8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kisha katolike nuk mund të betohet se Bibla është e vërtetë

Më të lexuarat

Hierarkia kishtare e Kishës Katolike ka publikuar një dokument mësimor që instrukton besimtarët se disa pjesë të biblës në fakt nuk janë të vërteta. Peshkopi katolik i Anglisë, Uelsit dhe Skocisë po paralajmërojnë pesë milionë adhurues të tyre, si edhe të tjerë që merren me studimin e shkrimeve të shenjta, që nuk duhet pritur “saktësi absolute” nga Bibla.

“Nuk duhet të presim që të gjejmë në Shkrimet e Shenjta saktësi të plotë shkencore apo përpikëri absolute historike”, thonë ata në ‘Dhurata e Shkrimeve të Shenjta’.

Disa të krishterë duan që, krahas teorisë së Darvinit të evolucionit në shkolla, të mësohet edhe një interpretim i fjalëpërfjalshëm i krijimit siç qëndron në Gjeneza, duke besuar që “konstruksioni inteligjent” është një teori po aq e mundshme për atë se si është krijuar bota. Por, 11 kaptinat e para të Gjenezës, në të cilat paraqiten dy tregime nganjëherë kontradiktore rreth krijimit, janë ndër ato për të cilat peshkopët katolikë të këtij vendi insistojnë që s’mund të jenë “historike”. Në rastin më të mirë, thonë ata, ato mund të përmbajnë “gjurmë historike”.

Ky dokument tregon se sa larg ka shkuar kisha katolike që nga shekulli 17, kur Galileo qe dënuar si heretik për përçmimin e një besimi pothuaj universal në frymëzimin hyjnor të Biblës duke mbrojtur pikëpamjen e Kopernikut mbi sistemin diellor. Vetëm një shekull më herët, Papa Pija i dhjetë dënoi dijetarët modernistë katolikë të cilët adoptuan metoda historiko-kritike për analizimin e literaturës së lashtë të Biblës…

Peshkopët thonë që Kisha duhet ta paraqesë ungjillin në mënyra “të përshtatshme me ndryshimin e kohës, të kuptueshme dhe tërheqëse për bashkëkohësit tanë”.

Bibla është e vërtetë në pasazhet që kanë të bëjnë me shpëtimin njerëzor, thonë ata, por vazhdojnë:”Nuk duhet të presim saktësi të plotë nga Bibla në të tjera çështje jofetare”.

Ata vazhdojnë më tutje duke dënuar fundamentalizmin për “intolerancën e papajtueshme” dhe duke paralajmëruar për “rreziqet domethënëse” të përfshira në qasjen fundamentale.

“Një qasje e tillë është e rrezikshme, për shembull, kur njerëzit e një kombi apo grupi shohin në Bibël mandat për epërsinë e tyre, madje e konsiderojnë që Bibla u lejon atyre të ushtrojnë dhunë kundra të tjerëve”…

Si shembuj të pasazheve të cilat s’duhet marrë në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, peshkopët citojnë kaptinat e hershme të Gjenezës duke i krahasuar ato me mitet e hershme rreth krijimit nga të tjera kultura, posaçërisht ato të Lindjes antike. Peshkopët thonë se është e qartë që qëllimi primar i këtyre kaptinave ka qenë për të ofruar mësim fetar dhe se ato s’mund të përshkruhen si shkrime historike.

Ngjashëm, ata përgënjeshtrojnë profecitë apokaliptike të Zbulesës, librit të fundit të Biblës krishtere, në të cilën shkruesi përshkruan punën e Jezusit të ringjallur, vdekjen e Bishës dhe gostinë dasmore të Krishtit.

Peshkopët thonë:”Një gjuhë e tillë simbolike duhet të respektohet për çfarë është dhe nuk duhet të interpretohet drejtpërdrejt. Nuk duhet të presim të zbulojmë në këtë libër detaje rreth fundit të botës, rreth asaj se sa do të jenë të shpëtuar dhe se kur do të vijë fundi”.

Në parathënien e dokumentit mësimor, dy katolikët më të mëdhenj të vendit, kardinali Murphy O’Conor, kryepeshkop i Westminsterit, dhe kardinali Keith O’Brien, kryepeshkop i St. Andru dhe Edinburgut, shpjegojnë kontestin e tij. Ata thonë që njerëzit sot po kërkojnë atë që e vlen, që ka vlerë të vërtetë, diçka që mund t’i besohet dhe çfarë vërtet është e saktë.

Mësimi i ri është publikuar si pjesë e kremtimeve të 40 vjetorit të Dei Verbum, Këshillit të Dytë të dokumentit të Vatikanit, që shpjegon vendin e shkrimeve të shenjta në shpallje…

 Besuat apo nuk besuat

E pavërtetë

Gjeneza ii, 21-22:”Dhe Zoti bëri që mbi njeriun të bjerë një gjumë i thellë dhe ndërsa ai po flinte, Ai mori një nga brinjët e tij dhe e plotësoi atë vend me mish, dhe brinjën që Zoti kishte marrë nga njeriu, e shndërroi në një grua dhe ia solli atë njeriut”.

Gjeneza iii, 16:”Zoti i tha gruas [pasi që ajo qe mashtruar nga gjarpri]:’Do ta shtoj fort dhimbjen tënde të mbartjes së fëmijës. Do të lindësh me dhimbje, madje dëshira jote do të jetë për burrin tënd dhe ai do të të sundojë”.

Mateu xxvii, 25:”Fjalët e turmës:’Gjaku i tij qoftë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë’”, një pasazh që justifikonte shekuj të tërë të antisemitizmit. Peshkopët thonë që këto dhe fjalë të tjera s’bën të përdorën më kurrë si një pretekst për t’i përbuzur çifutët.

Zbulesa xix, 20:”Bisha u zu rob dhe bashkë me të edhe profeti i rrejshëm që në praninë e tij bënte shenja të mrekullueshme me të cilat i gënjente ata që morën vulën e Bishës dhe ata që adhuronin imazhin e tij. Të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me sulfur”…

E vërtetë

Eksodi iii, 14: Zoti ia shpalos vetveten Moisiut si:”Unë jam ai që jam”.

Levetiku xxvi, 12: “Do të jem Zoti juaj dhe ju do të jeni njerëzit e mi”.

Eksodi xx, 1-17: Dhjetë Urdhrat

Mateu v, 7: Predikimi në Kodër

Marku viii, 29: Pjetri shpall Jezusin Krisht

Luka i: Lindja prej Virgjëreshës

Gjoni xx, 28: Dëshmi për ringjalljen fizike

 

Nga Ruth Gledhil, korrespondent fetar i gazetës “The Times”,/mburoja/kohaislame

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit