0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

3. Pse të pendohemi?

Më të lexuarat

Dhjetë pengesa në mes robit dhe Allahut

 

Robi i Allahut përballet me shumë pengesa, me të cilat nuk mund ta realizojë pendesën. Në këtë hytbe do të mundohemi, me lejen e Allahut, të kujtojmë së bashku disa prej pengesave.

Allahu im, ma bëj risk sinqeritetin në fjalë dhe vepra, të dukshme dhe të padukshme!

Pengesa e parë: Padituria për Allahun e Lartësuar

A e njeh vërtet Allahun? Ai që e njeh Allahun, e do Atë. Nuk mund ta njohësh Atë kur nuk e do. Nuk e do Atë kur nuk e njeh. Aq sa e njeh Allahun, aq më tepër e do.

Hatibi (ligjëruesi) i Pejgamberëve, Shuajbi alejhis-selam, i bëri thirrje popullit të vet:

واستغفروا ربكم ثم توبوا اليه، إن ربي رحيم ودود

Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” (Hud, 90)

Dëgjoje fjalën e Zotit tënd Mëshirëplotë:

إنّ الذين آمنوا وعملوا الصالحات سيجعل لهم الرحمن ودّا

Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri. (Merjem, 96)

Mbulesa apo pengesa më e madhe është injoranca, padituria për Allahun. A e njeh ti Allahun? Injoranca është armiku i njeriut. Ata të cilët nuk e njohin Allahun, i bëjnë gjynah Atij. Ata që nuk e njohin Allahun, e urrejnë Atë. Pikërisht për këtë, Allahu fillimisht thërret për dituri:

فاعلم أنه لا اله الا الله واستغفر لذنبك وللمؤمنين وللمؤمنات

Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!” (Muhamed, 19)

Ilaçi është ta njohësh Allahun me njohje të saktë. Atëherë kur e njeh mirë Allahun, në atë moment e përjeton realitetin e teubes – pendimit.

Pendimi ka shumë sekrete dhe urtësi.

Mëkati është krim i bërë, por ky mëkat ka kuptim apo më mirë të themi kur ndodh mëkati, robi i Allahut ka mundësinë që të njohë:

–          Madhështinë e Allahut në caktim: Ai cakton çdo gjë dhe si të dojë me fuqi dhe drejtësi. Këtë besimtari duhet ta dijë dhe ta mësojë.

–          Mirësinë e Tij në mbulim: Ai e mbulon robin nga mëkatet, i jep mundësinë nëpërmjet mbulimit që të kthehet te pendimi.

–          Butësinë e Tij duke mos e dënuar: Ai gjithashtu nuk shpejton në dënim, por po të dojë Allahu, të ndëshkon menjëherë.

–          Bujarinë e Tij në pranimin e faljes së robit: Ai të pranon, të mirëpret me falje.

Por këto mirësi dhe përparësi besimtari duhet t’i mësojë dhe t’i dijë. O ti rob i Allahut, mëso për emrat dhe cilësitë e Zotit tënd, Ai është i Gjithëdijshëm,  Falës, i Plotfuqishëm, i Urtë, Bujar.

Duke mësuar për emrat dhe cilësitë e Allahut, largon pengesën e injorancës dhe paditurisë.

Pengesa e dytë: Bidati (risitë në fe)

Kush shpik në fe, bën bidat, ngre një pengesë me bidatin e bërë, kështu që bidati i tij paraqet pengesë mes tij dhe Allahut. I Dërguari i Allahut thotë:

من أحدث في أمرنا هذا ما ليس منه فهو رد 

Ai që shpik në çështjen tonë gjëra që s’janë të saj, ato janë të refuzuara.” (Raporton Buhariu dhe Muslimi)

Po ashtu shiko edhe fjalën e Allahut të Lartësuar mbi jobesimtarët:

لا تفتح لهم أبواب السماء

“…nuk do t’u hapen dyert e qiellit. (Araf, 40)

Për çfarë arsye?

Kemi edhe një gjë të bukur nga fjalët e selefit në fjalën e Allahut të Lartësuar:
إليه يصعد الكلم الطيب والعمل الصالح يرفعه

Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë.” (Fatir, 10)

Kur besimtari punon punë të mira, ato depërtojnë në qiell, i tejkalojnë pengesat, ngjiten tek Allahu, sikurse në qiej hapin një rrugë. Dyert hapen. Kur vdes, shpirti ngjitet lart, i gjen dyert e hapura, ngase ai që i hapi dyert e shtroi rrugën dhe i largoi pengesat. Janë veprat e mira ato që ngjiten lart. Po të ndodhë e kundërta, jo vepra të mira, dyert mbeten të mbyllura, rrugët me pengesa. Kur vdes, shpirti kërkon të ngjitet, por i gjen dyert të mbyllura. Nuk kishte vepra të mira që t’i hapin. Zoti ynë thotë:

ومن عمل صالحا فلأنفسهم يمهدون

“…kurse ata që kanë bërë vepra të mira, i kanë përgatitur vetes (të mira). (Rum, 44)

Vepra e mirë i ka dy kushte:

E para: Të jetë vetëm për Allahun e Lartësuar.

E dyta: Të jetë në standardet e Sunetit të Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Pa këto dy kushte nuk quhet e mirë. Nuk ngrihet tek Allahu, sepse tek Ai ngrihet vetëm vepra e mirë. Bidati është pengesë për ngritjen e veprës tek Allahu. Po ashtu edhe e pengon arritjen e robit deri tek Allahu. Kështu që bidati është pengesë mes robit dhe Allahut. Bidatçiu është rob i epshit. Bidatçiu është më i keq se gjynahqari.

Pengesa e tretë: Mëkatet e mëdha të brendshme

Ato janë të shumta: arroganca, mendjemadhësia, kryelartësia, mburrja, xhelozia, syfaqësia. Këto mëkate të brendshme janë më të mëdha se mëkatet e jashtme, janë më të mëdha se zinaja, alkooli, vjedhja. Por kur këto mëkate të brendshme përfshijnë zemrën, janë pengesë dhe mburojë mes zemrës së robit dhe Zotit të Madhërishëm.

Rruga për tek Allahu kalohet me zemra e jo me këmbë. Kështu që mëkatet e zemrës e ndërpresin dhe e pengojnë rrugën.

Pengesa e katërt: Gjynahet e vogla

Ashtu siç kemi përmendur më lart, se gjynahet e vogla bëhen të mëdha, sa e sa mëkate të vogla shumë njerëzve u kanë dhënë përfundim të keq.

Besimtari duhet ta shohë mëkatin, sado i vogël qoftë ai, e mos ta asgjësojë sepse ai është nën mbikëqyrjen e Allahut. Besimtari çdo të mirë, sado të vogël, duhet ta vlerësojë si dhuratë nga Allahu. Ai duhet të jetojë mes tyre derisa nga zemra e tij të largohet edhe përçmimi i mëkatit të vogël dhe injorimi i veprës së mirë.

Pengesa e pestë: Shirku (idhujtaria)

Është ndër pengesat më të mëdha dhe më të vrazhda. Kuptimi bazë i shirkut është lidhja e zemrës jo me Allahun por me tjetër kënd përveç Tij, qoftë ajo në adhurim, në dashuri, në kuptimin e brendshëm ose në veprat e dukshme. Shirku është disa llojesh e njëra ndër më të rrezikshmet është “الشرك الخفي” shirku i fshehtë. Besimtari, duke mos e njohur atë, mendon se është prej të mirëve, të devotshmëve, të udhëzuarve. Ai mendon se e adhuron Allahun drejt, i afrohet Atij me vepra të mira, por nuk e di se i bën shirk Allahut.

Rreziku i këtij lloji të shirkut mund të shihet edhe më qartë kur të mendoni për leximin e ajeteve:

ويوم نحشرهم جميعا ثم نقول للذين أشركوا أين شركاؤكم الذين كنتم تزعمون* ثم لك تكن فتنتهم إلا أن قالوا والله ربنا ما كنا مشركين* انظر كيف كذبوا على أنفسهم وضلّ عنهم ما كانوا يفترون

Atë ditë kur do t’i tubojmë të gjithë, Ne do t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, për të cilët thoshit se ishin ortakë të Allahut! Ata nuk do të mund të shfajësohen ndryshe, veçse duke thënë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë, nuk kemi qenë idhujtarë!” Shiko se si gënjejnë kundër vetes, por zotat që ata i trilluan, do t’i lënë në baltë. (Enam, 22-24)

Atëherë përpiqu që të besosh mirë e drejtë në teuhid. Lutju Allahut të të ruajë nga shirku. Kërko strehim nga Allahu. Në çdo kohë lutju Allahut: Allahu im, kërkoj nga Ti mbrojtje nga shirku që e di dhe kërkoj faljen Tënde për atë që nuk e di!

Këtu eliminohet pengesa, duke kërkuar ndihmën prej Allahut, me sinqeritet dhe me besnikëri të plotë duke iu kthyer Allahut.

Pengesa e gjashtë: Mospërfillësit e Allahut

Pakujdesia dhe mospërfillja dominojnë në zemër dhe krijojnë ndarje mes robit dhe Krijuesit. Njeriu ndjek epshin, pason shejtanin dhe e harron Allahun. Allahu  thotë:

ولا تطع من أغفلنا قلبه عن ذكرنا واتبع هواه وكان أمره فرطا

“Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Kehf, 28)

Atëherë është me rëndësi që njeriu ta largojë shkujdesin me dritën e mirësive të Allahut duke i kujtuar ato, pastaj duke ia kujtuar vetes gjynahet dhe rrezikun e tyre, por duke mos e përbuzur jetën sepse është kapitali i njeriut, që ta shfrytëzojë atë që ka mbetur.

Vetëm kështu robi ngjall ndjenjën e ringjalljes duke u angazhuar në kënaqësinë e Allahut.

Pengesa e shtatë: Traditat, zakonet dhe imitimet

Disa njerëz janë robër të zakoneve. E pyet pse pi duhan dhe të thotë: -Është një ves i keq, sepse me cigare nuk ndiej kënaqësi. Por kur bëhem nervoz, e ndez një cigare dhe pas pak qetësohem.

Kur ky është bërë rob i cigares, atëherë mes tij dhe Allahut është ngritur pengesa. Gjëja e parë që duhet bërë për të arritur tek Allahu është lirimi nga robëria e adeteve. Ai duhet të lirohet nga këto robëri. Njeriu duhet të jetë vetëm rob i Krijuesit Allah.

Të nderuar besimtarë!

Këto janë shtatë pengesat e lartpërmendura dhe po me këtë shtatëshe po e përmbyllim këtë hytbe duke i rikujtuar:

  1. Padituria për Allahun e Lartësuar
  2.  Bidati (risitë në fe)
  3.  Mëkatet e mëdha të brendshme
  4.  Gjynahet e vogla
  5.  Shirku (idhujtaria)
  6.  Mospërfillësit e Allahut
  7.  Adetet, zakonet dhe imitimet

Me lejen e Allahut, në hytben e ardhshme do të plotësojmë edhe tri pengesat e tjera. Allahu im, largoje çdo pengesë nga zemrat e besimtarëve!

 

Vazhdon…

 

Ulvi Fejzullahu

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit