7.7 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

“Turqia do të jetë pranë për të ndihmuar vëllezërit shqiptarë”

Më të lexuarat

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka zhvilluar një takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu dhe me punonjësen e policisë, Ina Nuka, e cila u mjekua nga mjekët turq pasi u plagos në protestë.

Pas takimit të realizuar në Ambasadën Turqisë në Tiranë, ambasadori Yörük, Veliu dhe Nuka folën për mediat, ku vlerësuan ndihmën e Turqisë rreth rastit të mjekimit në Ankara të punonjëses së Policisë Shqipërisë.

Duke i uruar shërim të shpejtë punonjëses së Policisë së Shqipërisë, ambasadori turk theksoi se Turqia gjithmonë do të jetë pranë për të ndihmuar vëllezërit shqiptarë.

“Me kërkesë të kryeministrit Rama dhe me urdhrin e presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan, erdhi nga Ministria e Shëndetësisë e Turqisë një avion ambulancë për të marrë dhe për të mjekuar motrën tonë të dashur, Ina, e cila kishte kaluar një ngjarje të pakëndshme. Me kënaqësi shikoj sot që Ina është me shëndet të mirë. Dy popujt tanë, dy vendet tona kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore të përjetshme. Ne kemi bërë vetëm atë që kërkon miqësia dhe vëllazëria jonë e përjetshme. Ashtu si në të kaluarën, edhe në të ardhmen ne do të jemi gjithmonë pranë për të ndihmuar dhe mbështetur vëllezërit tanë shqiptarë”, u shpreh ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, tha se u takuan me ambasadorin Yörük për të shprehur falënderimet për Qeverinë e Turqisë për ndihmën e ofruar për këtë rast.

“Së bashku me punonjësen e policisë erdhëm të përshëndesim ambasadorin, që në emër të Policisë së Shqipërisë ta falënderojmë për atë çfarë bëri Ambasada Turke këtu në Shqipëri, por kryesisht Qeveria e Turqisë për të rikuperuar dorën e punonjëses së policisë e cila u gjymtua gjatë protestave. Kjo duhet përshëndetur patjetër, për faktin sepse është bërë një punë e shkëlqyer dhe gradualisht dora e punonjëses së policisë po rikuperohet dhe do të jetë në gjendje që të vazhdojë punën si të gjithë kolegët e tjerë, të cilët janë duke kryer detyrën”, tha Veliu.

Ndërsa Nuka u shpreh se nuk do të tërhiqet nga detyra punonjëse e policisë dhe se ngjarja ku mbeti e plagosur e “ka bërë akoma më të fortë”.

“Dua të bëj një falënderim për shtetin turk, për të gjithë përfaqësuesit e Ambasadës së Turqisë në Shqipëri dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shqipërisë në Turqi. Jam shumë mirënjohëse dhe shumë faleminderit për gjithçka kanë bërë për rikuperimin tim, edhe mjekëve që u morën personalisht me mua. Gjithashtu pa harruar edhe presidentin (Recep Tayyip Erdoğan) që është marrë personalisht me rastin tim”, theksoi Nuka.

Nuka tha se në muajin shkurt do të rikthehet përsëri në Turqi për një ndërhyrje tjetër në dorë.

Punonjësja e Policisë së Shqipërisë, Ina Nuka, mbeti e plagosur nga një kapsollë gjatë protestës së organizuar më 22 nëntor 2018 para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, nga banorët që kundërshtonin shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës.

Nuka pas plagosjes, u dërgua për trajtim të specializuar mjekësor në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit pranë Universitetit të Shkencave të Mjekësisë ne Ankara, duke u mjekuar nga doktorët turq pas një operacioni me një teknikë shumë të ndryshme që nuk gjendet në literaturë./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit