-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

1. Pse të pendohemi?

Më të lexuarat

Pse të pendohemi? [1]

(Pjesa 1)

Lavdërimi është për Allahun, i Cili nuk e prish atë që ka ngritur, nuk e ndalon atë që ka dhuruar, nuk e kthen atë që ka gjykuar, nuk e publikon atë që ka mbuluar dhe nuk e humb atë që ka udhëzuar.

I lavdëruar qoftë Ai që krijoi gjithësinë dhe çdo gjë me fuqinë e Tij dhe e ruan me mirësinë e Tij.

I lavdëruar qoftë Ai që krijoi Ademin, e vendosi për banim afër Tij, e urdhëroi ashtu si dëshiroi dhe e ndaloi. Ishte caktimi i Tij kur Ademi pasoi epshin e tij dhe mëkatoi, ndërsa Mëshirëploti e pranoi pendimin e tij.

I lavdëruar qoftë Ai që e krijoi Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, e zgjodhi për Pejgamber, e afroi Ai afër Vetes sa dy harqe dhe e inspiroi dhe i premtoi pozitë të lartë.

I lavdëruar qoftë Ai që nëpërmjet Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, na udhëzoi e na nderoi me Kuran dhe na e mësoi atë.

I lavdëruar qoftë Allahu. I lavdëruar qoftë Allahu. I lavdëruar qoftë Allahu.

Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut. Gjithashtu, dëshmoj se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Të nderuar besimtarë!

Shumë njerëz nuk e dinë vlerën e pendimit, “teubes”, e lëre më të marrin një hap drejt tij.

Allahu im!

Erdha te mjekët e robërve të Tu,

Gabimin tim ata ta kurojnë,

Por të gjithë te Ti më udhëzuan.

Në një rast bëra një bisedë me veten:

Si e njeh Allahun, i pranon të gjitha të mirat e Tij, por mëkaton pa ndërprerë, ditën e natën?!

A nuk po frikësohesh nga dënimi?

Pse nuk po synon xhenetin dhe të mirat e pakufishme që nuk mbarojnë? Pse nuk po ikën nga zjarri dhe i ftohti i xhehenemit, i cili nuk ka të mbaruar?

Dhe më pas i thashë vetes: -Ke mundësinë e zgjedhjes!

Kurse vetja më tha: -Një ditë do të pendohem tek Allahu!

I thashë: -Atëherë vepro!

Më tha vetja: Më trego rrugën. E, si të pendohem?!

Vëlla i penduar!

 

Fillimisht duhet ta dish se fillimi i rrugës është qëndrimi, ecja gjatë rrugës është veprimi dhe furnizimi i saj është pendimi.

Dije se vdekja të vjen befas. Allahu i Lartësuar thotë:

قل يعبادي الذين أسرفوا على أنفسهم لا تقنطوا من رحمة الله، إن الله يغفر الذنوب جميعا، إنه هو الغفور الرحيم* وأنيبوا الى ربكم وأسلموا له من قبل أن يأتيكم العذاب ثم لا تنصرون* واتّبعوا أحسن ما أنزل اليكم من ربكم من قبل أن يأتيكم العذاب بغتة وأنتم لا تشعرون* أن تقول نفس يحسرتي على ما فرّطت في جنب الله وإن كنت لمن الساخرين* أو تقول لو أنّ الله هداني لكنت من المتقين* أو تقول حين ترى العذاب لو أن لي كرّة فأكون من المحسنين* بلى قد جاءتك آياتي فكذبت بها واستكبرت وكنت من الكافرين.

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm.” Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë!” (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë.” (Zumer, 53-59)

Vëlla i penduar!

Mëso se ti që po kërkon lumturinë, ke nevojë për shpëtim, shpreson te falja. Allahu i Lartësuar thotë:

وإني لغفّار لمن تاب وعمل صالحا ثم اهتدى

Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Taha, 82)

Pendimi! Pendimi! Vëlla i penduar, pendimi është thelbi i çështjes, ringjallje e jetës, kusht i shpëtimit tënd.

Ibnul Kajjimi thotë: “Pozita e teubes është destinacioni i parë, i mesëm dhe i fundit. Nuk ndahet prej njeriut deri në vdekje, edhe kur shpërngulet në banesën e ahiretit e shoqëron dhe zbret me të. Teubeja është fillimi për të, nevoja e tij e domosdoshme.”

Allahu i Lartësuar thotë:

وتوبوا الى الله جميعا أيها المؤمنون لعلكم تفلحون

Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur 31)

Ky ajet i takon sures medinase, kur Allahu i Lartësuar i drejtohet besimtarëve, më të zgjedhurve të krijesave të Tij, që të pendohen tek Ai pasi kanë besuar, kanë bërë durim, shpërngulje dhe xhihad. Shpëtimin e ka bërë të varur nga teubja, ku është lidhur shkaktari me shkakun e tij. Kështu parafjala “leal-le”është treguese e shpresës. Pra, kjo është një shenjë që nëse ju pendoheni, ndoshta do ta përjetoni shpresën e shpëtimit, se ndjenjën e shpëtimit e kanë vetëm të shpëtuarit. Allahu na bëftë prej tyre!

Pse të pendohemi?

Kjo është një çështje e nevojshme dhe është rezultat i padijes së njerëzve për fenë në këtë shekull, rezultat i injorancës së tyre për mëkatet që bëjnë. Kuptimi i gjynahut është një domethënie e madhe që ngërthen shumë gjëra, për dallim prej asaj që njerëzit mendojnë se është e lejuar.

Ndoshta një grua e zbuluar pyet: “Pse të pendohem?! Jam e bukur, pse të mbulohem?!”

Një pyetje të tillë e bën edhe një i ri: “Kënaqësinë e gjej te cigarja, pse ta lë? Kënaqem kur shikoj televizor, si ta braktis atë? Unë nuk dua detyrime dhe përkufizime! Nuk pranoj të detyrohem me orarin e kohëve të namazit! Vallë, a nuk duhet njeriu të bëjë atë që e bën të lumtur? E mua më lumturon ajo që ju e quani mëkat, ndërsa unë nuk e pranoj këtë emërtim. Atëherë, pse të pendohem? Për çfarë të pendohem?”

Kjo është pyetja që dëgjohet shpesh: Pse të pendohemi?

Të nderuar besimtarë!

Patjetër i duhet dhënë përgjigje kësaj pyetjeje dhe me lejen e Allahut në hytben e ardhshme do të mësojmë diçka më tepër për nijetin e pendimit.

Allahu im! Na e bëj risk pendimin, sinqeritetin në fjalët dhe veprat tona të dukshme dhe të padukshme!

Vazhdon... 

Ulvi Fejzullahu

 

 


[1] Lexues të nderuar!

Referenca bazë e kësaj hytbeje është libri “كيف أتوب؟!” i hoxhës, pedagogut të umetit islam, Muhamed Husejn Jakubit. E kam zgjedhur këtë libër për shkak të rëndësisë dhe nevojës së madhe të muslimanëve për pendim.

Hoxha i nderuar ka një ndikim të dukshëm në udhëzimin e drejtë të umetit. Allahu i Lartësuar i ka dhënë bereqet dhe sinqeritet në davet. Shpresoj që edhe besimtarët në këto troje do të përfitojnë prej bereqetit të tij.

Hoxha i nderuar si në të folur edhe në shkrime përsërit një dua, që më ka tërhequr vëmendjen: “Allahu im! Më bëj risk ihlasin (sinqeriteti) në fjalë dhe vepra.” Unë vetëm dëshirova që të jap një kontribut modest me disa hytbe në seri, duke u munduar që së pari vetë unë të përfitoj nga bereqeti i thirrjes islame. Allahu im, mos më privo nga ky bereqet dhe gjithashtu ma bëj mua risk ihlasin në fjalë dhe në vepra të jashtme dhe të brendshme! Amin!

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit