5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

33 VJET NGA RIHAPJA E AKTIVITETIT FETAR ISLAM

Më të lexuarat

Diktatura me tërë egërsinë e vet, hoqi mësimin e besimit nga shkolla, mbylli të gjitha shkollat për përgatitjen e kuadrit fetar, pezulloi shtypin fetar dhe botimet, sekuestroi të gjitha bibliotekat personale me literaturë fetare, ndaloi funksionimin e objekteve fetare, pengoi zhvillimin e riteve fetare, xhamitë i shndërroi në magazina e stalla dhe sigurisht shumicën e tyre i shkatërroi dhe i rrafshoi. Nga 1127 xhami që ishin në vitin 1967, vit kur Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, në vitin 1990 numëroheshin vetëm disa. Hoxhallarët më të shquar i burgosi dhe i pushkatoi, kurse disa prej tyre i dëboi nga qyteti, i la pa punë, u bëri presione që të hiqnin petkun fetar e të mohonin pikpamjet e tyre, shkurt, u përpoq me çdo mjet që të mos linte asgjë nga feja dhe ndjenjat e popullit për të.

Megjithatë ishte e kaluara islame e këtij populli, që zbuti shthurjen totale të shoqërisë sonë prej furtunës komuniste, dhe shumë besimtarë e ruajtën identitetin e tyre, duke kryer edhe një pjesë të riteve fshehurazi. Në mënyrë të kujdesur, pa marrë parasysh pasojat e rënda vetiake e familjare që rridhnin nga zbulimi i tyre, ata mbanin ramazan, faleshin, bënin lutje e bamirësi dhe mbanin gjallë në shpirtin e tyre dashurinë për Zotin, Profetin e fenë islame, kishin besim në mëshirën e ndihmën e Zotit, duke shpresuar ditë më të mira.

Rihapja e aktivitetit fetar islam, pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, u bë ditën e premte më 16 nëntor 1990, në Xhaminë e Plumbit në Shkodër.  Lidhur me këtë ditë të shënuar, ish myftiu i Shkodrës, H. Faik Hoxha, mes të tjerash shkruan: “Pesë vjet më parë, një grup qytetarësh, shumica të rinj, morën iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur xhumanë, për të ripërtërirë fenë, për të rifituar të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar. Duke përkujtuar këtë ngjarje të shënuar historike, na del përpara ai miting i madh popullor me rreth 60.000 pjesmarrës nga qyteti e fshati, nga të gjitha moshat, të mbledhur me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë, të cilët shprehën urrejtjen për diktaturën dhe ndjenjat e tyre për fenë.”[1] Kurse për ceremoninë e rihapjes së xhamisë së Plumbit, gjatë një interviste e pyetën Hafiz Sabriun: “A menduat për pasojat që mund të kishit në drejtimin e kësaj ceremonie?” Ai u përgjigj: “Duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet, nuk kisha se çfarë të humbisja. Përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndjeja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë.”[2]

Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Hafiz Sabri Koçi, më pas kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri dhe në çdo kohë. Ai, pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj funksionale. Nga xhamia e Plumbit u dëgjuan pas shumë vitesh ajetet e Kur’anit dhe Hadithet e Muhamedit (a.s.), të cilat, me besnikërinë më të madhe, i kishte ruajtur në kujtesën e tij Hafiz Sabriu.

Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe pas 3 viteve (1993), z. Ismail Muçej, kryeredaktor i parë i gazetës “Drita Islame”, shprehet: “Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin, njëra pas tjetrës, faltore.”

Dorian Demetja

 

[1] Faik Hoxha, “Duke kujtuar një përvjetor”, Gazeta Drita Islame, nr. 21 (82), viti IV i botimit, dhjetor 1995.

[2] Faik Luli – Islam Dizdari, “Një jetë në shërbim të fesë”, f. 56, Tiranë 1996.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit