2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

32 VJET NGA RIHAPJA E XHAMISË “ETHEM BEU”

Më të lexuarat

Xhamia “Ethem Beu” në Tiranë i kishte mbyllur dyert e saj 23 vite më parë, për shkak të ndalimit të besimit në Shqipëri nga sistemi komunist, i cili u shoqërua me masa të rrepta, me persekutime, burgosje e vrasje të prijësve fetarë që kishin predikuar fenë.

Rihapja e xhamisë “Ethem Beu” më 18 janar të vitit 1991, u bë me një ceremoni madhështore, në të cilën morën pjesë mijëra besimtarë dhe qytetarë të Tiranës. Ajo ishte dita kur emocionet, entuziazmi shpirtëror dhe shpërthimi i ndjenjave për qytetarët e Tiranës kishin arritur kulmin. Njerëzit të përmalluar, dëgjonin me vëmendje e kureshtje, qanin e çmalleshin me xhaminë.

Shumë nga xhamitë e Tiranës ishin shndërruar ose rrënuar dhe trualli i tyre ishte zëvendësuar me ngrehina të tjera, por, për fatin e mirë, xhamia “Ethem Beu”, e cila bashkë me kullën e sahatit ishin bërë simbol i kryeqytetit në çdo imazh fotografie apo pikture që përfaqësonte Tiranën, arriti t’i shpëtonte tiranisë së komunizmit, që u përpoq të shkatërronte çdo vlerë të besimit. Ishte prej begative të Zotit, që kjo xhami qëndroi në këmbë gjersa u rihap sërish për t’iu rikthyer zemrave të besimtarëve.

Ishin Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rusheku, Ibrahim Balla, Mehmet Sinella, etj., disa nga nismëtarët kryesorë myslimanë, të cilët hapën në Tiranë dyert e xhamisë “Ethem Beu” për besimtarët. Përmbajtja e fjalimeve të tyre në xhami, mund të përmblidhet në thirrjen e njerëzimit për besim, paqe, dashuri, harmoni, mirëkuptim, bashkëpunim, miqësi e vëllazërim midis njerëzve pa dallim.

Atë të premte janari, për qytetarët e Tiranës kishte zbardhur një ditë e madhe, që do të ringjallte shpresën për ditë më të mira. Në fytyrat e pjesëmarrësve lexohej gëzimi për këtë ngjarje të madhe, që shënonte rikthimin e besimit në jetën e tyre, pas një diktature të shfrenuar dhe një regjimi të ashpër komunist, i cili u përpoq të çrrënjosë fenë dhe besimin, por që kurrë nuk ia doli mbanë. Edhe pse përjetuan 23 vjet ngricë shpirtërore, shumë qytetarë të Tiranës, kishin ruajtur brenda tyre dashurinë për Zotin, kishin ruajtur ndezur brenda shpirtit të tyre një zjarr, që nuk lejoi ngricën komuniste të ftohte besimin e tyre në Zot. Kjo gjë, u vërtetua pikërisht në këtë ditë.

Lidhur me fillimet e aktivitetit fetar në qytetin e Tiranës z. Islam Kadesha shkruan: “Me rekomandimin e z. Sinan Tafaj, shkuam në shtëpi të z. Faik Kasollja, i cili na mirëpriti dhe lamë takimet e para në lulishten pranë Kuvendit Popullor. Në takimin e dytë, z. Faik solli kolegë dhe miq të tjerë, zotërinjtë Ramazan Rysheku, Ibrahim Balla, Xhavid Alimehmeti, Selim Stafa e Mehmet Sinella. Gjatë dhjetorit 1990, të ngarkuar me plot ngjarje, u zhvilluan takime pas takimesh. Në fillim të vitit 1991, z. Iljas Alimehmeti vuri në dispozicion banesën e vet për të zhvilluar takimet. Në ato ditë, një kontribut ka dhënë edhe një palestinez me emrin Zyher Naim. Në takimet e fillim vitit 1991, morën pjesë edhe besimtarë të tjerë si dr. Shefqet Ndroqi, dr. Qazim Bakalli, Bardhyl Fico, Sali Mëniku, Kujtim Gjinishi, Shyqyri Bylyku, etj. Pas shumë takimesh, arritëm në përfundimin që të konkretizohej e gjithë puna me marrjen e xhamisë “Haxhi Ethem Beu”, detyrë që iu ngarkua Islam Kadeshës, Iljas Alimehmetit, Ramazan Ryshekut dhe Ibrahim Ballës. Me gjithë pengesat e kryesisë së pushtetit të atëhershëm, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, z. Emin Riza, u tregua i gatshëm në dhënien e xhamisë më 15.01.1991. Me datë 16.01.1991 komisioni provizor, i përbërë prej 7-8 vetash, pasi mori në posedim xhaminë e “Haxhi Ethem Beut”, mori vendim që me datë 18.01.1991 të deklaronte rihapjen e veprimtarisë fetare. Në mbledhjen e fundit të komisionit u vendos të mbahej fjala e rastit nga z. Ibrahim Balla, të bëhej drejtimi i mevludit nga z. Ramazan Rysheku dhe të bëhej falja e parë e namazit të ditës së premte. Kjo ka qenë ceremonia e parë, tepër madhështore, në të cilën morën pjesë me mijëra qytetarë, nga të cilët u mbulua i gjithë sheshi “Skënderbej”. Ka qenë një ceremoni tepër prekëse, sepse për gati 50 vjet nuk ishte parë ndonjëherë një pjesëmarrje e tillë. Data 18 janar 1991, është dita e parë që zyrtarisht konsiderohet rihapja e veprimtarisë fetare në Tiranë.”[1]

Ndërsa në një bisedë, ish drejtori dhe mësuesi i Medresesë së Tiranës, z. Xhemal Balla, lidhur me këtë ditë, thotë: “Në Tiranë, mbështetja e parë ishte e z. Ibrahim Balla, ish-drejtor i përgjithshëm i vakfit në Komunitetin Mysliman Shqiptar deri në vitin 1967, kur shteti e mbylli fenë me ligj. Ai ishte i fundit që dorëzoi arkivin e Komunitetit Mysliman, si dhe çelësin e xhamisë së ‘Et’hem Beut’ në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, sot Bashkia e Tiranës. Hapi i parë u hodh në mbajtjen e një ceremonie fetare (mevlud) në xhaminë e ‘Et’hem Beut’ më 18 janar 1991. Ishte Ibrahim Balla ai që kishte dokumentin e dorëzimit të çelësit në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës më parë, i cili e rimori çelësin me vështirësi dhe me rezistencë nga Bashkia. Ceremonia kaloi në mënyrë të përsosur, e ndjekur nga mijëra besimtarë në sheshin ‘Skënderbej’. Pas ceremonisë së mevludit, zotërinjtë Ibrahim Balla, Ramazan Rusheku e të tjerë, u drejtuan drejt 15-katëshit (Hotel Tirana). Këtu bëhet mbledhja e parë zyrtare bashkë me z. Bardhyl Fico.”

Vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ata njerëz, që me zell e përkushtim kontribuuan në skalitjen e datës 18 Janar 1991 në kujtesën historike të Tiranës, si dita e rihapjes së xhamisë “Ethem Beu”.

Dorian Demetja

[1]. Islam Kadesha, Rihapja e institucioneve fetare me 18.01.1991, gazeta “Drita Islame”, nr. 3 (158), viti VIII i botimit, shkurt 1999.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit