-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ndalimi i duhanit 100 % – sfidë

Më të lexuarat

Me 71 vota për, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për kontrollin e duhanit më 4 prill të këtij viti.

Me ligjin e ri, ndalohet pirja e duhanit 100 për qind në hapësira publike. Ligji për kontrollin e duhanit ka qenë në fuqi, mirëpo asnjëherë nuk është zbatuar në vendin tonë, për shkak se hapësirat e ndara prej 30 për qind ku lejohej tymosja dhe 70 për qind ku ndalohej duhani, në të njëjtin ambient të mbyllur nuk ka funksionuar.

Por, se sa do të gjejë zbatim ligji aktual, i cili ndalon tymosjen 100 për qind në të gjitha hapësirat e mbyllura publike, flet ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

“Ne kemi tejkaluar problemin e ligjit aktual, i cili ka qenë në fuqi deri tash, që parashihte ndarjen e hapësirës 30 me 70, që është dëshmuar se ka qenë e pamundur të bëhet”.

“Ndalesa 100 për qind nuk lë dilema dhe është shumë lehtë të kontrollohet se a po zbatohet a jo ligji. Minsitria e Shëndetësisë është përgatitur për zbatimin e këtij ligji dhe mendoj se edhe 5 inspektorë të rinj që do të punësohen, do të inkuadrohen në monitorimin e zbatimit të këtij ligji. Unë mendoj se me një bashkëveprim të shoqërisë civile, do ta kemi më të lehtë zbatimin e ligjit”, thotë Agani.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, pohon se institucioni që ai drejton, ka një barrë dhe përgjegjësi të veçantë në zbatimin e Ligjit kundër duhanit, meqë bëhet fjalë për shëndetin publik. Andaj, ai thotë, se duhet që secili qytetar individualisht të kontribuojë në zbatimin e ligjit në fjalë.

“Ne e kemi një pjesë të barrës dhe përgjegjësisë në vetëdijesimin e dëmeve që i shkakton duhani dhe shumë sëmundje janë pasojë e pirjes së duhanit. Na mbetet që të punojmë të gjithë së bashku, sepse është barrë multidisiplinare”.

“Ky ligj mund të parandalojë shumë sëmundje si kanceret ato kardiovaskulare. Unë bëj apel që të gjithë qytetarët e kanë obligim që ta zbatojmë këtë ligj kudo që mundemi. 80 për qind e duhanpirësve janë pasivë nëpër shtëpitë ku pihet duhani nga ndonjë anëtar i familjes dhe ligji parasheh që në të gjitha ambientet e mbyllura, përfshirë edhe shtëpitë, nuk guxon të tymoset duhan”, shpjegon Ramadani.

Ndërsa, Skënder Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, thotë se sfidat deri në zbatimin e ligjit nuk do të mungojnë.

“Me aprovimin e këtij ligji, është bërë një hap shumë i mirë. Në këtë proces do të ketë sfida, por me vullnetin e ministrit, shoqërisë civile dhe institucioneve tjera relevante, jam shumë optimist se zbatimi i këtij ligji do të gjejë vend në shoqërinë kosovare kur ka shumë faktorë ndihmues. Më shumë se 50 organizata joqeveritare kanë nënshkruar për të përkrahur ligjin”, thotë Syla.

Sidoqoftë, hulumtimet tregojnë se pirja e duhanit është pandemia më e madhe në historinë e njerëzimit.

Nga një studim që ka bërë OBSH-ja për pirjen e duhanit, thuhet se 20.9 për qind e grave shtatzëna tymosin duhan dhe 53 për qind e të sapolindurve janë të ekspozuar ndaj duhanit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit