Ju do ta donit punën tuaj, sikur shefi juaj të mos ishte kaq i keq. Në momentin që ju e keni kuptuar që problemi real është shefi juaj dhe jo ju, mund të duket se nuk ka shpëtim tjetër veçse të tërhiqesh ose të kërkosh një detyrë tjetër. Por, përpara se të arrini deri këtu, ja tek janë disa strategji për disa skenarë.
Së pari, vëreni veten në vendin e shefit: A do të funksiononte një përqasje e tillë edhe për ju? Nëse mendoni se do të funksiononte, atëhere ndiqni këto taktika:
1. Shefi juaj ju kritikon në mënyrë të padrejtë.
Jepini shefit tuaj një përqasje pozitive. Shpjegojini se ju me të vërtetë doni të jeni një punonjës i mirë dhe pyesni se çfarë ju duhet të bëni ndryshe. Nëse jeni me fat, ai do t’ju falenderojë që morët këtë nismë dhe do të ketë tendencë t’ju japë më shumë vlerësim dhe më pak kritika.
Gjithsesi, më shumë ka të ngjarë që t’ju thuhet se ju keni nevojë të përmirësoheni, kështu që jini të përgatitur për një lajm të tillë, jolajkatues. Në rast tjetër, ju do të fitoni pak respekt.
2. Shefi juaj është një mikromenaxher.
Përsëri, theksoni se ju doni të zgjidhni problemin dhe të përmirësoni rezultatet tuaja: “Shpresoj se ju mund të më ndihmoni me diçka. Kam vënë re se ju e monitoroni shumë nga afër punën time. A jeni i shqetësuar se nuk dua, apo nuk mund ta bëj punën? A ka diçka që mund të bëj për të pasur më shumë besim tek unë?”
3. Shefi juaj është gjaknxehtë.
Zemërimi është një përgjigje psikologjike ndaj stresit apo mërzisë, dhe disa njerëz kanë më shumë adrenalinë se të tjerët. Kështu:
Dalloni se nëse shefi juaj po bërtet, është psikologjia e tij që po flet. Kjo mund të ndihmojë të mbani adrenalinën tuaj nën kontroll dhe të shtypni instiktin natyral të tij.
–Lëreni atë të shpërthejë; ndërhyrja juaj mund t’i shtojë benzinë zjarrit;
— Nëse ju largoheni, kini kujdes se kjo mund të merret si mungesë respekti;
— Merrni frymë thellë dhe mundohuni të dëgjoni thelbin e asaj që ai po thotë, –vetëm sepse toni i tij është i gabuar nuk do të thotë se edhe çështja për të cilën ai po bërtet është e tillë;
— Kur ai të mbarojë, kini një përgjigje të matur gati, kështu mos reagoni impulsivisht: “Unë dua të mendoj seriozisht rreth asaj që më thatë. A mund të takohemi më vonë për të diskutuar për këtë?” Në këtë mënyrë adresojeni çështjen, kur shefi të jetë qetësuar;
— Nëse bisedat e gjata janë abuzive ose shumë të shpeshta, atëhere pa dyshim që juve nuk keni zgjidhje tjetër, veçse t’i raportoni ato në një nivel më të lartë menaxherial, ose të largoheni.
4. Shefi juaj është i padobishëm
Ai mund të ketë shumë probleme në kokë, të jetë i shqetësuar nga çështje familjare, i stresuar ose dembel. Pavarësisht nga këto, ju duhet të kuptoni se ju nuk do e ndryshoni shefin tuaj. Në vend të saj, kërkoni ndihmë nga bashkëpunonjësit ose mbikëqyrësit më me përvojë.
Përpara se të sfidoni shefin tuaj, më parë kërkoni leje në një mënyrë që do t’i mundësoni atij të shpëtojë vetveten: “Unë e di që ju jeni shumë i zënë. A do t’ju vinte keq sikur t’i kërkoja mbikëqyrësit X pak drejtim?” Ose “A mund të flas me Y rreth kësaj çështjeje. Ai është një ekspert.” Nëse shefi juaj thotë jo (një shenjë se ai është ndoshta një menaxher i dobët), atëhere ju duhet të kaloni mbi të, pa miratimin e tij.
5. Shefi juaj është pa etikë
Në fakt, ndodh shpesh, që shefi p.sh. të marrë meritë për idetë e dikujt tjetër ose thjesht t’i shmanget punës. Të përballesh me shefin tënd për këtë çështje, sado me takt që ta bëni, ka mundësi që të mos funksionojë, pasi ju do të jeni duke sfiduar ndershmërinë e tij dhe madje edhe të kërcënoni punën e tij.
Dhe të llomotitësh me dikë tjetër do të çojë në një raprezalje. Përveçse nëse ju do të donit të merrnit përsipër këtë rrezik, ju keni vetëm dy mundësi reale: të jetosh në këtë gjendje, ose të largohesh për parime etike.