen për Skënderbeun dhe familjen e tij, ose janë publikuar më parë dhe tani po risillen sërish, pikërisht pas debatit të hapur, si për koinccidencë, në Shqipëri, në lidhje me nënën e heroit tonë kombëtar, që, thjesht rikonfirmuar nga Mustafa Nano, quhej Vojsava dhe kishte origjinë serbe.
Ndërsa gazetari Altin Rraxhimi, ka postuar në faqen e tij një fakt të ri të sjellë nga mediat italiane, madje edhe nga televizioni publik RAI.
Siç bëhet e ditur në shkrimin e Rraxhimit, Donika Kastrioti, gjatë azilit të saj në Mbretërinë e Napolit, pas vdekjes së të shoqit, Gjergjit, pra Skënderbeut, ka marrë me vete as më pak e as më shumë, por të bijën e Vlad Tepshit III famëkeq të Rumanisë, të mbiquajturit Drakula nga romani i famshëm i shkrimtarit irlandez Bram Stoker.
Në materialin që është bërë dokumentar nga Rai dhe portali i jugut të Italisë Fame di Sud, Donika Kastrioti e fshehu Marian e Drakulës nën emrin e Balshajve, pra 7-vjeçarja quhej Maria Balsha, ngaqë i ati i saj Vladi ishte shkishëruar nga Vatikani për blasfemitë dhe krimet e tij të njohura.
Sipas Famedisud.it, në vitin 1480 Andronika Kominata, alias Donika Kastrioti mbërriti në oborrin e mbretit të Napolit Ferrante i Aragonës ku dhe mori azil.
Në këtë shkrim del qartë se edhe gruaja e Skënderbeut kishte një emër tjetër në letra dhe jo Donika siç i thërrasim të gjithë.
Ajo quhej Andronika, pra një emër tipik ortodoks sllav. Dhe mbiemrin e kishte Kominata.
Siç vazhdon më tej artikulli, i cili është bërë edhe dokumentar nga Rai (ja linku: http://ëëë.famedisud.it/la-citta-cattedrale-fra-storia-e-leggenda-la-magica-cripta-del-duomo-di-acerenza/), Donika e kishte të sigurtë azilin në oborrin e mbretit të Napolit së bashku me të bijën e Vlad Tepshit, pasi burri i saj dhe dy mbretërit e tjerë kishin firmosur që më parë një marrëveshje ku Skënderbeu dhe Vojvoda i Vllahisë (Rumanisë së sotme) angazhoheshin për të mos lënë osmanët që të prekin brigjet e Puglias, territor i Mbretërisë së Napolit.
Në artikull bëhet e ditur se si Ferranti i Aragonës, ashtu edhe Skënderbeu e Drakula ishin pjesë e “Urdhërit të Dragoit”, një tip vllazërie e ngritur si aleancë kundër osmanëve.
Pasi Maria Balsha, alias Tepshi, u rrit dhe arriti moshën e pjekurisë, mbreti i Napolit e martoi me nipin e tij, princin Giacomo Alfonso Ferrillo.
Çifti mbretëror jetonte në qytetin e Acerenca-as, pranë Potenza-s, kryeqendrës së sotme të rajonit të Basilicata-s.
Duke bërë fjalë për katedralën e qytetit të Acerenca-s në rajonin e Basilicata-s, artikulli thekson se në vitin 1524, princi dhe Maria Balsha e rindërtuan atë duke financuar edhe vepra të ndryshme që janë pjesë e Rilindjes italiane, ku përveç muraleve me sfond biblik ka edhe piktura që ilustrojnë sirena, dragonj përbindësha, demonë etj.
Shumë mendojnë se në këta simbole ka edhe reminishenca të famëkeqit Konti Drakula, të vendosura me dëshirën e princeshës Maria, që u soll në Napoli nga Donika e Gjergj Kastriotit.
Gjithsesi të gjitha këto janë pjesë e materialeve që sjell publiçistika. Ndërkohë që historianët, edhe pse i dinë të gjitha këto fakte nuk i japin opinionin të vërtetat e fakteve normale, të një kohë ku nuk kishte kufinj e pasaporta, megjithëse ekzistonin regjistra të saktë të gjendjes civile.
Ishte një kohë si dhe sot ku etnia shitej e blihej, ndërrohej dhe rimerrej, ashtu siç në darkë ishte me Bizantin e në mbrëmje u gdhinin me Vatikanin.
Bëhet fjalë për feudalët, fisnikët shqiptaër, që kishin vula e kancelari, e jo për njerëzit e thjeshtë; ata u regjistruan vonë, shumë vonë, pikërisht kur u bë regjistrimi i plotë në kohën e osmanëve. Deri atëherë ishin vetëm kishat që regjistronin njerëzit për efekt të taksave.
Ja ç’shkruan Ardian Vehbiu, në një koment të tijin në lidhje me debatin për Mustafa Nanon:
“Sepse në Arbërinë e shekullit XV ato identifikime etnike që ne sot i marrim si “esenciale” kanë pasur shpesh natyrë territoriale (në kuptimin “epirot” quhej ai që banon në Epir ose që vinte prej andej); dhe se në atë kohë identiteti i gjithkujt ishte i lidhur ngushtë me familjen dhe fisin të cilit i përkiste, fenë së cilës i falej, kryezotin prej të cilit varej, krahina nga vinte dhe gjuha që i fliste e jëma – gjithë duke pasur parasysh se në Ballkanin e asaj kohe praktikisht të gjithë të rriturit ishin në gjendje të merreshin vesh në më shumë se një gjuhë.
Sepse nuk kemi asnjë provë për ç’gjuhë fliste Vojsava vajzë, ose para se të martohej; për të njëjtën arsye, fakti që kancelaria e Gjon Kastriotit më parë dhe e Gjergj Kastriotit më pas përdornin lirisht latinishten, sllavishten, greqishten e mesme dhe italishten në dokumentet e tyre, nuk mund të përdoret si argument në diskutimin e “etnisë” së Gjergj Kastriotit.
Sepse për të njëjtën arsye edhe mbiemri Kastrioti nuk është se na ngushëllon shumë, në lidhje me identitetin “etnik” të Gjergjit; sa kohë që gjuhësisht i referohet greqishtes bizantine; por kjo mund të vijë thjesht ngaqë ai mbiemër mund të ketë shënjuar, në origjinë, komandantin e një kështjelle (it. castellano).
Sepse emrat që u vunë Vojsava dhe Gjon Kastrioti fëmijëve të tyre, si Reposh, Stanisha, Branilo, Konstandin, Mamica, Vlajka, Angjelina, etj. nuk tregojnë doemos përkatësi etnike sllave, por tregojnë afërsi kulturore dhe shkëmbimesh mes arbërve dhe sllavëve të asaj kohe, veçanërisht përgjatë kufirit shumë të përzier mes këtyre dy popujve”. /tesheshi.com/