Profeti Muhamed (a.s) ishte një gjeni pozitiv. Një njeri që besonte se kishte aftësinë për të bërë diçka mbi të këqijat që shikonte në botë, duke u mbështetur tek Zoti. Në librin e tij “Përpara Lumturisë”, Shon Akor liston 5 aftësi apo cilësi të një gjeniu pozitiv, të cilat mund t’i gjejmë të gjitha të shprehura në personalitetin e Profetit (a.s).
Aftësia e parë është zgjedhja e realitetit më të vlefshëm. Ndonjëherë, gabimi jonë më i madh është besimi se perceptimet negative janë realiteti i vetëm. T’i kthehemi kohës së Profetit a.s. Cili ishte realiteti i jetës së tij? Ai ishte jetim. Nuk kishte motra dhe as vëllezër. Të vetmit që e mbështetnin ishin një grusht besimtarësh që dhunoheshin dhe kanoseshin nga shoqëria në tërësi. Pasi xhaxhai dhe bashkëshortja e tij ndërruan jetë, nuk kishte asgjë që t’i pengonte kurejshët që ta vrisnin, dhe siç e dimë nga historia, ata tentuan ta bëjnë këtë. Ky ishte realiteti, apo jo? Ai mund të përqendrohej në këtë realitet. Mund të konsumohej totalisht nga ky realitet, aq sa të mos shikonte asgjë tjetër. Megjithatë, kur xhaxhai i tij ndërroi jetë, ai u përqendrua në Taif. Pasi edhe në Taif dështoi, ai e dinte që do të vinte periudha e haxhit (pelegrinazhit të shenjtë) ku të gjithë fiset arabike do të mblidheshin në Mekë. Situata nuk ishte e lehtë për Profetin (a.s) edhe pasi migroi në Medinë. Faktikisht, rrethanat ishin shumë të vështira. Miqtë e tij u sëmurën. Atyre u mungonte thellësisht vendlindja, Meka, dhe vazhdimisht e kujtonin përmes poezive dhe historive. Çfarë bëri Profeti (a.s)? Iu lut Allahut që t’ua bënte Medinën njësoj të dashur si Mekën. Ai e dinte që lutja e tij mund të ndryshonte realitetin apo të projektonte një realitet të ri. Dhe kështu ndodhi vërtet. Pas çlirimit të Mekës, Profeti (a.s) dhe shumë nga shokët e tij u kthyen në Medinë.
Së dyti, Profeti (a.s) e dinte çfarë ishte e qenësishme dhe domethënëse për të. Akeri i përkufizon “piketat domethënëse” si ato gjëra në jetë që janë të rëndësishme për ty, dhe që mund t’i përdorësh për të ndërtuar një hartë mendore drejt suksesit. Në mungesë të domethënies apo të kuptimit, ne konsumohemi apo djegim pa rezultat energjitë tona. Kjo mund të aplikohet tek gjëra si aktivizmi, puna apo edhe lutjet. Ne lodhemi së luturi sepse nuk jemi lidhur apo nuk kemi përvetësuar kuptimin e lutjes, domethënien e saj, ose e kemi harruar në rrugë e sipër. Prandaj ajo shndërrohet në rutinë. Ngjashëm edhe me aktivizmin, ne konsumohemi apo shuhemi gradualisht sepse harrojmë çfarë i jep kuptim këtij aktivizimi, çfarë na shtyu që të aktivizoheshim në krye të herës. Ne lodhemi dhe ndoshta heqim edhe dorë. Kur Aishja (r.a) pa Profetin (a.s) duke u lutur aq gjatë sa këmbët i ishin fryrë, i tha: “O I dërguari i Allahut, pse e mundon kaq shumë veten kur Allahu të ka falur mëkatet e shkuara dhe të ardhshme?”. Profeti (a.s) iu përgjigj: “A nuk duhet të jem rob falënderues?”
Kjo është arsyeja pse na kërkohet të bazojmë në sinqeritet gjithçka që bëjmë. Kështu i japim kuptim asaj që bëjmë. Mund t’i jepni kuptim gjërave që bëni në jetë duke i mbështetur në qëllime të sinqerta (për shembull, sigurimi i të ardhurave në rrugë hallall), por vetëm pasi të jeni të bindur për atë që ka vërtet kuptim dhe rëndësi për ju, mund ta ndryshoni situatën aktuale duke i përfshirë këto gjëra. Për më tepër, është edhe çështje diversifikimi. Nëse i kushtojmë rëndësi, apo i japim domethënie vetëm punëve tona, duke harruar familjen dhe miqtë, shumë shpejt do ta shikojmë veten tonë të rraskapitur. Profeti (a.s) ishte i ekuilibruar. Ai kalonte kohë cilësore me familjen e tij. Amr ibn Asi (r.a) tregon se Profeti (a.s) ishte aq i kujdesshëm ndaj tij sa mendonte se ai ishte miku i tij më i mirë. Ai sigurohej që edhe koha që i kushtonte Zotit të tij të ishte cilësore, siç treguam edhe përmes hadithit të mësipërm.
