20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

2. Pse të pendohemi?

Më të lexuarat

Nijeti i pendimit

 

Të nderuar besimtarë!

Le të kujtojmë diçka të rëndësishme nga hytbeja e kaluar.

Pse të pendohemi?

Kjo është pyetja që dëgjohet shpesh. Gruaja e zbuluar pyet: “Pse të pendohem?! Jam e bukur, pse të mbulohem?”

I riu thotë: “Kënaqësinë e gjej tek cigarja, pse ta lë atë? Kënaqem kur shikoj televizor, si ta braktis atë? Unë nuk dua detyrime dhe përkufizime. Nuk pranoj të detyrohem me orarin e kohëve të namazit?! Vallë, a nuk duhet njeriu të bëjë atë që e bën të lumtur? Mua më lumturon ajo që ju e quani  mëkat (gjynah) dhe nuk e pranoj këtë emërtim. Atëherë, pse të pendohem? Për çfarë të pendohem?”

Atëherë, me lejen e Allahut të Lartësuar, në këtë hytbe do të japim përgjigje duke u munduar të kuptojmë pesë çështje bazë, të cilat janë:

E para: (Duhet të pendohemi sepsePendimi na udhëzon në rrugën e drejtë

Allahu i Lartësuar thotë:

وما خلقت الجنّ والإنس إلا ليعبدون

Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Jo që të mëkatojnë. Jo që të luajnë. Jo që të ndjekin epshet. Jo vetëm që të shumohen. Assesi dhe kurrsesi! Por gjithsesi “që të Më adhurojnë”. Mëkatari nuk është adhurues. Atëherë, kur i themi ‘pendohu’, kjo nënkupton ‘kthehu tek vetvetja, tek ajo për të cilën je krijuar, sepse vetëm këtu ke dobi, mirësi, përfitim, leverdi, mirësi’.

E dyta: (Duhet të pendohemi sepseTregojmë bindje dhe dëgjueshmëri ndaj urdhrit të Allahut

Allahu është Ai që thotë:

وتوبوا الى الله جميعا أيها المؤمنون لعلكم تفلحون

Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”(Nur, 31)

يا أيها الذين آمنوا توبوا الى الله توبة نصوحا

O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë,” (Tahrim, 8)

Kjo do të thotë besnikëri. Është urdhër nga Allahu, Sunduesi, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, Zotërues i gjithë pushtetit. Duhet t’i bindemi dhe t’i përulemi urdhrave të Tij. Pendohemi vetëm që ta adhurojmë, duke respektuar Zotëruesin.

E treta: (Duhet të pendohemiPër të ikur nga padrejtësia drejt shpëtimit

Zoti ynë thotë:

ومن لم يتب فأولئك هم الظالمون

Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. (Huxhurat, 11)

Vëlla, ki parasysh se padrejtësia kulmore është largimi yt prej teubes, kështu ta kundërshtosh Zotin tënd, duke vazhduar me të kaluarën në epshe dhe shfrenim. E gjithë kjo është humbje për ty.

Edhe një herë le të përsërisim fjalën e Allahut të Lartësuar: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”(Nur, 31)

Ky ajet është ajet medinas. Allahu u drejtohet besimtarëve, krijesave më të zgjedhura, që të pendohen tek Ai, pasi ata kishin besuar dhe kishin duruar në rrugën e imanit.

E katërta: (Duhet të pendohemiPër të kërkuar lumturinë

Shumë prej gabimtarëve jetojnë një lumturi iluzore, të zbehtë e të përkohshme. Në realitet, ajo nuk është lumturi. Po të shohësh një njeri që kërkon shije tek dheu ashtu si tek ushqimi dhe ëmbëlsirat, a nuk do të gjykosh se ka shqisa të sëmura? Ai që e ha dheun, kënaqet me të, ky është epshi i tij. Pa dyshim një gjë e shëmtuar, sëmundje që kërkon shërim. Ka njerëz që kënaqen me mëkatet. Kështu e ndiejnë ata. Jo, assesi, mëkati nuk është i lezetshëm! Jo se mëkatet janë të këndshme, por realiteti është se zemra është prishur.

Allahu im, përmirësoji zemrat tona!

Ky njeri ka nevojë për riparimin e zemrës. Ai i ngjan lëkurëregjësit, i cili e ndien erën e keqe brenda në punishte vetëm kur del prej saj.

Ky mëkatar, pra, është si lëkurëpunuesi. Ne i themi atij: -Largohu nga mëkatet. Pendohu tek Allahu i Lartësuar, se atëherë do ta ndiesh të keqen që veproje!

Sa shumë gjynahqarë kanë thënë: “Sa i ndyrë isha! Sa i keq! Sa i humbur! Sa i pakujdesshëm isha!”

Tani ai e di dhe është i bindur, pasi e vërejti dhe u largua, pasi u pendua. Allahu im, pranoje pendimin e mëkatarëve!

Është e rëndësishme të kujtojmë së bashku disa opinione të të penduarve. Ata janë shprehur kështu:

–          Po qaj me mall për kohën e kaluar pa dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, për ditët e kaluara larg Allahut.

–          Po, isha i vdekur, Allahu më ringjalli. Kjo është dhuratë prej Tij.

–          U drejtohem motrave që e kanë harruar Allahun dhe janë zhytur në epshet e dynjasë, që t’i kthehen Allahut. Pasha Allahun, lumturia është në respektimin e Allahut!

–          Kam dalë nga jeta e prishur dhe e shfrenuar në jetën e vetme ku ndjeva dhe përjetova sigurinë, qetësinë, stabilitetin.

–          Kam arritur me bindje të prerë në rezultatin se nuk ka përmirësim në tokë, nuk ka qetësi për njerëzimin, nuk ka rehati për njeriun, nuk ka ngritje, pastërti e bereqet vetëm se atëherë kur njerëzimi kthehet tek Allahu.

–          Sot pyes vallë, si do ta kisha takuar Allahun po të mos më kishte udhëzuar Ai?!

–          Mendja filloi të mendojë, zemra të rrahë, gjymtyrët të thërrasin: “Vrite shejtanin, epshin!” Jeta filloi të ndryshojë, pamja ime të jetë ndryshe. Fillova të ecja drejt rrugës së mirësisë. Lus Allahun ta përmirësojë përfundimin tim!

Të rinjve muslimanë po u drejtohem me fjalët: Assesi nuk mund ta gjeni lumturinë në udhëtime, drogë, shfrenime! Atë mund ta shijoni vetëm në udhëzim, pendim, duke i shërbyer fesë së Allahut, duke urdhëruar në të mirë dhe ndalur nga e keqja.

Miq të dashur!

Çfarë keni kontribuar për Islamin? Ku janë gjurmët tuaja?

O rini, gjeneratë e tërë, Islamit ktheju,

Ti shpirti i tij je dhe prej teje udhëhiqet.

 

Në të kaluarën Islamin e ngrite,

Gjithashtu e ardhmja e lulëzuar do të jesh.

Rini e dashur! Kthehu tek Allahu. Ai gëzohet kur ti pendohesh, kurse ti do të jesh e lumtur.

Vallë, kush është më i gëzuar, ai që ka në zemër femrat, pasurinë, makinat, vilat, shokët, shoqet ose të dashurën apo ai që thotë: “Allahu im, Zoti im, Krijuesi im, Furnizuesi im, Sunduesi im”?

I lumtur është vetëm ai që respekton Allahun.

E pesta: (Duhet të pendohemi sepseKështu ikim nga dënimi, vetmia dhe izolimi

Zoti ynë na fton:

ففروا الى الله

Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut…” (Dharijat, 50)

Pa dyshim që ne me pendim ikim për tek Allahu duke u larguar nga epshi. Ikim nga mëkatet. Ikim prej gjynaheve. Ikim nga shejtani. Ikim nga shpirti i prirë për të keqe. Ikim nga dynjaja. Ikim nga epshet. Ikim nga pasuria. Ikim nga të gjitha këto drejt Sunduesit, në Dorën e të Cilit janë çelësat e thesareve të mëshirës, faljes, pendimit, mirësive.

Të nderur besimtarë!

Gjithsesi duhet të pendohemi për të fituar notën më të lartë me këto standarde. Në përmbyllje të hytbes, edhe një herë le të rikujtojmë pesëshen e artë. Duhet të pendohemi sepse:

  1. Pendimi na udhëzon në rrugën e drejtë;
  2. Tregojmë bindje dhe dëgjueshmëri ndaj urdhrit të Allahut;
  3. Ikim nga padrejtësia drejt shpëtimit;
  4. Kërkojmë lumturinë dhe
  5. Ikim nga dënimi, vetmia dhe izolimi.

Allahu im! Na e lehtëso pendimin duke na udhëzuar në rrugën e drejtë, vetëm në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi dhe jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!

Vazhdon

 

Ulvi Fejzullahu

 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit