Në aktivitet morën pjesë ministri pa Resor i Maqedonisë me origjinë turke, Adnan Qahil, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe biznesmenë
SHKUP (AA) – Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MÜSİAD) – Dega në Ballkan, ka organizuar sot në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, program përkujtimor me rastin e përvjetorit të parë të tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi nga organizata terroriste FETO, nën moton “15 Korriku – Fitore e Demokracisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitet morën pjesë ministri pa Resor i Maqedonisë me origjinë turke, Adnan Qahil, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe biznesmenë.
Ambasadorja Kara, duke folur pas ndjekjes së videos së titulluar 15 Korriku – Fitore e Demokracisë dhe Vullnetit Kombëtar të përgatitur nga ana e Presidencës së Turqisë, tha se 15 Korriku është edhe ditë kur mbahet zi për dëshmorët, edhe ditë që shënohet si festë e demokracisë, në të cilën demokracia nuk u la në ditët e tradhtarëve.
Kara rikujtoi se natën e tentativës për grusht shteti më 15 korrik, ku njerëz të të gjitha kategorive shoqërore dhe politike vërshuan në rrugë për t’i kundërshtuar puçistët.
“Jemi përballë një organizate terroriste të brezit të ri. Kjo organizatë ka tubuar të holla për veprat e tyre të përlyera duke mashtruar biznesmenët tanë se gjoja tubojnë për bamirësi, ka larë miliarda dollarë me ndihmën e kompanive të mëdha dhe bankave, dhe i kanë përdorë ato për financimin e 15 Korrikut. Përmes masave të marra, struktura e tyre në Turqi pësoi goditje të madhe”, tha Kara.
Ajo shtoi se kërcënimi që kanoset nga FETO nuk është i kufizuar vetëm brenda Turqisë. “Bashkëpunëtorët e tyre ende gjenden në mesin tonë. E them me pikëllim se shkollat, mediumet dhe kompanitë në Maqedoni që kanë lidhje me këtë organizatë, ende i vazhdojnë aktivitetet e tyre. Rrjedhimisht, ne kemi pritje të mëdha nga miqtë tanë në Maqedoni. Presim zbatimin e vendimit për mbylljen e organizatave në Maqedoni që kanë lidhje me FETO-n, i cili është marrë në periudhën e kaluar.
Nga ana tjetër, ministri pa Resor Adnan Qahil theksoi se në demokraci qeveria e një shteti zgjidhet nga ana e popullit dhe se kjo gjë është princip i demokracisë parlamentare, duke shtuar se qeveria e tillë nuk mund të rrëzohet përmes grushtit të shtetit apo ndonjë mënyre tjetër.
“Ne do të jemi gjithnjë me vëllezërit tanë që jetojnë në Turqi. Jemi bashkë tani, do të jemi bashkë edhe në të ardhmen. Ky është botëkuptimi ynë për demokracinë. Ata që mendojnë të kryejnë grusht shteti le ta dijnë që do ta kenë përballë jo vetëm popullin e Turqisë, por të gjithë turqit që jetojnë në botë dhe popujt që e njohin dhe e kuptojnë demokracinë”, tha Qahil.
Qahil uroi që ngjarje e tillë të mos përsëritet në Turqi dhe asnjë vend tjetër të botës, duke shtuar se shteti i Maqedonisë dhe turqit që jetojnë në këtë vend do të jenë qëndrojnë gjithnjë prapa popullit të Turqisë.
Ndërkaq, kryetari i MÜSİAD – Dega në Ballkan, Bilal Kara, vuri në pah se qëllimi i këtij tubimi është të përkujtohen dëshmorët e rënë më 15 korrik dhe fitorja e demokracisë përmes rezistencës së popullit.
Pas programit përkujtimor, të pranishmit kishin mundësinë të shohin ekspozitën me fotografi të shkrepura nga gazetarët e AA-së gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik.
Ndryshe, në kuadër të programeve përkujtimore me rastin e 15 Korrikut, MÜSİAD – Dega në Ballkan do të organizojë aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Greqi.
Në ndërkohë, në pika të ndryshme të Shkupit shoqata ka vendosur afishe me mbishkrimin “Asnjëherë nuk do ta harrojmë 15 Korrikun”.