Vetoja e Shqipërisë në NATO, shans për shqiptarët e Maqedonisë

0
41

Kërkesa e ish ambasadorit Murati mbështetet edhe nga analistët shqiptarë në Maqedoni, të cilët janë të mendimit se Shqipëria duhet ti përdorë të gjitha “kartat” për të zgjidhur çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ish Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Shaban Murati ka kërkuar që Shqipëria të përdorë veton në NATO, kundër Maqedonisë, me qëllim që të ushtrojë trysni që kjo e fundit ta zgjidhë çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë.
Në një tekst të vetin autorial, ai thotë se çështja e shqiptarëve në Maqedoni është aktualisht përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare në përgjithësi.
“Prioriteti i çështjes së shqiptarëve në Maqedoni si përbërësi kryesor i çështjes shqiptare duhet të vendoset në platformën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së shtetit shqiptar, të shtetit të Kosovës, të forcave politike shqiptare në Maqedoni dhe në të gjitha trojet amtare në gadishull, si dhe në diasporë. Kjo kërkon një nivel të lartë kuptimi dhe përdorimi të kartave diplomatike të arta si njohja e emrit apo vota për pranimin e Maqedonisë në NATO, të cilat duhet thënë se janë trajtuar nga Shqipëria jo në shkallën, që kërkon interesi shtetëror dhe kombëtar dhe duke anashkaluar interesat tona kombëtare në Maqedoni”, shkruan ai.
Ai shton se populli shqiptar në Maqedoni ende nuk ka të përcaktuar statusin e vet të merituar juridik kushtetues, që do të sanksiononte një nivel të barabartë të drejtash, lirish dhe sidomos të vendimmarrjes shtetërore, që ka populli maqedonas.
“Derisa vendimmarrja shtetërore në Maqedoni vazhdon të jetë ekskluzivisht vetëm në duart e komunitetit maqedonas, nuk mund të bashkohemi me konkluzionin se në atë shtet janë ndërtuar marrëdhënie funksionale ndëretnike dhe shtetërore”, thekson Murati.
Kërkesa e ish ambasadorit Murati mbështetet edhe nga analistët shqiptarë në Maqedoni, të cilët janë të mendimit se Shqipëria duhet ti përdorë të gjitha “kartat” për të zgjidhur çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë. “Shqipëria me Kushtetutë e ka për detyrë që të mbrojë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ajo duhet ti përdorë të gjitha mekanizmat për të zgjidhur çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Kur them gjitha mekanizmat, aty përfshihen edhe veto, edhe të gjitha mjetet të cilat mund të realizojnë zgjedhjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, thotë për “Lajmpress”, analisti Kim Mehmeti.
Të njëjtin mendim me ambasadorin, ndan edhe analisti Ismet Ramadani, i cili thotë se do të ishte edhe më mirë, nëse këtë çyshtje e shtrojnë edhe subjektet politike shqiptare.
“Ideja e ambasadorit është shumë e arsyeshme, por shumë më mirë do të ishte sikur subjektet politike shqiptare në Maqedoni e shtrojnë këtë problem, sepse politika dhe diplomacia e Shqipërisë vepron sipas kërkesave të partive politike shqiptare këtu”, thotë Ramadani.
Ai sqaron se kjo është një formë shumë demokratike dhe, siç thotë ai, tek e fundit Shqipëria këtë mundësi e ka dhe është shumë e arsyeshme që ajo ta përdorë atë forcë politike diplomatike që ka.
“Kjo ndoshta do ta përshpejtonte edhe çështjen e anëtarësimit, pasi kjo politikë e butë e shqiptarëve po keqpërdoret”, thotë Ramadani.
Ish Ambasadori Murati thotë se çështja shqiptare në Maqedoni nuk është vetëm çështje e shqiptarëve dhe e forcave politike në Maqedoni, të cilat natyrisht kanë barrën kryesore të ndërgjegjësimit të vetvetes dhe të aksionit për prioritarizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni.
“Ajo duhet kuptuar dhe trajtuar si çështje politike, diplomatike, sigurie, strategjike, gjeopolitike etj, dhe duhet konsideruar si pjesë e interesave jetike të kombit shqiptar. Ajo është një motor dhe një gjenerator, që mban gjallë çështjen shqiptare në Ballkan. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni është sot prioriteti numër një i çështjes sonë ende të pazgjidhur kombëtare”, thotë ai, duke numëruar arsyet se pse është ashtu./Indeksonline/kohaislame