Së treti, ai dinte si ta nxiste veten apo të shpejtonte drejt arritjes së qëllimit. Akori shpjegon se sa më pranë që e perceptojmë apo ndjejmë veten tek qëllimi që kemi, aq më shpejt lëvizim drejt tij, si një vrapues që është drejt përfundimit të garës dhe që i jep vetes një shtysë të fundit. Allahu premton se pas vështirësisë do të sjellë lehtësim. Mjafton bindja në këtë premtim, për të thënë se Profeti (a.s) e dinte se diçka e mirë ishte pranë. Për më tepër, Profeti (a.s) nuk përqendrohej në problemet e të sotshmes, por e konsideronte çdo hap (sado të madh) si një mundësi për t’iu afruar vijës së finishit. Pikërisht kjo e bënte çdo sakrificë të tij të vlefshme dhe e energjizonte që të vijonte në rrugën e tij. Nuk ka rëndësi sa afër apo larg është arritja e qëllimit, por ku ne e perceptojmë atë. Nëse doni të inkurajoni njerëzit të dhurojnë para për një kauzë, ajo që për shembull i motivon njerëzit, është të dinë se aktualisht keni mbledhur 10% të shumës. Nëse ju thoni njerëzve se duhet të mblidhni 100.000 dollarë dhe keni arritur të mblidhni 10.000, është më e lehtë t’i motivoni njerëzit të dhurojnë, se në rastin kur duhet të mblidhni 90.000 dollarë dhe nuk keni mbledhur asgjë. Në fund, shuma që duhet të mblidhni është e njëjtë, por është perceptimi jonë që na jep fuqi të lëvizim drejt qëllimit.
Kjo është mënyra si përgjigjet truri jonë. Kur Profeti (a.s) po migronte nga Meka për në Medinë, në kushte tejet të rrezikshme, i tha Suraka bin Malik (që fillimisht donte ta vriste Profetin): “Një ditë do të mbash në duar byzylykët e Kisras. Suraka u trondit. “Kisrës?!”. Profeti (a.s) i tha: “Po! Të Kisrës, birit të Hermuzit” (prijësi i perandorisë së fuqishme persiane). Thjesht duke qenë në udhëtim për në një vend të sigurt si Medina, Profeti (a.s) e pa vijën e finishit, mbërritjen atje, si diçka shumë të afërt. Ai ishte i bindur dhe përplot besim në arritjen e këtij targeti.
Së katërti, ai eliminonte apo fshinte zhurmën dhe përqendrohej tek sinjalet. Në librin e tij, Akori thotë se truri njerëzor mund të përpunojë vetëm 40 bit informacion në sekond, pavarësisht se përmbytemi nga 11 milion copëza informacioni që vijnë përmes mbaresave nervore. Shumica e tyre janë thjesht zhurmë, që do të thotë informacion që ju shpërqendron nga jetësimi i ndryshimit pozitiv. Informacioni që vendosim të përpunojmë reflekton se ku e shpenzojmë apo kanalizojmë energjinë tonë. Zhurma është informacion negativ, i rremë apo thjesht i panevojshëm, ndërsa sinjalet janë grimca informacioni të vërtetë dhe të besueshëm që na paralajmëron apo sinjalizon për mundësitë që realiteti na ofron. Profeti (a.s) përqendrohej tek sinjalet, që do të thotë tek informacioni që ishte i vlefshëm dhe i përdorshëm. Për shembull, nëse ai do të përqendrohej tek zhurma që i thoshte se kurejshët u ishin vënë të gjithë nga pas për t’i kapur, ai nuk do të ishte në gjendje të shfrytëzonte mundësitë apo oportunitetet kur ato shfaqeshin. Kur muslimanët emigruan në Medinë, Profeti (a.s) organizoi një census të popullatës, duke krijuar një sinjal, sepse ky informacion do të ishte i dobishëm. Ai ndërtoi një treg të ri në mënyrë që muslimanët të punonin dhe të bënin tregti. Ajo që mund të kishte bërë ishte të shqetësohej për ndonjë sulm të beftë hakmarrës nga mekasit. Jo se ky kërcënim nuk ekzistonte, por ai thjesht i kushtoi rëndësinë dhe vëmendjen që meritonte, aspak më shumë. Ai mund t’i përqendronte energjitë në armatosjen e muslimanëve, megjithatë ai u përqendrua tek hartimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me komunitetet e ndryshëm që jetonin në Medinë, duke garantuar kështu mbrojtjen. Më pas ai punoi për strehimin dhe mirëqenien e shokëve të tij.
Një aspekt i rëndësishëm është se ai nuk vuante nga problemi i zhurmës së brendshme. Ndonjëherë ne jemi armiqtë e vetvetes duke ia nënshtruar veten fjalëve apo mendimeve negative. Por Ai kishte një lidhje të fuqishme me Allahun (xh.sh), dhe e dinte vlerën e tij tek Allahu dhe mbështetjen e Allahut për të.
Aftësia e pestë? Ai e transferonte apo e përçonte realitetin e tij pozitiv tek të tjerët. Ai i mësoi njerëzit si të shikonin të mirën. Ai na mësoi të mos anashkalojmë asnjë punë të mirë, qoftë ajo edhe thjesht një buzëqeshje ndaj dikujt. Kur Muadh ibn Xhebeli u dërgua në Jemen, Profeti (a.s) i tha: “Lehtësoi dhe mos vështirëso! Përgëzoji njerëzit dhe mos i largo!”.
Ai na mësoi se dera për tek Allahu është përherë e hapur. Kur një burrë erdhi tek Profeti (a.s) për të rrëfyer se kishte kryer marrëdhënie me një grua me të cilën nuk ishte i martuar, Profeti i recitoi këto ajete: “Faluni në dy skajet e ditës dhe kur të afrohet nata. Vërtet veprat e mira i fshijnë ato të këqija. Ky është përkujtim për ata që janë të vëmendshëm.” (Kur’ani: 11:114)
Prandaj edhe shokët e Profetit (a.s) ishin brezi më i mirë. Ata përvetësuan dhe përbrendësuan gjenialitetin pozitiv të Profetit (a.s) për të krijuar më pas realitetet e tyre pozitive.
A jeni edhe ju një gjeni pozitiv?
Burimi: islamicity.org