Thaçi: Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur, sipas planit

0
44

Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 86-të me radhë, ku është miratuar Projektligji për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, si dhe projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, projektligjit për Organet Qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, si dhe vendime tjera që dalin nga fusha e përgjegjësisë legjislative dhe Kushtetuese.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar për përgatitjet për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, të cilat janë duke u bërë në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe Grupin Drejtues Ndërkombëtar. Kryeministri Thaçi theksoi se përfundimi i këtij procesi është sukses i përbashkët, që hap një kapitull të ri të perspektivës konkrete evropiane për Kosovën.

“Mund të them lirisht nga fillimi i shtatorit, me mbledhjen përfundimtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar në Prishtinë, dhe vlerësimi zyrtar që do të dal nga ky takim, është mesazhi më i fuqishëm i shtetit të Kosovës se Pavarësia e Kosovës është funksionale, se kemi ndërtuar rend demokratik, se kemi ndërtuar jetë tolerante mes gjithë qytetarëve të vendit, dhe se shteti ynë ka sjell më tepër paqe, stabilitet dhe frymë demokratike në gjithë rajonin” ka potencuar kryeministri Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi prezantoi letërkëmbimet, që janë duke ndodhur mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e Bashkimit Evropian për mandatin e EULEX-it. Sipas propozimit të institucioneve të Kosovës, misioni EULEX do ta ketë ditën e fundit të punës në Kosovë 14 qershorin 2014, kur edhe parashihet që t’i përfundoj mandati.

Marrëveshja e dyanshme e cila pritet të arrihet, do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa institucionet në Kosovë kanë kërkuar që gjatë punës së tij, EULEX-i të dorëzojë tek presidentja emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të angazhohen në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar projektligjin për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, që parasheh, krijimin dhe avancimin e bazës ligjore për konfiskimin e dobisë pasurore të fituar përmes veprës penale, me qëllim të parandalimit dhe luftimit sa me të suksesshëm të kriminalitetit të organizuar.

Po ashtu është miratuar projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, dhe projektligjin për Organet Qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, që ka për qëllim përcaktimin e organeve përgjegjëse për zhvillimin e shërbimeve të shoqërisë së informacionit në institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj mbledhjeje është miratuar edhe projekt rregullorja për caktimin e lartësisë së pagesës së shërbimeve dhe kontrolleve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe projekt-udhëzimin Administrativ për Ruajtjen dhe Shfrytëzimin e Lëndës Statistikore, si dhe propozim-vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që ndodhen në zonat Kadastrale Bërnicë e Poshtme, Bardhosh dhe Trudë të Komunës së Prishtinës.

Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli ka njoftuar Qeverinë për Ditët e Mërgatës, organizim që ka mbajtur ditën qendrore të saj më 4 gusht në Prekaz, ndërsa aktivitetet e saj do të vazhdojnë deri më 20 gusht.
Qeveria ka ndarë mjete për ndërtimin e shtatores së dëshmorit Fadil Vata në qytetin e Suharekës.kohaislame